Ngacmimet seksuale në Parlamentin Europian

November 6, 2017 15:10

Ngacmimet seksuale në Parlamentin Europian

Çështja Weinstein dhe fushata “#MeToo” (unë gjithashtu) përmes së cilës shumë femra arritën të shprehen mbi kërcënimet dhe abuzimet seksuale, që kishin pësuar do të provokonte një ndërgjegjësim të përgjithshëm mbi një subjekt shpesh të nën-raportuar, për hir të pozicionit delikat në të cilën gjenden viktimat e këtyre akteve.

I vetëdijshëm për akuzat serioze të bëra kohët e fundit nga shtypi mbi këtë çështje, Parlamenti Evropian ka vendosur të rrisë ndërgjegjësimin mbi masat që ekzistojnë dhe ato që duhet të ndërmerren nga Bashkimi Evropian për të parandaluar dhe luftuar ngacmimet dhe abuzimet seksuale. Në debatin e fundit që njohu trajtimi i kësaj çështje, një sërë deklaratash të euro-deputeteve femra do të tërhiqnin vëmendjen mbi ngacmimet seksuale në gjirin e Parlamentit Evropian. Për to problemi është ende i nënvlerësuar, pasi shumë viktima kanë frikë, ose kanë turp të flasin për këtë.

“Ne kemi arritur kufijtë e durimit dhe heshtja është thyer”,- do të deklaronte deputetja polake Kozłowska-Rajewicz.

“Për fat të keq, … Parlamenti Evropian nuk është i përjashtuar nga kjo lloj sjellje e mjerueshme”,- do të theksonte edhe deputetja italiane Daniela Aiuto.

“Ai që është përgjegjës është ai që sulmon ose ngacmon. Ne, duhet të qëndrojmë pranë dhe të jemi në anën e viktimave, në mënyrë që ato të mos kenë turp, të mos kenë frikë të humbasin punën dhe të mos ndjejnë faj”, do të deklaronte Garcia Perez, deputete spanjolle.

Një tjetër deputete konservatore dhe reformatore e Polonisë, Jadviga Wisniewska u shpreh se: “Këtu në zemër të demokracisë evropiane, gratë janë sulmuar dhe ngacmuar. Debati i sotëm duhet t’iu japë grave fuqinë, që të guxojnë të flasin për këtë. ”

Terry Reintke, deputetja e gjelbër gjermane që konfirmoi se ajo vetë ishte ngacmuar, iu drejtoi një apel meshkujve duke thënë: “Po, kjo është një histori e grave, por nuk është problem i tyre. Kemi nevojë që meshkujt të solidarizohen. Ne duhet të luftojmë së bashku.”

Malin Bjork, anëtarja suedeze e së majtës së bashkuar u shpreh gjithashtu se: “Ne kemi nevojë që burrat të marrin përgjegjësitë e tyre. Nëse ata janë pjesë e problemit, ata duhet të jenë edhe pjesë e zgjidhjes.”

Për Angelika Mlinar, liberalen demokrate austriake, “abuzimet seksuale janë abuzime të pushtetit”.

Ndërsa Komisionerja Cecilia Malmstrom do t’i përshkruante lëvizjet e fundit si “indinjatë femërore nga e gjithë bota e grave, që kanë duruar mjaft”. Ajo njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian do të nisë një anketim të ri mbi dhunën me bazë gjinore.

Parlamenti Evropian është shfaqur i ndjeshëm ndaj akuzave të tilla, jo vetëm në përgjithësi në shoqëri, por edhe konkretisht në lidhje me anëtarët dhe punonjësit e tij. Nuk ishte hera e parë që deputetët debatojnë për ngacmimet seksuale. Debati i fundit në seancën plenare ishte në muajin shkurt 2016. Në vitin 2001, deputetët e parlamentit kishin theksuar se rritja e pasigurisë në punë krijonte një mjedis të favorshëm për ngacmimet duke u bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare të pasurojnë legjislacionin e tyre ekzistues, për të luftuar problemin. Problemi është përmendur edhe në Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës, që kërkon nga nënshkruesit e saj të marrin të gjitha masat e nevojshme për të ndëshkuar ngacmimet seksuale.

Parlamenti ka venë në dispozicion të tij një sërë mekanizmash, që i mundësojnë përballjen me sjelljen e papërshtatshme nga deputetët dhe punonjësit e tij.

Neni 12 i Rregullores së Stafit të Bashkimit Evropian parashikon që personat që punojnë në institucionet evropiane duhet të “përmbahen ndaj çdo forme të ngacmimit moral dhe seksual”, ngacmimi seksual përcaktohet më tej si “sjellje me konotacion seksual, e padëshiruar nga personi ndaj të cilit ushtrohet dhe qëllimi ose efekti i të cilit është të cenojë dinjitetin ose të krijojë një mjedis frikësues, armiqësor, ofendues ose të turpshëm.”

Parlamenti ka vendosur edhe dy komisione të posaçme këshillimore për parandalimin e ngacmimeve. Ekziston gjithashtu edhe një komision këshillëdhënës, që merret me ankesat e parashtruara kundër deputetëve nga deputetet e Parlamentit Evropian. Në fund të vitit të kaluar, ky komision ndërmori një fushatë ndërgjegjësimi në ambientet e Parlamentit Evropian në mënyrë që të jetë i dukshëm roli i tyre, dhe të hapen sytë ndaj këtij problemi. Një udhëzues që përshkruan atë që konsiderohet si qëndrim i përshtatshëm ose jo i përshtatshëm është shpërndarë gjithashtu përpara ngjarjeve të fundit. Ndër të tjera, anëtarëve iu këshillohet të përdorin gjuhë të saktë dhe të civilizuar, të përmbahen ndaj fyerjeve, ose komentimeve të pamjes së punonjësve. Ata duhet të respektojnë privatësinë e punonjësve, të flasin për problemet dhe të ndërhyjnë menjëherë nëse vërejnë ndonjë sjellje të papërshtatshme në ekipin e tyre, siç janë shakatë me nuanca seksuale, ose akte vulgare.

Do të ishte studimi i vitit 2014, i mundësuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) mbi dhunën ndaj grave në territorin e Bashkimit Evropian që do të shfaqte për herë të parë një panoramë aspak optimiste, teksa do të konfirmonte se: një në tre gra kishte përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj; deri në 55% e grave ishin viktima të ngacmimit seksual në Bashkimin Evropian; 32% e të gjitha viktimave në BE deklaruan se autori ishte një epror, një koleg ose një klient; 75% e grave në profesione që kërkojnë kualifikime ose menaxhim të lartë kanë qenë viktima të ngacmimit seksual, po ashtu si 61% e grave të punësuara në sektorin e shërbimeve; 20% e grave të reja (të moshës 18 deri në 29 vjeç) në BE-28 kanë përjetuar ngacmime online; dhe një në dhjetë gra ka qenë viktimë e ngacmimeve seksuale, ose përndjekjeve përmes teknologjive të reja.

Profili

Për psikiatrit, ngacmimi seksual dhe dhuna në këtë fushë nuk ka të bëjë aspak me një histori kënaqësie apo joshje, por ka të bëjë me raporte të pastra force dhe dominimi. Flitet për kërcënime seksuale atëherë kur një individ i bën propozime të karakterit seksual viktimës së tij, që nuk është në pozicion të shprehë mos-aprovimin. Akti është i ngjashëm me përdhunimin, pasi shtrëngesa morale në këtë rast, zëvendëson shtrëngesën fizike.

Sipas tyre, kemi të bëjmë kryesisht me dy lloje kërcënimi moral. I pari, ka të bëjë me ndjekjen e një politike që synon izolimin e punonjësit duke e privuar nga puna, duke i zhvlerësuar aktivitetet gjatë kohës së punës, duke insistuar mbi defektet e tij, apo edhe duke i propozuar një punë nën nivelin e tij aktual, në mënyrë që ta detyrojë atë të tërhiqet. I dyti, ka një karakter më pervers pasi futet në lojë “dhimbja e vuajtjes” ku viktima futet nga ngacmuesi në një rreth vicioz, pra në rolin e ekuilibruesit të nevojshëm për gjendjen  e tij shpirtërore.

Portreti tip i një kërcënuesi sipas psikiatërve, vjen i ndarë në tre kategorizime: kategoria e parë prek natyra meshkujsh të pafuqishëm, të ndrojtur që nuk guxojnë t’i afrohen një gruaje në kontekstin e një marrëdhënie normale dhe shfrytëzojnë pozitën e tyre hierarkike për të dhënë përshtypjen e një fuqie seksuale që nuk e kanë; kategoria e dytë, janë natyrat narciste që adhurojnë marrëzisht vetveten dhe që nuk mund t’i rezistojnë dot impulseve të tyre. Dhe ngacmimet në këtë rast përdoren për të vlerësuar edhe më tej imazhin personal; dhe kategoria e tretë, perversët që gjejnë kënaqësi, duke poshtëruar viktimat e tyre.

Interes në këtë profilizim ngjallin motivacionet që shprehin kategoritë e mësipërme, pasi sipas psikiatërve këta persona gjejnë kënaqësi në poshtërimin e objekteve të tyre, pasi është e vetmja mënyrë që të arrijnë të marrin përparësi, apo revansh ndaj një gjëje që në realitet i frikësohen apo që ndjehen të sfiduar në përballje normale në jetën e përditshme. Pra, ngacmimi dhe dhunimi iu krijon përkohësisht sigurinë e munguar, përballë gjinisë së kundërt.

Si duhet reaguar ? Korniza orientuese që ofrohet në raste të tilla është refuzim kategorik, dhe bërja e qartë se kjo gjë “është e ndaluar me ligj”. Pasi, në momentin që mendohet se në rast të ndonjë denoncimi do cenohet imazhi personal, ky është qëndrim i gabuar që mund të shoqërohet me dëme të tjera fizike, por edhe psikologjike. Pa nënvlerësuar sindromat post-traumatike që karakterizohen nga tendenca depresioni dhe çrregullime të tjera organike.

Dita

November 6, 2017 15:10