Nëpunësit civilë dhe lakuriqët e natës

Nga Genc Melonashi October 17, 2013 11:19

Nëpunësit civilë dhe lakuriqët e natës

Një nga krijesat më të çuditëshme që ka prodhuar shoqëria njerëzore është pa dyshim, ajo që në shqip është emërtuar nëpunësi civil. Një shartim i pazakontë i një fjale “shqip” me një fjalë latine. Nuk e di se kush e ka futur në gjuhën shqipe fjalën nëpunës. Ka mundësi të jetë një përshtatje prej njërës nga gjuhët e grupit neolatin (impiegato, employé, …). Nga konsultimi me disa fjalorë, gjen shumë kuptime. Më i qenësishmi duhet të jetë punonjës zyre ose zyrtar, me sa duket për ta dalluar nga punëtorët e krahut. Por përshtatësi ynë ka sajuar një fjalë, që fillimisht të ngjall humor dhe papritmas të bën serioz. Të ngjall humor nga vet rrënjët e kësaj fjale: dhe punë. Populli përdor një shprehje: Për t’u gjendur Kola në punë. Pra, në plan të parë ka qenë problemi që dikujt t’i gjendet një vend “pune”, mandej… mandej nëse ka punë në atë vend “pune” apo jo dhe punon apo s’punon ky dikushi, kjo nuk ka rëndësi. Po përse të bën serioz? Të bën serioz kur merr vesh se kjo sajesë është futur në gjuhën zyrtare shqipe në vitet e para të marrjes së pushtetit nga Partia Komuniste. Me sa duket, përshtatësi ynë, jo vetëm e ka njohur në themel sistemin socialist, por edhe e ka parashikuar të ardhmen e tij. Ai e ka ditur se këto vende “pune”, me kohën, jo gjithmonë dhe kudo do të ishin vende ku do punohej, ku do t’i shërbehej shtetit dhe popullit, por vende ku do paguheshin dhe shpërbleheshin të gjithë ata që do të kontribuonin për mbajtjen e pushtetit. E pra, do të ishin ata, që edhe sot quhen, militantë dhe besnikë të partisë. Mbase kjo duhet të jetë edhe arsyeja e vërtetë përse shumë shpejtë, Partia Komuniste ndëroi emrin dhe u quajt Partia e Punës… Ju kujtohen besoj ushtarët e asaj kohe, që kur liroheshin, ngjireshin duke gërthitur “Parti e punës, Parti e punës,…”. Por nejse.

Kaluan vitet dhe erdhi një ditë kur Partia e Punës bëri sikur ra. Bëri sikur ra se Katovica nuk është më teori konspirative. Tashmë “petët e lakrorit u hapën” dhe shqiptarët i kanë sytë në ballë. Regjizori i fundit që vazhdoi të vinte në skenë dramën më tronditëse që u luajt në kurriz të shqiptarëve, për dyzetepesë vite rresht, që të mos hante plumbin si kolegu i tij ballkanik, Çaushevski, e mblodhi mendjen. Njëri nga dy kryeregjizorët e politikës globale botërore i kishte dërguar atij udhëzime përkatëse për një skenar të ri. Subjekti i dramës do të mbetej po ai, veçse në mënyrë sezonale, një herë në çdo 4 + vite, do të ndryshonte personazhi kryesor. E pra, çveshur nga alegoritë, Partia e Punës do të “coptohej”… Do të lindnin bijat e saj, dy favorite dhe të tjerat garniturë, të cilat do të pagëzoheshin, sigurisht nga i njëjti regjisor, me ca emra të bukur ala europianë. Me fjalë të tjera, nuk do të kishte më një trup me një kokë të vetme, por një trup me disa koka. U tha, u bë. Të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathë, “ish” dhe jo “ish” e “shijuan” këtë dramë-makth për 23 vite rresht. Por në mënyrën më tragjikomike e shijuan atë, të ashtuquajturit nëpunësa civil.

Kjo kategori punonjësish e trashëguar nga epoka socialiste, me kohën, do të merrte edhe dy tipare të reja, që do ta largonin me vite drite nga kuptimi fillestar i krijimit të saj. Së pari, në të u përfshinë të gjithë punonjësit që i shërbejnë shtetit, të mendjes apo të krahut, të zyrës apo terenit, të fshatit apo qytetit…. Së dyti ajo u nda në dy “korparmata” me në krye dy kokat e të njëjtit trup, që do të ishin në “luftë” të pandërprerë, për t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Kështu morri formën e plotë ai lloj “nëpunësi civil”, që më shumë do të mbahej “në punë” dhe paguhej, jo për shërbime ndaj shtetit dhe popullit, por për shërbime ndaj partisë. Brenda këtyre “korparmatave”, me kohën, u veçuan tre shtresëzime:

– Një shtresë idealistësh, në gadishmëri të përherëshme për t’u hedhur në luftë “për idealin e partisë”.

