Nga rritja e pagave, pensioneve e shpërblimeve te punësimi e ulja e taksave, ja 21 premtimet e PS

June 28, 2017 17:26

Nga rritja e pagave, pensioneve e shpërblimeve te punësimi e ulja e taksave, ja 21 premtimet e PS

Pas përfundimit të procesit zgjedhor tashmë është zyrtarizuar fakti se Partia Socialiste do të drejtojë qeverinë për një mandat të dytë. Por çfarë është premtuar dhe cilat janë angazhimet kryesore për ekonominë?

1-Rritja ekonomike 5.5 përqind e PBB

Gjatë katër viteve të ardhshme PS angazhohet për garantimin e një rritje ekonomike mesatare 4.5 përqind për të arritur në 5.5 përqind në fund të mandatit të dytë. Rritja do të garantohet nga konsolidimi i reformave të ndërmarra në mandatin e parë, zbatimi i politikave të duhura sektoriale, shtimi i investimeve vendase dhe të huaja në ekonomi dhe rritja e konsumit të popullatës, përmirësimi i cilësisë së kapitalit njerëzor.

2-Ulje e Borxhit Publik nën 60 përqind të PBB

PS angazhohet për politika të kujdesshme për të garantuar një deficit buxhetor nën nivelin 2 përqind dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 60 përqind. “Ne jemi të vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal. Ne do të garantojmë vazhdimin e financimit të investimeve publike në rreth 5% të PBB-së. Ne jemi të vendosur për të vazhduar të përdorim instrumente financiare si Partneritetin Publik Privat për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, për të siguruar investime në infrastrukturë dhe shërbime publike të domosdoshme për publikun” shkruhet në manifestin e PS.

3-220 mijë vende të reja pune

Përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, zbatimi i reformës në drejtësi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, aplikimi i politikave nxitëse në sektorët prioritarë, si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës, do të jenë faktorët kryesorë që do të mundësojnë krijimin e 220 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e dytë.

Në programin e saj, PS angazhohet se gjatë katër viteve të ardhshme ekonomia do të krijojë mundësi që norma e papunësisë të ulet për herë të parë nën nivelin dyshifror (8.2 ërqind).

4-25% rritje e të ardhurave të disponueshme të popullatës;

“Modeli ekonomik që po ndërtojmë synon rritjen e vlerës së shtuar të prodhimeve vendase. Rritja e prodhimit vendas, rritja e punësimit, rritja e produktivitetit të punës si dhe lufta kundër informalitetit, do të mundësojnë që njerëzit të fitojnë më shumë dhe të përfitojnë paga më të larta.

Ne do të bëjmë lehtësim të barrës fikale në 18 përqind, për të ardhurat nga pagat e niveleve të larta.  Beteja jonë me informalitetin do të vazhdojë, në emër të mbrojtjes së punës dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët por edhe të garancisë se merita dhe profesionalizmi do të marrin shpërblimin e duhur. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër pabarazisë dhe kundër varfërisë.

5-Rritje me 40% të pagave, fondi i pagave në sektorin publik rritet me 68 miliardë lekë!

Ne jemi të vendosur për përmirësimin e shërbimeve publike  dhe si një masë të rëndësishme në këtë drejtim, konsiderojmë edhe rritjen e pagave në të. Deri në fund të mandatit, do të rrisim deri në 40 përqind pagat, ku prioritet do të kenë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.  Jemi të bindur se rritja e kapaciteteve njerëzore me profesionalizëm mbetet thelbësore për mirë-qeverisjen e vendit. Ne do te rrisim pagat e administratës publike për të rritur qëndrueshmërinë e institucioneve” shkruhet në manifestin e PS.

6-Paga minimale, 30 mijë lekë

Politikat fiskale synojnë ngushtimin e pabarazisë në harmoni me nxitjen e rritjes ekonomike. Brenda mandatit të dytë, paga minimale do të arrijë 30 mijë lekë.

7-Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliard lekë, 10 mijë lekë çdo fundvit për çdo pensionist!

“Ne do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve si dhe angazhohemi për dhënien e shpërblimit në fundvit nga 7 deri në 10 mijë lekë për çdo pensionist, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes. Paketa e solidaritetit në fund të vitit do të jetë një politikë e përhershme e Qeverisë gjatë mandatit të dytë” shkruhet në manifestin e PS.

8-5% Tatim-Fitim për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit

PS angazhohet për të stimuluar në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ku bizneset që investojnë në zhvillimin e saj do të kenë një normë tatimi për fitimin prej 5%, duke synuar afrimin e kompanive të rëndësishme të industrisë.

9-Ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë; Njohja si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive të marra për shtëpinë e parë që në fillim të mandatit

10-Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave

Në programin e saj, PS angazhohet të garantojë pagë të njëjtë për gratë dhe burrat që kryejnë punë të njëjtë. Po ashtu, PS angazhohet për uljen me 10% punën e papaguar të grave, duke rritur aksesin në shërbimet sociale si çerdhe, kopshte, shërbime për moshën e tretë, shërbime për gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime për gratë rome, egjyptjane, etj.

Një angazhim tjetër në këtë drejtim është vijimi i ruajtjes së nivelit të përfaqësimit të grave me të paktën 40% në vendimmarrje në proceset publike në nivel drejtues dhe proceset ligjvënëse, politikëbërëse dhe planifikuese në nivel qendror.

11-Fuqizimi i kompetencës ekonomike dhe sociale të rinisë

Gjatë katër viteve të ardhshme, PS angazhohet se do të rrisë punësimin e të rinjve nëpërmjet mbështetjes së programeve “start-up”, shkollimit dhe formimit profesional; se do të rrisë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrjet politike; se do të ruajë dhe mbrojë shëndetin e të rinjve përmes politikave të integruara shëndetësore dhe masivizimit të kulturës sportive.

12-Mbrojtje, përkujdes dhe përfshirje shoqërore

PS angazhohet se do të transformojë Ndihmën Ekonomike në Program për riintegrim social, përmes përfshirjes së përfituesve në programet e punësimit dhe kualifikimit profesional, në ndërmarrjet sociale dhe biznesin social. Shtimi i  ndihmës ekonomike sipas modelit të ri do të shoqërohet me rritjen e përfshirjes në këtë skemë të familjeve të varfëra e të përjashtuara nga mundësia e përfitimit të saj në të gjithë vendin.

“Deri në vitin 2021 të gjitha llojet e shërbimeve publike të jenë të aksesueshme për të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar, duke përfshirë edhe ofrimin e interpretimit në gjuhën e shenjave. Do të krijojmë kushtet që çdo fëmijë me aftësi të kufizuara të ndjekë shkollën.  Do të përmirësojmë shëndetin e personave me aftësi të kufizuara nëpërmjet shërbimeve e përfitimeve të aksesueshme, të rimbursueshme, të fokusuara tek klienti dhe në komunitet, nëpërmjet ngritjes së qendrave speciale të rehabilitimit.

Do të rrisim 10% e numrin e përfituesve nga shërbimet komunitare dhe shërbimet alternative sociale dhe do të ofrojmë tipologji të reja shërbimesh. Deri në vitin 2021 çdo fëmijë rom dhe egjyptian të regjistrohet në shkollë, 100% e tyre do të mbarojnë arsimin e detyruar dhe 70% më shumë vajza e djem rom dhe egjyptianë do të përfundojnë të gjitha nivelet e arsimit. Do të rrism numrin e familjeve rome dhe egjiptiane që do të strehohen në banesa sociale dhe alternativave të ndryshme të strehimit në bashkëpunim me pushtetin vendor” parashikohet në manifestin e PS.

13-Mbështetje, integrim dhe dinjitet ish të përndjekurve politikë

PS angazhohet që gjatë mandatit të dytë të përfundojë procesin e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë.

14-Bujqësia, një sektor prioritar!

PS angazhohet se do të vazhdojë investimet në kullim dhe ujitje të tokës bujqësore duke e çuar në 100% sipërfaqen e tokës bujqësore nën ujë.

Po ashtu, PS angazhohet se do të vazhdojë mbështetjen fiskale të sektorit dhe gjatë mandatit të dytë do të përjashtojë nga TVSH disa nga inputet bazë kryesore bujqësore; një mbështetje prej rreth 20 milionë dollarë në vit për fermerët.

Po ashtu, angazhohet se do të përfundojë shpërndarjen e çertifikatave të pronës së tokës bujqësore.

“232 milionë dollarë më shumë financime për Bujqësinë. Gjatë mandatit të parë rritëm financimin programit të mbështetjes ndaj fermerëve mesatarisht për çdo vit me 75% ndaj vitit 2013 (financuam 5.95 miliardë lekë për 2014-2017 ose mesatarisht 1.488 miliardë lekë në vit përkundrejt 0.847 miliardë lekë shpenzuar në 2013 për këtë zë), dhe e rrisim me rreth 23% këtë fond për vitet në vijim (1.82 miliardë në vit).

Sigurojmë mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural me 71 milionë euro në kuadër të programit IPARD për investime në bujqësi, në prodhim, përpunim e tregtim të produkteve bujqësore. 100 milionë Dollarë investime në rrugët dytësore në bashkëpunim me Bankën Botërore, për të lehtësuar aksesin në treg të produkteve bujqësore si dhe lidhur atë me vendet turistike. Shtimi i efektivitetit të linjës së kredisë për agrobiznesin në kuadër të programit me EBRD.

Nga fillimi i projektit janë dhënë 588 kredi nga ky instrument në shumën 5.3 milionë euro. Tashmë që instrumenti po maturohet, janë rreth 95 milionë euro të disponueshme për kreditimin e sektorit me kushte lehtësuese” parashikohet në manifest.

15-61 qendra të këshillimit të punësimit dhe karrierës

Krahas premtimeve të tjera për përmirësimin e cilësisë së arsimit, PS angazhohet se do të synojë rajonalizim në shkollat me klasa kolektive dhe do të mundësojë futjen e sistemit digjital të mësimdhënies në këto klasa; se do të realizojë investime cilësore në infrastrukturën shkollore në gjithë ciklet arsimore duke synuar eliminimin përfundimtar të mësimit me turne dhe se financimet në sistemin arsimor do të mundësojnë vendosjen e sistemit ngrohës për klasat e laboratorët në shkollat shqiptare.

16-Ndërtim i 140 shkollave të reja model për 40 mijë nxënës

Ndër të tjera, PS angazhohet se në 4 vitet e ardhshme çdo bashki do të ketë të paktën një shkollë profesionale, të specializuar në nevojat e tregut lokal.

“Riorganizimi i shkollave në qendra shumëfunksionale ku krahas arsimit profesional do të ofrohet dhe formim profesional dhe transformimi i 18 shkollave të mesme në shkolla ekselence sipas sistemit dual, do të dyfishojmë nga 27 mijë në 54 mijë numrin e personave të trajnuar në katër vitet e ardhshme” shkruhet në manifest.

17-Drejt shëndetësisë falas brenda mandatit të dytë

“Mbulimi shëndetësor universal mbetet qëllimi dhe angazhimi ynë. Brenda vitit 2021 shqiptarët do të kenë shërbimet shëndetësore falas. Rasteve urgjente do t’u përgjigjemi brenda 10–15 minutave në zonat urbane dhe 20–35 minutave në zonat rurale. Urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore, mjekësore e motorike. Flota e autoambulancave do të rinovohet tërësisht.

Rasteve urgjente do t’u përgjigjemi brenda 10–15 minutave në zonat urbane dhe 20–35 minutave në zonat rurale.  Ne do të kompensojmë plotësisht materialet mjekësore për kryerjen e funksioneve të domosdoshme jetësore për fëmijët dhe pensionistët. Financimi publik për kujdesin shëndetësor synohet të arrijë 60-65 % të shpenzimeve totale për shëndetësinë (e gjetëm 43 % në 2013), duke siguruar që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor.

Ne do të shtojmë investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe pajisjet mjekësore, për të garantuar akses dhe cilësi në kujdesin shëndetësor. Kantieri tashmë i hapur i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe Partneritetin Publik Privat. Vëmendje të veçantë do t’u kushtojmë qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale” shkruhet në manifest.

18-Një treg energjetik potencial dhe modern i orientuar drejt eksportit

Pas angazhohet për shtimin e investimeve në sektor më synim: modernizimin e rrjetit, shtimin e kapaciteteve të interkonjeksioneve me tregun rajonal energjitik, diversifikimin e burimeve të energjisë si dhe shtimin e kapaciteteve të reja hidrike.

“Prioritet në katër vitet e ardhshme do të jetë përfundimi i liberalizimit të tregut për tensionin e lartë dhe të mesëm, investimi në nga burimet kryesore të gjenerimit, fuqizimi i linjave të transmetimit të brendshëm dhe interkonjeksionit me vendet e rajonin, fillimi i ndërtimit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian” shkruhet në manifest.

19-Përfundim procesit të legalizimeve

“Programi i Rilindjes urbane, i zbatuar gjatë viteve 2014-2017 do të pasohet nga shndërrimi i qyteteve në qytete sociale dhe qytete për njerëzit gjatë mandatit tonë të dytë qeverisës. Do të ofrojmë një model të ri dhe afatgjatë të rritjes së efektivitetit të administrimit dhe funksionimit të tregut të tokës, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e pasurive të paluajtshme, rritje ekonomike, kohezion social, mjedisor dhe kulturor.

Do të hartojmë një plan strategjik reformues për rigjenerimin urban dhe zhvillimin cilësor të tokës, mbi formalizimin, urbanizimin dhe përcaktimin e instrumenteve të linjës së planifikimit, në koherencë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planet e Përgjithshme Vendore” shkruhet në manifest.

20-Ambient i favorshëm për zhvillimin e biznesit

“Mandati i dytë qeverisës do të karakterizohet nga qendrueshmëria e legjislacionit fiskal dhe modernizim i mëtejshëm i administratave fiskale, rritja e përdorimit të teknologjisë së informacionit për të minimizuar kontaktet ne terren të administratës me biznesin. Stabiliteti makroekonomik, vazhdimi i reformave strukturore, stabiliteti fiskal, si dhe fillimi i aplikimit të reformës në drejtësi do të garantojnë një klimë shumë më të përmirësuar të të bërit biznes.

Në prezencë të një klime të përmirësuar të biznesit, në vazhdimësi të politikave buxhetore dhe fiskale që nxisin rritjen e vlerës së shtuar të prodhimeve të vendit si edhe të politikave sektoriale zhvillimore për sektorët prioritarë, modeli i ri i zhvillimit ekonomik do të mbështesë orientimin e biznesit drejt industrializimit të lehtë. Ky kalim do të mundësojë një shtim më të lartë të vlerës së prodhimit vendas, duke reflektuar rritjen e produktivitetit të kapitalit financiar, të vlerës së burimeve natyrore dhe kapitalit njerëzor duke rezultuar në mirëqenie të rritur për shoqërinë tonë” shkruhet në manifest.

21-Projekti “1 Miliard”

Një tjetër partneritet me biznesin do të jetë Paketa “1 Miliard” si një iniciativë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë kombëtare në sektorë të ndryshëm, duke u fokusuar në atë social, turizëm dhe infrastrukturë.

“Ne do të injektojmë më shumë se 1 miliard dollarë në ekonomi, nëpërmjet aktivizimit të kapitaleve private në një numër të madh investimesh duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë. Nëpërmjet partneritetit me biznesin do të financohen 1 spital rajonal, 8 qendra shëndetësore, 53 shkolla të reja dhe rehabilitimi i 88 të tjerave, 6 shkolla profesionale, akset kryesore rrugore si Rruga e Arbrit,  Tiranë – Thumanë – Vorë, Kardhiq – Sarandë, dhe shumë projekte të tjerë prioritarë” përcaktohet në manifest. / SCAN

June 28, 2017 17:26
Komento

5 Komente

  1. Artan Sejko June 28, 18:29

    Pa pronen te 21 pikat biennial.

    Reply to this comment
  2. Dike Mullai June 28, 19:42

    Per Statusin e NAFTETAREVE kemi bere kerkese qysh me 24 Prill 2015 tek Petrit Vasili ne Kryesi te Kuvendit. Me kerkesa te vazhdueshme u Miratua ne Kuvendin Popullor ! Me 7 Qershor 017 na premtuat, Passi te mbarojne Zgjedhjet ! Sot ne 21 premtimet nuk permendet Statusi i NAFTETAREVE !!! E kaluat
    LUMIN ?!

    Reply to this comment
  3. Aliu nga Selenic June 29, 01:09

    Kemi bindje qe keto do te realizohen. Bile Edi Rama do te ket lene ca rezerva ku do ti tejkaloje keto rezultate ne keto kater vjet.!

    Reply to this comment
  4. kastriot June 29, 03:58

    Do t’ja kalojme edhe Suedise, Danimarkes, Gjermanise dhe Frances.
    Shpetuam !

    Reply to this comment
  5. Zagoriti June 29, 09:11

    Kthimi i vemendjes 100% tek turizmi do beje te mundur ndryshimin e jetes se shqiptareve.Cdo vit ne greqi ,itali,mal izi,kroaci, vijne mbi 40milion turiste nga keta rreth 300 mije vizitojne shqiperine.Synimi duhet te jete qe ky numur te shkoje ne 4milion turiste ne vit kjo do sjelli rreth 2 miliard euro ne vit te ardhura dhe dote rritet prodhimi ne bujqesie blegtori agrobiznes e punesimi i rinise.Kjo nuk behet spontanisht kerkohet qe ne funksion te Turizmit ne nje projekt afatmesem te investohen rreth 400milion euro cdo vit.Ne krye te 4viteve te ardhurat nga turizmi do bejne te mundur dhe rritjen e rrogave e shendetesine falas.Qeveria duhet te kete vetem 1prioritet Turizmin te gjitha investimet e tjera duhen bere ne funksion te tij.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*