Nga pazari dhe hanet mesjetare, në “Parisin e vogël shqiptar”

September 8, 2014 07:18

Nga pazari dhe hanet mesjetare, në “Parisin e vogël shqiptar”

Vepror HASANI

Për Korçën dhe pazarin e Korçës ekzistojnë mjaft kronika të kohës, të cilat për shumë njerëz mund të kenë mbetur të panjohura ose bëhen të njohura për herë të parë. Aktualisht studiuesi Ilia Ballauri është duke punuar për mbledhjen e tyre, me qëllim krijimin e një enciklopedie të plotë për  Korçën.  Ky lloj dokumentacioni të jep mundësinë e përfytyrimit të Korçës se si ka qenë ajo nga fillesat e saj e  deri në vitet 1912. Veç sa më sipër, përmes kronikave të tilla mund të mësosh mbi administratën e asaj kohe, të njihesh me  emrat e sazexhinjve më të mirë, me avoketrit më të dëgjuar, për gazetat e para që kishin filluar të botoheshin etj.

I famshmi, Pazari i Korçës

Në një përshkrim rreth vitit 1890, thuhet se pazari gjendet në lagjen “Kasaba”, matanë lumit të Moravës,(ose lumi i Korçës) Mbi këtë të fundit, kur hyn për në Pazar, ka një urë të gurtë që është ndërtuar para disa vitesh. Më tej në këtë përshkrim vihet në dukje fakti se pazari i Korçës për shkak të sistemit të ndërtimeve të ngjeshura është djegur tre here. Sipas kronikave të mbledhura nga Ilia Ballauri, djegia e parë përshkruhet kështu: “Më 19 qershor të vitit 1822 ndodhi një zjarr në tregun tonë, i cili u dogj i tëri, bëri dëm të madh për qytetarët, meqë pikërisht atë javë shumë tregtarë kishin sjellë të gjithë mallin e tyre nga Triestia dhe Venediku, ndërsa shumica e Voskopojarëve kishin sjellë në Korçë, si në vend të sigurt gjithë mallrat e tyre me vlerë me që kishin frikë nga hajdutët. Të gjitha brenda pak orëve të natës u bënë shkrumb e hi prej zjarrit, pa shpëtuar as edhe një gjë”. Për djegien e dytë thuhet: “Më 12 prill të vitit 1858 shpërtheu gjatë natës një zjarr tjetër në treg, të cilin e bëri shkrumb e hi të gjithin, gjë që solli një dëm prej rreth 500 mijë lirash angleze”. Për djegien e tretë shkruhet: “Më 13 gusht të vitit 1879 kur ishte mytesarif shkëlqesia e tij, Mustafa pashë Vlora, ditën e hënë duke u gdhirë e martë, në orët e natës, dhe pikërisht më një e gjysmë të pasmesnatës, shpërtheu një zjarr i tmerrshëm që doli nga hani i Naqo Kovaçit dhe që duke u degëzuar në tërë tregun bëri shkrumb e hi rreth 600 dyqane, të cilat i përpiu zjarri. Shpëtuan gjer 100 dyqane nëpër anët e tregut. Dëmi u llogarit në 20 mijë lira”.  Ndërsa më tej sqarohet se, “pas këtij zjarri korçarët e ndërtuan përsëri pazarin e tyre më të bukur dhe mjaft të sigurt prej rrezikut të ndonjë zjarri tjetër, mbasi sot, (kronika e vitit 1890), dyqanet që numërohen këtu janë rreth 1900 dhe thuajse të gjitha prej guri.

Import-eksporti i mallrave

Sipas kronikave të kohës, “pazari i Korçës ka rrugë të drejta dhe ndonëse është më i vogël, është më i bukur se pazari i Bitolës (Manastirit) që në atë kohë ishte kryeqendra e vilajetit ku futej edhe pazari i Korçës. Gjithashtu, pazari i Korçës, i parë në të gjithë kompleksitetin e vet, në krahasim me pazaret e qyteteve të tjera të mëdha evropiane ka ndryshime që janë thuajse të parëndësishme. Sheshet e tij janë: pazari i perimeve, pazari i shpendëve, pazari i mishit, pazari i drithit, pazari i peshkut etj Të shtunave vijnë këtu shitës dhe blerës nga gjithë zonat përreth dhe në të shiten e blihen produkte si të vendit ashtu dhe të huaja. Mallrat që eksportoheshin ishin: lesh në sasira të mëdha, stofra të trasha, mbulesa të trasha leshi, punime prej leshi dhie, velenza, fije lëkure, lëvozhgë valanidhi, dyllë, safran, duhan etj. Një material burimor francez thotë se në vitet 1300-1400 nga zona e Korçës për në Vlorë eksportohej dhe mëndafsh. Ndërsa  mallrat që importoheshin ishin: Pëlhura dhe stofra venetikase, sheqer, kafe, sende hekuri, xhame, prodhime majolike, letër për shkrim, libra, pëlhura mëndafsh i qëndisura me ar, kadife, pambuk, tel hekuri, plumb, bakër i parapunuar etj.  Pikërisht që në këtë kohë, ose që në gjysmën e parë të shek. 19- të gjejmë të krijuara mjaft rufete, të cilat nuk ishin gjë tjetër veçse shoqëri për mbrojtjen e interesave të tyre. Sipas Ballaurit, “ato (rufetet) kishin kryesi dhe kryetar, kishin rregullore, statut, kryenin zgjedhje  të lira dhe anëtarët në to paguanin kuota. Numri i madh i rufeteve në një vend tregonte dikur zhvillimin kulturës, nivelin ekonomik, shkallën e lirisë, rëndësinë dhe prestigjin e komunitetit apo të banorëve. Ja disa prej tyre: rufeti i argjendarëve, i bakenjve, i bakërxhinjve, i gjymxhinjve, i furxhinjve, i hanxhinjve, i kafexhinjve, i kasapëve i kazanxhinjve i këpucarëve, i  kujumxhinjve, i opingarëve, i qyrykxhinjve, i samarxhinjve, i shajakxhinjve, i tabakëve, i teneqexhinjve, i terzinjve etj.

Udha e karvanëve

Zona e Korçës lidhej në Adriatik me dy skela, atë të Durrësit dhe të Vlorës. Skela kryesore për tregtarët e anëve tona dhe sidomos për ata Voskopojarë ka qënë skela e Durrësit. Ndërkaq një tregti e konsiderueshme zhvillohej edhe duke shfrytëzuar skelën e Vlorës. Kishte itinerar direkt dhe karavanet shkonin e vinin Korçë- Vlorë, duke shpënë mallra për eksport dhe duke sjellë mallra importi (Venetiku dhe më gjerë). Berati lidhej si me Durrësin ashtu edhe me Vlorën, madje me këtë të fundit kishte më tepër dhënie dhe marrje. Itinerar i mëposhtëm, ndoshta është qysh nga koha e Bizantit. Nga Vlora karvanet shkonin nëpër Babicë, kapërcehej Shushica, në Picar, në Armen, kalohej Vjosa, në Murtajas, në Selishtë, Hekal, Ballsh, Aranitas, kapërcehej Gjanica, Qafa e Sinjës, në Bolinjan, në Velebisht e pastaj në Berat. Prej Beratit ndiqej ana e djathtë e Osumit, arrihej në Vodicë, ngjitej pllajës veriperëndimore të Tomorit, dilej pastaj në qafën e Dardhës, zbritej për Trovë, (Tomoricë), në Ostin, në Romas, kapërcehej lumi i Tomorricës dhe hidhej në Dobrenj. Prej këtu ngjitej në Gurin e Prerë. Nga Guri i Prerë shkohej në Dushar, në Protopapë dhe dilej në Voskopojë. Nga Voskopoja rruga shkonte pastaj përroit të Gjonomadhit në Voskop dhe arrinte përfundimisht në Korçë.

Kush i shkatërroi hanet e Pazarit të Korçës?

Në pazarin e vjetër të Korçës kanë ekzistuar 18 hane, si hani i Elbasanit, hani i Manastirit, hani i Maqedonasve, hani i Trebickallinjëve, hani i Vithkuqarëve, hani i Devollit, ose i Zallit, hani i Kafesë, hani i Baba Aliut, hani i Gjelit, hani i Pëllumbit, hani i Voskopojës, hani i Kolonjës etj, të cilët krijonin një nga komplekset më monumentale për qytetin e Korçës dhe tepër të veçantë. Që të gjitha këto hane kishin qenë të dëgjuara si brenda dhe jashtë vendit, pasi ato frekuentoheshin nga tregtarët vendas dhe të vendeve fqinje. Tashmë i kanë rezistuar kohës vetëm 5-6 prej tyre, por me keqardhje mund të thuhet se edhe këto hane po shkojnë drejt shkatërrimit të plotë. Ka ndodhur kështu për shkak të pavëmendjes dhe shpërfilljes së treguar nga qeveria dhe pushteti lokal. Me ardhjen e demokracisë u shpresua shumë për restaurimin e haneve që kishin mbetur, me qëllim zhvillimin e turizmit, por për 20 vjet me radhë rikonstruksioni i haneve u la në harresë të plotë. Askush nuk mund ta thotë me saktësi përse ndodhi dhe po ndodh kështu. (Ndoshta edhe për shkak të injorancës). Me kalimin e kohës nuk ka për të mbetur asnjë prej haneve. Paradoksi është i dukshëm: 200-300 vjet më parë, kur nuk flitej si sot për turizmin, këto hane nuk bënë gjë tjetër veçse sollën të ardhura për këtë qytet dhe e zhvilluan atë, ndërsa sot kur trumbetohet kaq shumë për turizmin, lihen të shkatërrohen vlera të tilla që nuk mund të përsëriten më.

