Nivica dhe Buna dy projekte unikale turistike

August 31, 2017 09:53

Nivica dhe Buna dy projekte unikale turistike

Nga Entela Resuli – DITA

Në majat e larta në jug të Shqipërisë, në rrugët gjarpëruese ku më shumë kalojnë dhitë sesa makinat, ndodhen një grup fshatrash, ku duket se koha është ndalur prej dekadash.

Me këtë fjali nis një artikull i Uashington Post kushtuar vendit tonë dhe përpjekjeve për të tërhequr më shumë turistë.

Teksa shpjegon se çfarë po ndodh në këto anë të Shqipërisë kjo media citon herë pas herë Kreun e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare i cili po drejton projektin Nivica.

Ne nuk shkuam larg, por te AKB-ja, për të biseduar nga afër me Taren dhe për të mësuar pak më tepër në lidhje me projektet e tij të fundit, që disa kanë filluar e të tjera presin të nisin së shpejti.

Ai shpreh idenë e një turizmi i cili nuk mbështetet vetëm te deti, rëra e dielli, por është për një produkt ku të gërshetohet plazhi me traditën, kulturën e kulinarinë e vendit që viziton. Ky koncept modern, sipas drejtuesit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ka nisur me kanionet e Nivicës.

Në këtë intervistë për Dita-n, Tare shpjegon planin e tij për t’i kthyer në qendër të vëmendjes Kanionet e Nivicës të cilat deri dje ishin një zonë e braktisur dhe e panjohur nga turizmi vendas apo i huaj.

Ndërsa lumin e Bunës pret ta kthejë në të lundrueshëm. Nëse ky projekt realizohet, do të jetë një nga produktet turistike më unikale në Mesdhe, i cili dhe do ta kthejë Shkodrën në një qytet bregdetar.

Auron Tare ka shumë për të thënë. Më poshtë intervista e tij…

Auron Tare

-Auron, javët e fundit mediat ndërkombëtare kanë folur me superlativa për një projekt ku ju, jeni  angazhuar për të promovuar një turizëm ku të gërshetohet plazhi me traditën, kulturën e kulinarinë duke orientuar turistët edhe në zona që janë larg detit. Pse kjo lëvizje?

Është e vërtetë që muaj e fundit media ndërkombëtare ka folur për disa prej projekteve që Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka konceptuar apo po implementon në terren. Në veçanti rikthimi i Via Egnatia si një potencial i madh turistik, lidhja e vijës bregdetare Sarande-Borsh me zonën e Kurveleshit deri në Zagori duke përdorur rrugët antike si pjesë e itinerareve historiko-kulturorë, si dhe hapjen e Lumit Buna për lundrimin e varkave me vela.

Ne mendojmë se bazuar në diversitetin e madh gjeografik që ka Shqipëria dhe afërsinë që kanë zonat bregdetare me ato malore mund të konceptohet dhe të zhvillohet një turizëm i shtrirë në vijë lineare dhe jo turizëm në zona të izoluara siç po ndodh rëndom sot përgjatë vijës bregdetare.

Pra me thjesht një turist vendas apo i huaj që vjen në zonën Butrint-Sarandë-Borsh për disa ditë të ketë mundësi të udhëtojë në një itinerar të mirë përgatitur nga ana infrastrukturore, logjistike dhe historike edhe në zonat malore direkt pas vijës bregdetare. Në këtë mënyrë mund të eksplorojnë kanionet e NIvicës, Grykën e Këlcyrës, Luginën e Vjosës apo të Zagorisë dhe duke dalë në kufirin me Greqinë. Kjo do ta bëjë produktin turistik bregdetar shumë atraktiv do të krijojë mundësi që vizitori të qëndrojë edhe një apo disa ditë më shumë në territor por gjithashtu të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të këtyre zonave që sot janë të braktisura. Pra shtrirja në mënyrë lineare e turizmit ka një mori përfitimesh si në cilësinë turistike si në ndikimin ekonomik. Për të mos folur pastaj nëse do të jemi të aftë që këtij koncepti t’i bashkëngjisim edhe pjesën bujqësore e cila mund të kontribuojë direkt në turizmin bregdetar duke sjellë produktet e zonave malore në infrastrukturën e hotelerisë bregdetare. Për shembull sot në Hotelet më të mira të Sarandës shërbehet ushqim i importuar kryesisht nga Greqia. Imagjinoni nëse ushqimi i prodhuar në prapavijën bregdetare do të mund të vinte i freskët çdo ditë në hotelerinë e këtij qyteti se çfarë impakti pozitiv do të kishte turizmi në këtë qytet. Në vend të një ushqimi relativisht të dobët që shërbehet sot të mund të kishte mundësi një ushqim cilësor nga zonat malore vetëm pak kilometra larg por edhe anasjelltas, impakti ekonomik në këto zona të cilat do të kishin një lulëzim të papritur në fermat e vogla familjare të fshatrave pas bregdetit.

E njëjta ide është edhe për zhvillimin e Via Egnatias sipas modelit që sot zhvillohet në rajonin kufitar të Spanjës dhe Francës nën emrin e Rrugës së pelegrinazhit të Santiago de Komposteles. Një koncept turistik i cili sjell 3 milion udhëtarë në zona rurale të cilat disa vite më parë ishin të braktisura por që sot janë nga zonat me turizëm shumë të zhvilluar. Via Egnatia për nga thellësia e rëndësisë historike është një prej 10 rrugëve më të rëndësishme në botë sipas National Geographic. Ky aset kaq i rëndësishëm botëror që fatmirësisht kalon edhe në territorin tonë mund të shndërrohet në një mundësi të artë për zhvillimin e turizmit edhe në zonat rurale duke u shtrirë në mënyrë lineare nga vija bregdetare drejt malësive rurale që vazhdojnë drejt Maqedonisë. Imagjinoni një produkt turistik i mirë organizuar që fillon në Durrës dhe përfundon në Stamboll apo anasjelltas i orientuar përgjatë vijës antike Egnatia e mbushur plot me histori ku kanë shkelur çezarët dhe etërit e parë të kishës që kanë predikuar përgjatë saj e deri në epokën e artë të romanticizmit europian, se çfarë impakti ekonomik do të ketë në zonat tona rurale larg nga bregdeti me sasinë dhe cilësinë e udhëtareve moderne që do të shkelnin në këtë itinerar.

-Keni një projekt që lidhet me Nivicën dhe Bunën mund të na thoni diçka më tepër në lidhje me idenë tuaj?

Patjetër, mbi Projektin Buna mund t’ju flas pak më gjatë pasi kemi kohë që po merremi me krijimin e konceptit për hapjen e Lumit Buna për lundrim të varkave me vela. Mund t’ju them se Buna ka qenë e lundrueshme që nga themelimi i Shkodrës si qytet pra mbi 3 mije vjet. Ka një histori shumë të pasur detare me të cilën mund të shkruhen disa libra. Vetëm në mesin e shek XX lundrimi në Bunë u mbyll për arsye politike duke zhdukur një histori mijëvjeçare. Ideja e lundrimit në Bunë nuk është e re pasi ka pasur disa përpjekje për të krijuar një lloj komunikimi me zonën e Malit të Zi me anë të një trageti. Problemi i mos funksionimit të kësaj ideje është se ky komunikim nuk është parë asnjë herë me syrin e ekspertizës së turizmit. Ideja jonë është hapja e Bunës për varkat me vela të cilat kanë një zhytje të vogël dhe janë mjaft të manovrueshme për navigacionin lumor duke evituar ndërhyrje të mëdha në stratigrafinë e Lumit. Duke llogaritur potencialisht numrin prej 300 mijë varka të vogla me vela që lundrojnë në Adriatik dhe detin jonian të cilat kalojnë përgjatë bregdetit tonë por që nuk futen në ujërat tona territoriale mendojmë se kemi një treg të rëndësishëm turistik ende të pa shfrytëzuar. Imagjinoni nëse me një investim minimal ne hapim Lumin Buna për lundrim duke inkurajuar këtë treg ende të panjohur për ne, të lundrojë përgjatë këtij lumi, të qëndrojë në Shkodër apo të futet në Liqen dhe nëse dëshirojnë mund të bëjnë alpinizëm vetëm pak kilometra më tutje në Alpet Shqiptare. Nëse arrijmë ta realizojmë këtë projekt do të mund të krijojmë një nga produktet turistike më unikale në Mesdhe i cili dhe do ta kthejë Shkodrën në një qytet bregdetar.

Kjo ide prezantuar edhe agjencisë partnere malazeze të bregdetit ka gjetur miratimin e tyre cila e shikon këtë projekt me shumë interes. Ne tashmë me disa institucione të tjera po përpiqemi të koordinojmë sa më mirë për të gjetur financimin e mundshëm për hartimin e një projekti të detajuar si dhe implementimin e tij.

Me të njëjtën ide pra të shtrirjes lineare të turizmit po punojnë tashmë për implementimin ne terren të lidhjes së zonës Butrint-Borsh me zonat malore të prapa tokës duke krijuar një itinerar shumë interesant duke shfrytëzuar rrugëkalimet e vjetra që dikur lidhnin komunitetet malore të Kurveleshit, Zagorisë dhe Përmetit me vijën bregdetare nga ku karvanët e tregtisë mbanin gjallë kontaktet me Mesdheun. Nga këto rrugëkalime që dilnin në det dikur vinin jo vetëm mallrat por edhe idetë e ndryshme duke sjellë zhvillime sociale në zona të cilat sot konsiderohen si të harruara por që ne habitemi me zhvillimin e lartë social të dikurshëm. Ne besojmë se Riaktivizimi i këtyre itinerareve për turizëm mund të riktheje kohen e dikurshme të zhvillimit ekonomik në këto zona.

 

-Çfarë po ndodhë në kanionet e Nivicës dhe pse keni zgjedhur këtë zonë për të implementuar idenë tuaj?

Në fakt ne kemi përzgjedhur itinerarin e përshkruar në hartën bashkangjitur por përqendrimi në një zonë duke e kthyer atë në një model ishte ideja e Z. NIko Peleshi i cili gjatë disa shkëmbimeve të ideve për këtë projekt këshilloi se do të ishte më e udhës nëse zgjidhnin një zonë ku mund të ndërtonim modelin tonë dhe nëse ky model do të ishte i suksesshëm, ai mund të vazhdonte të aplikohej në të gjithë itinerarin e përcaktuar. Ne na u duk me shumë vend kjo këshillë e Z. Peleshi dhe për këtë arsye zgjodhëm zonën e Kanioneve të Nivicës një zonë e braktisur dhe e pa njohur nga turizmi vendas apo i huaj duke u përpjekur që të krijojmë të parin model të një turizmi të qëndrueshëm që lidh bregdetin me zonat malore. Në këtë model po përdorim eksperiencën e aplikuar në Butrinti ku paralelisht bëhen disa mikro projekte të cilat lidhen me njëra tjetrën me synimin final të zhvillimit turistik si rregullimi i rrugës, trajnime të banorëve në mikriptjen e turistëve, Universiteti i Michiganit ka ndihmuar me studentë të cilët kanë qëndruar në fshat për të mësuar anglishten kujtdo që ka shprehur dëshirën, trajnim në kulinari nga Mrizi i Zanave, krijimi i inventarit te florës dhe faunës duke sjellë për herë të parë edhe turistë të interesuar për Birdwaching etj. Së shpejti me një mbështetje shumë modeste nga një fondacion privat do të krijojmë një qendër artizanati si dhe kurse ku çdokush që ka dëshirë të mësojë artin e “Stone masonery” (punimet në gur) mund të vijë për t’i mësuar.

Në bashkëpunim me disa organizata çeke këtë verë janë markuar shtigjet nga zona e Kuçit deri në Gryken e Këlcyrës shtigje të cilat tashmë janë edhe në GIS. Sot çdo kush mund të udhëtojë i vetëm nëse ka dëshire përgjatë këtyre shtigjeve të markuara dhe falë edhe një aplikacioni që del shumë shpejt mund të orientohet më së miri në to. Në bashkëpunim me Universitetin e Bristolit ne Angli verën që vjen do të fillojnë disa shkolla verore për studentet ndërkombëtare në antropologji, turizëm, gjeografi, gjeologji si dhe një studim historik ku për herë të parë do të studiohen lidhjet e komuniteteve malore me vijën bregdetare dhe qendrat tregtare mesdhetare duke kombinuar zbulimet tona nën ujore me studimin që do te zhvillohet nga anglezet e Universitetit të Bristolit.  Vetëm për një vit në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës një prej mbështetësve të këtij Projekti, kemi mundur të restaurojmë apo të ringremë disa godina që do të përdoren si shtëpi pritje. Po restaurojmë në mënyrë artizanale të punimit të gurit sheshin e fshatit, po sjellim ujin në qendër të fshatit, si dhe po mundohemi që të tërheqim vëmendjen e institucioneve të fushës për restaurime në disa vepra të trashëgimisë kulturore të cilat po humbasim si pasoje e harresës. Nga vëzhgimi ynë rezulton se këtë verë në këtë rrugëkalim të përgatitur nga ana jonë kanë kaluar diku rreth 200-250 turistë të ndryshëm. Një fillim mjaft premtues do të thoja.

-U shprehet për hapjen e lumenjve për varkat me vela duke filluar nga Buna. Sa e realizueshme është kjo?

Në fakt ideja jonë është vetëm për Lumin Buna dhe jo për lumenj të tjerë të cilët në dijeninë time nuk janë të lundrueshëm në kushtet e sotme. Por nuk ka asnjë arsye se përse në disa prej lumenjve të tjerë të mos zhvillohen shumë mirë sportet e aventurës. Në 1992 së bashku me një grup ekspertesh të National Geographic dhe The Explores Club te New Yorkut kam pasur fatin të eksploroj disa nga lumenjtë tanë kryesore me idenë e studimit të potencialeve të tyre për zhvillimin e turizmit të aventurës. Kemi lundruar prej 3 javësh në Drini e Zi, Buna dhe Vjosa. Mendimi i eksperteve amerikane në atë kohe ishte se lumenjtë tanë mund të ktheheshin në një potencial të madh të zhvillimit ekonomik të zonave ku këta lumenj rrjedhin duke zhvilluar turizmin e aventurës. Fatkeqësisht ky studim ishte i parakohshëm dhe shumë larg realitetit që po kalonte Shqipëria e asaj periudhe. Por nuk ka asnjë arsye se përse të mos shikohet përsëri tashmë në kushtet që turizmi ka një rritje të dukshme dhe reale. Ne duhet të shfrytëzojmë çdo resurs të mundshëm për të zhvilluar turizëm edhe në zona të cilat tradicionalisht nuk e kanë njohur këtë sektor. Zona e Kukësit deri në derdhje të Bunës psh mund të shfrytëzoje mundësitë e mëdha që mund të krijohen nga turizmi i aventurës dhe lundrimi në Lumin Drin dhe Liqenin e krijuar nga Hidrocentralet.

 

-A është i realizueshëm në Shqipëri turizmi i ndërthurur, det, liqen, lum dhe alpe?

Unë mendoj se Projekti i Bunës mund të jetë një projekt unikal në Mesdhe pasi kombinimi i këtyre katër elementeve mund të ktheje Veriun e Shqipërisë në një produkt turistik të rrallë . Tashmë po kryhet një studim për Alpet tona si dhe pritet një investim në infrastrukturën turistike por ajo që i mungon këtij studimi është lidhja me detin. Koncepti ynë i cili është mirëpritur nga ekspertet e turizmit dhe është futur në planet e afërta për t’u konsideruar për financim, tregon se komponenti i lidhjes së Alpeve me detin nëpërmjet Bunës është shumë konkret.  Sigurisht ndonjë lexues mund të habitet se si mund të lidhen Alpet tona me detin por afërsia e madhe gjeografike si dhe mundësia e lundrimit të Bunës drejt Liqenit të Shkodrës e bën këtë zonë një vend unikal për këtë ndërthurje dhe krijimin e produktit turistik shumë të veçantë në rajon.

 

 -Auron, tre vite në krye të Agjencisë, e nisët shumë mirë, por diku u penguat, gabohem?

Nuk mendoj se ka pasur ndonjë pengesë. Mendoj se ka pasur një këndvështrim ndryshe në administrimin e zhvillimit turistik. Ministri Ahmetaj i cili e drejtoi turizmin për pak kohë e kuptoi dhe e mbështeti idenë tonë se në vijën bregdetare duhet një reformë e fortë për të ndryshuar situatën në nota më pozitive duke bërë planifikimin, identifikimin dhe krijimin e standardeve dhe kritereve për stacionet e plazheve në mënyrë të unifikuar. Ministrja Ekonomi ka një përqasje tjetër duke kërkuar sigurisht transformim pozitiv për në mënyre fragmentare dmth nga Bashkitë respektive.

 

 -Jemi reklamuar shume nga mediat e huaja këtë vit. Të dhënat e INSTAT japin shifra të larta mbi rritjen e numrit të turistëve. Sipas jush ka ardhur për shkak të reklamimit, përmirësimit të shërbimit dhe vijës bregdetare, apo gjithçka ka qenë spontane edhe këtë vit?

Shifrat e larta nuk janë tregues pozitiviteti. Kushdo që bie pre e numrave në turizëm bën një gabim elementar. Cilësia e turizmit si dhe të ardhurat ekonomike të përfituara janë treguesi real i rritjes turistike apo jo.

Personalisht kam qenë dhe do të jem mbështetës i turizmit cilësor dhe jo atij masiv i cili nuk sjell asgjë në të mirë të ekonomisë së vendit. Përkundrazi turizmi masiv sjell impakt negativ në kulturën vendase dhe në mjedis. Për këdo që ka ndjekur trendin turistik të viteve të fundit mund të ketë lexuar se disa vende si Norvegjia po bëjnë thirrje për pakësimin e numrave të turisteve që vijnë në këtë shtet. Me të njëjtin problem po përballet Venecia apo Dubrovniku të cilat janë të kërcënuara seriozisht nga turizmi masiv.

Personalisht jam kundër thirrjes se Shqipëria është vend i lirë (cheap). Shqipëria duhet të kthehet në një vend atraktiv si nga produkti cilësor i turizmit, shërbimet, kulinaria, mbrojtja e trashëgimisë dhe natyrës me një çmim relativisht kompetitiv, por kurrsesi të lirë në krahasim me të tjerët. Në këtë mënyrë mund të mbrojë produktin e saj duke i rritur cilësinë.

 

 -Këtë verë kemi pasur lajme me bollëk me të mbytur në det. Pse ky numër kaq i lartë i të mbyturve në plazhet tona?

Përgjigjja duhet të vije nga administratorët e Plazheve të cilat janë Bashkitë. Por mund te them se disa prej këtyre fatkeqësive janë regjistruar në zona të cilat nuk rekomandohen si Plazhe dhe nuk janë në listën e plazheve të miratuara për publikun.

Në dukje konstatimi i juaj qëndron, por në fakt vetëm vitet e fundit media i ka kushtuar vëmendje këtij fakti dhe për këtë arsye me të drejtë ngrihet kjo pyetje. Kjo vëmendje ka ardhur si pasojë e rritjes së vëmendjes ndaj kërkesave për cilësi në plazhet tona. Nëse krahasohen statistikat me vitet e mëparshme konkluzioni është i ndryshëm në dijeninë time.

 

-Çfarë u bë me projektin e rojeve të plazhit? Dy tre vjet më parë ju zgjodhët punimet e disa studentëve të arkitekturës për të vendosur kabinat e rojes bregdetare. Kabinat u vendosën, por rojet nuk u panë gjëkundi…

Vitin e parë që projekti u menaxhua nga AKB në zonat ku ne ishim prezent statistikat janë shumë pozitive. Jo vetëm që kishte një vëmendje shumë të madhe ndaj fëmijëve në veçanti por ne mundem që sëbashku me një organizatë mjekësore të jepnin edhe ndihem në Plazhe për shumë të moshuar që kishin probleme me shëndetin. Me një projekt shtesë ne aplikuam një seri skuadrash pastrimi të cilët 4 herë në dite pastronin plazhet kryesore duke sjellë për herë të parë një pastërti të pa njohur deri më sot në vijën bregdetare. Nëpërmjet këtij projekti ne ilustruam me fakte se jo vetëm ky shërbim kishte një impakt pozitiv por ishe edhe një mundësi për punësimin e të rinjve gjatë sezonit veror. Ky projekt model që u zhvillua nga ne, duhet të zhvillohet më tej nga Bashkitë të cilat deri më sot janë administratore të Plazheve tona. Nëse na jepet e drejta ta administrojmë procesin atëherë mund të flasim më konkretisht në të ardhmen.

 

 -E kemi kuptuar që Shqipëria mund të kthehet në destinacion, çfarë duhet për të rregulluar këtë sektor të rëndësishëm që duket se po e lëmë vetë në këtë gjendje?

Për herë të parë nëse nuk gaboj Shqipëria ka një ministri të dedikuar për turizmin. Mendoj se është një prej hapave më pozitive për turizmin. Pra turizmi nuk është më shtojcë e ministrive të tjera por është identifikuar si potencial realisht i rëndësishëm ekonomik.

Pa u përpjekur të jap këshilla mendoj se dy janë gjërat kryesore që ne mund të rregullojmë. Të mësojmë nga gabimet tona dhe të mos bëjmë të njëjtat gabime si fqinjët tanë. Te krijojmë një produkt të vërtet duke mos kopjuar modelet e dështuara apo “cheap” të fqinjëve tanë. Shqipëria ende është e vërtetë dhe duhet të qëndrojë si një destinacion i vërtet dhe jo i krijuar për qëllimet turistike. Fundi i fundit një udhëtar që vjen në këtë vend vjen për të mësuar apo parë Shqipërinë dhe jo një lagje të varfër të Greqisë apo Italisë që kërkon të bëjë turizëm. Më tërhoqi vëmendjen një këshille e ambasadores greke e cila në një intervistë këshillonte pikërisht këtë gjë: Mos bëni gabimet e Greqisë. Një këshille miqësore dhe shumë e vërtetë.

-Një tjetër atraksion që mund t’i shtohet Shqipërisë, i promovuar shumë edhe nga ju është plani për një muze nënujor? Pse nuk është hapur ende?

Mbështetja për një projekt të tillë ka qenë maksimale. Fatkeqësisht edhe pse fondet ishin në dispozicion në pamundësi të një zgjidhje realiste është vonuar por mendoj se shumë shpejt do të kemi një muze nënujor unikal ku përveç anijeve të luftës së ftohtë që janë tashmë në fundin e detit për t’u vizituar do të jetë edhe një seri statujash (kopje në çimento) të realizmin socialist. Ndërkohë që projekti është gati që për të gjithë ata që nuk mund të zhyten në thellësinë e detit të kenë mundësi të vizitojnë këtë muze në mënyrë virtuale nëpërmjet një programi që do të realizohet nga një ekip i Universitetit të Nin Yang të Singaporit në bashkëpunim me specialistë neozelandeze. Nëse do të mund ta realizojmë këtë projekt do të kemi një vepër unikale në Mesdhe ku epoka e artit të realizimit socialist do të vizitohet në fundin e detit duke shpresuar se brezi i ri do të ketë një vëmendje dhe kuriozitet më të madh për thellësitë dhe misteret e detit.

 

August 31, 2017 09:53
Komento

8 Komente

  1. tanushi August 31, 11:03

    Ide shume interesante. vecanerisht per ne banoret e Shkodres ne se ky projekt do te marre rruge do te ndryshoje zonen tone. Bravo kush e ka menduar kete ide.

    Reply to this comment
  2. lili August 31, 14:13

    halla nuk i kane vjedhur gjithe gjerat me vlere nen uje ,prandaj duhet te presim edhe pak, apo jo Zotni Tare. Keni marr gjithe paret nga Franca per gjerat qe i shitet para pak kohe?

    Reply to this comment
  3. MH August 31, 14:57

    tanushi !
    Ideja ka rrjedhur nga interresi i turizmit.
    Me turizem mundet te jetojne te pakten deri ne 10 miljon banor me nji nivel teper komod.
    Shkodra gjindet ne naltesin 12 m mbi nivelin e detit.Per nji prespektive te shkelqyer do ishte qe Buna te behesh e lundrushme dhe nuk do ekzistonte aspak permbytje ne Shkoder nese behet thellimi i Bunes deri ne thellesin 20 metra.Jo varak me vela por dhe anije te kapacitetit 4 shifrore ne ton.Shkodra do behesh edhe ma me fame se dikur me tregetin e Bexhistenit.
    Asht diskutue ne kohen e monizmit me palen Malazeze per venien ne lundrim lumin Buna.
    Une dhash mendim per rreth 20 m thellim.Po ato qe merren me studimin llogaritjen e bajne me precizion.
    Pershendetje z.tanushi!

    Reply to this comment
  4. Dh. M.Xhoga (Guri Naimit D) August 31, 16:36

    Ty me te lumte moj cupa Entela resuli sa artistit testudiuesit pasionat sa Alpinistit dhe eksploruesit te ujrave shqiptare,Auron Veliaj sa na pasqyroni,mbrekullite e natyres shqiptare.
    Shoni ju lutenm dhe ne Dangelli,atje tek QAFA e DELLINJES mes Golikut dhe “Ares NENES” beni nje fotigrafi magjepsese,mes “Dangellise Naimjane” (fatkeqesisht vraktisur pas 90-97-tes.)sa “Gurin e Bletes e Sanjoven, me ate nisien e lugnes se “KENGARICES”,tashme PERLE turistike…
    Jua paca borxh, 82 vjecari-zhuritur malli…
    Ma nxirni mallin,me nje fotografi DANGELLIE .

    Toronto 31–08-2017 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  5. Po Turizmit te Kualifikuar August 31, 17:34

    Gezohem dhe e mbeshtes kete kendveshtrim sidomos qe shqiperia te behet nje destinazion Turistik per Kulture dhe Relax, Jo kaosit. Turizmi Massiv prish vendin, (shiko Syrin e kalter reja e pluhurit ngjitet 100m lart nga makinat) nuk mundesh te kalosh pa shtyre dike. Duhet futur Tarife shume me e larte dhe vendpakimi te jete shume me larg. Njerezit te vijne ne kembe pjesen me te madhe te rruges).

    Reply to this comment
  6. Fanol Bardhi August 31, 22:14

    Projekte fantastike me shprese qe Shqiperia nuk shendrrohet ne banjo publike per masen e madhe te turistve qe kerkojn vetem alkohol,mish e diell . Me vetem 3 milion banor le te ia dhuron Shqiperia vetit nje turizem te veqant “mesjetare” me trajtim modern.

    Reply to this comment
  7. Dh.Xhoga September 1, 13:53

    Perseritia e gabimeve nuk fale-bejani kete moshes sime..
    Me falni te nderua botues sa lexus, per gabimet ortografike,thuajse te vazhdushme,shtypur butonin para koregjimit, Po permbajtia them se qendron..
    Mosha ben te veten.
    Dh Xh.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*