Nga lajkat për pushtet tek reformat për progres

April 15, 2017 09:45

Nga lajkat për pushtet tek reformat për progres

Fadil Nasufi, ish-kryetar i një prej bashkive kryesore të vendit për disa mandate rresht, aktualisht prefekt i qarkut të Beratit analizon  ndryshimin e qeverisë Rama me qeveritë e mëparshme. Ku e sheh diferencën një politikan lokal dhe sa e vërtetë është shprehja se puna e atyre që janë lart gjykohet më mirë nga ata që janë “poshtë”

 

Intervistoi Elton Koka

 

– Z. Fadil, mandati i parë qeverisës i së majtës së bashkuar po shkon drejt përfundimit dhe pritet të nisë gara për qeverisjen e re. Si një “veteran” i fushatave zgjedhore si e konsideroni situatën në prag të zgjedhjeve të 18 qershorit?

– Në politikë ndodhin shpesh paradokse të tipit “sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë besohet”, edhe pse kurba e progresit shoqëror nuk i njeh kapërcimet e mëdha dhe modës së revolucioneve ka kohë që ia ka zënë vendin evolucioni. Por shumëkush harron atë që u bë kanceri i demokracisë së brishtë shqiptare: vjedhja shtetërore e votës, madje, hapur, përmes dhunës, në maj 1996.

E kam përjetuar personalisht këtë masakër elektorale në Berat dhe gjithnjë them: “PD kurrë nuk do emancipohet e besohet, nëse nuk dënon zyrtarisht dhunën dhe vjedhjen elektorale të atij viti, përfshi edhe arkitektin e saj”. Vlaga demokratike e PD nuk zgjati më shumë se tre vjet, deri në referendumin e për projektin e dështuar kushtetues (1994). Pastaj, dihet; në mandatin e dytë 2005-2013, qeverisja e PD u vu në funksion të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, shitja e gjithçkaje publike, deri edhe deti. Por, simbol i kësaj qeverisjeje u bë afera “ÇEZ”. Asnjë reformë serioze nuk u ndërmor gjatë tetë vjetëve të tjerë në pushtet, përkundrazi. Kjo ishte me pak fjalë kultura dhe tradita politike që krijoi e ashtuquajtura e djathta e re shqiptare e krijuar nga dhe çeta e Saliut, e cila, me sa duket, do të pasurohet, nga Saliu junior, Lulzim Basha me idenë e një “Republike të re” nën regjinë dhe për llogari të ustait të vjetër.

– A shihni ju ndryshim thelbësor mes PD dhe PS, për shembull, duke iu referuar edhe fushatës së zgjedhjeve të qershorit 2013, por edhe ushtrimit qeverisës?

– Programet, premtimet, parullat a sloganet, devizat apo logot janë aspekti formal, propagandistik që ofrojnë fushatat elektorale, natyrisht shoqëruar edhe me gënjeshtra e demagogji, të cilat, në kushtet e mungesës së institucioneve serioze shtetërore, por edhe medias pa përvojë apo një shoqërie pa kulturën e nevojshme politike mund të ç’orientojnë votuesit dhe opinionin. Partia Socialiste, e dinte që PD kishte ndjekur politika të gabuara, kishte bërë plot zullume, por askush nuk mund ta besonte që qeveria e Berishës dhe L. Bashës i kishte fshehur publikut borxhe të mëdha; mbi 700 milionë dollarë fatura të papaguara. Megjithëse PD përdori të gjitha format për të manipuluar zgjedhësit, duke e vënë krejt buxhetin e shtetit në shërbim të rizgjedhjes; duke bërë punësime elektorale të militantëve, duke fryrë listat e njerëzve që përfitonin padrejtësisht asistencë sociale, duke dhënë licenca fiktive deri për universitete fiktive, duke mbyllur sytë për të mos mbledhur taksat apo nxitur kultivimin e drogës, ajo nuk arriti të rifitonte. Pushteti u la, por edhe kësaj radhe sipas stilit të Saliut “pas meje le të behet kiameti”: me financat bosh dhe një mal me borxhe!

Edi Rama jo vetëm vendosi të zbardhet borxhi publik përmes një auditi ndërkombëtar, por, për më tepër, planifikoi  shlyerjen e borxheve, duke riprogramuar investimet e parashikuara apo premtuara në fushatë. Ilustrimi ideal për të lexuar e krahasuar sjelljen politike të qeverive para vitit 2013 dhe qeverisë Rama është menaxhimi i pasurisë më të madhe publike të shqiptarëve, energjisë elektrike. Si kryetar bashkie me dhjetëra herë vija vërdallë për një shtyllë apo një transformator, duke u lutur në KESH apo qeveri, deri tek KM. Se, qysh prej periudhës së elektrifikimit në vitet 1970 nuk ishin bërë investime në rrjetin shpërndarës të qarkut të Beratit. Tani, pas reformës së vërtetë që kreu në këtë sektor qeveria Rama, na ofrohet vetë “KESH”-i për investime! Gjatë vitit 2013-2016 janë zëvendësuar në total 281 transformatorë, janë ndërtuar linja të reja transmetimi; investimet e vetë operatorit të energjisë shkojnë në miliona! Vetëm linja e re Skrapar-Berat e tensionit 110 KË kapi vlerën 538.000.000 lekë. Qeverisja e Edi Ramës arriti të bëjë diferencën, edhe pse zgjodhi të rrezikojë shumë nga pikëpamja elektorale qysh në fillim. Nuk kishte shumë mundësi zgjedhjeje as për pyetjen tjetër: të ndërtonte rrugë të reja me borxhe apo të shlyente faturat e prapambetura prej paraardhësve, që llogariteshin në disa qindra milionë euro, për ndërtimet apo punët e lëna përgjysmë me fatura të firmosura por të pashlyera, edhe pse qenë prerë shiritat e inaugurimit disa herë. Me Edi Ramën mori fund tradita e përcjelljes së përgjegjësisë, krizave dhe problemeve, d.m.th., tradita e rotacioneve fiktive të pushtetit duke e mbajtur Shqipërinë në një stanjacion të plotë.

A mund të na thoni me pak fjalë çfarë solli “Rilindja” në Berat?

– Investimet publike në qarkun e Beratit të realizuara gjatë periudhës 2013-2016 dhe të financuara nga qeveria në infrastrukturën rrugore, në arsim, shëndetësi, bujqësi, rrjetin energjitik etj., janë  mbi 10 miliard lekë. Këto investime e kanë shndërruar Qarkun e Beratit në kantier të madh pune dhe i kanë transformuar plotësisht qytetet dhe zonat që kanë përfituar investime. Investimet e kryera në këto 4 vite janë gati sa 20 vite të marra së bashku para vitit 2013! Rruga e re kombëtare Berat-Lushnje, 39 km, investim në vlerën 30 milion dollarë, ka dhënë impakt të jashtëzakonshëm për zhvillimin social ekonomik të Qarkut të Beratit. Riveshja me asfalt e 3 loteve të rrugës Berat-Skrapar në vlerën 225 milion lekë e kthen në normalitet funksionimin e këtij aksi rrugor, aq shumë të amortizuar. Për vitin 2017 fillon investimi për ndërtimin e rrugës Ura Vajgurore-Kuçovë-Belsh me vlerë 20 milion $.

E, po ta them në fund atë që duhet ta thosha në fillim, se për 20 vjet Berati u katandis në një katund, edhe pse cilësohej edhe botërisht si një nga perlat e qytetërimit shqiptar. Kurse në katër vjetët e “Rilindjes”, me reformat dhe projektet e qeverisë së Edi Ramës Berati po rikthehet më i bukur se kurrë, aq sa janë pafund turistët dhe vizitorët. Berati po kthehet në kartolinë turistike. Por kjo nuk po ndodh vetëm me qytetin tonë, por edhe me gjithë qytetet e vendit. Po të isha operator dhe të kisha një kamera do beja një dokumentar neto, pa asnjë fjalë, thjesht duke xhiruar ndryshimet që solli Rilindja urbane për qendrat nga Çorovoda e Skraparit, tek Poliçani, pastaj Berati, Lushnja, Kavaja, Durrësi dhe për ta përfunduar xhirimin në sheshin “Skënderbe”. Ju mund të thoni ç’të doni, por që kemi një kryeministër  qytetar dhe artist nuk mund ta kundërshtoni.

Mirë, por ka që thonë se Edi Rama vërtet është një menaxher i shkëlqyer, por “nuk është për të drejtuar parti”. Si i komentoni ju këto zëra?

– Mendoj se kjo është një dilemë e kapërcyer, përderisa Edi Rama drejtoi një parti që fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe ndaj rivalëve. Për më shumë, mendoj që Edi Rama është lideri që jo vetëm ofroi një model të ri të menaxhimit të partisë, por, dhe kjo është më e rëndësishmja, ofroi një model qeverisje krejt ndryshe nga paraardhësit. Ata që thonë se Edi Rama është një menaxher i shkëlqyer, por “nuk është për të drejtuar parti” i referohen pikërisht modelit të partive të vjetra, të cilat pastaj formatojnë një pushtet apo shtet partiak që mbi të gjitha vë interesat e partisë, klanit apo grupeve të caktuara dhe jo progresit të vendit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e tij. Edi Rama ka meritën së kurorëzoi dekomunistizimin, reformimin e plotë dhe evropianizimin e partisë socialiste.   Politikanët seriozë vlerësohen jo nga ato që thonë, por nga ato që bëjnë, jo nga ato që thonë gjatë garave elektorale, por nga ato që thonë më shumë gjatë ushtrimit të pushtetit;  mbi të gjitha një burrë shteti vlerësohet nga ndryshimet dhe rezultatet afatgjata dhe të qëndrueshme të qeverisjes. Për Sali Berishën dhe partinë e tij ka qindra epitete që nga ato që e ngrënë në majë të qiellit dhe nga ato që e fusin në rrethin më të zi të Ferrit, por, fakt historik  është i thjeshtë: qeverisja e tij në finale e ka shpënë Shqipërinë, ekonominë dhe shtetin shqiptar në buzë të greminës.

– Z. Nasufi, kur një pushtetar thotë  publikisht se “nuk i dua votat e atyre që shkelin ligjet, që kultivojnë hashash; që nuk paguajnë taksat, që dëmtojnë interesat publike”, a nuk përbën kjo një kosto?

– Natyrisht. Hashashi është një epidemi e trashëguar, edhe pse pak si gjatë në kohë, që shumë shpejt, në “Qeverinë Rama 2” do të arkivohet qysh në vitin e parë të rinovimit të mandatit si një problem të kapërcyer, ashtu si u kuruan shumë plagë të tjera të ekonomisë e shoqërisë shqiptare. Por, sipas meje, rreziku dhe krimi më i madh elektoral nuk është as kanabisi, siç flet gjithë ditën sot opozita. Vjedhja e votave përmes vandalizmave, përmes “të fortëve” tashmë është tejkaluar, ashtu si edhe, për shembull, ndërhyrja e policisë në procesin zgjedhor. Këto forma i vetëdiskreditoi një herë e mirë Sali Berisha. Premtimet e pabaza dhe demagogjia elektorale janë “hashashi” i vërtetë i garave për pushtet në Shqipëri. Tallavaja e “Çadrës” së Lulzim Bashës në mes të kryeqytetit nuk është gjë tjetër veçse një “çadër” e përpunimit dhe shpërndarjes së hashashit elektoral në emër gjoja të luftës kundër “qeverisë së hashashit”.

– Shqipëria është i vetmi vend ballkanik me tranzicionin më të gjatë politik drejt demokracisë së qëndrueshme. Sipas jush, pse kaq gjatë?

– Para disa ditësh mësova nga interneti se ishte botuar në shqip libri i një arbëreshi me titullin “Botës i pëlqen të mashtrohet”. E, pra, duhet thënë hapur se edhe ne si shoqëri kemi një ves, ndoshta, më të përhapur se tek popujt e tjerë: na pëlqen të gënjehemi! Ndoshta, herë pas here, kryeministri Rama mund të ketë krijuar dhe idenë e njeriut kokëfortë, por pa një këmbëngulje deri në kokëfortësi nuk mund të nguliteshin rregullat themelore të një rendi shoqëror të pranuar prej të gjithëve. Të gjithë ne e kujtojmë premtimin e tij, gati-gati të pabesueshëm dhe mund të themi dhe propagandistik, siç u kuptua në fillim, për ngritjen e një byroje federale hetimesh, të ngjashme me atë të SHBA. Edhe ne që kemi qenë e jemi pranë tij në pikëpamjen politike dhe zyrtare jo të gjithë e kemi besuar. Por me një këmbëngulje që mund të quhet dhe kokëfortësi ia doli të çojë së paku njërin prej pushteteve kushtetues, pushtetin gjyqësor, deri tek rithemelimi, ringritja mbi themele të shëndosha, duke iu nënshtruar rreptësisht verifikimit, vetting-ut, që mund të konsiderohet reforma më e madhe e ideuar prej tij. Nëse nuk bëhet reforma në drejtësi, ashtu sikurse u fut në rrugën e duhur polica, urbanistika, energjetika, arsimi etj., Shqipëria do kthehet pas. Por unë, personalisht, kam filluar të besoj dhe besoj fort se jemi në rrugën e duhur.

 

April 15, 2017 09:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*