Nga “duart e pastra” te duart e përgjakura

Nga Bedri Islami -Pjesa II June 16, 2014 13:06

Nga “duart e pastra” te duart e përgjakura

(Vijon nga numri i kaluar)

“Mrekullia e katërt”. Në kohën kur Lulëzim Basha do të fillonte të bëhej personazh publik, njëherësh me të do të shfaqej edhe një emër tjetër: Damir Fazlliç. Një serbo boshnjak, me lidhje të fuqishme familjare të dyfishta me pushtetin serb të Millosheviqit dhe me nëntokën serbe të mafias pitike dhe oligargisë financiare. Fazlliç është tashmë një ndër emrat serbë më të njohur në Shqipëri, ai ka kaluar nëpër të gjitha portat e mundshme ku mund të kalonin në vitet e para të pasçlirimit vetëm emisarët e lartë të Titos dhe të Rankoviqit, deri në Mbledhjen e Këshillit të lartë të Sigurimit të Shtetit. Askush tjetër, serb apo serbo-boshnjak, që nga mesi i vitit 1948, nuk do të ishte njeri me më shumë autoritet në shtetin shqiptar, kumbar i një seri pinjollësh të politikës, mik familjar i kryeministrit të vendit, ortak i bizneseve të së bijës, studio avokatore e së cilës do të ishte njëkohësisht edhe vendi i lëvizjes së parave të mëdha drejt parajsës fiskale të Qipros; njeriu pas të cilit shihen disa nga enigmat më të mëdha të politikës së një klani serb, ende të fuqishëm në Shqipëri dhe në Kosovë. Beniamini i Fazlliçit do të jetë pikërisht Lul Basha. Që të dy do të kenë të njohur të përbashkët në Kosovë; por ndërsa Fazlliçi do i kishte ata si urë lidhëse mes dajës së tij, ish shefit të UDB-së në kohën e Millosheviqit, Basha do i ketë bashkëpunëtorë të selisë së UNMIK-ut. Prej këtyre zyrave, përmes lidhjeve serbe, do të dalin të dhëna të rezervuara, të cilat do i bëjë publike në gjyqin e tij Millosheviqi dhe do të trondisin dëshmitarët shqiptarë të Kosovës.

Miqësia e Fazlliçit ishte e shtrenjtë për Bashën, njëlloj si për Berishën. Përballë tij ata përbënin një 2B të frikshme, e cila mund të të merrte shpirtin në çdo çast që ata vetë e shihnin të domosdoshme. Fazlliçi ishte mes tyre, jo thjeshtë si njeriu hije, por si frymëzuesi i mesazheve politike, pas së cilave fshiheshin e vazhdojnë të fshihen mistere të ekonomisë. Fazlliçi do të jetë njëkohësisht edhe udhërrëfyesi i dytë i jetës politike të Bashës, një lloj alterego e Argita Berishës, dyzim i një figure, e cila, sa herë që do të vinte nga sferat mafioze beogradase, aq herë do i sillte dëme të mëdha Shqipërisë.

Ende asnjë herë nuk është shtruar seriozisht pyetja: kush i solli fazlliçët në Shqipëri: ishte zgjedhje e Berishës apo ishte një hyrje përmes derës së Bashës? Periudha e ardhjes së tyre në Shqipëri është e njëjtë, afërsia e tyre me Berishën dhe familjen e tij biologjike është po ashtu e njëjtë; që të dy ata herë pas here, megjithë pamjen e kundërt do të jenë njëfarësoj vëllezërish siamezë; pranë tij Basha do të delegojë të kunatin, nëpër shoqëri aksionere fantazmë, të cilët befas shndërroheshin në kompani me vlerë milionë eurosh, që pastaj transferoheshin, po ashtu befasisht drejt Qipros. Basha e kishte mendjen dhe fytyrën nga Berisha, por zemrën dhe adresën nga Fazlliçi. Ai, si duket e kishte nuhatur se, përmes Berishës mund të humbiste, por përmes fazlliçit vetëm mund të fitonte. Sepse i dyti, pavarësisht “bumit” të tij politik, kishte një ndikim të çuditshëm edhe tek vetë kryeministri. Ishte një përsëritje tragjike e rastit të Hajdin Sejdisë, njeriut që la pas vetes një gropë në Tiranë, ndërsa fazlliçët po linin në një gropë të hatashme gjithë ekonominë shqiptare.

