Nëse s’do qe vdekja, jeta nuk do ishte kaq e rëndësishme…

July 8, 2017 12:00 Updated

Nëse s’do qe vdekja, jeta nuk do ishte kaq e rëndësishme…

Që të themi të vërtetën,
që të gjithë kanë rënë në leqe,
sepse e jetojnë jetën,
dhe kur është shumë e keqe!

Që prej ditës së fillimit,
jetën kaq të shtrenjtë e kanë,
dhe në kamp të përqendrimit,
qenë të paktë që veten vranë!

Jetën e do fort i riu,
dhe më fort kur je gërdallë,
çfarë s’ka bërë në jetë njeriu,
që të mbetej një i gjallë!

Shumë s’e dinë të vërtetën,
ç’është burgu dhe shtrëngimi,
po nuk i provuat vetë,
s’jipni dot kurrfarë gjykimi!

Nëpër dhimbje të mëdha,
kur duket se s’ka më shpresë,
njeriu ka bërë gjithçka,
vetëm për pak mbijetesë!

Për pak ditë edhe ca,
s’di në ç’gjynahe u futët,
a s’qenë çifutë dhe ata,
që në furrë fusnin çifutët?!

Kur je në tehun e thikës,
dhe kur vdekja rrotull rri,
ca prej dhunës-ca prej frikës,
do ta bënte çdo njeri!

Shumë të paktë kanë duruar,
dhimbjet që s’mund t’i durojmë,
kur vetë s’i kemi provuar,
s’kemi të drejtë të gjykojmë!

Dhe në qoftë e sfilitshme,
dhe kur mizori jeton,
jeta është e rëndësishme,
ngaqë vdekja ekziston!

Durojmë gjithë vetëtimat,
vetëtimat dhe rrufetë,
dhe vetëm ata më trimat,
ikin vetë nga kjo jetë!

Me miliarda të tjerë,
u shkrua dhe fati im,
e duroj këtë kolerë,
se ende nuk jam një trim!

Të durosh këtë kolerë,
një torturë çdo ditë të nisësh,
kur s’e bën dot më të mirë,
Botën duhet ta braktisësh!

Jetës sonë nuk i janë ndarë,
injorantë e arrogantë,
po nuk jemi magjistarë,
qymyret t’i bëjmë diamantë!

Do ta shkruaj të vërtetën,
në një shkëmb e jo në rërë:
“Ose të ndryshojmë jetën,
o të zhdukemi të tërë!”

A. Duka

July 8, 2017 12:00 Updated
Komento

1 Koment

  1. MH July 8, 13:55

    Ishe,Je dhe do mbetesh i madh perjetesisht i pendes poetike shqiptare.
    Nga ku me poezi cfleton urgjent nji mrekulli.Romani don nji jave per ta ambsorbuar,thithur(perfunduar).

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*