Një bazilikë si vendpushim për lopët

Bruno Marku April 9, 2013 09:26

Një bazilikë si vendpushim për lopët

Bazilika e Arapajt, që njihet si kisha e Shën Mëhillit, një objekt me vlerë që i përket shekullit VI të  erës sonë është lënë në mëshirë të fatit. Monumentit të Kulturës i janë vjedhur fragmente të gardhit rrethues. Kisha e Shën Mëhillit është një bazilikë treharkëshe paleokristine, ndër më të mëdhatë e zbuluara në vendin tonë. Nën rërë ndodhet një nga mozaiket më të bukur, të punuar me finesë dhe art, por që nëse nuk tregohet kujdes, mund të pësojë fatin e objekteve të Onufrit.

Tashmë në të nuk ka roje, ndërkohë që gardhimi me kangjella metalike është dëmtuar dhe në të mund të hyjë kushdo duke përfshirë edhe keqbërës që mund të dëmtojnë më shumë mozaikun që ndodhet i mbuluar me rërë, mozaik i cili është i vlerësuar si një nga më të veçantët në Ballkan. Brenda rrethimit janë prerë pemë dhe shihen lehtë gjurmët e kafshëve që kullosin në territorin e monumentit të Kulturës.

Banorët që e vlerësojnë këtë objekt të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare shprehin keqardhjen për gjendjen e tij.

Zenun Muço, thotë me shqetësim se ky është një objekt në të cilin kanë pasë ardhur shumë turistë për ta parë, por që tani po lihet ne harresë. Ai thotë se tani që është edhe sezon pranvere dhe është harlisur bimësia, hyjnë shumë bagëti gjatë ditës dhe dëmtojnë objektet që janë nëpër zonën arkeologjike. Atij i vjen çudi se si mund të lihet një objekt i tillë pa rojë, pasi mozaiku është vetëm nën një shtresë rëre 3-4 cm dhe kushdo mund ta dëmtojë, pasi s’ka njeri që ta ndalojë. Nga anët e ish-murit metalik me kangjella ka mbetur dera me dryn të mbyllur që nuk mbron më asgjë pasi në sitin arkeologjik mund të hyje kushdo dhe ngado. Janë mbi 20 metra gardh metalik i vjedhur në sektorë të ndryshëm të perimetrit të ruajtjes së bazilikës që janë vjedhur duke e kthyer gjithë investimin ne zero.

 

01.MozaikuArapajMozaiku i Arapajt

Nën shtresën e rërës ndodhet një objekt me shumë vlerë historike, si dhe artistike. Mozaiku i Arapajt i përket shekullit VI dhe është zbuluar në vitin 1974 të shekullit të kaluar nga arkeologët Hava dhe Sali Hidri, pas vëzhgimit të terrenit dhe dokumentacionit historik që kishin studiuar. Bazilika përbëhet nga apsida, altari, sallonet, atriumi, 2 anekse funerale në veri dhe në jug etj. Në aneksin funeral ku ndodhet dhe mozaiku me një sipërfaqe prej 54 m² ka 2 emblema të ekuaristisë dhe baritore çka e bëjnë atë, sipas studiuesve , një vepër arti cilësore si në kompozim dhe në ekzekutim. Për realizimin e tij janë përdorur kubikë prej mermeri, tulla, brumë qelqi etj. Poshtë emblemës së ekuaristisë ndodhet një varr me qemer cilindrik në të cilin kanë qenë varrosur 2 persona, njeri i seksit mashkull dhe një i seksit femër.

Monumenti ka vazhduar të përdoret për një kohë të jatë deri në shek. XV. Ai është zbuluar në vitin 1974. Para disa kohësh u deklarua se do të bëhet rikonstruksion i këtij objekti me vlerë 7.6 mln lekë që do të përfshinte mbulimin, restaurimin dhe rrethimin e bazilikës. Po përveç deklaratave mediatike nuk ka pasur ndonjë zhvillim te ri, përveç dëmtimit të gardhit mbrojtës metalik. Bazilika duke u bazuar në datimin e ndërtimit të saj është ndërtuar në periudhën e Justinianit I. Kisha e Shën Mëhillit është një bazilikë tre harkëshe paleokristine ndër më të mëdhatë e zbuluara në vendin tone.

 

Ishmi

Ishmi është një zonë nga më të larmishmet me një histori dhe klimë për ta admiruar. Gjithashtu, me vepra monumentale të cilat kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve, por edhe të shkencëtarëve në kohëra. Vite më parë është bërë një zbulim arkeologjik që u quajt mjaft i rëndësishëm, dhe ai sot sipas banorëve të zonës është në një gjendje e rënduar. Siti arkeologjik monumental i Bazilikës së Gjuricajt, sipas ekspertëve të arkeologjisë, është rreth 1500-vjeçar dhe ka vlera të mëdha studimore për historikun e kësaj treve të rëndësishme ekonomike në lashtësi.

Ndërsa banorët thonë se objekti nuk vizitohet aq shpesh nga turistët, sa nga gjahtarët e therareve, si dhe hajdutët e objekteve me vlerë që e vizitojnë herë pas here dhe lënë gjurmët e tyre në kërkimet që bëjnë rreth e qark objektit. Nga kjo dhe nga mungesa e fondeve konstatohet se sot struktura murale e këtij objekti të rëndësishëm është dëmtuar rëndë. Kolonat e mermerta janë rrëzuar. Gjurmët e lënies në harresë dhe dëmtimet kanë bërë që Bazilika mesjetare në fshatin Gjuricaj të komunës Ishëm në Durrës ta humbasë gradualisht identitetin e vet.

Eda Çekrezit, arkeologe, e pranon gjendjen dhe rendin edhe faktorët e shkatërrimit. Nga arkeologet që e kanë zbuluar dhe që e kanë studouar inventarin e saj ka pasë deklarata se “inventari arkeologjik i kësaj qendre historike është i pasur”. Kur janë bërë edhe gërmimet e para është deklaruar se nga zbulimet e bëra ka pasur gjetje të materialeve me vlera të rralla të cilat tregonin për një qendër të rëndësishme tregtare në lidhje me portin e Shufadasë, rreth 8 km më larg derdhjes të lumit Ishëm. Por duke u nisur nga gjendja e lënë në mëshirë të fatit dhe grabitësve të monumenteve historike të vendit, specialistet u janë drejtuar deri banorëve të zonës për të bërë të mundur mbrojtjen e kësaj pasurie historike. Për turistët, kjo bazilikë që daton që nga shekulli i 5-6-të dhe e zbuluar në vitin 1980, është e panjohur. Aktualisht ajo vizitohet vetëm nga bagëtitë e banorët e zonës. Për praninë e bazilikës ende mungojnë tabelat treguese përgjatë aksit rrugor. Specialistët justifikohen me grabitjet apo dëmtimin nga banorët e zonës. Por edhe me heshtjen dhe indiferencën e shtetit, me të cilën nuk kanë fuqi të përballen.

Bruno Marku April 9, 2013 09:26
Komento

1 Koment

  1. Ladi April 9, 16:25

    Ju qe nuk ju ze gjumi per te ardhmen e Shqiperise dhe nuk leni rast e koment pa bere per Edin, Ilirin, dhe Bazen se fundmi.. shkruani nja dy rrjeshta per keto vepra historike qe i bejne nder vendit dhe na turperojne te gjitheve..!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*