Një analizë me shifra mbi premtimet për ulje taksash

Luan Shahollari June 2, 2015 14:20

Një analizë me shifra mbi premtimet për ulje taksash

Premtimet në fushata zgjedhore (kuvendore apo vendore) shpesh mbeten në letër apo celuloid kur ndeshen me realitetin pasi nuk mbështeten me burimet e nevojshme financiare. Premtime të kësaj natyre po bëhen edhe në këtë fushatë. Madje kandidatët për kryetarë bashkie të spektrit të djathtë, po i shoqërojnë ato me një premtim tjetër… uljen e taksave vendore! Ata ndjekin linjën e z. Basha i cili premton të ulë taksat kur PD të vijë në pushtet.Mirëpo, në të kundërtën, qeveria Berisha në vitet 2008-2013 nuk ngurroi t’i tatojë me 10 për qind edhe shumat prej 10 mijë lekë në muaj, duke i hedhur barrën e krizës mbi shtresat me pak ardhura! Sigurisht të gjithë i dashurojnë taksat e ulëta. Mirëpo pyetja që shtrohet në këtë rast është: ku do të gjenden paratë për të jetësuar premtimet për rritjen e gamës dhe cilësisë të shërbimeve për qytetarët? Pra, sa qëndrojnë këto premtime?

Së pari, zgjedhjet e tanishme për organet e qeverisjes vendore kanë si veçori dalluese me para-ardhëset pasi zhvillohen për bashki të reja, me territor më të gjerë, me më shumë banorë dhe mundësi më të mëdha financiare për të përmirësuar shërbimet për komunitetin. Por shkrirja e 373 e njësive të tanishme dhe shndrrimi i tyre në 61 bashki pas 21 qershorit, “shkrin” edhe bazën e krahasimit midis tyre. Pra, kësaj fushate zgjedhore i “mungon këmbana”, domethënë paratë. Prandaj, mesa kam vënë re, premtimet e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe për këshillat bashkiake dhe stafet të tyre nuk po shoqërohen me faturën e nevojshme financiare dhe mënyrën e sigurimit të saj. Kulmi është se shumica e tyre, që i përkasin krahut të djathtë, edhe pse nuk e dinë se sa pará do të hyjnë në arkat e bashkive të reja, premtojnë t’i ulin taksat, pra t’i ulin të hyrat! Prandaj, para se të ulin taksat në letër apo me gojë, duhet të analizojnë të ardhurat nga mbledhja e tatimeve dhe taksave dhe të vendosin për nivelet e tyre pasi të kenë vënë në balancë të ardhurat me shpenzimet. Kuptohet, nëse me të ardhurat i mbulojnë shpenzimet, atëhere le t’i ulin taksat deri 30 për qind,sa parashikon ligji. Por nëse nuk u dalin? Ka dy rrugë: të premtojnë ato projekte që janë të mundshme për t’i realizuar dhe kështu të marrin votat e ndershme që u takojnë ose ndryshe të rrisin nivelin e taksave prej deri 10 për qind, sa lejon ligji. Dëgjuesit do të binden kur të shohin në tabelë projektet e premtuara me shumën e parave dhe kohën e përfundimit përbri. Përndryshe, premtimet për uljen e taksave, shtojnë shanset për uljen e votave.

Së dyti, të ardhurat e pushtetit vendor nga burimet e veta tek ne zenë një peshë të vogël në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Në 6 vitet e fundit (2009-2014), këto të ardhura kanë zënë mesatarisht vetëm 3.6 për qind të ardhurave të buxhetit gjithsej. Në vitin 2014, të ardhurat arritën në 12,773 milion lekë, që përbën edhe nivelin më të lartë, por raporti mbeti përsëri 3.6 për qind. Shprehur ndryshe, në raport me PBB, të ardhurat nga tatimet dhe taksat vendore tek ne zenë vetëm rreth 1 për qind, kurse si mesatare e 28 vendeve të BE ato arrijnë në 11 për qind! Ndonëse kemi mëse dy dekada që jemi kthyer nga “pa taksa” në një vend me taksa, ende nuk është krijuar tradita e pagesës së taksave nga të gjithë shtetasit dhe bizneset. Në këtë fushatë synohet të krijohet përshtypja se ai që i ul taksat, është kandidatura më e mirë, se po ulen taksat nxitet biznesi! Ekonomia nuk është një dhe një bëjnë dy,siç e perceptojnë disa! Ligji në fuqi parashikon tetë taksa vendore. Mos vallë nga ulja e taksës të fjetjes në hotel pritet të nxitet shtimi i hoteleve? A nuk do të ishte mirë që të ushtrohej një kontroll se sa të ardhura mblidhen nga kjo taksë? Nga ulja e taksës të tabelës pritet të shtohet numri i profesioneve të rregulluara apo i bizneseve? Sa mblidhet prej kësaj takse? Ulja e taksës të ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ndikon drejtpërdrejt në dëmtimin e mjedisit, pra në dëm të banorëve. Nuk e di se çfarë efekti pritet nga ulja e taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, kurse ulja e taksës për zënien e hapësirave publike do të përçojë mesazhin e bllokimit të trotuarëve: qytetarit i mbetet të zbresë në asfalt! Taksat e përkohshme këshilli duhet t’i vendosë as të larta dhe as të ulëta por aq sa duhen. Të gjitha këto zwnë rreth 61 për qind të ardhurave të pushtetit vendor gjithsej. Të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë zenë 20 për qind dhe nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël 19 për qind. Pra, taksa mblidhen pak, disa duan t’i ulin sado pak!

