Një bisedë me Martin Lekën: Si më ‘ngeci’ në dorë RTSH-ja…

Intervistoi: Mira Kazhani February 26, 2015 12:21 Updated

Një bisedë me Martin Lekën: Si më ‘ngeci’ në dorë RTSH-ja…

Jo të gjithë e njohin Martinin. Ai nuk e ka atë lloj fame (të bujshme) të ca bashkëkohësve të tij, por për ata që e njohin, shquhet për ekuilibër dhe një butësi komunikimi.

Faktorë që me siguri i kanë shërbyer që të qëndrojë si pa kuptuar në krye të RTSH. Edhe pse si zëvendësdrejtor i përgjithshëm, ai tashmë prej dy vjetësh kryen të gjitha detyrat e “të madhit” të RTSH.

Ndërkohë që në Tiranë çdo dy-tre javë qarkullon nga një emër i ri në xhiron e Rognerit, si pretendent për postin e drejtorit të RTSH, nga ana tjetër jeta vazhdon.

Nuk më kish rënë kurrë rasti të futem në korridoret e administratës së RTSH, atje ku po më pret Martin Leka. Është një ambient i bukur. Korridore të gjerë dhe të lartë. Ndihet stili lindor, por kjo nuk ia zbeh aspak madhështinë fizike këtij institucioni nga afër, ndërkohë që nami i dikurshëm, tashmë prej vitesh i ka lënë shëndenë.

 

Mira Kazhani: Të dhemb në shpirt Martin, kur shikon çfarë mrekullie ka këtu dhe çfarë duket në ekranet tona në shtëpi?

Martin Leka: Sigurisht!

 

Mira Kazhani: Si është e mundur që të gjithë e kafshuan nga pak duke e çuar në këtë ditë… Mund të shpëtohet?

Martin Leka: Shpëtohet! Duke e dashur më shumë, duke e dashur, si të thuash si gjënë tënde. Unë kështu e dua RTSH. Kam dashur kështu çdo punë që kam bërë deri tani. Kuptohet, nuk e dua si kam dashur “Koha Jonë”.

 

Mira Kazhani: Po iku koha e Kohës tani… Ç’mund të bëhet për RTSH për të cilën paguajnë taksa shqiptarët? Kemi nevojë të kemi një media publike që të ketë autoritet…

Martin Leka: Çështja e RTSH ka lidhje me vetë sistemin dhe politikën në veçanti. Personalisht jam përpjekur ta heq sadopak “politikën” nga ndikimi i keq që ka pasur për vite të tëra. Kam arritur shumë pak, por kam arritur diçka.

 

Mira Kazhani: Psh, keni arritur që t’i ngrini rrogat vetes tuaj? Si janë rrogat në RTSH?

Martin Leka: Këtu janë njerëzit “më të paguar”. Ju jeni më të paguarit, – u them vazhdimisht, – dhe e di pse? Sepse ata paguhen për dy orë punë, ndërsa tek privati punojnë edhe 12 orë. Prandaj them kështu.

 

m leka

Martin Leka

Mira Kazhani: Rrogat ja keni rritur vetes? Dhe kush i rrit?

Martin Leka: Rrogat i rrit Këshilli, që nuk është më. Unë edhe pse bëj punën e Drejtorit të Përgjithshëm, marr rrogën e zv.drejtorit. Ç’të them unë, do zoti ma rrisin edhe mua rrogën…

 

Mira Kazhani: Po për këtë arsye TCH dhe Klan janë të parët. Ka njerëz që në mos i duan, punojnë shumë…

Martin Leka: RTSH e ka humbur besimin e qytetarëve sepse është konceptuar si një edicion lajmesh, si qokë për politikën prej vitesh e prej qeverish. Kam kohë që përpiqem ta ndryshoj. Nuk pretendoj ta bëj të pavarur, por të paktën të paanshëm. Kam bërë diçka, sado modeste, dhe e pranoj: Aktualisht nuk kam asnjë ndërhyrje nga mazhoranca e sotme, as nga opozita për ta përdorur televizionin publik.

 

Mira Kazhani: Ndoshta se nuk ka nevojë për të. Në Tiranë ka legjenda urbane që thonë se Kryeministri i ka thënë dikujt që i kërkonte të punonte në RTSH: Ç’e do RTSH, ik në TCH, ai është televizion…

Martin Leka: Nuk besoj ta ketë thënë këtë, aq më tepër ta mendojë kështu. Për më tepër, RTSH u duhet të gjithëve, paçka se nuk e thonë! Por RTSH është mirë t’i duhet publikut! Për më tepër, jam i lumtur që Kryeministri është interesuar dhe investuar për dixhitalizimin e RTSH-së.

 

Mira Kazhani: Atëherë si shpjegohet kjo zvarritje, kjo asgjë me dixhitalizimin e RTSH-së?

Martin Leka: Mos më thoni asgjë! Është vonuar jo pak, por besoj kjo nuk ka të bëjë me vullnetin e kryeministrit. Nuk është kaq e thjeshtë.

 

Mira Kazhani: Po ku mendoni ju se qëndron problemi i RTSH? Tek gjetja e një njeriu? Tek strategjia e munguar për t’i risjellë RTSH-së sharmin e saj?

Martin Leka: Janë bashkë të dyja. Duhet edhe një menaxher i mirë, njohës i mirë i RTSH gjithashtu, por duhet edhe fryma në tërësi.

Mira Kazhani: Ju vetë do donit? Meqë jeni që jeni këtu?

Martin Leka: Nuk besoj… Me atë që kam parë e po jetoj, nuk është një gjë e lehtë, edhe pse jam i vetmi nga paraardhësit e mi që i ka kryer të gjitha detyrat në pozicionet drejtuese: Drejtor i Radio-Tiranës, Drejtor i Aktualitetit, Zv/Drejtor i Përgjithshëm e Drejtor i Përgjithshëm…

 

Mira Kazhani: Mund të jetë një grua një zgjedhje e mirë?

Martin Leka: Jo. Nuk dua të dal këtu si maskilist, por nga përvoja ime me këto “gratë udhëheqëse” me të cilat kam patur rast të punoj këtu, nuk besoj se do ishte një zgjedhje e mirë në këto rrethana.

 

Mira Kazhani: Në fakt burrat e kanë çuar në këtë ditë të zezë, jo gratë. S’e kuptoj, pse jo një grua?

Martin Leka: E thashë, e kam nga përvoja! Por hajde ti që nesër dhe bie dakord! (qesh) Sepse ti je vajzë, kurse unë fola për gratë…

 

Mira Kazhani: Përtej humorit… Nëse do imagjinonit një RTSH model, cilët gazetarë ju shkojnë në mend?

Martin Leka: Është pak e gjatë dhe shpresoj mos harroj ndonjë emër. Do doja padyshim Blendi Fevziun dhe Baton Haxhiun për idetë dhe prakticitetin. Do doja Ilva Taren për shkathtësinë dhe objektivitetin. Do më kish pëlqyer Arbana Osmani e Rudina Magjistari për qetësinë dhe feminilitetin. Vëllezërit Laço, Artur Zheji, Mand Shkullaku dhe Andi Bushati. Do kisha dashur edhe atë të vështirin Adrian Thano, Nikoll Lesin dhe të vinte si i ftuar ndonjëherë dhe Aleksandër Frangaj…

 

Mira Kazhani: Prit prit se i mbylle televizionet me listën që bëre… Dua t’ju pyes pak për Sali Berishën. Ju ndryshe nga Frangaj dhe të tjerë, nuk dukeni të keni bërë paqe me të edhe pas historisë së burgut. Pse nuk u afruat me Berishën?

Martin Leka: Unë e kam bërë paqen me veten! Për Berishën kam për të thënë vetëm një gjë, dhe këtë e them me sinqeritetin më të madh: Nëse ai do ishte tërhequr vërtet nga politika aktive, dhe është ende në kohë, do të bënte shumë njerëz, edhe nga ata “armiqtë” më të mëdhenj, ta admironin!

E kam takuar disa herë në pritjet zyrtare, por vetëm njëherë në jetë, kohë më parë, kam pirë një kafe në Rogner. Mbaj mend që nuk lejoi askënd të paguante dhe pagoi vetë! E di që kishim një gjë të përbashkët? Lekët i nxori nga xhepi i pantallonave. As unë nuk mbaj portofol!

 

Mira Kazhani: Edi Rama?

Martin Leka: Jam i sigurt se tani Edi Rama po mendon sesa e vështirë është një detyrë e rëndësishme si ajo e kryeministrit. Aq sa jam i sigurt se po të ishte vënë sot në detyrë, disa gjëra do t’i kish bërë ndryshe nga ato që janë bërë deri tani.

 

Mira Kazhani: Po thoni me elegancë se ka bërë gabime? Për shembull?

Martin Leka: Nuk është Kryeministër ai që nuk bën gabime… Një gjë që më bie në sy është përzgjedhja e njerëzve me të cilët po qeveris. Ky gabim më vjen ndërmend tani…

 

Mira Kazhani: Lulzim Basha?

Martin Leka: E njoh zotin Basha, nje ditë ai do jetë kryeministër i Shqipërisë. Po për momentin do t’i duhet më shumë punë me PD-në sesa me mazhorancën. Për të arritur atë që sapo thashë!

 

Mira Kazhani: E shikon, jemi të gjithë në kurth. Erdha të flas për RTSH dhe si ajo të shpëtojë nga politika, por mesa duket jemi të gjithë pak të sëmurë pas saj…

Martin Leka: Nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Rëndësi ka të dimë limitet dhe të mësohemi me to. Politika, si çdo gjë tjetër bëhet nga njerëz si ne. Shyqyr që ia arritëm ditës ta mësojmë këtë!

 

Intervistoi: Mira Kazhani February 26, 2015 12:21 Updated
Komento

3 Komente

  1. Loku February 26, 13:37

    Nje gje paska te perbashket me Salen,i mbajn leket ne xhep te pantallonave nuk kan portofol.

    Reply to this comment
  2. shqipo February 26, 17:22

    Ky mavria do te rinovoje nje TV me njerez te vjeter.Me Fevziun,Shkullakun,Haxhiun nuk behet TV po pacavure.RTSh ka vdekur e vetem nje shqiptar i rritur e shkolluar jashte shtetit me moshe deri 35 vjec

    Reply to this comment
  3. lezhiani i vertet February 27, 12:46

    NnnnnUuuuuuKkkkkkkkAaaaaaaaBbbbyyyyTttttttttHhhhhMmmmAaaaRrrrTttttIiiiNnnnnIiiii

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*