Fazlliçët në Shqipëri dhe bordi serb në politikën shqiptare, mjerisht, në vitet e fundit, i kanë gjetur të hapura të gjitha portat për të bërë zhvatjet e tyre. Pranë tyre, në çdo rast, si figurë dominuese e njeriut të deleguar, do të jetë edhe Basha, që duke përfituar nga kjo “përvojë” nis të ndërtojë, përmes “kunetërve” dhe kushërinjve botën e tij të biznesit. Ajo do të shfaqet herë në formën e një kompanie të fluturimit civil, herë në ndërtimin e marketeve të mëdha, në lobimin për firmat serbe në energji dhe biznesin ushqimor, në lidhjet me klanin serb në ekonominë e Kosovës, në pengimin e ndërtimit të linjave të Interkonjeksionit me Kosovën, dhe jo rastësisht, prania e Bashës do të jetë e dukshme.

Kush e solli Fazlliçin në Shqipëri? Çfarë pengu kishin lënë pas vetes, Berisha e Basha njëkohësisht, që nipin e shefit të UDB-së e bënë mik shtëpie? Duhet të jetë një borxh shumë i madh, i pamatë, që ka lidhje jo vetëm me vitin 2005, kur Basha dhe Fazlliçi shfaqen në Tiranë si kapidanët e politikës shqiptare, por shumë më herët, dhe që ka njërin nga pikëtakimet e saj, Prishtinën dhe bordin serb të saj.

Shpesh herë kam menduar se çfarë do të bënte politika shqiptare, në të gjithë trojet e saj, nëse një lider socialist, do të kishte bërë të njëjtën gjë: të kishte mik shtëpie nipin e shefit të UDB-së dhe njëkohësisht njërin nga përfaqësuesit më të rrezikshëm të mafias politike serbe? Me siguri, këmbanat do të binin edhe sot e kësaj dite, nga të gjitha foltoret do të shpallej mallkimi për kombmohuesit. Heshtja e zgjatur në politikën e Kosovës dhe denoncimi i shkurtër, dëshmojnë se rruga e përbashkët zë fill nga Kosova dhe bordi i saj serb, i cili, si e kam thënë edhe më parë, kishte njerëzit e saj edhe në qeverinë që shkoi.

“Mrekullia e pestë” e Bashës ka një emër të përbashkët: dikasteret. Tri herë do të provohet si ministër dhe të tria herët do të lerë pas vetes nga një gjëmë. Si ministër i komunikacionit ai akuzohet për përvetësimin e 210 milionë eurove dhe gjithçka mbyllet me një procedurë të vonuar, gatuar në mënyrë të përbashkët nga prokuroria dhe gjyqësori, që njëkohësisht ulërisnin si në korin e lashtë grek, por tashmë jo në një tragjedi; si ministër i punëve të jashtme, përmes një puthjeje të Dora Bakojanisit, i dhuronte Greqisë detin perlë të Shqipërisë së Jugut. Kjo do të kishte qenë puthja më e shtrenjtë në historinë e Shqipërisë, që më pas do i ngjante një kafshimi. Si ministër i punëve të brendshme ai është pjesë e masakrës së 21 janarit, dhe këtë e bën ftohtësisht, së bashku me atin e tij shpirtëror. I vetëm, atij do i kishte ikur buzëqeshja nga buzët për të gjithë pjesën e mbetur të jetës biologjike; i mbështetur tek vjehrri politik ai do të vazhdojë ende me këtë buzëqeshje makute. Si është e mundur që në një shtet, të cilësuar demokratik, me pushtetet e ndara, të ndodhin të gjithë këto dhe të mos ketë ndëshkim? Për gjëra shumë më të pakta se këto, qoftë edhe për një të dhjetën e njërës prej tyre, statura të rëndësishme të politikës ndërkombëtare kanë rënë në humnerë, ndërsa tek ne, ndodh e kundërta: ata bëhen edhe më të rëndësishme.

Në pragun e zgjedhjeve të vitit 2005, nga perandoria e parë e Berishës kishte mbetur ende diçka që mund t’i besohej: ajo që kishte ndodhur në vitin 1997 ishte quajtur një çmenduri financiare e përthyer me pa përlyerje korruptive presidenciale. Socialistët po njihnin mërinë e ndarjes së parë; në Pogradec, shefi i qeverisë Fatos Nano, dy javë para zgjedhjeve, ftonte në takim Ali Ahmetin dhe i thonte të bënte kujdes në marrëdhëniet me Sali Berishën, pasi ai vetë ishte në ikjen e pushtetit. Në qeverinë e re, juristit me diplomimin në Hollandë i besohet sektori i komunikacionit, disa nga figurat e KOP-it bëhen pjesë e qeverisë, askush nuk mund ta mendojë se shumë shpejt qyrkut të ndershmërisë do i binin të gjitha fijet dhe e vërteta do të dilte lakuriq: në qeverinë e “duarve të pastra” kishin ardhur më të korruptuarit e historisë moderne. Më pas, këto duar do të përgjakeshin.

Basha e mësoi shpejt se pas kësaj mrekullie që i ishte besuar, ai mund të bëhej tashmë, jo vetëm dikush në politikë, por gjithçka ishte shansi i tij në ngritjen e një piramide financiare, si domosdoshmëri shqiptare për të qenë aktual në politikë. Të ndershmit, intelektualë idealistë dhe të varfër ishin përzënë tashmë nga politika; kishte ardhur koha e hesapeve dhe këto të fundit, ai, Basha, i dinte krejt mirë, ashtu si i dinte edhe familja biologjike e kryeministrit.

Mbi Shqipëri u vendos oligarkia politike e një njeriu, i cili, mjerisht, nuk kishte mësuar asgjë nga e kaluara. Shkatërrimi i ligjit filloi me një gjest simbolik: hedhjen në erë të mbikalimit të Zogut të Zi, si shenjë se tashmë, kushdo që kërkon të ndërtojë jashtë vëmendjes qeveritare, mund të hidhet “në erë”. Basha do të jetë pjesë e kësaj fillese tragjedie, dhe nuk do të mund të ndodhe ndryshe. Ai po vizohej si njeriu pranë shefit, dhe, në këtë rast, do të bënte si shefi i tij. Në tri rastet e gjëmës dikasteriale që Basha i bëri apo synoi t’i bëjë vendit të tij, përsëri, si eminencë gri do të jetë Fazlliçi. Ai do të qëndrojë mes tij dhe Berishës, apo më saktë, mes tij dhe Argitës, herë si këshilltar, herë si vendosës, dhe më pas si njeriu që tërhiqet kur mjegulla po mbulon të vërtetën.

21 Janari ishte dita e ndarjes së të vërtetës nga krimi. Nëse më parë kishte pasur njerëz që e besonin pastërtinë e Berishës dhe të Bashës, kjo kishte rënë me monopolet financiare në duart e tyre dhe Rrugën e Kombit, një megamashtrim gjigand; nëse dikush kishte pasur iluzionin se kishte ende diçka nga kombi në qenien e tyre, kjo kishte rënë me dhurimin për hatër të pushtetit të detit të jugut dhe dëshirës për të ringritur kishat serbe në Kosovë; tashmë do të vinte e vërteta tjetër, edhe më e frikshme: nëse dikush kishte menduar se bluzat e bardha dhe mendja hollake nuk vrisnin, ata do e bënin vrasjen fakt të kryer në mesin e një bulevardi, që për mizorinë e tyre e ka ende emrin Dëshmorët e Kombit.

Do të kthehem për një çast shumë vite pas, në 2 prillin e vitit 1991. Pas vrasjes ende misterioze të 4 protestuesve në Shkodër, njeriu i parë që akuzoi Berisha, shefi i opozitës, ishte pikërisht Gramoz Ruçi, ish ministër i brendshëm, dhe Ramiz Alia, ish president. E bëri me aq vrull dhe me aq pasion, me aq ndezje gjaku dhe turfullim, sa që e gjitha të dukej se kishe ndodhur pikërisht për këtë. Gramoz Ruçi u akuzua, por edhe u thirr nga hetuesia, në të cilën shkoi; edhe u thirr nga gjyqësori, ku edhe vajti; edhe u lexuan procesverbalet, bisedat, urdhrat që ishin bërë ose ishin dhënë asaj dite. Me 21 janarin ndodhi ndryshe: u fshi dhe u fsheh gjithçka. Berisha dhe Basha nuk lejuan asnjë nga të akuzuarit, punonjës të gardës, të ishin pjesë e hetimit të prokurorisë, vrasësit u strehuan brenda në kryeministri, sepse ajo ishte shteti brenda shtetit; vetë ministri i brendshëm as nuk u thirr nga hetuesia apo nga prokuroria, dhe as që nuk lejohej të thirrej. Shefi i qeverisë dha urdhrin për asgjësimin e serverit, në të cilin ishte e vërteta e vrasjeve dhe urdhërdhënësit. Gramoz Ruçi, kur ndodhi 2 prilli në Shkodër, ishte 120 kilometra larg ngjarjes, Basha ishte 20 metra larg saj.

Ajo ishte dita X e krimit, pas saj qëndronte një ditë tjetër, e projektuar nga fazlliçët dhe bordi serb në Tiranë. Ata, si edhe në Shkodër me 2 prill, kishin shkuar me mendimin se do të kishte përplasje tjetër, më të furishme, të pakontrolluar, dhe pas saj do të vinte asgjësimi. Askund në botë, shefi i një qeverie nuk thërret në delir se do të vrasë edhe 30, edhe 300 të tjerë, dhe ministri i brendshëm buzëqesh, sikur të ishte fjala për pjepra dhe jo për njerëz.

Përmes kësaj “mrekullie” Basha mësoi se të jesh pjesë e pushtetit oligarkik mund edhe të vrasësh, edhe të provokosh, edhe të mbulosh vrasjen, edhe të asgjësosh sistemin juridik, e përsëri të jesh aty ku ishe, në mos më lart.

“Mrekullia e gjashtë” e Bashës, të cilën ai e mori me vete kur shkoi në kishën e shenjtëruar të Laçit, është një parti gjysëm e shpartalluar, e cila, e krijuar si shpresë e një jete ndyshe, tashmë është bërë një gjysëm gërmadhë politike, fati i së cilës varet nga njeriu që ka në duart e tij kërbaçin dhe kulaçin. Kjo që ndodh aty, nuk është faji i tij, është trashëgimia që gjeti dhe që e mori pas vetes, pikërisht si një mrekulli e kohës dhe e dhunës politike. Pak kush mendon se, po të ishte me të vërtetë një strukturë demokratike, ashtu si u krijua, mbi vizionin studentor dhe intelektual të dhjetorit 1990, Basha mund të ishte drejtuesi de jure i saj. Më mirë se të gjithë këtë e dinte ai që edhe e shkatërroi partinë që ia dhuruan studentët, Berisha, ndaj edhe bëri lëvizjen e tij politike, që deri atëherë e kishte përqeshur: një anëtar, një votë. Duke shkelur hapur me forcën e sunduesit, ligjin statutar që vetë e kishte miratuar. Në asnjë forum të PD-së figura e Bashës nuk ishte karizmatike dhe vendosëse, përkundrazi, po të ishte një parti relativisht e demokratizuar, ajo me kohë do të kishte shporrur nga vetja njerëz mbi të cilët rëndonin krime si, të vjedhjes, të faljes së truallit të kombit dhe të vrasjeve.