Së treti, të ardhurat e pushtetit vendor nga burimet e veta gjatë kësaj periudhe kanë zënë mesatarisht 39 për qind të shpenzimeve kundrejt 61 për qind të grantit (transfertave të buxhetit të shtetit). Në vitin 2014, ky raport ka arritur në rreth 42 me 58 për qind por përsëri mbetet i ulët; shifrat duhet të ndërrojnë vendet. (Bashkia e Tiranës, si kryeqyteti dhe qyteti më i madh i vendit me rreth 450 mijë banorë ka një raport më të mirë pasi këtu janë përqendruar institucionet dhe bizneset kryesore të vendit). Shpenzimet për pushtetin vendor zenë 8 për qind mesatarisht të shpenzimeve gjithsej të buxhetit të shtetit për vitet 2009-2014. Pra,diferenca prej 4.4 për qind kundrejt të ardhurave të veta plotësohet nga buxheti i shtetit bazuar në disa kritere ligjore për pagat dhe shpenzimet e tjera për funksione të përbashkëta apo të deleguara përmes transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara. Transferta e kushtëzuar jepet për financimin e një pjese të shpenzimeve për funksionet e përbashkëta dhe për financimin e shpenzimeve për funksionet e deleguara si: shërbimi i gjendjes civile, qendrat e regjistrimit të bizneseve, ndihma ekonomike. Njësitë e qeverisjes vendore përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit edhe përmes Fondit për Zhvillimin e Rajoneve për projekte në rrugë, arsim, shëndetësi, kulturë, etj. Qeveria, me vendimin e janarit 2015, duke llogaritur efektet pozitive të reformës administrative- territoriale, ka parashikuar reduktimin e granteve ,(sidomos atyre konkurruese) nga 24,644 milion lekë më 2015, në 21,500 milion lekë në vitin 2018 ose 13 për qind. Prandaj, rruga e duhur për organet e reja të qeverisjes vendore, të majta e të djathta, mbetet rritja të ardhurave nga tatimet dhe taksat dhe burime të tjera në juridiksionin e bashkive përkatëse.

Së katërti, duhet mbajtur parasysh se kryetarët e bashkive nuk kanë kompetenca ligjore të ulin apo ngrenë tatimet dhe taksat. Madje këtë të drejtë nuk e ka as qeveria pasi, sipas nenit 155 të Kushtetutës, tatimet taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, caktohen me ligj. Dhe ligji këtë të drejtë ia njeh këshillit bashkiak përkatës. Prandaj, për të qenë të saktë para përkrahësve dhe opinionit në përgjithësi, kandidatët të mos harrojnë t’i shoqërojnë premtimet e tyre me shprehjen: “do t’i propozoj këshillit bashkiak”. Kjo duhet bërë edhe për variantin kur këshilli bashkiak të ketë një përbërje të ndryshme politike nga ajo e kryetarit të bashkisë. Nga ana tjetër nuk përbën ndonjë risi kur premtohet për ulje 30 për qind të taksave kur kjo është e parashikuar në ligji për sistemin e taksave vendore (2006) dhe kur kjo praktikë është përdorur nga shumica e njësive të qeverisjes vendore. Nga ana tjetër, banorët e çdo bashkie do të përkrahnin një rritje deri 10 për qind të tatimeve apo taksave në këmbim të përmirësimit të cilësisë të jetës të tyre. Më konkretisht: kush nuk do të paguante 10 për qind më shumë tarifë pastrimi në këmbim të kazaneve të ndryshkur të grumbullimit të plehrave në mes të Tiranës, me pajisje të standardeve të BE?

Luan Shahollari June 2, 2015 14:20
Komento

5 Komente

  1. beni June 2, 14:40

    Ky djali enverit u premton njelloj si i ati ne 48 ku thuheshe rrofte fronti demokratik e nga pas ja u leroj nenen fshatarve!
    Ky tjetri bogdani e ,mban veten per politikan por qe ska jetuar ndonjeher ne nje shtet demokratik te vertete qe te kuptoje,se demokracia esht nje diktatur e pa dukshme si ne komunizmin e enverit por qe njerzit nuk e shofin hapur,por vetem ne zbatimin e ligjshmerise qe liria ti duket se esht vetem per ata qe kan parate e jo per keta qe kerkon ai ti genjeje?

    Reply to this comment
    • kejdi June 2, 14:53

      o cuni i enverit.posi ke guximin ti qe te merresh dhe te thuash ukljen e taksave,pse nuk e bere qe ti kerkoje njerzve voten kuptimplote.pse nuk e bere ne tirane?ky eshte turp,dhe eshte dgradim dhe nje nga mashtrimet me te pastra elektorale.

      Reply to this comment
    • kejdi June 2, 14:55

      po si ka munci ky te uli druitat apo taksen e dritave apo dhe cmimin e tyre?po ky eshte mashtrimi me i madh elektoral qe mund te thuthet.pasi dritat jane kompetenc e qeverise

      Reply to this comment
  2. lulushi June 2, 19:44

    kte Lulushin nuk e zen gjumi per popullin , e don shum dhe po i qan hallin por puna eshte se populli nuk genjehet se ja ka mesu hallin e Lulushit .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*