– Një shtresë, që ka përbërë shumicën, të cilët nuk e duruan këtë shpërfytyrim të personalitetit, këtë zgjedhë shpirtërore. Dhe fati i tyre dihet. Një pjesë braktisi atdheun, një pjesë jeton në zgrip, jeton fatin e njerëzve me dinjitet.

– Një shtresë e tretë, ajo më tragjikomikja, e cila, mjerisht, për të mbajtur me bukë veten dhe familjen, ose u skllavërua pas idealesh që as i njihte e as i kuptonte dhe jo rrallë, nuk i donte, ose detyrohej të shitej majtas-djathtas, haptas apo fshehtas.

Ishin këto formacione që, për gati një çerek shekulli morrën pjesë në betejat që u zhvilluan çdo katër vite, por edhe më shpesh. Sa për “shtabet” drejtuese, ata kanë bërë sikur luftonin. Kanë bërë sikur luftonin pasi, si do që të përfundonte beteja, ata e kishin dhe e kanë statusin e haxhillëkut që i madhi Ataturk e shfuqizoi pasi erdhi në fuqi… (A do ta kemi edhe ne një të Ataturk…?).

Në njërën nga mbrëmjet e këtyre ditëve, ndërsa futesha në një bar, pash të ulur në njërën nga tavolinat, me një gotë fërnet përpara, një mikun tim rreth të gjashtëdhjetave. U ula pranë tij dhe porosita një kafe. Është inxhiner elektrik dhe ka rreth njëzetë vite që punon pranë dikastereve qëndrore për mirëmbajtjen e paisjesh ajërkondicionuse. M’u duk shumë i mërzitur. E pyeta:

– Ç’kemi andej nga puna?

Psherëtiu dhe tha:

– Ti i di peripecitë që kam hequr për të mbajtur atë vend pune pas monizmit. E di gjithashtu që kam qenë anëtar partie. “Papritur” zbulova se një xhaxhai im paskësh qenë me ballin, gjë që ne si familje e kishim mbajtur të fshehur për disa dekada. Kisha në dorë një kartabjankë, një fletë-hyrje. S’prita fare. Me një herë u konvertova. Nga komunist u bëra demokrat. E mbajta goxha kohë vendin e punës. Por ujrat e politikës, këtu në atdheun tim të dashur, nuk rreshtin së turbulluari. Ndërsa unë, avazin. Isha bërë mjeshtër. E gjeja gjithmonë një marifet. Bëra dhe konvertimin e fundit që më mbajti zvarrë deri sot në këtë vend pune. Sa herë që bëja këto marifete, kthehesha në shtëpi i gëzuar, ndërsa gruaja duke më parë ashtu, më pyeste me ankth:

– Hë si vajti?

Dhe unë i përgjigjesha si zakonisht me të njëjtën formulë:

– “Shyqyr o zot që s’jemi kristian!”

E kuptonte metaforën dhe i qeshte fytyra. Ishte një kod i yni, që rikujtonte një copëz nga historia. Ishte koha pas Skënderbeut, kur turqit, krahas pushtimit, bënin dhe konvertimin e popullsisë nga kristianë në fenë e tyre. Sa herë që në ndonjë fshat apo krahinë shfaqej ushtria turke, luhej e njëjta skenë tragjikomike: Kristianët fshiheshin dhe s’gjenin vrimë ku të futeshin, ndërsa të konvertuarit dilnin, pa ia bërë syri tër, duke përsëritur me vete: “Shyqyr o Zot që s’jemi kristian!”…

Por si do që pas këtyre marifeteve përjetoja një qetësi familjare, që vajza do të vazhdonte studimet e larta dhe buka e gojës nuk do të na mungonte, thellë në ndërgjegje më kapte një makth që sa vinte e shtohej. E ndjeja se nuk do të mund ta duroja gjatë këtë sjellje hipokrite ndaj shpirtit tim, këtë ecje kundra vetes. Por tani arriti kulmin. Sot më shkoi mendja të marrë një radio dore, ta vë tek Radio Tirana me gjithë volumin dhe të vrapoj ku sytë këmbët, për të ndalur atje ku ky zë të mos dëgjohet më. Nuk e di, nuk e di ç’po ndodh dhe ç’do të ndodh me mua dhe familjen time..!

