Denoncimi me detaje i një tenderi korruptiv

October 11, 2018 02:05

Denoncimi me detaje i një tenderi korruptiv

Përshëndetje z.Thano

Unë jam një qytetar që dua të mbetem anonim por që kam qenë dëshmitar i një lufte dy vjeçare ndër-institucionale të nxitur nga një kompani private për qëllime përfitimi të një tenderi me vlerë disa milionë euro. Gjatë kësaj periudhe kam pasur mundësinë të vëzhgoj nga afër mekanizmin e korrupsionit në nivel të lartë institucional. Për të gjithë ngjarjen kam bërë një analizë të detajuar por në të nuk mund të përmend as emrat e personave e as të palëve të përfshira, përveç një institucioni.

 

*****

Korrupsioni me tenderat e mëdhenj / Ndikimi i korrupsionit në administratën shtetërore. Analiza e plotë e një lufte ndër-institucionale

Hyrje

Nëse pyet në rrugë një person çfarëdo “a ka apo nuk ka korrupsion me tenderat e shtetit”, pa dyshim që do të të thotë që ka. Por nëse e pyet se si zhvillohet ky korrupsion, pak njerëz do jenë në gjendje të të japin një informacion të saktë. Madje edhe ata që pretendojnë se dinë më shumë, realisht dinë vetëm thashethemet.

Kjo është një analizë e plotë e të gjitha proceseve që përbejnë atë që quhet korrupsion me tenderat me vlera të mëdha. Në këtë analizë do të radhiten pak a shumë të gjitha hallkat administrative, procedurat, aktorët, si ata që janë pjesë e korrupsionit, si ata që i rezistojnë atij dhe të gjitha betejat e një-pas-njëshme institucionale e procedurale për ti bërë ballë presionit korruptiv.

Edhe pse kjo analize është bazuar në një rast konkret, në të nuk do të përmenden emra të përveçëm të njerëzve apo institucionet e të përfshira në këtë histori.

Për të kuptuar zhvillimin e të gjitha ngjarjeve të mëposhtme, para se gjithash duhet të kuptojmë diçka që pak njerëz janë në gjendje ta artikulojnë. Shteti shqiptar dhe legjislacioni në fuqi janë ndërtuar në mënyrë të tille që vendimet në institucione nuk merren nga individë (drejtorë ose Ministra) por si rezultat i procedurave.

Pra, në Shqipëri asnjë drejtues institucioni, as Ministri dhe as vete Kryeministri, nuk ka të drejtë të marrin vendime sipas kokës së vet. Kjo mund të duket e çuditshme për shumëkënd por është e vërtete. Të gjitha vendimet merren si rezultat i një procedure komplekse, të sanksionuar në legjislacion dhe që mund të përfshijë disa departamente ose institucione bashkë.

Drejtuesi I institucionit ka vetëm të drejtën të firmosë në fund pasi procedura të ketë marrë aprovimin e të gjitha hallkave përgjegjëse dhe grupeve të punës që janë përfshirë në atë procedurë. Ky aspekt i vendimmarrjes në institucionet shtetërore është shumë i rëndësishëm për të kuptuar se si funksionon korrupsioni në nivel institucional.

Edhe pse në dukje figura kryesore e një institucioni është drejtuesit i tij, në të vërtete janë të tjera hallka ato që realisht janë përgjegjëse për vendimmarrjen në institucionet shtetërore.

Në këtë logjikë bazohet edhe e rastit që kemi marrë në shqyrtim.

Rëndësia e dokumentacionit të saktë tekniko-ligjor

Çdo tender me vlerë të madhe ka nevojë për një dokument specifikimesh teknike, shkurt ST. Tek ky dokument specifikohen të gjitha tiparet funksionale, sasiore, cilësore e kur është e nevojshme edhe ato fizike e kimike të produkteve që do të prokurohen, deri në detajet më të vogla. Në mënyrë që procedura të zhvillohet pa pengesa është e domosdoshme që ky dokument të jetë i teknikisht i saktë, në respekt të të gjitha ligjeve në fuqi dhe të reflektojë drejtë kërkesat dhe nevojat e institucionit, në emër të të cilit realizohet ky tender.

Nëse dokumenti i ST nuk është i hartuar siç duhet, atëherë mund të krijohet hapësire për manipulim dhe abuzim të legjitimuar nga ana e fituesit të tenderit dhe kujtdo tjetër që kërkon të përfitojë në mënyrë të paligjshme nga fondet e shtetit.

Pas më shumë se dy dekadash me probleme serioze në prokurimin e një sërë produkteve me vlerë të lartë monetare (disa miliona euro), drejtuesit e departamentit përkatës pranë institucionit Z, për të cilin do të flasim këtu, vendosën që të angazhonin specialistë të brendshëm dhe të jashtëm për hartimin e dokumenteve të specifikimeve të reja teknike (ST) për produktet e sipërpërmendura.

Këto dokumente do të shërbenin njëkohësisht si dokument bazë për realizimin e procedurave të tenderit, si mjet kontrolli për vlerësimin e ofertave, si dokument teknik për prodhimin e produkteve dhe më e rëndësishmja, si mekanizëm ligjor për mbrojtjen e interesave të institucionit në rast konflikti me operatorin ekonomik  që do të fitonte tenderin.

Shpallja e tenderit

Me urdhër të drejtorit të institucionit Z grupi i punës u ngrit dhe pas gjashte muajve punë intensive, specialistët teknikë arritën të hartojnë dokumentet e ST në mënyrë të plote, të detajuar dhe në përputhje me të gjitha kërkesat teknike e ligjore të parashtruara nga ligjet në fuqi. Pasi u firmosen nga të gjitha hallkat drejtuese, dokumentet hynë në fuqi dhe ishin gati për t’u përdorur në procedurat e tenderimit.

Tenderi u shpall dhe kompanitë e interesuara për pjesëmarrje në tender u njohën me dokumentacionin. Menjëherë disa nga këto kompani shprehen kundërshtimet e tyre, me një fare arrogance do të thoja, për disa indikatorë teknikë të kërkuar në dokumentacionin e specifikimeve teknike.

Kjo nuk ishte një gjë e papritur. Këto vlera ishin vendosur aty pikërisht për të garantuar cilësinë e lartë të mallit përfundimtar dhe shmangien e manipulimit gjatë prodhimit. Natyrisht, duke u bazuar tek ligjet në fuqi, specialistët e institucionit i hodhën poshtë pretendimet e kompanive me fakte e argumente të sakta teknike.

Na fakt, unë u çudita shumë kur më ranë në dore ankesat e kompanive. Si ka mundësi, thashë me vete, që kompanitë private tu drejtohen institucioneve shtetërorë me këtë gjuhë, të denjë vetëm për rrugën!? Më vonë e kuptova se kompanitë e mëdha private e kishin bërë rrugë këtë lloj komunikimi me shtetin. Por ata, në fakt nuk po i drejtoheshin shtetit, por disa individëve nëpër pozicione kyçe, të çilët i njihnin personalisht dhe që, si të thuash, ua kishin pirë lëngun e që siç duket i kishin futur në xhep për t’i përdorur sa herë kishin nevojë.

Më vonë e pashë vete sesi këta persona dhe të tjerë, pa integritet, pa bosht moral, të paaftë në fushën ku operojnë dhe të shfrytëzueshëm deri në karagjozllëk ishin “shitur” krejt e ishin bërë lolo të një kompanie me qëllime aspak të sinqerta.

Nëpër institucione shtetërorë ka shumë të tillë njerëz, që fatkeqësisht bubërrojnë të pakontrolluar për shkak të kaosit administrativ dhe presionit politik që vjen nga partia në pushtet, nëpërmjet njerëzve të emëruar në poste politike, pa vitet, eksperiencën dhe karrierën e nevojshme mbi shpatulla.

Pra, kompanitë po u drejtoheshin “emisarëve” të tyre, në mënyrë që këta të fillonin lëvizjet e të mbronin interesat e kompanisë brenda institucionit. Megjithatë kjo nuk do të rezultonte dhe aq e lehtë për tu bërë. Jo të gjithë punonjësit dhe drejtuesit nëpër institucione mund të manipulohen. Ka edhe profesionistë, ka edhe njerëz me integritet, ka edhe njerëz të ndershëm.

Emisarët e kompanive do duhej të vepronin me kujdes, në mënyrë të fshehtë e pa lënë gjurme. Shumë njerëz mund të mendojnë se korrupsioni nëpër institucionet shtetërore bëhet hapur, si të thuash, pa dorashka. Në të vërtetë është krejt e kundërta. Punonjësit e administratës nuk janë të gjithë në një thes. Të gjithë punonjësit e administratës, edhe ata më të shiturit, më shumë se nga drejtori i institucionit, frikën ia kanë Kontrollit të Lartë të Shtetit pasi KLSH, ndryshe nga drejtori, ka për detyrë të kontrollojë në mënyrë të detajuar çdo procedurë, çdo dokument, çdo e-mail dhe çdo firmë të hedhur në letër. E nëse KLSH gjen gabime në dokumentacion, punonjësi mund të gjobitet, të shkarkohet nga detyra ose të çohet për procedim penal.

Nuk vonoi shume dhe tentativat e para për manipulim filluan. Një fjalë atje, një thashetheme këtu, një presion indirekt pak më tutje. Gjëra të vogla, në dukje të parëndësishme por që më vonë do të merrnin formë të qartë. Fatmirësisht, struktura drejtuese e mbështeti pozitën e argumentuar të specialisteve dhe çështja e ankesave për momentin u mbyll me aq.

KVO dhe lufta brenda institucionit

Tenderi u zhvillua, kompanitë paraqitën ofertat e tyre dhe për vlerësimin e mallit, me urdhër të drejtorit, u ngrit Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, shkurt KVO. KVO është një grup pune me specialistë të fushave të ndryshme brenda institucionit, i cili ka për detyrë që të vlerësojë ofertat dhe të sigurohet që kërkesat e parashtruara tek dokumentet i ST të jenë respektuara plotësisht nga kompanitë që kanë marrë pjesë në tender.

Në përgjithësi KVO-të që ngrihen për vlerësimin e ofertave nuk përbëhen nga mendjet më të ndritura të institucionit apo administratës. Kjo për arsye se institucionet shtetërore dhe e gjithë administrata shqiptare në përgjithësi, në të gjitha departamentet, janë të kontaminuara rëndë nga një epidemi punonjësish parazitarë dhe analfabetë funksionalë për postet që zënë dhe profesionet që ushtrojnë. Shpesh herë këta punonjës nuk kanë as njohuritë më bazike për ushtrimin e detyrës dhe kur them njohuri, nuk e kam fjalën për njohuri tekniko-shkencore por për gjëra fare të rëndomta siç është p.sh. plotësimi i një proces verbali apo edhe formulimi i një emaili zyrtar.

Siç ndodh rëndom nëpër KVO, edhe kjo KVO ishte e përbërë në shumicë nga njerëz që nuk ia kishin fare haberin e mallit që do të vlerësonin, madje as të procedurave standarde të tenderit. Por kjo nuk kishte shumë rëndësi për ta, pasi ata planifikonin të vepronin siç ishte vepruar deri në atë moment (gjë që shpresonin edhe kompanitë), duke anashkaluar dokumentacionin dhe duke bërë vlerësime, si të thuash, me sy të lirë. Që tani e tutje me KVO do të nënkuptohet vetëm një pjesë e anëtarëve të saj.

P.sh. n.q.s në tender ishte kërkuar sferë e kuqe me shkëlqim dhe në oferta ishin paraqitur sfera të kuqe me shkëlqim, atëherë KVO do të zgjidhte sferën më të kuqe dhe që shkëlqente më shumë, pa marrë parasysh përmasat ekzakte të sferës, peshën, përbërjen, cilësinë e materialit, jetëgjatësinë e artikullit, cilësinë e ngjyrës, aftësinë rezistuese të llakut, etj.

Sot të gjithë janë në gjendje të bëjnë dallimin mes mallit cilësor dhe atij jo cilësor. Mund të kesh në duar dy smartphone që në pamje të parë duken identikë e megjithatë njeri është iPhone ndërsa tjetri është një kopje që nuk dihet ç’farë ka brenda. Njeri kushton 800 euro ndërsa tjetri vetëm 100.  Këtë e gjë do të bënte edhe KVO, do të zgjidhte produktin e lirë por që shkëlqente njësoj si origjinali.

Jo vetëm kaq, por janë vetë kompanitë ato që i përcaktojnë çmimet e referencës për produktet që do të tenderohen pasi nëpërmjet emisarëve të tyre nëpër institucione dhe legjislacionit të mangët ato garantojnë që studimi i tregut të bëhet duke marrë si referencë çmimet e atyre 3 ose 4 kompanive që janë drejtpërdrejtë të interesuara të marrin pjesë në tender.

Kompanitë mund ta shesin sapunin për djathë, me çmimin e një Mercedesi dhe institucioni, KLSH-ja apo edhe vetë prokuroria nuk mund të bëjnë asgjë pasi është vetë ligji ai që e lejon diçka të tillë dhe në dokumentin e ST mund të mos ketë asnjë specifikim teknik që të përcaktojë llojin dhe cilësinë e mallit. Nëse dikush do t’i ankohej kompanisë për cilësinë e mallit (gjë që ka ndodhur), kompania fare lehtë do t’i gjente lloj-lloj justifikimesh teknike e ligjore duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi (gjë që ka ndodhur) për mallin jo cilësor.

Në këtë mënyrë kompanitë fitojnë shuma marramendëse parash duke shpenzuar për mallin e tenderuar një të dhjetën e fondit.

Megjithatë, vlerësimi i mallit me sy të lirë nuk ishte tërësisht i pajustifikuar ose pa precedent. Deri në atë moment dokumenti i specifikime teknike për mallin që do të prokurohej kishte qenë një dokument sa për sy e faqe. I shkruar keq, nga njerëz me njohuri të cungëta teknike dhe dukshëm pa eksperiencë. Dokumenti i specifikimeve teknike vetëm emrin e kish të tillë pasi nuk mund të shërbente për asgjë. Ai dokument nuk mund të merrej për bazë për vlerësimin e mallit dhe as nuk mund të përdorej nga institucioni për të mbrojtur interesat e veta. Kështu që duke mos pasur një dokument të saktë në duar, institucioni nuk mund të dinte se çfarë t’u kërkonte dhe si t’u imponohej kompanive që fitonin tenderat.

Mirëpo ndryshe nga herët e tjera, dokumentet e ST kësaj radhe ishin aq të rregullt e aq të saktë saqë ishte e pamundur t’i anashkaloje pa bërë shkelje të hapur të procedurave. Kur u bë ballafaqimi një-për-një i mallit me specifikimet teknike u konstatua që përveç mangësive serioze në prodhimin e mostrave të mallit, të gjitha kompanive u mungonin edhe disa flete analiza, pa të cilat, sipas rregullores ato duhet të konsideroheshin automatikisht të skualifikuara.

Veçanërisht një nga këto fletë analiza do të vërtetonte që materiali bazë që do të përdorej për prodhimin e produkteve të tenderuara do të ishte, në mënyrë absolute, i cilësisë së parë dhe për këtë nuk duhet të kishte asnjë diskutim pasi ky mall do të përdorej për një kohë shumë të gjatë. Kompanitë e dinin që malli i tyre nuk përputhej me kushtet e specifikuara në dokumentet e ST dhe me shpresën se shumica e anëtarëve të KVO, në mefshtësinë dhe përlyerjen e tyre, do të merreshin vetëm me aspektet sipërfaqësore të mallrave, duke i shkelur me të dyja këmbët procedurat ligjore të tenderit, nuk i kishin sjellë fare fletë-analizat e materialit bazë. Mirëpo në këto kushte, kur mungesa e këtyre fletë-analizave ishte evidentuar tashmë, tenderi nuk mund të vazhdonte dhe KVO duhet t’i shpallte të gjitha kompanitë të skualifikuara.

Përfshirja e institucionit arsimor U

Por kjo nuk ndodhi. KVO nuk doli menjëherë me vendimin për ti skualifikuar kompanitë. Përkundrazi, KVO, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe duke tejkaluar kompetencat e veta, filloi një luftë brenda institucionit duke sulmuar haptas si dokumentin e ST ashtu edhe specialistët që i kishin hartuar ato. Qëllimi ishte që të goditeshin specialistët teknikë dhe të nënvlerësohej puna e tyre. Natyrisht, anëtarët e KVO nuk i kishin njohuritë e duhura teknike për ta nisur këtë luftë dhe për të qenë të justifikuar para ndonjë kontrolli, ata futën “në valle” një tjetër aktor, institucion shtetëror U, detyra primare e të cilit është arsimi i lartë.

Në teori, përveç laboratorit fizik e kimik që ka nën administrim, ky institucioni arsimor U duhet ti ketë të gjitha burimet e kualifikuara njerëzore për të dhënë opinione shkencore të informuara e të argumentuara për çështjen në fjalë. Mirëpo në praktikë, ky ishte i njëjti institucion, nga i cili kishin dalë ato dokumentet e vjetra, të dobëta dhe jo profesionale të specifikimeve teknike që përmendëm pak më sipër, ato dokumente që, si të thuash, nuk i hynin në punë as dreqit.

Nën pretekstin e kërkesës për sqarime shtesë, KVO i kërkoi institucionit arsimor U që me anë të autoritetit të tij të diskreditonte si dokumentet e ST ashtu edhe specialistët teknikë që kishin hartuar dokumentet. Për të realizuar këtë, institucioni arsimor U iu drejtua me një letër zyrtare KVO-së, me anë të së cilës përpiqej të manipulonte opinion e drejtuesve të institucionit duke shfrytëzuar padijen e tyre për çështje thellësisht inxhinierike. Në këtë letër kishte arsyetime pseudo-shkencore dhe përpjekje për të ulur autoritetin e specialistëve teknikë. Institucioni arsimor u bënte, si të thuash, be e rrufe se dokumentet e ST kishin vendosur kërkesa të pamundura për tu arritur dhe të panevojshme. Me pak fjalë, një “lajthitje”. Kjo ishte fjala që institucioni arsimor U përdori për specialistët e ST.

Por ajo që bëri më shumë përshtypje nga të gjitha ishte fakti se argumentet teknike të përdorura nga institucioni arsimor U dhe mënyra e shprehjes se tyre ishin fjalë për fjalë ato që ishin përdorur në fillim nga kompania private K kur kishte bërë ankesën pas shpalljes se tenderit. Ishte e qartë që të dyja dokumentet kishin dalë nga e njëjta dorë dhe ky motiv do të përsëritej disa herë gjatë përplasjeve të shumta mes kompanisë dhe institucionit tenderues.

Ta zëmë për një moment se jemi naivë dhe besojmë se në botë nuk ka padrejtësi. Detyrimisht do të na lindnin disa pyetje. Cila ishte arsyeja e kësaj lufte të hapur nga KVO? Pse duhej që një KVO e ngritur me punonjësit e institucionit të sulmonte vetë dokumentet dhe specialistët e institucionit? Pse KVO nuk u konsultua më parë me specialistët teknikë të institucionit por preferoi t’i drejtohej një institucioni tjetër të jashtëm? Kush mund ta shtynte KVO-në të ndërmerrte këto veprime dhe për çfarë arsye?

Arsyeja ishte se disa nga vlerat e kërkuara në fletë-analizat e materialit bazë do ta detyronin fituesin e tenderit të përdorte material të cilësisë së parë. Për kompanitë kjo do të thoshte rritje të kostos së prodhimit e detyrimisht rënie të fitimeve. Për më tepër, prodhimi i materialit bazë të cilësisë së parë paraqiste edhe disa sfida teknike e logjistike, të cilat kompania private donte ti shmangte me çdo kusht. Tani kompania fituese, jo vetëm që do të duhej “të lodhej” më shumë për prodhimin e mallit por edhe normën e fitimit do ta kishte disa herë më të ulët, edhe pse prapë-së-prapë brenda normave standarde të logjikës së biznesit.

Mirëpo, mesa duket, kompania K që qëndronte pas kësaj lufte nuk ishte mësuar të fitonte tendera me punë cilësore e të ndershme. Ajo ishte akuzuar disa herë publikisht më parë për afera korruptive, shpërdorim fondesh dhe ofertim të mallrave jo cilësorë. Ajo ishte akuzuar, madje, se kishte deklaruar në një rast që malli do të prodhohej jashtë Shqipërisë, ndërkohë që të gjithë mallin e kishte prodhuar në një magazinë këtu në Shqipëri, në mënyrë jo profesionale dhe me fare pak fonde.

KVO zhvillon gjyq “inkuizicioni”

Ishte e qartë që kjo kompani nuk mund të rrinte duar kryq. Ajo do i hidhte emisarët menjëherë në sulm për mbrojtjen e interesave të saj, konkretisht disa nga antarët e KVO-së. Këta antarë të KVO nuk u mjaftuan vetëm me letrën e institucionit arsimor. Me zellin e jashtëzakonshëm të ithtarit ata shkuan më tutje. Jo vetëm që i paraqitën drejtorit të institucionit Z prova teknike të manipuluara që mbështesnin pozitën e tyre por organizuan edhe një mbledhje alla gjyq inkuizicioni, me qëllim që të ushtronin presion psikologjik tek specialistët teknikë të institucionit, në mënyrë që ata të pranonin “lajthitjen” e rrjedhimisht të hiqnin kërkesën për përdorimin e materialit të cilësisë së parë duke e zëvendësuar atë me material të cilësisë së dytë e të tretë.

Edhe pse një komedi e vërtetë, mbledhja u zhvillua nën një atmosferë tejet të rëndë. Anëtarët e KVO filluan të ngrenë zërin, të intimidojnë, madje lëshuan edhe kërcënime ndaj specialistëve. Ata e quajtën procedurën “të dështuar” dhe kur specialistët i ballafaquan me mangësitë e mallrave të prodhuara gjatë tenderave të mëparshëm, ata u hodhën në sulme personale: “Kush jeni ju që na tregoni për mangësitë me tenderat…”, ose “Paskeni ardhur këtu të na bëni hartime!?”, ose “Ju do mbani përgjegjësinë për djegien e fondit? etj. Gjatë “gjyqit” specialistët nuk u tundën nga pozita e tyre. Ata i kishin hedhur poshtë, me fakte shkencore, argumentet e rreme të institucionit arsimor U nëpërmjet një raporti drejtuar drejtorit të institucionit Z.

Kur tensioni në sallën e mbledhjeve kishte arritur kulmin, anëtarëve të KVO u vjen një e-mail zyrtar nga drejtori i institucionit, në të cilin, me pak fjalë, thuhej se argumentet e institucionit arsimor ishin hedhur poshtë, se KVO nuk duhet të dilte jashtë kompetencave të saj dhe se duhej të respektonte procedurat e tenderit. Me fjalë të thjeshta kjo do të thoshte se KVO duhet ta pushonte atë luftë të pakuptimtë dhe t’i shpallte ofertat e kompanive të pavlefshme, siç e parashikonte ligji.

Në atë moment anëtarëve të KVO-së u iku fytyra krejt. Atyre u ranë puplat dhe nga pozitë sulmi ata morën menjëherë pozita mbrojtëse. Me ankth filluan të justifikohen se po punonin për interesin e institucionit, se donin më të mirën, etj, etj, fjalët e zakonshme boshe.

KVO natyrisht nuk mund të deklaronte haptas se po mbronte interesat e kompanisë K. Ata i argumentuan veprimet e tyre me arsyetime parimore si p.sh.: Tenderi nuk duhet të dështojë, nuk duhet të armiqësohemi me biznesin, nuk duhet të kërkojmë gjëra që nuk realizohen, do digjet fondi, kush do e mbajë përgjegjësinë për djegien e fondit dhe mos prokurimin e mallit, etj.

Nëpër institucione shtetërore, për shkak të kaosit administrativ që sundon mes departamenteve, përgjithësisht punonjësit kanë frikë të marrin përgjegjësi individuale, sidomos kur bëhet fjalë për çështje madhore si tendera me vlera disa milionë euro, e për këtë arsye kërcënimet e mësipërme zënë vend mirë. Dhe ato kërcënime do të kishin zënë vend edhe kësaj radhe sikur në institucion të mos kishte njerëz të kthjellët, me integritet dhe me përkushtim serioz ndaj punës.

Por fatkeqësisht, ashtu si të korruptuarit, edhe njerëzit me integritet, e kanë të pamundur të dalin hapur në mbrojtje të drejtësisë. Për shkak të qarkullimeve të shpeshta politike nëpër administratë, deri më sot nuk është krijuar një strukturë solide punonjësish veteranë e me eksperiencë, të cilët, në mos më të ndriturit, të paktën të jenë profesionistë në punën që bëjnë. Në administratë askush nuk e ndjen veten të sigurtë. As vete ministrat, të cilët e thonë vetë me gojën e tyre: “sot jam, nesër s’jam më”.

Si rezultat i këtij kaosi dhe pasigurie, tek punonjësit e administratës shtetërore sundon një ndjenjë e theksuar anonimiteti, i shoqëruar me intriga e armiqësi të vogla dhe një shtrese të trashë cinizmi përsipër, të cilën nuk ka workshop e veting që e shkul nga vendi. Për pasojë, nëpër institucione shtetërore nuk pyet njeri për qëllimin. S’ka rëndësi nëse ke apo s’ke dëshirën e mire. Rëndësi kanë vetëm procedurat dhe mbi të gjitha ruajtja e status-quo-së, një lloj iluzioni sikur çdo gjë shkon vaj.

Edhe pse humbi një betejë, KVO nuk do të dorëzohej lehtë. Mesa duket incentiva financiare nga ana e “sponsorizuesit” do ketë qenë shumë e madhe. KVO i dërgoi një memo drejtorit të institucionit Z, në të cilën përsëriste edhe një here akuzat që kishte lëshuar në “gjyqin” që u beri specialisteve teknike bashkë me kërcënimet për “dështimin” e procedurës, e të tjera si këto. KVO e dinte që drejtori nuk do mund ta injoronte memon dhe as do mund ta kundërshtonte me iniciativën e tij. Ata po përpiqeshin që përgjegjësinë t’ia kalonin drejtorit, në mënyrë që ky të vihej në pozite të vështirë me qeverinë, për shkak të “mos realizimit të tenderit” dhe për ta mbyllur konfliktin brenda institucionit, do të dorëzohej duke i ushtruar presion departamentit të specialistëve që të hiqnin dore nga pozita e tyre.

KVO e dinte mire se ç’po bënte. Po përpiqej të godiste lart duke e përshkallëzuar konfliktin. Për sa kohë konflikti mbetej në nivel departamenti, çështja mbetej e izoluar brenda institucionit. Por në momentin që nëpërmjet memos “denoncuese” topi kishte kaluar në fushën e drejtorit, ishte ai që do duhej të mbante përgjegjësi përpara Ministrit dhe qeverisë për “dështimin” e tenderit, për djegien e fondit dhe për “prishjen e marrëdhënieve me biznesin”. Sidomos kjo e fundit ishte akuzë e rëndë pasi Kryeministri ishte shprehur disa herë publikisht që institucionet nuk duhet të krijonin tensione me bizneset.

Qeveria dhe ministritë, ndryshe nga institucionet vartëse, janë tërësisht struktura politike. Ministrat, zv.Minsitrat, sekretarët, këshilltarët, etj, janë të gjithë militantë partie. Për ta kanë rëndësi vetëm fasada, sukseset, realizimet, e të tjera aspekte që mund të propagandohen si arritje të partisë. Ata i duan gjërat shpejt, pa probleme dhe nuk e kanë konceptin e sfidave teknike, procedurale, problematikave administrative që zgjasin në kohë, etj. Ata nuk merren me problemin por me njerëzit dhe kur nuk iu vete puna ashtu siç duan, të vetmen zgjidhje kanë kërcënimet për heqje nga puna.

Gjithashtu stafet e ministrive kanë një normë qarkullimi të jashtëzakonshme, sidomos postet drejtuese. Një individ, në detyrën që e le sot, nuk e gjen mot. Brenda gjashtë muajsh, në postin drejtues të Sekretarit të Përgjithshëm mund të qarkullojnë 3 veta. Ose, p.sh. këshilltari i një ministri në x ministri, pas disa muajsh ka zënë detyrën e këshilltarit të po të njëjtit ministër në ministrinë y edhe pse në realitet nuk merr vesh as nga punët e njërës e as nga të tjetrës pasi kryen vetëm rolin e asistentit ose sekserit. Këta individë janë militantë të zellshëm partie që përdoren për gjithçka dhe s’janë mjeshtra për asgjë, dhe prej tyre, natyrisht nuk mund të presësh ndonjë punë serioze edhe pse në CV kanë nga dy diploma e nga tre mastera.

Auditi i parë

Mirëpo drejtori i institucionit Z nuk ishte drejtor politik edhe pse politika ishte ajo që e kishte propozuar. Ai ishte drejtor karriere, veteran dhe profesionist në punën e tij. Pra ai kishte arritur në atë post si rezultat i vjetërsisë në punë. Ai nuk mund t’ia lejonte vetes që të intimidohej nga veprimet makiaveliste të KVO. Prandaj, për të qenë i drejtë me të gjithë dhe në respekt të procedurës ai inicioi një auditim të brendshëm për të hetuar akuzat që ishin ngritur nga KVO.

Ndërkohë presionet nga lart filluan të vinin. Kompania Z kish filluar të hidhte helmin. Situata u tensionua shumë. Kishin filluar thashethemet dhe tema që diskutohej ishte “Kush është ai (individ) që po e pengon tenderin?” Emra të përvetshëm drejtorësh e nëndrejtorësh filluan të lakohen. “Pse nuk do filani të bëhet tenderi? Çfarë interesash ka? Etj.”

Ndërkohë drejtori i përgjithshëm dhe drejtorë të tjerë të institucionit u detyruan të ballafaqohen ashpër me ministrinë, një herë me Sekretarin e Përgjithshëm pastaj me vete Ministrin. Nuk e di me detaje se ç’u tha në ato takime por në parim e di që ata të ministrisë u bënin presion që procedura të zhbllokohej dhe tenderi të zhvillohej, ndërsa drejtorët e institucionit Z mbronin pozitën dhe interesat legjitime të institucionit.

Dua të ndalem një moment këtu dhe të sjell në vëmendjen e lexuesit presionin e madh politik që duhet të mbajë mbi shpatulla një strukturë drejtuese që hyn në konflikt me ministrinë, ku ndershmëria, drejtësia, integriteti, profesionalizmi dhe çdo koncept tjetër moral janë virtyte të budallenjve dhe tema barcaletash. Këta njerëz janë gjithë kohës nën kërcënimin e vazhdueshëm të heqjes nga puna.

Fatmirësisht, presioni politik nuk zuri vend. Auditi e përfundoi hetimin e vet dhe bëri një raport me disa gjetje, por asnjëra prej tyre nuk kishte lidhje me dokumentin e ST apo edhe me vetë punën e specialistëve teknikë. E vetmja gjetje që ishte me interes për këtë analizë ishte fakti që KVO kishte vepruar me dy standarde kur i kishte dërguar drejtorit prova të manipuluara. KVO u justifikua duke thënë se ato prova nuk i kishin gjetur vetë por ua kishte dhënë dikush tjetër. Për çudinë time kjo çështje u mbyll me kaq dhe nuk u ndoq më tutje. Ai dikushi tjetër mbeti pa u zbuluar.

Si përfundim KVO u detyrua të shpallë skualifikimin e të gjitha kompanive që kishin marrë pjesë në tender edhe pse me shumë “dhembje” e me shumë tërsëllime. Por çështja nuk u mbyll me kaq. KVO ishte dorëzuar por lufta nuk kishte mbaruar ende. Ky ishte vetëm fillimi i një lufte akoma edhe më të madhe që do të pasonte. Kësaj radhe kompania K do të dilte vetë në skenë për të udhëhequr betejat.

Përfshirja e Komisionit të Prokurimeve Publike

Pak kohë pasi KVO shpalli skualifikimin e të gjitha kompanive, institucionit Z i erdhi një vendim nga zyra e Komisionit të Prokurimeve Publike, shkurt KPP. KPP është një institucion si tip gjysmë gjykate që merr në shqyrtim konfliktet që mund të dalin gjatë proceseve të tenderimit dhe merr vendime të formës së prerë. Kompania K ishte ankuar zyrtarisht tek KPP dhe kishte kërkuar anulimin e vendimit të KVO dhe vazhdimin e tenderit. KPP kishte marrë çështjen në gjykim, kishte bërë analizën e situatës, kishte marrë edhe vendimin por institucionin Z nuk kishte denjuar ta njoftonte, qoftë edhe për kortezi  institucionale.

Vendimi i KPP ishte një dokument prej plot 20 faqesh. Në fillim të dokumentit jepej argumentimi teknik e ligjor dhe në fund ishin shënuar vendimet. Në atë dokument merrej në shqyrtim ankesa e kompanisë K, vendimi i KVO, argumentet e institucionit arsimor U dhe shumë e shumë analiza ligjore e referenca ndaj gjithfarëlloj ligjeve në fuqi. Por si për çudi aty nuk figuronte as edhe një dokument apo argument i vetëm i paraqitur nga institucioni Z. As letërkëmbimet zyrtare me kompaninë K, as raporti i ekspertit në KVO që bëri ballafaqimin e mallrave me dokumentin e ST, as procesverbalet e mbajtura nga KVO lidhur me mungesën e rezultateve të analizave për disa parametra që nuk ishin paraqitur në momentin e mbylljes së ofertave, as vendimi i auditit të brendshëm të intistucionit Z dhe asnjë nga argumentet teknike e specialistëve të institucionit.

D.m.th. ishin mbledhur kokat e ndritura të KPP, e ardhmja e këtij vendi, djem e vajza të rinj me diploma e mastera universitarë, brenda dhe jashtë shtetit dhe medemek, askujt nuk i kishte vajtur në mendje që çdo proces “gjyqësor”, që të quhet i drejtë dhe i paanshëm, duhet të përfshijë argumentet e të paktën dy palëve në konflikt, përndryshe ai proces quhet automatikisht i njëanshëm. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ishte e qartë që i gjithë argumentimi i vendimit të KPP ishte përpiluar nga mjeshtrat e kompanisë K dhe lolot e KPP as që e kishin lexuar fare. Por edhe po ta lexonin, vështirë se do kuptonin gjë pasi vendimi ishte i mbushur me sofizma, gabime logjike, argumente pseudo shkencore, arsyetime a interpretime ligjore pa kuptim, kërcime sa në një degë në tjetrën e deri qyrravitje kalamajsh.

Por në ato 20 faqe dokument një gjë binte veçanërisht në sy. Edhe pse vendimet e KPP janë të formës së prerë, atje nuk kërkohej asgjë konkrete në mënyrë “të prerë”. Ata sugjeronin që të merrej parasysh ankesa e kompanisë K dhe argumentet e institucionit arsimor U dhe që institucioni Z t’i reflektonte këto tek dokumentet e ST por duke mos kërkuar asgjë specifike. D.m.th, KPP kishte marrë vendimin por pa marrë përgjegjësinë ligjore që vjen bashkë me vendimin.

Pra me pak fjalë, vendimi i KPP nuk ishte asgjë tjetër veçse një ortek me pupla. Shumë zhurmë, shumë fjalë të mëdha, shumë akuza, por asnjë përmbajtje të qenësishme. Vendimi ishte bërë për të ushtruar presion. Ata që e kishin përpiluar vendimin e dinin mirë se realisht nuk do të zgjidhte asgjë. Këtë e vërtetonte dhe një nga pikat e vendimit ku thuhej se palës ankimuese duhet t’i ktheheshin paratë e depozituara për procesin e ankimit. Kjo e fundit është veçanërisht me interes për tu analizuar.

Çdo kompani që ankohet tek KPP duhet të depozitojë më parë 0.5% të shumës së tenderit në llogarinë e shtetit. N.q.s kompania fiton çështjen, shuma e depozituar në bankë i kthehet mbrapsht. Nëse kompania e humbet çështjen, atëherë shuma e depozituar në bankë i mbahet nga shteti. Mirëpo në rastin konkret vlera e tenderit ishte disa miliona euro dhe 0.5% e vlerës së tenderit do të thoshte disa dhjetëra mijëra euro. A do të rrezikonte vallë kompania K t’i hynte kësaj pune pa qenë e sigurt që do t’i ktheheshin paratë mbrapsht? Vështirë.

Kjo, për mendimin tim, vërteton dy gjëra, e para, si KPP si kompania K e dinin shumë mirë që procesi i ankimimit do të ishte i jashtëligjshëm dhe mund të hidhej poshtë me argumente ligjore. E dyta, pika ku thuhet që kompanisë K duhet t’i kthehen paratë e depozituara tregon qartë që kompania K e kishte KPP-në në dorë. Pra KPP ose njerëz të veçantë në atë institucion, e vuri veten tërësisht në shërbim të kompanisë private K duke lëshuar një palo vendim, të shoqëruar me ca argumente paçavure që as studenti i vitit të parë nuk mund t’ia lejojë vetes që t’i shkruajë në detyrë kursi.

Përfshirja e ministrisë (auditi i dytë)

Aq duhej. Nuk vonoi shumë dhe sulmit të KPP iu bashkua edhe ministria. Me urdhër të ministrit filloi auditimi (hetimi) i të gjithë procedurës së tenderit. Mirëpo siç u vërtetua me vonë, auditimi nuk ishte nisur me qëllim gjetjen e së vërtetës por evidentimin e “personit që po pengonte zhvillimin e tenderit”, d.m.th “kokës së turkut”. Duke veçuar një përgjegjës individual, ministria do ta kishte më të lehtë që ta godiste.

Vetë grupi i auditimit të ministrisë u soll në mënyrë shumë profesionale. Ata u morën plot një muaj me hetimin e gjithë procedurës së tenderimit, i shqyrtuan të gjitha dokumentet një-për-një, intervistuan të gjithë personat përgjegjës dhe në fund përpiluan një raport me gjetjet e tyre. Por tek këto gjetje nuk kishte asgjë, si të thuash, që të vërtetonte akuzat dhe arsyetimet e KPP. Jo vetëm kaq por hetimet nxorën në pah faktin që tenderin nuk po e pengonte asnjë njeri në veçanti. Ai ishte anuluar vërtetë si rezultat i një procedure të plotë e të saktë institucionale.

Pas kësaj nuk kish mbetur asgjë tjetër veçse që ministri të anulonte procedurën e tenderimit. Dhe vërtetë, më në fund ministri e firmosi anulimin e tenderit. Kjo ishte një fitore e madhe edhe pse e përkohshme. Lufta do të vazhdonte.

Të gjitha këto ankesa, letërkëmbime,kundër argumentime, vendime e audite zgjatën me javë dhe muaj. Kish kaluar një vit dhe institucioni Z kishte mbetur pa produkte. Prandaj, duke shfrytëzuar arsyetimin se institucioni Z ishte “i paaftë” për ta menaxhuar vetë tenderin, ministria vendosi që procedura e tenderit do të zhvillohej nga vetë ministria. Kjo ishte më shumë një formë presioni që tregonte mosbesim të hapur dhe përçmim sesa ndonjë tentativë konkrete për të ndryshuar gjendjen. Sipas ligjit, dokumentet e ST ishte një dokument që mund të firmosej vetëm nga specialistët dhe hallkat drejtuese të institucionit dhe çdo aspekt i procedurës së tenderimit do duhej të bazohej sërish tek ai dokument.

Me të dalë urdhri, të gjitha dokumentet e tenderit u transferuan tek ministria dhe tani pritej që të shpallej tenderi nga e para. Mirëpo shpallja e tenderit s’po dukej gjëkundi. Kjo natyrisht ishte një formë tjetër presioni. Në ministri po prisnin momentin e duhur për të goditur. Atyre nuk u interesonte shumë tenderi. Ata donin të arrinin qëllimin e tyre. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Kur institucioni Z i kërkoi ministrisë, nëpërmjet një emaili zyrtar, sqarime për vonesën e procedurës, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë (i zëvendësuar tashmë) iu përgjigj institucionit me po e-mail zyrtar ku i kujtonte faktin se institucioni nuk kishte reflektuar ende mbi vendimet e KPP.

Si për të vërtetuar edhe më shumë përlyerjen kokë e këmbë në këtë aferë korruptive, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, gjasme me iniciativën e vetë dhe nisur nga vendimi i KPP, do të kërkonte ndihmën e një eksperti të jashtëm për të dhënë një opinion të pavarur për dokumentet e ST. Ky ekspert do të analizonte dokumentet dhe do të jepte mendimin e tij “profesional” e “të pavarur” në lidhje me saktësinë teknike të dokumenteve.

Raporti i “Ekspertit të pavarur”

Në fakt detyra e ekspertit ishte e qartë. Ai do të bënte sikur do të analizonte dokumentet dhe në raportin e tij do të sulmonte direkt atë pjesë të dokumenteve të ST që pengonte fituesin e tenderit që të abuzonte me fondet e shtetit.

Mirëpo “eksperti i fushës” nuk ishte askush tjetër veçse vetë dekani i institucionit arsimor U që deri më tani ishte diskretituar e rrjedhimisht fëlliqur më shumë se një herë për shkak të tejkalimit të kompetencave dhe për faktin që kish dalë në mbrojtje të hapur të interesave të kompanisë K .

Ky njeri ka vite që “sundon” një departament të katandisur si mos me keq në institucionin arsimor U vetëm e vetëm për të vjele paratë që gjenerohen nga projektet dhe nga laboratori që ka në dispozicion. Ai mban titull të madh por realisht është shumë i vogël profesionalisht. Duke qenë se herën e parë ai ishte përfaqësuar nëpërmjet laboratorit të institucionit arsimor, kësaj radhe po vepronte si individ i pavarur, medemek për të figuruar si i pa përlyer. Siç pritej, raporti i “specialistit të pavarur” ishte një përsëritje e të njëjtës përrallë që ishte përdorur si argument teknik nga kompania K, KVO, KPP dhe në fund ministria. Gjithashtu, ai nuk kishte përtuar që të përmendte edhe dy gabime ortografike.

Pas disa letërkëmbimeve zyrtare dhe nja dy mbledhjeve mes përfaqësuesve të ministrisë dhe institucionit Z, Sekretari i Përgjithshëm duke mos qenë krejt i bindur që dekani i institucionit U ishte kartë e djegur, vendosi që ta përdorte edhe një herë të fundit.

Ministria dhe gjyqi i dytë i “inkuizicionit”

Ai bashkë me këshilltarin e ministrit “për dore”, do të shkonin vetë tek zyrat e institucionit Z, me raportin në duar, për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë tek hallkat drejtuese të institucionit e për të zhvilluar atje një “gjyq inkuizicioni” të dytë si ai që kishte zhvilluar KVO më parë. Ata do të paraqiteshin tek dyert e institucionit Z pa lajmëruar, për të bërë një mbledhje “flash”, pa protokoll dhe pa proces-verbal.

Mbledhja mes përfaqësuesve të ministrisë dhe atyre të institucionit Z ishte një estradë e vërtetë. Sapo vunë këmbët tek pragu ata filluan të prisnin me shpatë sa majtas, djathtas. Asnjë lloj profesionalizmi, asnjë lloj respekti për institucionin dhe njerëzit e tij, asnjë shenjë formaliteti, një mejhane e vërtetë. Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm lëshonte helmin duke u përpjekur të ruante autoritetin, këshilltari i ministrit e lëshonte vrerin si WC e bllokuar, pa asnjë lloj filtri apo mirësjelljeje, sikur po u jepte urdhra lolove të partisë së vet dhe jo sikur po bisedonte me përfaqësues të një institucioni shtetëror.

Për të justifikuar inkuizicionin ata e hodhën poshtë auditimin e vetë ministrisë dhe e quajtën atë “të pavlerë” dhe njëkohësisht po përpiqeshin të ushtronin presion të pastër psikologjik. Madje, këshilltari i ministrit shkoi deri atje sa tu thoshte specialistëve teknikë: “ç’punë keni ju me cilësinë e mallit? Bëni punën tuaj dhe shkoni flini gjumë!”, ose “Punonjësit, po të duan, le të ankohet vetë për cilësinë e mallit pasi të jetë dorëzuar” ose duke valëvitur raportin e “specialistit” në duar kukuriste “do dilni ju kundër kokave të shkencës” e të tjera mufka si këto.

Mirëpo kur specialistët filluan ti bombardonin me fakte e argumente të padiskutueshme e sidomos kur i ballafaquan me dokumentet e ST të disa vendeve Evropiane, vrulli i përfaqësuesve të ministrisë ra dhe ata filluan të sprapsen. Në fund fare, kur e panë se presioni nuk funksionoi dhe se nuk kishim më argumente, ata e mbyllën mbledhjen dhe u larguan duke lëshuar të njëjtat justifikime si ata të KVO “Ne jemi në anën e shtetit, skemi ardhur këtu të mbrojmë kompanitë, etj., etj.”.

Përfshirja e ministrit dhe zgjidhja “Deus ex machina”

Për arsye që unë nuk i njoh plotësisht por që përfshijnë edhe çështjen e tenderit, pas disa kohësh ministri i kërkoi Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të institucionit Z. Mirëpo fatmirësisht kjo nuk e pengoi çështjen tenderit të qëndronte në ullukun e duhur pasi drejtori i ri u tregua njësoj i zellshëm në mbrojtjen e interesave të institucionit dhe në garantimin e cilësisë së mallit, madje duke u përfshirë edhe vetë drejtpërdrejtë në debat.

Ndërkohë as vete ministri nuk do të rrinte duar kryq. Duke qenë se ministrisë nuk po i funksiononte asnjë lloj presioni, minsitri e pa të nevojshme që ta shpinte çështjen deri në qeveri, por jo të argumentuar, ama, ashtu siç ishte por duke përdorur manipulimin. Mjeshtrat e partisë në ministri kishin pasur kohë plot që të ngrinin alibinë se dikush brenda institucionit Z po përpiqej të pengonte tenderin për arsye korruptive. Qarkullonin thashetheme se kërkesat e specifikuara në dokumentet e ST ishin vënë me qëllim që të pengohej konkurrenca ose që nëpërmjet dokumenteve të ST ishte paravendosur fituesi i tenderit. Hajduti thërriste “kapeni hajdutin!”. Natyrisht, fakti që të gjitha kompanitë u skualifikuan njësoj vërtetonte tërësisht të kundërtën, por në politikë detajet nuk kanë rëndësi. Mjafton që të bëhet zhurma.

