GOJËT E LIGA / Nik Rosonero çmend Milanon me koleksionin Vjeshtë-Dimër

December 23, 2017 10:45

GOJËT E LIGA / Nik Rosonero çmend Milanon me koleksionin Vjeshtë-Dimër

Milani si ekip ndoshta është në krizë, por Milano si qytet jo.

Një nga kryeqytetet europiane të modës nuk ka nevojë për kuqezinjtë e Milanit për t’u krenuar. Për këtë ka menduar Nik Rosonero, fashion dizajneri i shquar me origjinë të largët shqiptare, i cili asnjëherë nuk e ka mohuar prejardhjen, përkundrazi.

“Io non smettero mai a dire che un’ po di sangue Albanese comunque scorre nelle mie vene”, deklaroi Nik Rosonero sërish javën e kaluar, teksa prezantoi me sukses koleksionin e tij të ri Vjeshtë-Dimër. Dhe u përpoq në shqip: “Xhaku shkipetare, nelle vene mie, hai capito?”

Gjithsesi, vëmendjen maksimale e mori seriali i produkteve të fundit të fashionistit ëndërrimtar, ku media e specializuar veçoi kombinimin e freskët syze me skelet të zi – kapele bejsbolli e stilizuar – xhaketë me lesh keci të krehur dy herë.

“Ka kush e çmend Milanon dhe Europën”, shkruante dje revista e famshme “Maddamme Rukije”, “dhe e kemi fjalën jo për futbollin, por për modën e burrave: Ai është adoleshenti i përjetshëm Nik Rosonero”.

Fjalë të mira kishte për të edhe legjenda e modës, 158 vjeçari Kalosh Jagermeister: “Unë e urrej dimrin, por kur shoh punimet e Rosoneros bie në dashuri me këtë stinë. Dhe ftohem, natyrisht”.

Kazual dhe serioz, sportiv por gjithmonë komod edhe në zyrat hijerënda të korporatave, ky është kombinacioni i dizajnerit të madh, i cili siç e mbajmë mend të gjithë, e nisi karrierën e tij marramendëse me disenjimin e të parave mbathje për meshkuj me papijon, duke vazhduar me të paharrueshmen kanotiere me zinxhir anash dhe me astar.

Pas suksesit të koleksionit të fundit, Rosonero deklaroi se do të shkëputet për pak kohë nga dizajni për t’i dhënë një dorë ndihme popullit të shumëvuajtur të origjinës së tij të largët.

“Mbase ndihmoj pak politikën shqiptare. Nuk e di, do ta mendoj. Ndërkohë do hedh në treg edhe parfumin tim “Curri’s Wool”, prodhimi i parë i të cilit është i shitur që në fabrikë”, tha Rosonero.

Shënim: Nik Rosonero është Gojë satirike. Jo, Gojët e Nikut janë satirë kuqezi… Dale se na bëtë lëmsh: Gojët e Liga është satirë rubricistike!

December 23, 2017 10:45
Komento

1 Koment

  1. mani December 24, 18:25

    Hahaha parfumi i markes Lesht e Currit!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*