Këtu e ndërpreu ligjeratën dhe pa pritur ndonjë fjalë nga unë, porositi një fërnet tjetër. E piu me gëlldup dhe u ngrit duke ma bërë me dorë që të çohesha. U çova dhe unë. Pagoi edhe kafen time dhe dolëm. Kishte rënë nata. Ecëm pa folur disa metra. Mandej më përshëndeti me dorë duke më uruar natën e mirë. E ndoqa një copë herë në errësirë. Kishte një lëkundje disi të pazakontë. Mbase nga pija, mbase nga dëshpërimi ose nga të dyja bashkë. Ashtu në errësirë m’u duk si një lakuriq nate… Lakuriqët e natës…! Nuk e di pse më shkon mëndja për një analogji midis shtresës së tretë të nëpunësit civil të sipërpërmendur, me lakuriqët e natës.

Lakuriqi i natës është i vetmi sisor që fluturon. Ky lloj sisori fluturak me trup miu ka ardhur në këtë botë shumë kohë pas shpendëve dhe minjëve. Nuk dihen arsyet e vërteta përse Zoti sajoi një krijesë kaq të panatyrshme. Legjendat na thonë se shkaku ka qenë ushqimi. Një specie zogjësh, për të ngrënë nga të dy krahët, i tregonte minjëve ku fshiheshin rezervat ushqimore të shpendëve. Plasi kështu një luftë shfarosëse midis shpendëve dhe minjëve. Dhe Zoti që sheh gjthëçka, vuri dorë. I ndëshkoi këta zogj plangprishës duke i shndruar në lakuriq nate.. Që nga ajo kohë kjo specje e çuditshme nuk gjeti më prehje. Sa herë që binin në hall fluturonin për ndihmë, herë tek zogjtë e herë tek minjtë. Por të dy palët i dëbonin duke i thënë: shkoni tek minjtë, ose shkoni tek zogjtë. Kjo bëri që lakuriqi i natës të mbarsej me një urrejtje të madhe për të gjitha gjallesat e kësaj bote, duke kaluar në një depresion të thellë. Zoti mëshirmadh, për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen, i hoqi shikimin dhe e pajisi me një mekanizëm tip radari për të lëvizur vetëm natën. Dhe ai, siç dihet, edhe sonte e kësaj nate, fluturon vetëm natën, me një ecejakje kuturu si një kafshë e bërë tapë. Jo vetëm kaq, por Ai e përshtati të jetoj nëpër guva apo shpella me kokë poshtë; me sa duket për t’i mundësuar rrjedhjen pika-pika të dëshpërimit të grumbulluar në kokën si të miut…

Këto ishin lajmet e këqia që na vinë nga legjendat. Por biologët na japin një lajm të mirë: Lakuriqët e natës janë një specie në zhdukje……

Që nga 23 Qershori i këtij viti, Shqipëria është përfshirë nga një stuhi e fuqishme. Nuk i dihet sa do të zgjasë kjo stuhi. E sigurt është që ajo, veç dëmeve, sjell edhe mbarësira. Unë jam optimist. Jam optimist, jo nga natyra, por për rastin konkret. Gjasat janë se më të shumta do të jenë mbarësitë se sa dëmet. Por një dilemë e kam: A do të vazhdojë të mbijetojë kjo specie e panatyrshme e nëpunësit civil e formatuar gjatë këtyre 23 viteve rrumpallë të politikës shqiptare? Dhe akoma, a do të vazhdojnë punonjësit e administratës së sotme shqiptare të enden si lakuriqi i natës, sa herë që bythët në kolltuqet e qeverisë zëvendësohen nga të majtët apo të djathtët…?

Dymasi do t’i përgjigjej vetëm me tre fjalë të thurrura bukur:

“Prisni dhe shpresoni!”

 

Nga Genc Melonashi October 17, 2013 11:19
Komento

1 Koment

  1. Pëllumb zaimi October 21, 01:24

    Një esse e bukur për nëpunësin tonë tip kolomb qê ka zbuluar disa herë amerikën. Jo më falni! Administratën! Por me stilin e fluturimit zigzag te lakuriqëve të natës. Deri sa “zoti” e pajisi me sensorin e ultratingujve për te diktuar me mire mjedisin politik! Kolombi mos harroni që kishte vetem busull!? Po ku orientimi me busull e ku orientimi me ultratinguj???

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim