Ngarkesa në punë/ Mënyra të provuara shkencërisht, për të qenë të qetë

December 3, 2017 22:20 Updated

Ngarkesa në punë/ Mënyra të provuara shkencërisht, për të qenë të qetë

Në ditët e ngarkuara në punë, kur ju nxitoni të kapni objektivat në afatet e caktuara, ndieni një lloj tensioni në vetvete dhe kjo është më se normale. Në këto situata është shumë e rëndësishme që gjendja psikologjike të bëhet përparësia kryesore, në mënyrë që niveli i stresit dhe ankthi të mos kenë peshë të madhe, e që mund të bëhen një barrë shtesë, duke shkaktuar ngadalësi dhe vonesa.

Disa ndryshime të vogla në përditshmërinë tuaj mund të ulin ndjeshëm nivelin e stresit. Për të qenë sa më të çlirët dhe sa më të gatshëm për të tejkaluar javën tuaj të punës mund të provoni disa këshilla të provuara shkencërisht.

Pini çaj kamomili

Mëngjeseve, si dhe ditëve të ngarkuara në punë, ju mund të ndiheni të tunduar të mbushni filxhanin e dytë, apo të tretë me kafe. Kjo e fundit, me të vërtetë që ju jep shtysë, por mund t’ju bëjë të jeni më të stresuar se sa jeni aktualisht. Herën tjetër që ju do të ndjeni tundimin për të pirë diçka të ngrohtë në zyrë, kini parasysh çajin. Revista ndërkombëtare, “Psychopharmacology” ka zhvilluar një studim dhe ka arritur në përfundimin se pirja e çajit ul nivelin e hormonin të stresit, kortizolit, si dhe nxit çlodhjen subjektive. Ju duhet ta bëni këtë një zakon tuajin, sidomos kur keni ditë shumë të ngarkuara në punë. Shtojini filxhanit të çajit edhe një biskotë, ose dy, për të për t’i dhënë vetes një shtysë energjie. Provojeni ta zbatoni këtë këshillë në ditët e ngarkuara dhe do të shihni se efektshmëria juaj do të marrë një shtytje pozitive.

Dëgjoni muzikë

Muzika është një formë intime e artit dhe e të vetëshprehurit që arrin te njerëzit në nivele të ndryshme. Ajo mund të ketë një efekt qetësues, i cili është i përkryer për ditët e ngarkuara në zyrë, në varësi të parapëlqimeve personale, llojit, tekstit dhe ritmit të saj. Rrjeti social për shëndetin mendor, “Psych Central” ka publikuar një artikull ku theksohej një studim i tyre, se muzika, (kryesisht ajo klasike dhe instrumentale” qetëson mendjen dhe trupin, duke ngadalësuar rrahjet e zemrës, ulur presionin e gjakut dhe, për pasojë, edhe nivelin e hormoneve të stresit. Përpara se të niseni për në punë bëni gati një listë me këngët që pëlqeni më shumë, kështu që mund t’i dëgjoni gjatë ditës së punës.

Përdorni terapinë e aromave

Terapia e aromave është një teknikë që përdor vajra natyralë, për të përmirësuar shëndetin tuaj fizik e mendor. Studimi i “Holistic Nursing Practice“ ka arritur në përfundimin se nuhatja e vajrave të livandos dhe rozmarinës ka ulur nivelin e stresit të një grupi studentësh të mjekësisë, të cilët kanë qenë përpara provimit të diplomës. Kjo gjë u vu re nga ulja e koeficientëve të stresit që u morën parasysh në studim, nga deklaratat personale, si dhe nga rrahjet e zemrës. Studimi tjetër nga revista mjekësore “Psychiatry Research” tregoi se nuhatja për rreth pesë minuta e të dyja aromave, të rozmarinës dhe livandos ul nivelet e hormonit të stresit, kortizolit, te personat e përfshirë në këtë kërkim. Ju duhet të mbani shishe të vogla vaji rozmarine, apo livandoje në tavolinën tuaj të punës. Në momentin kur ju ndiheni të mbingarkuar, ose të hutuar, bëni një pushim të vogël, merrni frymë thellë dhe shijoni aromën. Ju, gjithashtu, mund të përdorni edhe të ndizni qirinj të vegjël aromatikë, të bërë me këto lloj vajrash e aromash, për t’u qetësuar në shtëpi.

Përtypni çamçakëz

Përtypja e çamçakëzit, nuk është vetëm një mënyrë e mirë për të shmangur atë bllokimin e veshëve kur ju udhëtoni me aeroplan, por edhe një mënyrë e efektshme për të ulur stresin. Studiuesit e “Swinburne University of Melbourne”, në Australi kanë marrë në shqyrtim 40 persona që u është stimuluar stres, në momente kur kanë përtypur çamçakëz, dhe në momente kur nuk kanë përtypur. Nivelet e stresit, ankthit dhe vigjilencës janë matur përpara dhe pas aktivitetit. Në momentin kur ata kanë përtypur çamçakëz është regjistruar një nivel më i ulët ankthi, me rreth 17% më pak. Ata kanë patur përmirësime të vigjilencës. Gjëja më e rëndësishme ka qenë matja e kortizolit, e cila rezultoi më e ulët te personat që përtypën çamçakëz.

Bëni një shëtitje

Eksperimenti i bërë nga “Psychology and Speech Pathology School”, në “Curtin University Australia”, ka arritur në përfundimin se bërja e një shëtitjeje gjatë kohës së drekës në punë mund të ndihmojë personat, për të ulur barrën e stresit gjatë pasdites. Kërkuesit kanë studiuar 75 anëtarë administrativë të stafit të universitetit, për një periudhë kohe prej 10 javësh dhe kanë arritur në përfundimin se personat janë ndjerë më të qetësuar, më entuziastë dhe më pak nervozë në ditët që kanë bërë shëtitje në orarin e drekës, në krahasim me ditët kur nuk kanë bërë shëtitje. Rrjedhimisht, duke bërë një ecje me miqtë, disa minuta, mund të përmirësojë moralin tuaj, si dhe do t’ju ndihmojë të jeni më të kthjellët në punë.

December 3, 2017 22:20 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*