Nis gara për pranimet e reja në shkollën artistike “Jordan Misja”

June 30, 2020 11:20

Nis gara për pranimet e reja në shkollën artistike “Jordan Misja”

Pranimet e reja në shkollën artistike “Jordan Misja’’ do të zhvillohen të gjitha me konkurs. Autoritetet drejtuese të kësaj shkolle kanë shpallur tashmë procedurat e konkurimit për të gjithë nxënësit që duan të ndjekin vitin e ri mësimor 2020-2021 në të gjitha ciklet e kësaj shkolle. Konkretisht, regjistrimet do të zhvillohen për këto cikle: në klasat e para dega muzikë (violinë, piano, violonçel),për klasën e gjashtë dega muzikë (në të gjitha degët e frymës, violë, fizarmonike, kitare), si dhe për klasën e dhjetë po në të gjitha degët e frymës, violë, fizarmonike, kitare, kontrabas, kanto, etj ). Regjistrime do të zhvillohen edhe për pranimet e reja në klasat e dhjeta për profilin e artit figurative, ku parashikohet të hapen dy klasa të reja. Për të qenë pjesë e konkurseve të pranimit, nxënësit e secilit cikël duhet që të paraqiten për të bërë regjistrimin  duke dorëzuar dosjen me dokumentet e kërkuara. Sipas afateve të përcaktuara, regjistrimet do të vijojnë deri në datën 15 korrik. Në konkurim kanë të drejtë që të përfshihen edhe nxënësit e rretheve, me kushtin që të kryejnë regjistrimin në afatet e përcaktuara.

Dosja që duhet për regjistrim

Lidhur me procedurat e regjistrimit, ekspertët bëjnë me dije edhe dokumentet konkrete që duhet të dorëzohen për regjistrimet në secilën klasë.  Në mënyrë të detajuar, për klasat e para kërkohet kërkesa për aplikim që plotësohet direkt në shkollë, libreza e vaksinimit, vërtetimi i marrë nga kopshti ose cikli i parashkollorit që fëmija ka ndjekur, certifikata familjare, si dhe një foto dokumenti. Ndërsa për regjistrimet në klasat e gjashta nxënësit duhet që të dorëzojnë: “një kërkesë për regjistrim të plotësuar në shkollë, kopjen e dëftesës së lirimit e njehsuar me origjinalin. Për nxënësit nga rrethet duhet dëftesa e legalizuar në Zyrat Vendore të Arsimit të secilit rreth. Gjithashtu në dosjen e dokumenteve nxënësit e klasave të gjashta duhet të përfshijnë edhe një certifikatë familjare, raport mjekësor të lëshuar nga qendra shëndetësore si dhe një foto dokumenti. Këto dokumente duhet të dorëzojnë edhe nxënësit që do të regjistrohen për të vijuar konkurrimin për pranimet e reja në klasat e dhjeta.

Datat e konkurseve për secilën klasë

Sa i takon konkurimit për secilin cikël, sqarohet se nxënësit e klasave të para që kanë kryer procedurat e regjistrimit në afatet e përcaktuara do të zhvillojnë konkursin në datën 8 korrik. Nëse në përfundim të këtij konkursi nuk arrihet numri i parashikuar i nxënësve për krijimin e klasës së parë, do të ketë edhe një fazë të dytë konkurimi që do të zhvillohet në datat 31 gusht deri në datën 4 shtator. Dy faza konkurrimi do të zhvillohen edhe për të gjitha klasat e tjera. Për klasat e gjashta dhe të dhjeta në profilin e artit muzikor, faza e parë e konkurimit do të zhvillohet në datën 16 korrik. Edhe në këtë rast nëse nuk plotësohet numri i kërkuar i nxënësve, faza e dytë e përzgjedhjeve do të zhvillohet në datat 31 gusht deri më 4 shtator. Këto të fundit janë data të përcaktuara për zhvillimin e konkursit për të gjithë nxënësit që do të duan të ndjekin studimet në klasën e dhjetë për profilin e artit figurativ. Sa i përket kuotave të pranimeve, bëhet me dije se nga konkurset do të mund të përzgjidhen si fitues për të gjitha klasat 155 nxënës, 35 prej të cilëve në klasat e para, 20 në klasat e gjashta, si dhe 100 nxënës për klasat e dhjeta.

Kuotat e pranimeve të reja për 2020

  • Kuota e pranimit për klasën e parë 35 nxënës.
  • Kuota e pranimit për klasën e gjashtë 20 nxënës.
  • Kuota e pranimit për klasat e dhjeta 100 nxënës (1 klase muzikë + 2 klasa figurativ).

 

 

June 30, 2020 11:20
Komento

1 Koment

  1. Iliria June 30, 21:59

    Mesoni nga bota qe i fillon instrumentat qe nga mosha 4-5 vjec.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim