Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë”

November 27, 2017 17:21

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë”

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij. Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit.

Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika. Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi.

E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin.  Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i  Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën.

Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve.

November 27, 2017 17:21
Komento

3 Komente

  1. Labi November 27, 17:55

    Po sikur të mos kishim fituar pavarësinë, të mos kishim derdhur aq gjak…..vallë si do ishim sot..
    U mbyten shumë vlonjeter për t’u bërë italiane…

    Reply to this comment
  2. Gimi November 27, 17:55

    Po na tregoni dhe aktoret për të vërtetë?

    Reply to this comment
  3. Gjovalin Kacorri November 28, 12:59

    Po nenkryetari i qeverise se Vlores imzot Nikolle Kaçorri perse edhe sot nuk permendet?!!! Nga kush eshte inerpretuar? Apo perseri mbi personalitetin e tije te larte e te padiskutueshem kombetar po vepron censura!!! Nga Gjovalin Kaçorri gazetar i ACTV (Albanian Community TV,Michgan USA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*