Një apel për akademikët

September 4, 2017 11:02

Një apel për akademikët

 

Nga Bardhyl Ermini

 

Zotërinj akademikë, shkencëtarë e të ditur!

Personalisht, për mendimin tim modest duhet të diskutoni me shumë kujdes kur flisni për çështje të tilla delikate, siç keni filluar atë për Akademinë. Ta mbyllim apo jo, ta fillojmë edhe një herë nga e para, ta riorganizojmë, ta rishikojmë… etj, etj. Por a nuk na thoni cili institucion apo dikaster te ne nuk është katandisur për t’i vënë ferrën? Këtu ka marrë fund krejtësisht vendi, është djegur, është shkatërruar, është qelbur, është gërryer nga themelet, është kthyer në një vend ku drejton e eksperimenton injoranca me mashtrimin, padrejtësia me grabitjen, përtacia me vesin, krimi me poshtërsinë… e prapë shoqëria nuk e ka humbur toruan. Qytetarët luftojnë e përpiqen çdo ditë ta lehtësojnë këtë gjendje, ta përmirësojnë, të ngjallin shpresë.

Po pse t’i futet një stërkëmbësh i tillë Akademisë, si ai i këtyre ditëve, pse këto nëpërkëmbje e marrje nëpër gojë, e këtij institucioni që mbart mbi vete një histori të mrekullueshme shkencore dhe patriotike. Pse kështu? Për një emërim kryetari e nënkryetari? Sepse pikërisht ky veprim i nxori këto probleme e preokupacione në pah.

Lërini këto ju lutemi shumë! Ashtu siç kemi duruar qeveritë antipopullore, udhëheqësit kriminelë e vrasës, ashtu siç po durojmë lloj-lloj makinacionesh diletantësh që i kushtojnë e që po na lënë vite e vite në vend numëro, si në një prej vendeve më të varfra në Europë e matanë Europës, le ta durojmë pak edhe këtë Akademi. Lëreni të paktën shkencën në gjumin letargjik që na ka mbërthyer të gjithëve e mos e “vrisni atë në gjumë”. Vetë shprehjet si, Akademia “u shkri”, “u mbyll”, “u shpërnda”, “do riorganizohet” e të tjera forma të tilla oportuniste, janë një goditje e padukshme, por tepër e rëndë për qytetarinë tonë, për historinë e të ardhmen.

Shihni more aty e zgjidhni një burrë të ditur nga ata që dinë t’i hapin punë vetes e të mund t’ju bëjw edhe juve pak më të qetë e më largpamës. Zgjidheni more se keni të tillë sa të duash. Apo nuk i njihni? Doni “disa” emra? Ja po ju jap edhe unë që kam lidhje me Akademinë sa ç’ka këpuca me kapelen. Profesorët Skënder Gjinushi, Pëllumb Xhufi, Farudin Hoxha, Isuf Kalo, Xhevat Lloshi, Mimoza Hafizi, Aleko Minga, Shaban Sinani, Shkëlqim Cani, Halim Kosova, Artan Fuga, Ardian Civici… (kërkoj falje për renditjen e rastësishme). Lëreni Kryeministrin në punë të vet. Buxhetin e ka fare të pamjaftueshëm, e kanë lënë e është me borxhe deri në fyt dhe me siguri që tani më shpejt i merrni shpirtin se paratë. Ato duhet të dish t’ia marrësh, me urtësi e efektivitet e jo me “mistrecllëqe” administrate e kafenesh.  Në fushën tuaj ai vetëm ju humbet kohë. E ju nuk ia keni tani ngenë kusive e tepsive. Besoj se ju ka mbetur aq forcë që gjendjen ku jeni, ta gjeni brenda vetes. Pa diskutim që e keni atë edukatë dhe kulturë që ta vlerësoni njëri-tjetrin, e bashkë me këtë, edhe mënyrën se si duhet të komunikoni, si duhet t’i largoheni kësaj apatie, si ta ruani nga katastrofa të paktën edhe këtë shkallë të ulët prodhimtarie e krijimi. Nga asgjëja nuk del asgjë. E keqja ju ka rënë në derë, por ju jeni në gjendje të evokoni të mirën, prejardhjen dhe historinë tuaj e këtë të keqe ta largoni pak nga pak, me realizëm, përkushtim e atdhedashuri. “Duke përzier me mënd në kokë të bardhën me të zezën, thotë një mëndje e urtë si e juaja, tipografi përhap dritë dhe dituri”. Nga lart duket sikur janë mbledhur kokë më kokë e po ju vëzhgojnë legjendat tuaja, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Petrit Radovicka, Mahir Domi, Petrit Gaçe, Sotir Kuneshka, Stefanaq Pollo e krejt plejada e tyre e lavdishme dhe e paharruar. Kujdes!

 

September 4, 2017 11:02
Komento

4 Komente

  1. biku September 4, 11:22

    bravo Bardhyl
    nuk gjeje fjale qe ti shtoj ketij komenti te shkelqyer,por injorantet do te vazhdojne te shkaterrojne akoma
    pershendetje

    Reply to this comment
  2. Lisi September 4, 13:26

    Akademia I merr fondet nga shteti dhe qeveria s’duhet të bëjë sehir farsën e shëmtuar të zgjedhjeve në të .
    Në qeveri , akademia , duhet të pëcillte një listë me disa kanditatura dhe për zgjedhjen e drejtuesve duhet marrë parasysh mendimi I qeverisë . Këtë praktikë e kam parë të zbatohet në shtete serioze , në ditët tona .
    Ndryshe ?
    Ndryshe , mirë t’ua bëjë Edi Rama , asnjë lekë !

    Reply to this comment
  3. Gallata September 5, 08:19

    Je i madh Bardhi, Une mendoj se edhe ti mund te jesh nje nga keta kryetare. Madje kryetar mund te jete edhe Ver Llapa me Shabon Qosen, me fal Sinanin. Cdokush eshte I pershtateshem per shkencen shqiptare ashtu si eshte katandisur ajo.

    Reply to this comment
  4. Lili September 5, 12:38

    Tash shqipet do fillojne me kuptuar cfare eshte ´soft power’ alla amerikane qe ka si synim shkaterimin e vlerave te nje kombi deri sa ai komb te harroje cka eshte e mos te dije ka me ia mbjatur…
    Tash shqipet do e kuptojne cka eshte qillimi i tyre i sapo shfaqur haptas keto dite…tash do e kuptoni pse u investu aq shume nga miqte nderkombtare ne fondatione,ojq qe vetem cka eshte shqiptare nuk e durojne…
    Nuk keni pare gje akoma…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*