Nis në Prishtinë “Java e Albanologjisë”

October 21, 2013 15:42

Nis në Prishtinë “Java e Albanologjisë”

Në Prishtinë ka nisur sot “Java e Albanologjisë”, aktiviteti shkencor që bën bashkë studiues nga të gjitha trojet shqiptare. Në programin e edicionit të sivjetëm përfshihen rreth 140 pjesëmarrës, të cilët do të japin kontributin e tyre në pesë sesione të ndara: gjuhësi, letërsi, folklor, etnologji dhe histori.

Ky aktivitet organizohet për herë të katërt nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ka për qëllim prezantimin e rezultateve një vjeçare të albanologëve nga vendi dhe bota.

Drejtori i Institutit, Hysen Matoshi, tha se pjesëmarrjen për këtë edicion e kanë konfirmuar rreth 150 studiues dhe albanologë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Turqia dhe Jordani. Ata do të paraqiten me kumtesat e tyre në 5 sesione, të cilat do të mbahen në degën e gjuhësisë, folklorit, letërsisë , etnologjisë dhe historisë. Matoshi bëri të ditur se në kuadër të kësaj konference shkencore do të marrin pjesë studiuesit e njohur si Dalibor Jovanovski nga Universiteti i Shkupit, Igor Despot, studiues kroat, Mehmet Allkan nga Universiteti i Stambollt si dhe Muhamet Mufaku nga Jordania.

Në ditën e parë do të mbahen nga dy seanca në degën e Gjuhësisë dhe atë të Folklorit. Në kuadër të fushës së gjuhësisë do të trajtohet tema “Shqipja dhe rrethanat e sotme sociolinguistike dhe sociopolitike”, ndërsa në atë të folklorit “Mendimi teorik në folkloristikën shqiptare”.

Ndërkaq studiuesit e letërsisë, në ditën e dytë të konferencës, do të paraqiten me kumtesat e tyre në temën ”Letërsia shqipe mes dy luftërave botërore” ndërsa në fushën e etnologjisë do të trajtohet “Përditshmëria, tradita dhe moderniteti”. Në ditën e fundit studiuesit e fushës së historisë do t’i shpalosin rezultatet e punës shkencore në kuadër të temës “Shqiptarët, fqinjët dhe fuqitë e mëdha në rrjedhat e historisë”. / Koha

October 21, 2013 15:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*