“Nga mbasditja takoj atë floririn tënd dhe…’’ ja përgjimet që fundosën gjyqtarin

July 27, 2016 09:47

“Nga mbasditja  takoj atë floririn tënd dhe…’’  ja përgjimet që fundosën gjyqtarin

Prokuroria e Krimeve të Rënda merr të pandehur gjyqtarin Ibrahim Hoxha, i akuzuar për korrupsion në këmbim të një vendimi gjyqësor. Përgjimet: “Nga mbasditja  takoj atë floririn tënd dhe pastaj takohemi bashkë , mirë vëllaçko’’. Bashkë me gjyqtarin të pandehur janë edhe 5 persona të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv, ushtrim ndikimi dhe moskallëzim krimi.

Tre muaj pas arrestimit të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, prokuroria ka përfunduar hetimet duke i komunikuar gjyqtarit të dyshuar akuzën e korrupsionit pasiv.

Bashkë me të, të pandehur janë marrë dhe dy djemtë e tij, personi që ka dhënë paratë si dhe ndërmjetësi i aferës së dyshuar korruptive.

Gjyqtari akuzohet se ka marrë 6 milionë lekë nga i pandehuri Dritan Jazexhi, në këmbim të një vendimi gjyqësor në favor të tij për një çështje pronësie.

Ndërsa personat e tjerë të akuzuar si pjesë e kësaj afere kanë patur role të ndryshme, sqaron prokuroria. Akuza e korrupsionit i është komunikuar ditën e djeshme gjyqtarit.

Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzën edhe Dritan Jazexhiut dhe Novruz Gajdes, të akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarëve”.

Gjithashtu, të pandehur janë marrë shtetasit Lejdon Hoxha, djali i gjyqtarit), i akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; Altin Malaj, për veprën “moskallëzim krimi”; dhe Gerald Hoxha, për veprën e “deklarimeve të rreme”.

Për këtë të fundit ka rezultuar se ka qenë në dijeni të veprimeve të mësipërme dhe ka deklaruar rrethana të rreme para oficerit të policisë gjyqësore.

Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar hetimet, në bazë të të cilave ka rezultuar se shtetasi Dritan Jazexhiu ishte në një proces gjyqësor civil, i cili zhvillohej në Gjykatën e Tiranës, nën drejtimin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha.

Jazexhiu, nëpërmjet shtetasit Altin Malaj, është njohur me të pandehurin Novruz Gajdja.

Ky i fundit ka marrë përsipër që të ndërhynte te gjyqtari Ibrahim Hoxha, me qëllim që ai të jepte vendim gjyqësor në favor të tij.

Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka zbuluar se gjyqtari Hoxha ka kërkuar shumën 800 mijë lekë të rinj, për të dhënë vendimin në favor të Dritan Jazexhiut.

Sipas hetimit, është provuar se të pandehurit kishin rënë dakord që pjesa e parë e parave, prej 600 mijë lekësh, të jepeshin një ditë para vendimit.

Pjesa e mbetur e parave, 200 mijë lekë, do të jepeshin pas dhënies së vendimit.

Nga ndjekja në dinamikë e hetimit, rezultoi se në datë 2.5.2016, i pandehuri Novruz Gajdja, bie dakord me gjyqtarin që të realizohej “shkëmbimi” i shumës 600 mijë lekë pasditen e asaj dite.

Të pandehurit kanë qenë nën vëzhgim nga Policia Gjyqësore, me urdhër të Prokurorisë.

Pasditen e datës 2.5.2016, i pandehuri Novruz Gajdja, pasi kishte marrë shumën prej 600 mijë lekësh nga Dritan Jazexhiu, takohet me djalin e gjyqtarit, Lejdon Hoxha, të cilit i dorëzon shumën e parave.

Nga përgjimet e komunikimeve të asaj dite rezulton se ndërmjetësi, Novruz Gajdja i dërgon sms gjyqtarit Hoxha, të cilit i thotë se “pasdite do takojë atë floririn tend”.

“Në datën 02.05.2016 ora 12.38 sipas bisedave të bëra gjatë takimit të datës 01.05.2016 ,  i pandehuri Novrus  Gajda,  ka biseduar  me të pandehurin Ibrahim Hoxha ku i thotë “nga mbasditja  takoj atë floririn tënd dhe pastaj takohemi bashkë, mirë vëllaçko’’ (nënkuptuar takimin me djalin e Ibrahim Hoxhës) dhe  në orën 14:34 i dërgon sms Ibrahimit “Në orën 5 më thuaj ku të takoj çunin unë dhe më mbrapa takojmë bashkë’’, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Pas takimit mes djalit të gjyqtarit dhe shtetasit Gajdja, kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilët kanë realizuar arrestimin në flagrancë të shtetasve Lejdon Hoxha dhe Novruz Gajdja.

Po në bazë të veprimeve hetimore në dinamikë, është realizuar edhe arrestimi i gjyqtarit, Ibrahim Hoxha dhe shtetasit Dritan Jazexhiu.

Bashkë me ta prokuroria ka marrë të pandehur edhe shtetasin Altin Malaj, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.

Ka rezultuar nga hetimet se i pandehuri Altin Malaj duke qenë se është personi që ka njohur dy të pandehurit Novrus Gajda dhe Dritan Jazexhiu është vënë në dijeni nëpërmjet bisedave telefonike nga të dy të hetuarit Novrus Gajda dhe Dritan Jazexhiu se ata do t’i jepnin shumën prej 600.000 lekë gjyqtarit Ibrahim Hoxha,  në datën 2.5.2016, një ditë përpara shpalljes së vendimit.

Përgjimet e gjyqtarit:

Në datën 2.5.2016 ora 12:38 sipas bisedave të bëra gjatë takimit të datës 1.5.2016 ,  i pandehuri Novrus  Gajda,  ka biseduar  me të pandehurin Ibrahim Hoxha,, ku i thotë “nga mbasditja  takoj atë floririn tënd dhe pastaj takohemi bashkë, mirë vëllaçko’’ (nënkuptuar takimin me djalin e Ibrahim Hoxhës) dhe  në orën 14:34 i dërgon sms Ibrahimit ’’ Në orën 5 më thuaj ku të takoj çunin unë dhe më mbrapa takojmë bashkë’’

Në vijim, në orën 16.34  të së njëjtës ditë, i pandehuri Novrus i dërgon  përsëri  një sms të pandehurit Ibrahimit me përmbajtje “Jam në pritje, ku do takohemi”. Dhjetë minuta më pas, në orën 16.45.28, Novrusi telefonohet prej të pandehurit Lejdon Hoxha, nga numri i këtij të fundit, i cili i kërkon të takohen. Gjatë bisedës Novrusi i drejtohet  “e çuni i atij je?” dhe Lejdoni i përgjigjet “Po”.

Të pandehur:

-Ibrahim Hoxha, “arrest në burg”

-Dritan Jazexhiu, “arrest në burg”

-Novruz Gajdja, “arrest në burg”

-Lejdon Hoxha, “detyrim për t’u paraqitur”

-Altin Malaj, në gjendje të lirë

-Gerald Hoxha, në gjendje të lirë

July 27, 2016 09:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*