Nis trajnimi i 7 mijë mjekëve e infermierëve që do kryejnë ekzaminimet

July 25, 2014 09:29

Nis trajnimi i 7 mijë mjekëve e infermierëve që do kryejnë ekzaminimet

Për pesë ditë me radhë mjekët dhe punonjësit e kujdesit parësor (poliklinikave) në rrethet e Lezhës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Kukësit do t’i nënshtrohen trajnimit për mënyrën se si do të kryejnë paketën e analizave dhe ekzaminimeve falas për grupmoshat 40 deri në 65 vjeç. Ndërkohë që në nisje të javës së ardhshme ky cikël trajnimesh do të shtrihet edhe në dy qarqe të tjera, atë të Korçës dhe Fierit për të vijuar më pas me të gjitha qarqet e mbetura, duke shënuar kështu edhe hapin e parë të zbatimit në terren të “Paketës së Kontrollit Bazë falas të popullatës 40-65 vjeç”, që u miratua pak javë më parë nga qeveria shqiptare. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 7 mijë mjekë dhe infermierë, të cilët do të përfshihen në të parin “check up” në bazë të cilit do të mund të mësohet se cilat janë tipet më të shpeshta të sëmundjeve që prekin këtë grup moshë, çka do të ndihmojë edhe në parandalimin e zbulimit të sëmundjeve në stadet më të rënduara, sikundër ndodh në ditët e sotme.  Paketa e kontrollit përmban ekzaminime dhe vlerësime mjekësore për depresionin dhe stresin, ekzaminime për diabetin tipi 2, ekzaminime për hipertensionin arterial, ekzaminime për sëmundjet kardiovaskulare të zemrës dhe ekzaminimi i EKG-së, ekzaminime laboratorike në shërbim të mjekësisë familjare,promovimi i stilit të jetesës (vlerësimi për ushqyerjen, aktivitetin fizik, alkoolin dhe duhanin). Me qëllim njohjen dhe zbatimin efikas të shërbimeve shëndetësore lidhur me këtë paketë, Ministria e Shëndetësisë do të organizojë dhe mbështesë një proces trajnimi për të gjithë 6,392 mjekët dhe infermieret e familjes që shërbejnë në kujdesin shëndetësor parësor në të gjithë vendin. Nga ky trajnim do të përjashtohen personeli mjekësor specialistik që shërben në kujdesin e shërbimit parësor (si për shembull konsultoret e fëmijëve/grave, mjekët specialistë etj). Ekipet e trajnerëve do të përzgjidhen në bazë qarku, duke mbuluar të gjithë rrethet e çdo qarku, ku çdo ekip do të përbëhet nga mjekë dhe infermierë. Numri total i trajnerëve do të jetë 100, ndërsa raporti mes mjekëve dhe infermierëve, dhe sipas çdo qarku do të reflektojë numrin e personelit mjekësor që punon në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor. Janë rreth 900 mijë shqiptarë të kësaj grupmoshe që do të bëjnë analizash në qendrat shëndetësore, si dhe do t’i përgjigjen edhe disa pyetjeve baze për te përcaktuar nëse vuajnë nga depresioni, janë të varur ndaj alkoolit, duhanit apo kanë të tjera probleme me shëndetin e tyre.

 

 

July 25, 2014 09:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*