18 hanet e Korçës

18 hanet e Korçës ishin të vendosur kryesisht në qendër të pazarit, në sheshet e tij, aty ku tregtohej gjithçka që prodhohej dhe importohej, ndërsa pjesa tjetër shtrihej për rreth pazarit të vogël. Aty gjeje të gjitha gatimet tradicionale, kërnackat dhe rakinë, aty luhej në orkestër, këndohej, bëhej pazar, lidheshin kontrata, e gjithçka tjetër. Çdo han përbehej prej disa odave, të cilat lidheshin me njëra-tjetrën nëpërmjet një galerie dhe krijonin një atmosferë të tillë që sot edhe pse mund të shpenzosh shumë nuk mund t’i krijosh dot më. Pazari i Korçës së bashku me hanet e tij, mundi të shndërrohej në një nga tregjet më të fuqishme të Shqipërisë Juglindore dhe t’i jepte Korçës këtë emër që ka edhe sot e kësaj dite.

 

Administratorët e vjetër të Korçës

Godina e Postë-Telegrafit të Korçës ndodhet pranë gjykatës, është prej guri por e vogël dhe u themelua në vitin 1871. Më 1911 administratorët e sanxhakut të Korçës ishin: kryetar: Mehmet Ali Efendi; Kadi: Fejzi Efendi; myfti: Hasan Myfti Efendi; kryellogaritar: Mustafa Njazi Efendi; sekretar: Omer Efendi; kryetar i gjykatës: Shaban Efendi; kryetar i bashkisë: Beoglu Efendi; kryetar i policisë, Zamedi Efendi; drejtor i postë-telegrafit: M. Minashia; mydir: Tahir Beu; inxhinier i kazasë: Veli Efendi; monopol i duhanit: Mydir Maliq Bej, sekretar i monopolit të duhanit A. Ikonomi; përgjegjës për detyrimet ndaj shtetit otoman: Mydir Sejfulla Efendi.

Korça në rrjedhën e shekujve

Zona e Korçës ka qenë e banuar qysh në kohët e hershme. Qyteti modern e ka filluar ekzistencën e tij në shek. e 15-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën komandën e Sulltan Mehmetit II, zhvilloi Korçën. Për një kohë të gjatë qyteti rivalizohej nga Voskopoja, por me shkatërrimin e saj në shek e 18-të, Korça mori një pozitë në këtë zonë që kurrë nuk e humbi. Ajo ishte një pikë qëndrimi për rrugët e karvaneve dhe, në një kohë nuk kishte më pak se 16 hane në qytet. Ky qytet u bë në mënyrë të veçantë edhe qendër e rritjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në mars 1878 u ngrit shkolla e parë që mësonte shqip në Shqipëri dhe më 1891 shkolla e parë shqipe për vajza. Zona ishte në trazira gjatë luftërave ballkanike dhe pati dëme të mëdha në popullsi dhe ndërtesa, nën shtypjen e lëvizjeve irredentiste greke në atë kohë. Korça u pushtua nga forcat greke më 6 dhjetor 1912. Së shpejti u tërhoqën nga vendimet e Komisionit të Kufijve, por u mor përsëri nga ta më 10 korrik 1914. Gjatë Luftës së Parë Botërore qyteti u pushtua nga Austro-Hungaria, përsëri nga grekët dhe më vonë nga trupat franceze në vitin 1916, që shpallën Republikën Autonome të Korçës, njohur kjo edhe nga Greqia, si Korça. U vendos, por u rrëzua për shkak se Greqia u hodh në luftë në anën e aleatëve; Themistokli Germenji u qëlluan nga një skuadër pushkatimi në Selanik. Pushtimi francez mbaroi në vitin 1920, por influenca kulturore vazhdoi me Liceun Francez të Korçës.

 

Projekt i qeverisë Rama për kthimin në identitet të Pazarit të Korçës

Pazari i vjetër në qytetin e Korçës, përveç funksionit si një pjesë vitale e qytetit, si treg, hoteleri dhe do të shërbejë edhe për turizëm. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe kryebashkikau Sotiraq Filo kanë prezantuar para disa javësh elementë të projektit të ri për reastaurimin e këtij pazari. “Pazari i Korçës do të jetë pas restaurimit një pikë referimi edhe përtej Korçës, sepse nuk është pazari tipik që kemi trashëguar nga periudha otomane, por është një lloj dhe një tipologji krejt tjetër pazari, e ndërtuar si një rrugë tregtare, nën frymëzimin e eksperiencave të atyre që vinin nga emigracioni” mësohet të ketë thënë Kryeministri Rama.

Në vijim të këtij takimi u bisedua edhe lidhur me projekte të tjera që pritet të ndërmerren për qytetin dhe për të gjithë qarkun e Korçës, duke kombinuar edhe zhvillimin urban me atë rural. Me Korçën nisi programi i madh kombëtar për transformimin urban të qyteteve të vendit.

 

Të rrallat e Korçës…

Në vitin 1911 në Korçë botohej gazeta “Gjorixha” (Korça fillimisht është quajtur Gjorixhë), botohej gazeta  “Lidia” me drejtor Mihal Gramenon, si dhe gazeta “Pellasgo” me drejtor Konstandin Skënderin. Veç kësaj Mehmet pashë Plasa njihet si njeriu që ndërtoi ujësjellësin e parë në Korçë në vitin 1798, ndërsa Ali Beu për ndërtimin për herë të parë në vitin 1888 të një mulliri me avull, i cili përgjatë një dite dhe një nate arrinte të përpunonte 150 kg miell. Sazexhinjtë më të dëgjuar të kohës ishin: Ibrahimi me violinë. Hajroja me violinë, Arifi i lahutës, Xhemali i gajdes, Qamili i Famës me gërnetë, Qerimeja me dajre, ndërsa do të vinin më pas, Sherifi me lahutë, Bramka e qemanes, Abazi i fizarmonikës, Gimja i Veles etj. Ndërsa avoketët më të dëgjuar në vitin 1911 ishin: Vasil Kondi, Petro Kondi, Mehmet Efendi, Belul Efendi, Nuri Efendi, Selim Efendi, V. Singjelo etj.

 

Më në fund…sahati filloi të punojë

Sahati i Korçës ka qenë një nga ndërtimet më karakteristike, më të vjetra dhe më monumentale të qytetit. Godina e sahatit u ndërtua prej mjeshtresh ndërtimi të ardhur nga veriu i vendit, ndërsa kambana e orës, e cila peshonte afërsisht 40 okë (rreth 50 kg) u ngrit nga voskopojarët. Për ndërtimin e kësaj ore (sipas kronikave të kohës) u investues prej rufetitit të bakejëve me anëtarë myslimanë në bashkëpunim vëllazëror me zejtaro-tregtarët e Voskopojës. Godina e sahatit u shemb nga tërmeti më 21 maj të vitit 1960. Që atëhere e deri në ditën e djeshme, kur ai u përurua, ka patur vetëm premtime. Që nga dje në saje të kujdesit të Bashkisë Korçë, ai filloi të punojë.

September 8, 2014 07:18
Komento

3 Komente

  1. kubani September 8, 18:21

    Bravo korcaret,po bekan edhe enciklopedi per qytetin.A do tja arrijne dot se ajo duhet filluar qe nga germa “A”,deri ne “ZH” dhe nuk mund te arrihet te behet nga nje njeri i vetem,sado vullnet e njohuri te kete, megjithate ju lumte per nismen kurajoze.

    Reply to this comment
  2. Luiza Mita January 15, 09:59

    Ne mbeshtetje te nismes te Z.Ballauri per te ndertuar ‘enciklopedine’ e qytetit tone te nderuar ‘Korca”,i qytetit me banore mendjehapur ju bje thirrje te gjithe korcareve qe kujtimet e tyre nga kujtimet e te parevete tyre te shkruara apo te skalitura ne memorje ,ti rendisin dhe t’ja dergojne nje redaksie qe duhete te hape bashkia e qytetitper kete qellim.Dhe me pas dashamiresit,studjuesit,historianet e te tjere qytetare te nderuar te krijojne nje komisjon i cili te punoje per te perpunuar informacionin e grumbulluar.Madje kush disponon edhe dokumente si fotografi,objekte,doreshkrime apo botime ti ofroje per demostrim.

    Me respekt LUGAMI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim