Një balerin që “fluturon” në Vjenë

October 6, 2016 09:57

Një balerin që “fluturon” në Vjenë

 

Eno Peçin me siguri e njohin më shumë në Vjenë se sa në Shqipëri, pasi ai prej 17 vitesh punon në Operan vjeneze. Peçi është një ndër balerinët më të suksesshëm në nivel ndërkombëtar, këto ditë ai është në kulmin e punës, qoftë si balerin, por edhe koreograf.

Po kur kthehet pas, kujtime janë të shumta. Rreth viteve ‘98, Eno do të hedhë një hap të ri në karrierën e tij, por tashmë në një tjetër terren, sa premtues aq edhe kërkues, në Vjenë. “Lashë çdo gjë që kisha në Shqipëri dhe shkova në Vjenë. Për mua ishte diçka e re, unë isha si një libër i hapur, dhe fillova të mësoj shumë gjëra nga ana artistike, por edhe nga ana private nëpërmjet baletit”, shprehet ai. Por Eno ishte i ndërgjegjshëm, se po i jepej mundësia të realizonte ëndrrën e tij, në një nga qendrat më të mëdha të kulturës, ndaj ai ka marrë më të mirën prej saj, për t’u bërë ai që është sot, jo vetëm një balerin i kompletuar, por edhe një njeri i kulturuar. Nuk ishte kjo gjithçka që Teatri i Operës së Vjenës do t’i dhurojë atij, në atë skenë Eno do të gjejë edhe dashurinë, bashkëshorten e tij aktuale. Ata prej 12 vjetësh janë bashkë dhe kanë një vajzë 7 vjeçe. Lea, e ka bërë Enon një baba të përkushtuar.

Në këtë intervistë balerini Peçi na tregon për vështirësitë drejt majës së suksesit, duke mos e anashkaluar edhe faktin e të qenit shqiptar. Ai tashmë ka shijuar ëndrrën e performancës së balerinit në Koncertin e madh të Vitit të Ri, që mbahet për çdo vit në Vjenë, dhe pikërisht këtë magji do ta shijojë edhe në koncertin e vitit 2017. Peçi, i cili nuk i harron rrënjët prej nga vjen, ka për synim që në një të ardhme, në shfaqjet e tij të fusë edhe elemente shqiptare.

 

-Eno, janë ditë me angazhime këto?

Jam në një pikë shumë të ngjeshur për sa i përket agjendës që kam për momentin. Sepse, kam shumë angazhim si balerin, por edhe si koreograf.

-Keni vite që jeni anëtarë i Baletit të Vjenës, duke pas parasysh vetë Vjenën si një vend kyç i kulturës, sa ishte e vështirë të depërtoje deri këtu?

Kur erdha, i gjithë ky ambient për mua ishte një gjë e re. Kisha lënë çdo gjë që kisha në Shqipëri dhe erdha në Vjenë për të filluar një jetë të re, qoftë nga ana personale, qoftë nga ajo profesionale. Unë isha si një libër i hapur, bosh, aty nisa që të mësoja shumë gjëra, nga ana artistike, por edhe nga ana private nëpërmjet baletit.

Ka qenë një rrugë shumë e gjatë deri këtu ku jam tani. Më është dashur ta përpunoja nga fillimi në shkollën e baletit, shkollën ruse të Vaganovës. Dhe si shqiptar, jam ballafaquar me shumë burokracira të ndryshme nga ana artistike. Por çdo gjë është e mundur. Mjafton puna dhe dashuria ndaj artit të baletit.

-Keni qenë pjesë e Koncertit të famshëm të Vitit të Ri, që mbahet në Vjenë, e keni kërkuar këtë gjë, e keni patur ëndërr?

Për mua ka qenë një ëndërr që është plotësuar disa herë. Koncertin e Vitit të Ri e ndiqja në Tiranë përpara se të shkoja në Vjenë. Dhe ishte dhe është diçka e veçantë, magjike. Kam kërcyer rreth 11 ose 12 herë mos gabohem, dhe përsëri do të kërcej në koncertin e Vjenës 2017.

-Po sa i përket baletit shqiptar, qoftë në Shqipëri apo Kosovë, me çfarë syri i sheh?

Shkolla e Baletit është shumë e rëndësishme, sepse dihet se prej saj dalin balerinët që do të jenë pjesë e kompanive të ndryshme private, apo edhe ata që do të dalin jashtë vendit për të përfaqësuar Shqipërinë. Është një nga institucionet më të rëndësishme për balet dhe mendoj se ka shumë nevojë, që kjo shkollë klasike, të zhvillohet edhe nga ana teknike. Nëse do të mundja që të bëja diçka, unë do të vija me kënaqësi, por nuk është se nëse do të vijë Eno Peçi do të zgjidhet çdo gjë. Duhet që të vihet një bazë e fortë dhe kjo bazë duhet që të zhvillohet edhe në vazhdim. Unë kur jam larguar në vitin 1997 në Shkollën e Baletit në Vjenë më thanë se: “Ne po të mbajmë ty, sepse ke një vullnet të madh, por ke shumë mangësi për sa i përket asaj që ke marrë në Shkollën Klasike të Baletit”. Me sa kam ndjekur nëpër rrjetet sociale dhe kam parë disa shfaqje baleti… është në drejtim të duhur. Angazhimet e shfaqjeve, por edhe ardhjet e koreografëve të ndryshëm nga bota, si në Kosovë dhe Shqipëri nuk mungojnë. Në Shqipëri baleti kohët e fundit ka ecur jashtë mase në drejtimin e ish-drejtorit Ilir Kerni.

photo-Ju personalisht, në cilën pjesë frymëzoheni si balerin, në atë klasik apo atë bashkëkohor?

Më shumë në kontemporan. Por sigurisht bazën e kam klasike dhe kam ushtruar për një kohë të gjatë baletin klasik.

-Çfarë është baleti për ju, sot?

Sot, baleti për mua është një pjesë shumë e madhe e jetës sime. Këtë gjë e kanë vlerësuar shumë edhe familjarët e mi të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj që kam patur në këtë rrugë. Nuk mund që ta krahasoj dot falënderimin që kam karshi tyre, apo edhe krenarinë që ruaj për ta. Ata kanë bërë për mua aq shumë, saqë arritën deri në atë pikë sa shitën edhe shtëpinë e tyre.

-Çfarë ju kujtohet më tepër nga ajo periudhë? Çfarë merrni dhe çfarë lini kur largoheni nga Shqipëria?

Unë kam qenë vetëm 16 vjeç kur kam lënë Shqipërinë. Unë kam lënë këtu fëmijërinë time, por nga ana profesionale kam mësuar shumë. Vjena është një nga qendrat më të mëdha të kulturës, sidomos për muzikën klasike. Prandaj unë kam qenë me shumë fat që kam pasur këtë mundësi. Kur largohem nga Tirana, brenda vetes sime ndiej një melankoli që nuk mund ta shpjegoj dot, sepse mendoj kohën që kam kaluar në Tiranë. Pavarësisht se këtu kanë ndryshuar shumë gjëra, prindërit dhe fëmijërinë time nuk mundet që ta harroj kollaj.

-Nga të afërmit tuaj nuk është marrë asnjë me art?

Asnjë nuk e ka në gjen artin, ka qenë vullneti im për të qenë pjesë e tij. Unë vij nga një familje ushtarake, gjeneralë, nga ana e babit dhe e mamit. Im atë është inxhinier dhe ime më është stomatologe, kështu që unë jam rritur me shumë disiplinë dhe nuk mund të them se e kam të trashëguar.

-Në Vjenë keni krijuar familje dhe keni një vajzë?

neujahryakovpeciBashkëshortja është balerinë në Teatrin e Operës së Vjenës, dhe jemi bashkë prej dhjetë vjetësh. Vajza është 7 vjeçe dhe quhet Lea.

-Dy artistë në një çati, por cili është më kritik ndaj tjetrit?

Të dy jemi kritikë ndaj njëri-tjetrit. Por unë jam më shumë i përkushtuar ndaj karrierës, kurse ajo është më e përkushtuar ndaj familjes.

-Pastaj i jeni rrekur edhe punës së koreografit, keni tentuar të futni ndonjë element apo detaj shqiptar?

Kam ndërmend shumë plane dhe projekte. Një projekt i madh që jam duke u marr është koreografia ime me teatrin e Operës së Vjenës, më 28 prill e cila quhet “Petruschka”, me muzikën e I. Strawinskit. Pra kjo është ëndrra ime tani për tani.

October 6, 2016 09:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*