NGRICAT / Moti i keq, studenti online lutet të bjerë interneti që… ta bëjë pushim

February 2, 2021 09:04

NGRICAT / Moti i keq, studenti online lutet të bjerë interneti që… ta bëjë pushim

TIRANË, SAUK, BUBQ – I lodhur e i sakatuar nga seancat e gjata mesimore online, studenti i vitit të dytë në degën Inxhinieri Fluturash të Universitetit të Bajkalit në Tiranë, 20 vjeçari Kristiano Bektashi mallkoi dje online shërbimin e internetit, – njoftojnë burime nga shoqëria e djaloshit që frekuentojnë rëndom pas (dhe gjatë) mësimit zgëqet e whatssupit, Viberit dhe mjediseve të tjera të dyshimta virtuale.

“Na grinë me mësime, s’po bëjmë dot një ditë pushim si njerëzit,” u ankua i riu shqiptar, që si shumë bashkëatdhetarë të tij, kanë emër e mbiemër që mund të çorodisin cilindo studiues të huaj që kërkon të kuptojë origjinën e përkatësisë fetare të familjes.

Duke marrë shkas nga përkeqësimet e përsëritura të motit, shirat dhe i ftohti, Kristiano u deklaroi shokëve se shpresonte të binin ca rrufe të mira në aparaturat e internetit, që të bënin ca ditë shkëputje nga mësimet.

“Do Zoti na vjen ndonjë erë me 100 km/ orë që t’i presë ato kavot e shpifura e të rrimë rehat për ca kohë,” shtoi Bektashi. Madje ai u pohoi miqve të ngushtë se shpresonte që një shkëputje e beftë e internetit, t’ua fshinte pedagogëve nga regjistri elektronik të gjitha notat që kishte marrë vitin e fundit.

Gjatë gjithë këtyre muajve, duhet pohuar se prindërit e Kristianos, Merjeme dhe Francesk Bektashi, janë mjaft të kënaqur me sjelljen online të evlatit të tyre.

“Kur shkonte në shkollë fizikisht, merrnim shumë ankesa nga mësuesit. Jo linte orët e mësimit, jo dilte me shokët. Tani ka ndërruar me 360 gradë,” thotë Francesku, i bindur se 360 gradëshi përfaqëson një ndryshim total, “rri ngulur gjithë kohën në kompjuter, me mësimet”.

“Është pjekur,” shton i mallëngjyer babai krenar.

Por burimet bektashiane sapo njoftuan se Kristiano ka ndryshuar befasisht qëndrim dhe e ka anulluar mallkimin ndaj internetit.

Mësohet se shoqnia e informoi të riun që ndërprerja e internetit nënkupton se ata nuk do takohen më në rrjete sociale, as do shihen në videochat, e ç’është më e keqja, nuk do luajnë më së bashku “Luftën e tankeve” online gjatë mësimeve.

I lehtësuar që ndryshoi mendim në kohë, Kristiano Bektashi mësohet se e ka modifikuar mallkimin e tij, duke kërkuar që “iu prefshin dritat gjithë Tiranës”.

“Dritat nuk kanë lidhje me internetin, apo jo,” deklaroi me bindje studenti.

—–

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë krenare për nivelin e mësimdhënies dhe brezat e rinj që po rrisin në atdheun tonë pluripartiak kovidian 

February 2, 2021 09:04
Komento

1 Koment

  1. Treshi Mach February 4, 09:26

    Ia paska ndryshuar edhe pasuordin!
    Hahha, boll kopjuat er!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim