Nguljani heshtën në zemër!

Ilir Metaj November 22, 2014 10:07

Nguljani heshtën në zemër!

“He thought that he could fly

That he could reach the sky

But he went up too high – oh, so high

He kissed the ground – goodbye…”

Accept – Bulletproof

“Ai mendoi se mund të fluturonte

Se mund të arrinte qiellin

Por fluturoi shumë lart-oh sa lart

Puthi tokën-lamtumirë …”

***
E kisha harruar këtë këngë.

Ka patur një kohë kur me shokët e këndonim shpesh, duke u munduar të imitonim vokalin e paimitueshëm në fakt. Dhe çdo herë vargjet na drithëronin. Pak vite më vonë, një prej shokëve të mi u largua nga kjo jetë për një overdozë të mallkuar, atje në tokën e largët të Australisë.

Mbase kjo ishte arsyeja që e kisha strukur këtë këngë thellë në sirtaret që nuk dëshiroja t’i hapja. Më dukej se ridëgjoja zërin e tij tek e këndonte. Ndonjëherë në fakt e kapja veten tek fërshelleja muzikën, por pa guxuar të mërmëritja vargjet. Por këto kohë kënga doli zhurmshëm nga sirtari ku e kisha mbyllur.

Ishin vitet ‘90 kur Accept kënduan këtë këngë dhe më kujtohet që kanë qenë kohët e tronditjeve të para nga prezenca e narkotikëve në gjakun e fëmijëve të shqiptarëve. Kënga u bë hit jo vetëm nga muzika dhe vokali i fuqishëm i Udo, por sidomos nga drithërima që e përshkonte shpirtin e cilitdo prej frikës se mos një ditë, pas këtyre vargjeve, gjente ndonjë fytyrë të dashur për të.

Siç edhe në fakt më ndodhi mua.

Mbaj mend në ato vite, në bisedat e shumë prindërve tregoheshin histori pa fund me drama të familjeve, ku fëmija adoleshent kishte përfunduar përdorues i pashpresë, duke u kthyer në një varr të hapur për prindërit e tij.

Fytyrat e dëgjuesve të këtyre historive, të një natyre të panjohur e padëgjuar më parë në vatrat e shqiptarëve, reflektonin dhimbjen për fatkeqësinë e tjetrit dhe pafuqinë për të ofruar ndihmë.

Ama, këto histori ishin bërë një frikë e ankth i përhershëm në ato vite të para tranzicioni dhe hapje portash drejt perëndimit, për të mirat e të këqijat që do të vinin nga përtejdetit.

Shoqëria ishte më e shqetësuar, pra, për këtë vrasës me fytyrë të re që kishte filluar të qarkullonte duke mbjellë vdekje e dhimbje në rrugët tona. Shoqëria jonë, e mbaj mend mirë, ishte e papërgatitur për ta përballuar, e pastërvitur për ta asgjësuar, por ama mjaftueshëm e ndjeshme për ta pranuar si një hall të madh që kërkonte solidaritet e mendim.

Por pastaj, ky shqetësim sikur u fashit nga atmosfera shoqërore dhe mbeti një hall pas dyerve të mbyllura të atyre që kishin rënë në kurthin e kësaj vrasëseje magjepsëse. Shoqëria sikur deshi të çlironte veten duke bërë gjoja nuk di gjë, gjoja nuk shikon gjë, gjoja nuk ndien gjë.

Në këtë refuzim të çuditshëm për të ditur të diturën, edhe shoqëria shqiptare ra në sindromën e strucit, duke futur kokën në rërën e kënaqësisë false që i këndonte në vesh ninulla po aq false, duke mos ndjerë copëza djemsh e vajzash të trishtuar që dorëzoheshin çdo ditë në kurthin e drogës e, po si grimcat e rërës që mbulonin kokën, treteshin tutje me dallgët.

Shshshsht, mos tregoni histori me drogë…

Nuk janë për veshët e brishtë të zonjëzave e zotërinjve që bubrojnë mes parave perëndimore të OJF-ve tona.

Nuk duhen trishtuar syçkat nën syzet firmato me histori të tilla të trishta. Pale pastaj, mos o zot ndonjë pikë lot nga kjo histori të bjerë mbi murin e fejsbukut të ndonjë kryetari forumi studentor apo gjimnazor. Mos o zot, se mbi atë mur do shkruhet njoftimi se sa veta duhet të mbledhë secili për Protestën e Partisë, apo budallëqet e rradhës.

Ju lutemi shumë, këta djemka e çupka mblidhen vetëm për të marrë vesh në ç’orë është mitingu dhe party pas mitingut, jo për dava lufte ndaj drogës. Shshshshtt se po venë themelet e karrierave të tyre anemike.

Droga? Po ç’punë kanë këta me drogën! Droga është punë për ata që e marrin, pse e marrin, kush u tha ta marrin. Pffff! Le që ta marrësh është edhe trendy në fakt…

Dhe kjo armatë e gjerë ojf-forumiste-rinore është mjaft e zënë për të vënë re sytë e trishtuar që kërkojnë ndihmë me turp, apo sytë e dëshpëruar në kërkim të dozës së rradhës. Ata janë kaq afër, por kaq larg në fakt.

Kjo armatë e pështirë pragmatistësh, që do të ishte e mjaftueshme për ta mbytur të keqen me energjinë e vet, që do ishte e mjaftueshme për t’i përfshirë me veten përpara drejt dritës ata që droga po i tërheq në thellësitë e errëta e pakthim, kjo armatë e akullt pra nuk do t’ia dijë.

Dhe ikin një nga një djem e vajza nënash, me një thirrje për ndihmë të mbetur mbi buzën e zbardhur nga spazmat…

E ikin djem e vajza nënash, nën plumbat e shtënë nga një gisht i trimëruar pas dozës së helmit të bardhë…

Dhe atëherë, vetëm atëherë, shoqëria kujtohet për mysafirin e paftuar që ka gllabëruar sa e sa shpirtra të lënë vetëm. Të lënë vetëm nga prindërit e zënë me veten e tyre, a të lënë vetëm nga shoqëria e gjithë, e zënë me budallëqet e rradhës, kjo nuk mund të ndahet. Jemi të gjithë bashkë në këtë braktisje të madhe të atyre që kanë nevojë për t’u dhënë një dorë, për t’u dhënë një shpresë.

Ju djem e vajza të reja, ju shefat e ojf-ve!

Lërini politikanët të google-ojnë për të gjetur motive protestash absurde! Mos i dëgjoni ata!

Mos i lini politikanët të errësojnë dritën e jetës tuaj! I pështyni ata! Kthejini sytë nga shoku që keni në krah e mbase kuptoni që ka nevojë për ndihmën tuaj! Le ta thërrasim me të madhe që kemi një armik mizor mes nesh, shumë thellë mes nesh, Drogën.

Le ta thërrasim fort, aq sa ta trembim! Le t’i bëhemi bllokadë që të mos na marrë djemtë e vajzat tona yje.

T’i hapim fort veshët kur dikush thërret si amanet të fundit “Mos pi mall, bëj palestër!” Kuptojeni sa vuajtje janë përmbledhur në këtë varg. Kjo histori filloi me një këngë trishtimi e dhimbjeje në vokalin drithërues të Accept, derisa u kthye në një këngë proteste për veshët e shurdhër në zërin luftarak të Dr.Florit, që e takoi djallin po nuk ia nguli dot në zemër heshtën.

 

 

Ilir Metaj November 22, 2014 10:07
Komento

4 Komente

  1. fixfare November 22, 16:50

    Shkrimi eshte kaq Prekes
    Dhe kaq prekes eshte realiteti yne !

    Reply to this comment
  2. eno November 22, 17:10

    Fantastik si gjithmon Ilir.

    Reply to this comment
  3. lona November 22, 17:17

    Ju lumte z.Ilir
    Ju pergezoj kjo eshte vertet ajo cfare duhet ti ngreje strukturat, por qellimi i cdo organizimi ne vendin tone eshte vetem te mbushim xhepat…

    Reply to this comment
  4. gjermani i fundit November 22, 20:28

    do me pelqente sikur nje ore te javes ta shkonim diku per te luftuar drigen dhe pasojat qe sjell ajo. Sikur pas nje feste, ku te gjithe bejne kokrren e qejfit e ndokush peson infarkt nga dehja e pasketaj tryezat jane plot me mbeturina qe askush denjon ti pastroje e gjithkuish ngre supet duke u shfajesuar se “keto nuk i lashe une”. Por gjithsesi kjo beteje me drogen dhe njesoj me ideologjite shoqerite i kane humbur, jane beteja ku heronjte(sipas nje batute radiofonike)nuk jane ata qe iken por ata qe vijojne te jetojne. Se te jetosh mes kesaj amullie haluçinante eshte heroizem. Nuk e di dhe nuk po interesohem ne Google nese John Lennon tymoste marijuane, tashme ai ka vdekur nen plumbat e dikujt qe s’u morr vesh kujt i sherbeu dhe pse e qelloi. A ndofta talentet e nje kategorie te tille kane nevoje per nje suplement optimizmi per tu shkeputur pakez nga lluca tokesore,qe te mbyt me njemije hallet e njeriut. Kush e mban mend listen e gjate te viktimave te droges,nga me ilustrit e deri me te panjohurit. Biles kam dyshim qe nuk do gjesh nje artist qe nuk ka patur eksperience me lendet narkotike; duket qe kete beteje njerezimi e ka humbur. Propozimi me i fundit kurioz vjen nga nje deputet me mjekerr te bardhe si Ismail Qemali. Ky thote qe droga qe prodhohet ne Shqiperi qenka e cilesise se pare e duhet urgjentisht ta bejme prioritet eksporti. Ndoshta e ka mire; meqe jemi dorezuar na mbetet ta pranojme si paranojen tone. Kur e pa se nuk kishte ç’ti bente figures se Vellait te madh, Winstoni i gjore i Orwellit i shpalli dashuri te perjeshtme.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*