Një biletë për në Mars? Do të kushtojë vetëm 500 mijë dollarë

Dorina Gjuzi December 1, 2012 16:33

Një biletë për në Mars? Do të kushtojë vetëm 500 mijë dollarë

Elon Musk vlerëson se udhëtimi i parë i njerut drejt Planetit të Kuq mund të realizohet brenda 30 vjetësh. Ndërsa NASA po punon ende “me pe e gjilpërë” në kërkime që po rezultojnë të dështuara, ESA po bashkëpunon me Rusinë për sonda të reja marsiane

 

Sa mund të kushtojë bileta për një udhëtim hipotetik në Mars? Multimilioneri Elon Musk, i apasionuar pas teknologjisë dhe themelues i ‘PayPal’, ‘Tesla Motors’ e së fundmi “SpaceX”, thotë se shifra mund të kapë, pak a shumë, gjysmë milioni dollarë. Kjo është përafërsisht kostoja e një banese së shtresës së mesme në Kaliforni.

 

Musk ka realizuar projektin “SpaceX”, i cili synon të zhvillojë turizmin hapësinor në orbitën e Tokës dhe bileta për një udhëtim përreth planetit tonë kushton vetëm 200 mijë dollarë. Nisjet e para të anijes “SpaceX” janë parashikuar që të fillojnë në gjysmën e dytë të vitit 2013. Aktori hollivudian dhe ish-bashkëshorti i Demi Mur, Ashton Kaçer, ishte personi i 500-të që firmosi së fundmi kontratën për një udhëtim të tillë.

 

Idetë e Musk thuajse vizionare, në pjesën më të madhe të rasteve janë kthyer në realitete të frytshme. Së pari me bashkimin e shërbimeve financiare në internet “X.com” dhe “Confinity”, ai i dha jetë sistemit të pagesës “PayPal”, që ishte dhe i pari i këtij lloji në SHBA dhe në disa vende të tjera. Më pas krijoi fondacionin “Tesla Motors” që realizoi makinën e parë sportive elektrike “Tesla Roadster”.

 

“SpaceX” ishte ai që i vuri kapakun vizioneve fantastikoshkencore të Muskut. Ai beson se brenda 30 vjetësh do të mund të kryhet udhëtimi i parë drejt Marsit. Ndonëse skeptik për arritjet e NASA-s, Musk mendon ndryshe për ESA-n “European Space Agency” (Agjencia Hapësinore Evropiane), e cila ka zgjedhur Rusinë si aleaten e radhës për misionin e ri në Planetin e Kuq që do të finalizohet brenda vitit 2016. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për dërgim astronautësh, por për një anije orbitale që do të analizojë atmosferën marsiane.

 

Në javët e fundit janë dhënë në mënyrë intensive lajme mbi një ‘zbulim historik’ të NASA-s në Mars. Çarls Elaki, drejtor i laboratorit “Jet Propulsion” të NASA-s njoftoi para disa ditësh se makina robotike ‘Curiosity rover’ mund të kishte zbuluar molekula të thjeshta organike në këtë planet. “Mendoj se mediat e kanë ekzagjeruar, sa i takon pritshmërive mbi të dhënat paraprake, duke hamendësuar për mundësinë e formave jetësore në këtë planet. Ne kemi marrë vetëm disa tregues se molekulat e gjetura mund të jenë thjesht organike, dhe jo biologjike. Roboti ‘Curiosity’ nuk është i pajisur me mjete që mundësojnë gjetjen e gjurmëve biologjike, pra molekulat e domosdoshme për të prodhuar jetën”, u shpreh Elaki për mediat. Ndonëse verifikimi i plotë i rezultateve do të dilte në datën 3 dhjetor, të premten NASA përgënjeshtroi lajmin se roboti ‘Curiosity’ kishte gjetur molekula organike në Mars.

 

Elon Musk ironizon: “Nuk duhet të presim çdo gjë nga NASA, edhe sepse me reduktimin e buxhetit nga viti në vit, ambiciet eksploruese të hapësirës nga kjo agjenci kërkimore po reduktohen me të njëjtat përmasa. Ndoshta NASA do të shkojë në Mars vetëm duke simuluar udhëtime në stacionin hapësinor ndërkombëtar’.

 

Ai i ka arritur të gjitha objektivat që i ka vënë vetes. Ndonëse shndërrimi në realitet i udhëtimeve turistike dhe kolonizuese në Planetin e Kuq nuk është në duart e tij, Musk shprehet se objektivi duhet të jetë fryt i bashkëpunimit midis organizmave shkencore hapësinore që veprojnë sot në planetin tonë. “Për ta shndërruar Marsin në një zonë të largët turistike, duhen ndërtuar projekte që janë në avangardë, me sisteme nisjeje të ripërdorshme dhe duke përdorur në vend të karburantit gazin e metanit i cili ka kosto minimale” thotë Elon Musk.

Dorina Gjuzi December 1, 2012 16:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim