Nis nga puna impianti i dytë i diferencimit të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës

June 16, 2016 11:17

Nis nga puna impianti i dytë i diferencimit të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës

Nis punë edhe impianti i dytë i diferencimit të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës. Bashkia e Tiranës ka vijuar projektin i cili mundëson ndarjen e mbetjeve, para se ato të depozitohen në landfill. Impianti i ri u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi qëllimet e bashkisë janë dy: mbajtja pastër e qytetit, por edhe gjetja e një zgjidhje të qëndrueshme për të zgjatur jetëgjatësinë e landfillit të Sharrës, nëpërmjet diferencimit të mbetjeve të riciklueshme në impiant.

“Jam i vendosur që Tirana të jetë e pastër dhe jam i vendosur, po ashtu, që Tirana të fusë metoda moderne të riciklimit, ku sa më pak mbetje shkojnë në landfill, duke u siguruar që të diferencojmë plastikën, metalet, letrën e çdo gjë tjetër që mund të riciklohet, për t’i zgjatur jetën edhe landfillit të Sharrës. U bëj thirrje qytetarëve që ta mbështesin këtë nismë të bashkisë. Kush do punë, ne do t’ua sigurojmë atë, ama nuk do të lejojmë më që koshat të digjen, nuk do të lejojmë që koshat të vandalizohen dhe nuk do të lejojmë që 4 mijë pikat e grumbullimit të plehrave në Tiranë të kthehen në 4 mijë vatra infeksioni”, deklaroi Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës paralajmëroi masa ligjore ndaj çdokujt që grumbullon mall që merret nga koshat e mbeturinave, pasi ato janë pronë e bashkisë.

Ai theksoi se ky impiant i dytë, ashtu si edhe i pari, krijon mundësi reale për të punësuar të gjithë ata persona që sot si mundësi jetese kanë gjetur mbledhjen e mbeturinave nëpër kazanët e mbetjeve nëpër qytet. Sipas tij, këto impiante krijojnë vende pune, së pari për komunitetin rom, si dhe evitojnë që çdo kazan plehrash të kthehet në një vatër infeksioni.

“Zgjidhja është kjo që shihni pas krahëve të mi: punësim me sigurime shoqërore, punësim me të gjitha kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, ku i gjithë riciklimi bëhet këtu. Është më mirë të kemi vetëm një pikë riciklimi të Bashkisë së Tiranës, e cila bën ndarjen e plastikës, metalit, letrës, se sa të kemi 4000 pika riciklimi në të gjithë Tiranën. Tirana sot ka 4000 kazanë plehrash. Nëse secili prej tyre zbrazet për të marrë qoftë edhe një kanaçe ose një shishe, praktikisht kemi 4000 vatra infeksioni. Nuk besoj se ka njeri që mendon që Tirana të vazhdojë të jetë i vetmi kryeqytet evropian ku të 4000 koshat e mbeturinave të kthehen 4000 pika riciklimi, 4000 vatra infeksioni dhe 4000 burime aksidentesh”, tha kreu i bashkisë.

Me krijimin e impiantit të parë për diferencimin e mbetjeve në Sharrë, u arrit të punësoheshin nga bashkia mbi 200 veta, kryesisht të komunitetit rom, duke krijuar mundësinë e një menaxhimi sa më të mirë. Ndërsa, me krijimin e impiantit të dytë të diferencimit të mbetjeve në Sharrë, bashkia krijon mundësi punësimi sipas legjislacionit, të gjithë personave të interesuar për këtë punë në qytet, që deri tani e kryejnë në mënyrë të jashtëligjshme, duke u shfrytëzuar nga individë të caktuar dhe duke ndotur gjithë qytetin. Kështu, bashkia jo vetëm i jep zgjidhje pastrimit të qytetit, por edhe krijon vende pune. Impianti i dytë shton jetëgjatësinë e landfillit të Sharrës sepse diferencimi i mbetjeve të riciklushme në impiant zvogëlon sasinë e mbetjeve që shkojnë në zonën e asgjësimit në landfill.

27666216035_a2f68edc53_h 27591907291_c069714c6c_h 27055868183_7fb5053160_h 27055858373_2cc73c100f_h

June 16, 2016 11:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim