Nga trazira e birrës e deri tek revolucioni që nisi në opera: Kryengritjet më të çuditshme në histori

November 17, 2017 16:50

Nga trazira e birrës e deri tek revolucioni që nisi në opera: Kryengritjet më të çuditshme në histori

Përgjatë shekujve ka patur plot shkaqe e arsye për të dalë nëpër rrugë e për të shfryrë inatin. Por nëse shumë shpesh njerëzit kanë zbritur në sheshe për të kërkuar më shumë bukë, më shumë të drejta apo për të bërtitur “vdekje pushtuesit”, nuk kanë munguar episode origjinale dhe të çuditshme për nga kërkesa e turmave.

Revolucioni i birrës

Në Chicago në vitin 1855 kryebashkiaku nxori një urdhër që trefishonte çmimin e licencës për të shitur pije alkoolike dhe ndalonte hapjen e klubeve ditën e diel. Kjo solli një reagim të menjëhershëm të emigrantëve gjermanë, të cilët kishin vetëm të dielën si ditë të lirë për t’u shlodhur pas gjashtë ditëve të lodhshme pune. Pasi nuk respektuan urdhrin, policia arrestoi disa persona, por kjo solli vetëm reagimin e grupeve të organizuara të cilat shkaktuan kaos dhe revolta nëpër rrugët e qytetit. Kryetari i bashkisë nuk u zgjodh më dhe pasardhësi e hoqi urdhrin.

Revolta kundër vaksinave

Në Rio de Janeiro, në vitin 1904, kryetari i bashkisë mori masa për të përmirësuar higjienën dhe për të ndaluar përhapjen e sëmundjeve. Ai vendosi që të shkatërronte disa ndërtesa të vjetra, ndërsa mijëra banorë t’i zhvendoste në zonat periferike. Plani i tij parashikonte edhe bërjen e vaksinave për popullatën, çka solli kryengritje të mëdha, pasi animistët e quanin një veprim që binte ndesh me fenë e tyre. Për ditë të tëra qyteti ishte mes rrëmujave dhe në fund të trazirave numëroheshin 30 të vdekur. Megjithatë programi i vaksinimit nuk u ndal dhe pas një pezullimi të shkurtër, vijoi. Në foto pasqyrohet një karikaturë satirike e kohës, e publikuar në një të përditshme.

Trazirat e balonës në Leicester

Në vitin 1864, balonat konsideroheshin sporti i aventurës më i rrezikshëm i kohës dhe grumbullonin turma të mëdha. Atë verë, Henry Coxwell, një aueronaut profesionist, do të bënte një shfaqje për 50 mijë biletapagues në Leicester, Angli. Mes turmës u përhap një thashethem se ai nuk kishte marrë me vete balonën më të madhe dhe më të mirë. Për rrjedhojë Coxwell e shfryu balonën, ndërsa njerëzit nxituan që ta grisin në copa, t’i vënë flakën dhe kërcënuan aeronautin se do t’i bënin të njëjtën gjë. Turma madje bëri një paradë nëpër rrugët e qytetit me mbetjet e balonës.

Zënka në Toronto mes kllounëve dhe zjarrfikësve

Në vitet 1850 Toronto ishte një qytet i egër, megjithatë cirku vinte në qytet. Kur një grup performuesish shkuan në mbrëmje në një bordello që frekuentohej nga zjarrfikësit e qytetit, kjo shkaktoi një sherr masiv. Nuk dihet kush e nisi zënkën, por ajo u përshkallëzua kur një zjarrfikës i hodhi në tokë kapelën një klouni. I gjithë qyteti u angazhua në dëbimin e cirkut nga qyteti, saqë u desh ndërhyrja e forcave të rendit për t’i dhënë fund trazirave.

Nata belge në kryengritjen e operas

Jo shumë kombe mund të thonë se pavarësia e tyre zuri fill me një arie, por për belgët e shekullit të 19-të të nënshtruar nga regjimi holandez, një opera ishte ajo çka mjaftoi për të nxitur revolucionin. Në ditëlindjen e Mbretit William I të Holandës, një teatër në Bruksel vuri në skenë La Muette de Portici, një opera që fliste për kryengritjen e Napolit ndaj regjimit spanjoll. Mes veprës, një këngë e quajtur “Dashuria e shenjtë për atdheun” frymëzoi nacionalistët aq shumë, saqë pasi mbaroi opera, turma filloi të shkatërronte fabrikat dhe zaptoi ndërtesat qeveritare. Kjo mbrëmje ishte ajo e 25 Gushtit 1830, ndërsa më 4 Tetor Belgjika shpalli pavarësinë.

Revolta ndaj doktorëve të New York

Për shekuj, anatomistët dhe studentët e mjekësisë janë bazuar në metoda të rëndomta për të mësuar mbi trupin e njeriut. Kufomat për diseksion shpesh vinin nga grabitës varresh, pasi kufomat e vetme që lejoheshin, ato të kriminelëve të ekzekutuar, ishin të kufizuara në sasi. Kur dolën zëra në vitin 1788 se studentët e mjekësisë po gërmonin nëpër varre, qyteti u ngrit në protesta duke ndjekur nga pas doktorët përgjegjës. Turma u fry në 5 mijë vetë, përpara se forcat e rendit të ndërhynin, duke shkaktuar rreth 20 të vdekur.

Përplasja në tërheqjen e ngjalave

Tërheqja e ngjalave ishte një konkurs shumë popullor në Amsterdam, ku një ngjalë ishte e varur mbi një kanal dhe njerëzit nëpër varka shpresonin ta kapnin teksa kalonin poshtë saj. Megjithatë, tërheqja e ngjalave ishte e paligjshme dhe qeveria e konsideronte një argëtim mizor, ndaj në Korrik të vitit 1886, policia ndërhyri në një grumbullim në një prej distrikteve të qytetit. Civilët u hodhën gurë dhe tulla policisë, ndërsa në zënkë u përfshinë edhe socialistët që protestonin aty pranë. Kjo solli një kryengritje që zgjati disa ditë dhe në fund u desh ndërhyrja e ushtrisë që hapi zjarr mbi protestuesit. Në total 26 veta humbën jetën ndërsa 136 u plagosën, por çuditërisht vetë ngjala në qendër të zënkës shpëtoi dhe u shit në ankand në vitin 1913.

Burimi: SCAN

November 17, 2017 16:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*