Nesti Nase: Mehmet Shehu na përcaktoi detyrat si do të rrëzonim Enver Hoxhën me forcën e armëve

Kujtim Boriçi January 22, 2013 12:19

Nesti Nase: Mehmet Shehu na përcaktoi detyrat si do të rrëzonim Enver Hoxhën me forcën e armëve

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 18

 

“Takimi në zyrën e Mehmetit në qershor të vitit 1981. Puçi për përmbysjen e shtetit do të bëhej në momentin që Enveri të mos ishte në Tiranë”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në deponimet e tij në seancën e 18-të të gjyqit kundër Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, ish-Ministri i Jashtëm Nesti Nase tregon qëllimin e grupit agjenturor të kryesor nga Mehmet Shehu, përkatësisht, rrëzimin e Enver Hoxhës me armë! “Në qershor të vitit 1981, në takimin në zyrën e Mehmet Shehut, kreut të grupit agjenturor të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, u konfirmua plani i rrëzimit të Enverit me dhunë. Mehmeti tha: Me hir, nuk u bë gjë. ‘Tani, mbetet ta rrëzojmë me pahir, me dhunë, me armë’. Pasi më tha se kishte caktuar detyra konkrete për Kadriun e Feçorin, mua më tha që të merrja masa që të propagandoja nëpërmjet përfaqësive në botë, domosdoshmërinë e veprimit që do të kryenim”- deponoi Nesti Nase në këtë seancë…

Nesti Nase(Ish-ministër i Jashtëm):- Në vitin 1981, kur ndodhën ngjarjet tragjike në Kosovë, kur tanket dhe forcat serbomadhe ushtarake, me topa e avionë, shtypën, gjakosën, vranë e prenë vëllezërit tanë në Kosovë, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, përpiqeshin me këtë mënyrë, që jo vetëm ta pengonin këtë lëvizje, këtë revoltë të gjithë popullit të Kosovës, por donin që nëpërmjet formave të ndryshme, të arrinin të ndryshonin edhe ngjarjen në Shqipëri, gjë që pikërisht, është dhe qëllimi final i organizatës kundër revolucionare. Pra, marrja e udhëheqjes, rrëzimi i pushtetit dhe ndërrimi i kursit të politikës në vendin tonë.

Në vitin 1981, në qershor, më thërret Mehmet Shehu në zyrë. Vajta për disa çështje që kishin të bënin me disa ndryshime që do të bëheshin  në ambasadorët tanë jashtë vendit. Se, sipas rregullit, duhej të merrej edhe mendimi im. I them:’Kemi ndërmend që të bëjmë këto ndryshime…! Jo, ndryshime tani nuk do të bëjmë, ndryshime të mëdha do të bëjmë pas kongresit thotë – dhe ti e shikon, thotë, që gjendja tek ne është bërë e padurueshme me qëndrimin që po mban Sekretari i Parë (Enver Hoxha) lidhur me ngjarjet në Kosovë. Më pas vazhdoi: Është vënë në rrezik ekzistenca e Shqipërisë, prandaj duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të ndryshojë kjo gjendje. Dhe filloi të më shpjegojë, domethënë, si të thuash, për gjendjen që ishte krijuar dhe problemet që kishin dalë dhe si bëhej e domosdoshme, që me hir ose me pahir, kjo gjendje duhet të ndryshojë. Këtë Mehmeti ma tha në qershor të vitit 1981, duke më theksuar në mënyrë të veçantë, që, ‘për këto probleme që po flas me ty tani, kam biseduar gjerë e gjatë me Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun’.

 Njëkohësisht, më ka porositur lidhur me zbatimin e orientimeve që na dha Sekretari i Parë kur kemi qenë në mbledhje unë, Mehmet Shehu e Feçor Shehu, lidhur me çështjen e Kosovës, që unë, ‘të mos eci si kalë karroce’. Më pas shtoi se: ‘Megjithatë, unë kam folur veçanërisht dhe dihet çfarë qëndrimi kam mbajtur, dhe për këtë nuk dua të flas më gjatë këtu…’. Pra, këtu ra sinjali i parë, ose si të thuash, është hera e parë që më doli hapur Mehmet Shehu, lidhur me qëndrimin final të organizatës kundër revolucionare, çështjen e marrjes së udhëheqjes së Partisë dhe të pushtetit me hir ose me pahir. Dhe në këtë veprimtari të tillë kaq të poshtër e kaq të rëndë, ishte në radhë të parë, si të thuash, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu.

Ndërsa në dhjetor të vitit 1981, ishte pikërisht pas Kongresit, dihen fare mirë rezultatet që dolën në Kongres. Pra, qoftë përbërja e Komitetit Qendror, qoftë përbërja e Byrosë Politike. Por dihet gjithashtu që plani i Mehmet Shehut dështoi për arsye se në shtator u prish fejesa që ai djali i tij bëri me vajzën e familjes reaksionare, gjë që krijoi ato probleme dhe ato gjëra, që tani unë nuk dua të zgjatem. Por që kishin qëllimin e tyre dhe ato, përse e bëri Mehmet Shehu këtë. Por kjo, pra, krijoi një situatë krejt ndryshe për Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun, nga ajo që prisnin ata para, gjatë e pas Kongresit. Ata mendonin që në Kongres të dilnin në udhëheqjen e Partisë, të dilnin njerëz që të përkrahin Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, etj… Qëllimi qe që të viheshin njerëz që të përkrahnin Mehmet Shehun, kryetarin e bandës dhe të linin në minoritet Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror(Enver Hoxhën).

Pra, shkova në dhjetor. Kanë qenë ditët e para, një ose 2 dhjetor, nuk më kujtohet ekzakt data e takimit në zyrën e Mehmet Shehut. Pasi më foli diçka për reparacionet dhe për një lëvizje të atasheut francez, më thotë:’E pe, nuk doli gjë me hir nga Kongresi. Me hir nuk u bë gjë. Tani mbetet që të bëhet me pahir. Më tej Mehmeti vazhdoi:’Sekretari i Parë(Enver Hoxha) e ka vënë gjendjen, si të thuash e ka sjellë në një situatë të tillë që është bërë e padurueshme, që duhet hequr qafe dhe duhen përdorur të gjitha format dhe armët, për të bërë këto ndryshime  që parashikojmë lidhur me ndryshimin e gjendjes në vendin tonë’. Më tutje tha:’Për këtë, kam ngarkuar Kadriun, mund të thotë, le të hidhet përpjetë Kadri Hazbiu sa të dojë. Këtë ja kam ngarkuar Kadri Hazbiut e Feçor Shehut që të marrin masa lidhur me zhvillimin e veprimeve që do të bëhen për marrjen e udhëheqjes me forcë, me anën e përdorimit të armëve!

Tani, pse ma tha hapur mua Mehmet Shehu këtë, sepse këtu i mbetet merak Kadri Hazbiut edhe gjatë ballafaqimit. Unë isha bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, unë isha anëtar i organizatës kundër revolucionare, unë kisha kryer një sërë veprimesh agjenturore në favor të Mehmet Shehut. Unë, njëkohësisht, edhe në bisedën e dhjetorit, ngarkohesha me detyra. Duhej të dija pa tjetër se çfarë do të bëhej, sepse edhe në këtë bisedë të dhjetorit më ngarkoi me detyra Mehmeti mua. Ai më tha:’Ti Nesti, duhet të kesh parasysh tani, të justifikosh dhe të argumentosh si duhet dhe sipas rregullave ndryshimet që do të bëhen në këtë rast, të ekspozosh një politikë të tillë që t’i përgjigjej këtyre ndryshimeve. Por në mënyrë të veçantë, në çdo mënyrë të ekspozosh një politikë të re, një qëndrim të ri lidhur me çështjen e Kosovës dhe që t’i përgjigjet interesave e dëshirave të jugosllavëve!’… Kohën ekzakte, mua nuk ma përcaktoi, se kur do të bëhej grushti i shtetit, përdorimi i forcës nga ana e Feçor Shehut, Kadri Hazbiut e që kryesohej nga Mehmet Shehu… Siç thashë, qëllimi final ishte pikërisht marrja e udhëheqjes së Partisë dhe të pushtetit, e kthimin e Shqipërisë në një vend vasal të fuqive të huaja.

Kjo ishte dëshira dhe ekzigjenca që kishte vetë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, sepse siç thashë, ata hanin në një çanak, ishin të një mendimi dhe vepronin në të gjitha rastet bashkë. Por njëkohësisht, kjo ishte dhe dëshira e agjenturave të huaja, sepse dihet që organizata jonë kundër revolucionare, nuk ishte një organizatë kundërrevolucionare që drejtohej vetëm nga Mehmet Shehu sipas dëshirave dhe qëllimeve të tij, por ajo drejtohej  sipas kërkesave që bënin agjenturat e huaja që i shërbenin Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, Feçor Shehu, etj… Kadri Hazbiu kishte dhe mendime të ndryshme dhe një farë nënvleftësimi për lëvizjen marksiste-leniniste, në kundërshtim me vijën e Partisë, ishte ironik e më thoshte:’Ama, Nesti! Ama forca kemi, ë? Me këto do bëhet revolucioni?’.  Tani, këto ishin shkurtimisht për Kadri Hazbiun.

Dua të them diçka për Feçor Shehun. Lidhjet e mia me Feçor Shehun kanë qenë pas vitit 1980. Domethënë, në kohën që u bë ministër, pasi para se të bëhej ministër, nuk kam pasur kontakte me ‘të. Kisha vetëm ndonjë telefonatë apo ndonjë takim të shkurtër. Një ditë, në muajin qershor, duke ardhur për në shtëpi ose afër shtëpisë sime Feçor Shehu më thotë midis të tjerave, lidhur me kontaktet që kishte pasur me Spase Tuniqin, rezidentin e zbulimit jugosllav në ambasadën jugosllave në Tiranë, lidhur me detyrën e grupit tonë për të penguar në vitin 1981 përpjekjet e lëvizjes kosovare që kërkonte Kosovën Republikë, se duhej punë…

Tani, pikërisht në këtë kohë, pak më vonë kuptohet, më thirri Mehmet Shehu dhe më kërkoi mendimin, se kishte marrë porosinë e jugosllavëve, por donte dhe përkrahjen time dhe këtë unë e kam shpjeguar. Nuk do të zgjatem për këtë që më kërkoi mendimin, duke marrë parasysh, se gjoja jugosllavët kanë moderuar qëndrimin, të ndërpritej propaganda jonë kundër Jugosllavisë. Një rast tjetër tipik, me Feçor Shehun është dhe çështja e takimit që ka bërë me të ngarkuarin me punë, bullgarin Nikolov, më duket dhe me Aleksandrovin. Por ky më foli vetëm për Nikolovin, në rastin e parë dhe më tha qartë që takimin e kishte bërë në hotel ‘Dajti’. Dihet tani, se takimet ai i zhvillonte në berberhanen e Xhavit Ismailagës. Unë kam pasur rastin, që në tre herë të jem me Feçorin tek ‘Dajti’ ku kemi pirë ndonjë gotë raki. E rakinë na e ka sjellë Xhaviti… Pashë se ai kishte intimitete dhe njohje të afërt me Feçorin. Pas disa ditësh, po në muajin qershor, Feçor Shehu më foli për një takim që kishte bërë me Nikolovin, bullgarin, të ngarkuarin me punë dhe më thotë ç’kishte biseduar. Ai m’i thoshte mua këto, me porosi të Mehmet Shehut… Kur takoi bullgarin, unë i them Feçorit:’Po mirë, ç’ju desh ju të takoheni me këtë bullgarin, po mirë me këtë jugosllavin s‘e marr vesh pse u takuat”. Feçori m’u përgjigj:’E, e, ti Nesti, sikur nuk i kupton këto gjëra. Ti i kupton vetë!’. Por mund të them se pas takimeve të Feçorit me Nikolovin dhe Spase Tuniqin, tek ky, dukej një qëndrim më i hapur armiqësor kundër vijës së Partisë.

Kryetari(Aranit Çela):- Keni pyetje ju. Ke pyetje ti Xhavit?

Xhaviti:- Kam një pyetje. Ky tha që takimet realizoheshin tek unë. Unë në deponimet e mia e kam treguar se si është realiteti.

Kryetari:- E qartë, ulu. Mihallaq Ziçishti, ke ndonjë pyetje? Nuk ka. Ali Çeno ke? Hajde.

Ali Çeno:- Kisha për të sqaruar diçka, në lidhje me atë që thotë i pandehuri Nesti Nase për sa i përket problemit kur Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë të Punës të Shqipërisë vdiq në Paris. Desha të them për armikun Kadri Hazbiu dhe poli agjentin Mehmet Shehu. Në atë kohë, tradhtari Mehmet Shehu ka qenë me pushime në Dajt. Ka qenë i tërbuar, ishte bërë si një kafshë e egër bashkë me gjithë Fiqret Shehun. Dhe kërkuan që të vendosnin edhe telefonin natën tek dhoma e gjumit. Nuk kalonin as 10 minuta pa e marrë ai në telefon Kadri Hazbiun në zyrë dhe thoshte që unë kam dërguar atje Llambi Ziçishtin, edhe Servet Backën… Domethënë, muhabete të tilla. Dhe njëkohësisht, në bisedat e mëvonshme, Fiqreti filloi të na largojë ne të gjithëve…

Kryetari:- Mirë Ali, kjo s’ka të bëjë me këtë. Gani Kodra ka ndonjë pyetje… Feçor Shehu, ke ndonjë pyetje?

Feçori:- Kam.

Kryetari:- Hajde.

Feçori:- Ky tha, se, kur fliste për Kadri Hazbiun, tha shpesh herë dhe emrin tim, aq sa kam marrë unë shënim, aq sa munda. Ndiqeshin grupet kulturore e arsimore, artistike që vinin nga Jugosllavia dhe ndiqeshin nga sigurimi këmba-këmbës dhe nuk liheshin të takoheshin me shqiptarët.  Mund të na japë ndonjë sqarim ky, se unë e di që këta, vinin nëpër shtëpitë e tyre?

Nesti:- Këto janë me qindra, për sa i përket, sidomos viteve 1971, 1972, 1973. Pastaj, derisa vuri dorë Sekretari i Parë  i Komitetit Qendror dhe ua mblodhi, u krijuan komisione…. Feçori i di mirë se si kanë folur jugosllavët, deklaratën që ka bërë Tito dhe vetë ata që ankoheshin dhe janë informacionet në Ministrinë e Jashtme…

Kryetari:- Tjetër pyetje?

Feçori:- Për mua, ka mundësi të më japë një shembull se nuk kam qenë dakord me luftën e kosovarëve?

Nesti:- Unë e thashë në mënyrë të veçantë, që pas takimit me Spase Tuniq, Feçor Shehu, sipas porosive që kishte marrë nga Mehmet Shehu, nga bisedat që kemi bërë, më ka thënë që kjo, domethënë, duhet të ndryshojë kjo politikë, nuk duhet të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, nuk duhet të japim këtë përkrahje… Bile, unë kam dhe një shembull tjetër. Janë një numër telegramesh në Ministrinë e Jashtme që trajtojnë qartë orientimet që janë dhënë, të cilat bien në kundërshtim me udhëzimet që dha Sekretari i parë i Komitetit Qendror. Nga bisedat që kanë bërë zbuluesit që drejtoheshin në atë kohë nga Feçor Shehu, ku u thoshim që qëndroni urtë tani, mos bëni zë se rrezikoni ekzistencën e Shqipërisë, etj… Këto janë dokumente në Ministrinë e Jashtme, që ndodhen e që janë nga zbuluesit e Feçor Shehut.

Feçori:- Ka mundësi që të na thotë ndonjë telegram, që ta evidentojë gjykata?

Nesti:- Ke telegrame nga Varshava, nga Viena, nga Sofja. Ka telegrame nga takimet që kanë bërë zbuluesit edhe që u thuhej kosovarëve:’Mjaft bëtë, kini kujdes, nuk duhet të veproni më tutje se po rrezikoni ekzistencën e Shqipërisë!’. Këto ishin udhëzimet.

Feçori:- Ky, Ministër i jashtëm, anëtar i kësaj organizate gjithnjë që takon Mehmet Shehun!? Thotë ky, ‘që detyrat kryesore ja kam dhënë Kadri Hazbiut e Feçor Shehut’! Cilat ishin këto detyra kryesore, ka biseduar ndonjëherë me mua për këto detyra kryesore?

Nesti:– Unë ua thashë, që kur Mehmet Shehu më tha që do t’i rikthehemi këtij problemi, ai tha vetëm për detyrat, tha që ka ngarkuar Feçor Shehun, si për rastin e qershorit etj… Më foli Mehmeti gjithashtu, për detyrat që i kishte ngarkuar Kadri Hazbiut…

Feçori:- Po unë kam një pyetje. Në ballafaqim ka thënë se unë e takova bullgarin, tani thotë ne e takuam bullgarin… Kush është e vërteta?

Nesti: Le të hapet procesverbali përkatës, të shikohet. Feçori më ka thënë takuam Nikolovin dhe e theksova dhe këtu tamam, Nikolovin…

(Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI

-Deponimet e Mihallaq Ziçishtit: Si e krijuam ‘Organizatën kundër revolucionare të vënë në shërbim të agjenturave të huaja të kryesuar nga Mehmet Shehu, anëtarët e saj dhe mënyra e funksionimit.

-Takimet e kompromisit me Liri Gegën e Dali Ndreun në qeli nga Kadriu, Feçori e Mihallaq Ziçishti: Mos trego në hetuesi për ‘grupin’ që Mehmet Shehu të të shpëtojë jetën!

-Si manipuloheshin(ndryshoheshin apo asgjësoheshin) dokumente e fakte për të mbrojtur veprimtarinë e grupit antiparti të kryesuar nga Mehmet Shehu.

 

DETAJ 1

“Pasi më foli diçka për reparacionet dhe për një lëvizje të atasheut francez, Mehmeti më thotë:’E pe, nuk doli gjë me hir nga Kongresi. Me hir nuk u bë gjë. Tani mbetet që të bëhet me pahir. Më tej Mehmeti vazhdoi:’Enver Hoxha e ka vënë gjendjen, si të thuash e ka sjellë në një situatë të tillë vendin, që është bërë e padurueshme, që duhet hequr qafe dhe duhen përdorur të gjitha format dhe armët, për të bërë këto ndryshime që parashikojmë lidhur me ndryshimin e gjendjes në vendin tonë’. Më tutje tha:’Për këtë, u kam ngarkuar detyra dhe Kadri Hazbiut e Feçor Shehut”

 

DETAJ 2

“Unë isha bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, isha anëtar i organizatës kundër revolucionare, kisha kryer një sërë veprimesh agjenturore në favor të Mehmet Shehut. Në takimin e qershorit 1981, Mehmeti më tha:’Ti Nesti, duhet të kesh parasysh tani, të justifikosh dhe të argumentosh si duhet ndryshimet që do të bëhen. Të ekspozosh një politikë të tillë që t’i përgjigjet këtyre ndryshimeve. Por në mënyrë të veçantë, në çdo mënyrë të ekspozosh një politikë të re, një qëndrim të ri lidhur me çështjen e Kosovës dhe që t’i përgjigjet interesave e dëshirave të jugosllavëve!’”

Kujtim Boriçi January 22, 2013 12:19
Komento

4 Komente

  1. saliheqenefi January 22, 13:29

    na hapet barkun me kto deponime dihet boterisht qe gjygji ishte nje farse , si mund te shiten kto deponime si te mirqena , mesa duket spaska gazeta te pavarura ,edhe DITA qenka brenda grupit te interesit.

    Reply to this comment
  2. Beni January 23, 10:42

    Nesti Nase qenka perdhunuar keq nga sigurimi i shtetit, i paska ulur pantallonat deri ne fund te kembeve. Alamet burri deklaron perralla dhe shpif pa gje te keq, sajon histori me dedektive, puciste, e kriminele.

    Reply to this comment
  3. Mallakastrioti January 23, 15:24

    Te gjith nje mut kan qen keta, (agjent) te gjith mundoheshin per copa ,kush tia fuste shoku shokut. Xhaxhi ua futi koqet e big 😉

    Reply to this comment
  4. hiqmet veizi January 23, 18:17

    BURRI i mire ne MALLAKASTER ka qene vetem HAKIM NEXHIP CANAJ nga KLOSI qe largepams e pa se do vinin kohra te veshtira ja futi vetes me ilac miu ndersa spiun me i math ne mallkaster ka qene po nga KLOSI HAKIMI i dyte ( DJALI I KETIJ TE PARIT)por ky s arriti dote te vethelmohej se e hegri KANCERI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*