Në Shkodër, zakonisht, kur duan të blejnë një shtëpi, pyesin: E ke ndërtuar vetë, apo e ke nga babai? Në se e ke ndërtuar vetë, atëherë çmimi do të jetë i lartë, pasi i di vështirësitë që ka kaluar; në se e ke nga babai, atëherë do e japësh lirë, sepse nuk e ke heq mundimin. Kjo ndodhi edhe me Berishën, që gjeti një parti të ideuar nga Ramiz Alia, të ngritur nga studentët, të zaptuar nga sigurimsat e vegjël dhe të pushtuar nga udbashët. Këtë parti, në të cilin në darkë shkoi si komunist i vendosur dhe në mëngjes e llogariti se do të ishte më mirë të zgjohej demokrat, Berisha e shkundi, dhe tani, Basha do ia nxjerrë rrënjët. Ai e di mirë se as grupi i skifterëve në parti, as grupi verior brenda saj, as biznesmenët e rinj partiakë, nuk mund të jenë pro tij; ndaj ka filluar lëvizjen e shkuljes së çdo gjëje dhe një fillimi të ri, për të lënë më pas një parti të shembur, të cilën e gjeti të rrënuar, dhe ku një berishë tjetër nuk do të mund të gjejë asnjë kundërshti.

Basha është tani shefi ligjor i PD-së, shefi i bashkisë së Tiranës, të cilën e di gjithkush se si e mori; dhe shefi i SHQUP-it politik, një detashmenti të ri që po krijon rreth vetes si unazë mbrojtëse politike.

Ai ka fatin të ketë përballë vetes “mrekullinë e shtatë” të jetës së tij politike: pushtetin e sotëm.

U bënë 10 muaj që është në pushtet një qeveri e së majtës, e cila, ashtu si ka bërë punë të mira, ka njohur dështimet e ndjeshme të pandëshkueshmërisë.

Kjo qeveri është votuar për hyrjen në Bashkimin Europian, por më përpara është votuar për të hequr të keqen nga sistemi. Ajo është votuar për hapjen e vendeve të punës, por më përpara për shkuljen nga administrata të të gjithë të pamerituarve partiakë, të vendosur në momentet e fundit. Ajo mund të ketë të drejtën deri diku të shkojë pas avazit të komisioneve parlamentare, ku opozita po u fut çdo të enjte; por mbi të gjitha ata që e vodhën deri në kockë këtë vend, që e rropën dhe e shitën, të jenë përgjegjës para ligjit.

Qeveria nuk po e bën këtë, ndaj Basha dhe bashallarët e tjerë janë të lirë të kenë si moto të tyre, ende pa u mbushur një ditë në opozitë: Shqipëria në protestë.

Shqipëria duhet të jetë në protestë: por në radhë të parë për mos ndëshkueshmërinë e krimit që ka ndodhur, në lulëzimin e mëtejshëm të të vjelave të korrupsionit, në livadhisjen e atyre që përmes politikës krijuan mafian ekonomike, sundimtare, që hartuan dhe bënë fakt ligje në dëmin e Shqipërisë dhe të njerëzve të saj.

2B-të , Berisha dhe Basha,e e ndjejnë më mirë se të tjerët se kjo qeveri, me gjithë dëshirën, nuk e ka ende forcën për të shkulur të keqen, që vetë ata mbollën kaq thellë dhe kaq rrënjshëm. Pas 10 muajve qeverisje është koha për një pyetje të dyfishtë ndaj qeverisë: nuk doni apo nuk mundeni?

Basha po e shijon deri në fund këtë “mrekulli” qeverisëse. Edhe të tjerë pranë tij ose rreth e rrotull tij. Deri kur, këtë askush nuk e di.

Ndoshta, këtë askush nuk e di, kur një lëvizje tjetër si ajo e dhjetorit, do të shkundte edhe një herë alergjinë qeverisëse, atëherë do të zgjohemi të gjithë mes rrëmujës dhe qametit.

Ata që kanë ndodhur në 8 vitet e qeverisjes së fundit të demokratikasve, ku Basha ishte e mbetet njëra nga figurat më të zgërlaqura politikisht e ekonomikisht, kërkojnë vëmendjen e qeverisë, që të rikthehet besimi i njerëzve ndaj pushtetit, dhe të bëhemi një vend normal më së fundi, ku paguhet djersa e ndershme, mendja e hapur, mendimi intelektual dhe ku i pasuri e di se vjen gjithçka nga ndershmëria dhe jo nga vjedhja. A do të vijë një kohë e tillë? Në se vazhdon qeveria të bëjë një dhuratë këtë lloj mrekullie të mos ndëshkimit, nuk do të vijë asnjëherë.

 

 

Nga Bedri Islami -Pjesa II June 16, 2014 13:06
Komento

17 Komente

  1. . June 16, 13:13

    ————————————————————————-
    Ceta-Veriore PD,
    ———————–
    krimineli Ali Bisha
    ————————
    Presidenti
    ————–

    organizatoret e “Droges Lazaratit” dhe “Avionit Divjakes”.
    —————————————————————————-

    Reply to this comment
  2. jan June 16, 13:51

    krejt e vertet dhe shume bukur e ke then ore .

    Reply to this comment
  3. BENI June 16, 14:40

    shume e vertete ,do te jete mrekullia e radhes per Bashen po te mbetet pa ndeshkuar per te gjitha krimet qe i numeroi sakte Bedri Islami. Ai duhet te behet shembulli i pare ,e me pas babai shpirteror , plaku i shpellave Saliu .Per kete duhet te ngrihet populli ne protesta jo per ato qe i ngre Berisha ca trushkulur ,funderina me te vertet.

    Reply to this comment
  4. TROJA June 16, 14:56

    Per ke i shkruan keto i nderuar ZOTERI?
    Mendoj se 100 vjetori i revolucionit te Tetorit po afron.Ndoshta edhe piqen kushtet,qe njerezimi dhe shqiperia te shpetoje nga mjerimi,varferia dhe poshtersia.Eshte pak si utopi,se edhe po shpertheu nje Dhjetor si 90-91,perseri kjo gjendje do mbetet.
    Kapitali i ka mare te gjitha masat qe te mos ndodhe asgje ne te mire te popujve,ashtu si dhe qeveria sot qe nuk e ka ne planin faktik,nje teme te tille.Prej teje shume faleminderit per keto qe shkruan,me nje guxim te madh,por mos shpreso kurre ne nje sistem qe ka degraduar.

    Reply to this comment
  5. P.A.B June 16, 15:18

    (A) Si ministër i komunikacionit ai akuzohet për përvetësimin e 210 milionë eurove dhe gjithçka mbyllet me një procedurë të vonuar, gatuar në mënyrë të përbashkët nga prokuroria dhe gjyqësori, që njëkohësisht ulërisnin si në korin e lashtë grek, por tashmë jo në një tragjedi;

    (B) si ministër i punëve të jashtme, përmes një puthjeje të Dora Bakojanisit, i dhuronte Greqisë detin perlë të Shqipërisë së Jugut. Kjo do të kishte qenë puthja më e shtrenjtë në historinë e Shqipërisë, që më pas do i ngjante një kafshimi.

    (C) Si ministër i punëve të brendshme ai është pjesë e masakrës së 21 janarit …

    ***

    z. Islami po thote ate realitet [te pabesueshem ne shtete funksionale] qe e artikulojne shume Shqiptare; qofte si pjese e dikasterit e me pergjegjesi finale per cdo veprim qe ndodh ndaj ti; z. Basha do kishte marre fund me kohe si Person Publik. Dhe ne mos te ndiqej e denohej; reputacioni i tij do ngelej i shkaterruar, ku asnje force politike nuk do ishte ne gjendje ta paguante koston qe sjell “shoqerimi” me te.

    Kur ndodh nje here – ka doreheqje, nga pergjegjesia / presioni medias-op. publik.
    Kur ndodh dy here – nuk eshte me rastesi, dhe/ose vepron ligji.
    Per here te III-te, tregon se personi ka kaluar pertej ligjit e shoqeria eshte de-sensibilizuar ne ekstremet te tilla, sa asgje nuk ben me pershtypje.

    Nje Shoqeri e Shtet, me sadopak vete-respekt, do e kishin spostuar me kohe nje figure te tille qe eshte implikuar per keq, ne cdo post te larte qe ka mbajtur; per te mos thene qe ka diskretitim te niveleve kriminale pasi ate e fakton gjykata. z. Basha se shoh si figure te konsumuar a/dhe te telekomanduar; me ngjan me teper me nje perqeshje cinike qe i behet gjithe vendit; nje kujtese vizive qe thote: S’keni c’te [me] beni!

    Reply to this comment
  6. sopiqoti June 16, 15:24

    Shresoj te ndodhe ose me mire koha ta sjelle mrekullin e tete: ..Te 2 Bet- ne shkojne para ligjit per bemat e tyre ne qeverisje.A do te ndodhi kjo? Shpresa nuk humbet .

    Reply to this comment
  7. ALBANO June 16, 15:41

    po shoku rama ::::a i shikon keto gjera :::a i ndjek keto piselliqe apo nuk kupton shqip :::apo nuk shikon mire se edhe vete ka bere vjedhje ne kurriz te popullit ::ne shqiperi te gjithe rama ;;;meta berisha basha jane te korruptuar dhe asnje nuk ben nuk vepron :::populli tretet si lope nga te korruptuarit ::::dhe rama thote i kemi bere tegjitha per te merituar europen :::tallet me shqiptaret :::tallet me europianet ::por bota nuk jane shqiptare :::;;;?

    Reply to this comment
  8. moisiu June 16, 15:50

    Z.Bedri ,keni autoritetin per te krijuar levizjen “Hajdutet dhe tradhetaret e kombit ,ne burg,dhe me vone ne litar ” Edi nuk e ben se humbet qeverine ,terhiqet Iliri. Per Ju nuk ka kush te terhiqet,per ju ka vetem mbeshtetje,perserite kontributin tuaj qe dhate ne kosove,dhe jeni legjende atje ,koha nuk pret ! Avokat Spartaku u terhoq me pak presjon te Ilirit per ti hequr licencen e studios ! Ju skeni cfare te humbisni,ju keni licencen e popullit te ndershem.Pasuria kombetare u grabit ,tju a marim plehrave dhe tja kthejme popullit qe i takon !

    Reply to this comment
  9. Anonimi June 16, 16:22

    Fort i nderuar zoti Bedri Islami ju falenderoje per guximin qe tregoni , si pas kesaj qe lexojme dhe degjojme, Lulezim Basha na i dashka shume Holandezet dhe se shkrimet e tuaja na japin mundesin te mesojme bemat e Lulit ne Kosove e Shqiperi, nga ku munde te nxjerrim konkluzionin, se pas perpjekjeve te holandezeve per te penguar statusin e hyrjes se shqiperise ne europe … duhet te jete ky hero i heshtur i demo kraqise shqiptare … sa do rrojme do te mesojme … por i lutem te madhit zot … nga afijet te na shpetoje … neper bote kete pune e bejne me pare … ndersa ne shqiperi e bejne si pune vullnetare …

    Reply to this comment
  10. Meteh June 16, 16:31

    Z.Bedri,ju lumt per analizen-anatomin qe i beni zotris Basha,ketij pionieri te Saliut,i cili do e kompromentoi shume figuren e drejtuesit te PD-se,pasi do behet gjithmon tabel qitje nga gjithkush qe ka perpara tij nje opozit popullore,ksaj te djathte te korruptuar qe i vuri flaken shqiperie qe nga themelimi i saj me teorin:”te shkaterrohet çdo gje e ndertuan ne kohen e Hoxhes”-sikur te ishte pasuria e tij dhe jo e popullit qe e ndertoi dhe sakrifikoi aqe shume.PD dhe 2B ne keto 23 vite ka bere vrasje,vjedhje e shkaterrime me shume se ç’ndodhen gjat luftes se dyte boterore.Kjo maxhorance ka shancin qe me argumente te godasi per vdekje 2B-te dhe,te vazhdoi reformat rrenjesore,duke filluar nga sistemi i drejtesis,duke shkarkuar menjeher Nishanin,Llallen,Ajazin,Kr/gjykatave te gjitha niveleve e duke krijuar gjykaten speciale per te denuar te pandershkueshmit te derisotem..!

    Reply to this comment
  11. Po,Po June 16, 17:02

    UDB-ja,mbasi e konsumoi me efektivitet te larte plehren e Vicidolit,emeroi ne vend te tij ,si agjent te ri me perspektive funderrinen L.Basha,te cilin e ka korruptuar e kompromentuar ashtu si dine te bejne ata,me shprese qe ta coje ne fund misionin per cberjen e gjitheckaje shqiptare dhe mbetjen ne histori si nje meteor.

    Reply to this comment
  12. Fari Balliu June 16, 18:49

    Te lumte dora.Tu ndrihte jeta dhe mendja i nderuar.Vetem Juve po ua beni akt-akuzen ketyre tradhetareve te ketij kombi!

    Reply to this comment
  13. iri June 16, 20:02

    Nje analize e qarte shume profesionale, e sakte bindese djegese qe te alarmon nga brenda , c’fare po behet keshtu,?. Mazhoranca qeverisese sot ka rastin mundesine e pergjegjesine e plote para popullit per te bere punen , per te shpartalluar kete sistem te qelbur te drejtesise, te vere administraten ne pune me ngarkese te plote , kjo me cdo kusht e cmim,, Me krye kriminelin saliqenin nuk duhet te mereni fare tani per tani lereni te lehe ete haje m… sa te ngopet.,,,,!

    Reply to this comment
  14. Kris June 16, 21:16

    Keni harruar nje mrekulli e cilia mund te zbardhe me sakte figurien e Bashes .Si e siguroi pashaporten amerikane kur bleu shtepi ne Hollande?A mund te jap spjegime zyra e emigracionit?Cili ishte burimi I financimit te shtepise ne Hollande?Paret e piramidave,ndonje shperblim I huaj per punet e kryera apo thjeshte kredi?
    E di se keto duhet ti kishte zbardhur ShIK po ai eshte I zene me survejimin e shperndaresve te droges.

    Reply to this comment
  15. Nick June 17, 00:13

    I kam ndjekur shkrimet e Bedri Islamit. Ka te njejten linje, bardh e zi qe I pershtatet redaksise se Dites dhe lexuesit te saj. Tipa te tille nuk dine ndryshe dhe gjithmone fajin e deshtimit te tyre e gjejne te sistemi. Tani gjithe cfare shkruan mund te pranohet nga disa lexues, por vetem nje pyetje kisha si e dije qe Ruci ishte 120 km larg vendit te ngjarjes? E fundit per kete “Islamin” duhet ti besosh drejtesise ashtu siq beson per rastin e Rucit, dergo provat ne Prokurori per Bashen e besoj drejtesise.

    Reply to this comment
  16. Socialisti bythpambuk June 17, 00:27

    Nuk ka ndeshkueshmeri sa te jete Edi mashtruesi.
    SOCIALISTE! Largojeni nje ore e me pare. Shpetoni PS por me shume shpetoni SHqiperine.

    Reply to this comment
  17. MARKO June 17, 22:29

    Bedri ISLAMI, nderi i gazetarise shqiptare.Faleminderit me shpirt..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*