Sipas thashethemeve, në mbledhje me Kryeministrin u zhvillua një debat mes ministrit dhe drejtorit të ri të institucionit Z. Ministri insistonte që vlerat e kërkuara në dokumentin e ST duheshin ulur ndërsa drejtori I institucionit Z vazhdonte të qëndronte në pozitën që vlerat duhet të mbaheshin ato që ishin vendosur nga specialistët teknikë. Gjithashtu sipas thashethemeve, në fund të debatit ishte propozuar një kompromis. Për të sheshuar të gjitha dyshimet mbi validitetin e vlerave të kërkuara në dokumentet e ST do të merreshin si reference dokumentet e ST të një shteti fqinj.

Në pamje të parë duket sikur ky ishte një kompromis i arsyeshëm, për të sheshuar përplasjet. Në të vërtetë ky ishte një nga ato veprimet tipike të fëlliqura të politikës shqiptare që për të arritur kompromisin mes tyre, palët politike sakrifikojnë stabilitetin institucional, mbjellin farën e kaosit, mosbesimit dhe mungesën e respektit ndaj institucioneve shtetërore dhe të gjithë specialistëve që punojnë atje. D.m.th, në këtë mënyrë politikanët i vendosin minat shteti. Jo vetëm kaq, por ky veprim ishte edhe një dhuratë e fundit që politika po ia jepte aferave korruptive të kompanisë K.

Nuk vonoi shumë dhe nëpërmjet ministrisë, në zyrat e institucionit Z erdhën dokumentet e ST të shteti fqinj. Me siguri që në ministri dhe padyshim edhe tek zyrat e kompanisë K po fërkonin duart. Kjo sepse, me sa u kuptua më vonë, ata i kishin lexuar dokumentet me sytë e qorrit dhe duke mos pasur specialistë në stafet e tyre iu ishte dukur sikur në dokumentet e vendit fqinj vlerat e kërkuara të analizave ishin ato që kish kërkuar kompania K dhe gjithë kasnecët e saj. Më në fund, me këto rezultate në dorë, ministri do mund t’ia “përplaste” pastaj dokumentin në fytyrë drejtorit të institucionit Z duke i thënë: “Ju keni bërë gabim. Vendet e tjera fqinje nuk i kërkojnë këto vlera që kërkoni ju. Ata kanë me shumë eksperiencë. Ndryshojeni!”

Në parim, ky lloj argumenti nuk do të kishte asnjë efekt tek specialistët teknikë pasi faktet shkencore nuk ndikohen nga politika dhe as nga krahasimet me fqinjët. Por hallkat drejtuese të institucionit Z, ky argument do t’i vinte në pozitë shumë të vështirë. N.q.s vërtetohej që vlerat e kërkuara tek dokumentet e ST ishin me të ulëta se ato të kërkuara nga specialistët tanë, atëherë drejtuesit e institucionit do të akuzoheshin se kërkonin “qiqra në hell”. Me pak fjalë ata do të bëheshin gazi i gjithë administratës shtetërore.

Mirëpo nga një inspektim i detajuar i dokumenteve dhe interpretimi inxhinierik i saktë i tyre doli që vlerat e kërkuara në dokumentet e ST të vendit fqinj korrespondonin tërësisht me vlerat e kërkuara në dokumentet e ST të hartuara nga specialistët e institucionit Z. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Ato vlera ishin rezultat i një arsyetimi të caktuar inxhinierik, nga i cili mund të dilte vetëm një konkluzion.

Mes dy dokumenteve kishte vetëm një ndryshim të vogël në gamën e vlerave por që, sidoqoftë, nuk cenonte aspak kërkesën për cilësi të parë të materialit bazë që do të përdorej në prodhimit e artikujve të tenderuar. Pra ky ndryshim  nuk do t’i jepte dot mundësi fituesit të tenderit që të abuzonte me cilësinë e mallit. Kështu, duke u nisur nga ky arsyetim, specialistët nuk panë ndonjë pengesë teknike apo ligjore për t’i  përshtatur vlerat e kërkuara në dokumentet e ST me ato të vendit fqinj. Në fund të fundit rezultati do të ishte i njëjti.

Të paaftët dhe të korruptuarit kanë të gjithë një të metë të përbashkët, nuk kanë fantazi dhe për shkak të injorancës kanë tendencën që t’ia fusin vetes me argumente që nuk i kuptojnë. Kështu ndodhi edhe me këtë rast. Duke insistuar fort për krahasimin me dokumentet e vendit fqinj ata i bllokuan të gjitha rrugët për të vazhduar më tej luftën.

Pas kësaj, askush në ministri nuk mund të guxonte që të ngrinte më dyshime dhe ankesa kundër dokumenteve të ST dhe vlerave të specifikuara atje. Ky ballafaqim e vulosi një herë e mirë legjitimitetin e dokumenteve dhe pas tij nuk do të kishte më asnjë përplasje institucionale mes kompanisë K, institucionit Z dhe ministrisë. Kompania K ishte e detyruar të kapitullonte. Tentativa e saj për të arritur qëllimin e saj kishte dështuar plotësisht. Të paktën për një farë  kohe.

Epilog

Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë u ndryshua për herë të tretë dhe këtë post e mori Këshilltari i Ministrit, ai  për të cilin folëm më sipër. Tenderi u shpall sërish nga ministria dhe kompania K bashkë me disa kompani të tjera paraqitën ofertat e tyre. Kompania K dhe aleatët e saj e fituan tenderin, por kësaj radhe, sipas informacionit që kam unë, me mallra shumë më cilësorë dhe në përputhje me dokumentet dhe procedurat e ST.

Procesi është ende në fazën e prodhimit por deri tani duket se gjithçka po shkon në rregull. Megjithatë, kësaj kompanie dhe emisarëve të saj brenda institucionit dhe ministrisë nuk mund t’i zihet asnjëherë besë. Që gjithçka të shkojë sipas planit duhet që i gjithë procesi të mbahet nën vëzhgim të rreptë nga strukturat dhe punonjësit me integritet të institucionit Z, përndryshe, në mundësinë më të parë që do t’i jepet, kompania ose dikush tjetër do të abuzojë me fondet e institucionit dhe njëkohësisht me taksat e qytetarëve shqiptarë.

Së shpejti, të gjitha tenderimet e institucioneve do të kalojnë nëpërmjet një zyre qendrore që do të jetë në varësi të Ministrit. Kjo do të bëhet me qëllim që të shmangen abuzimet me tenderat e shtetit nga institucionet e varësisë. Në parim duket si një reformë pozitive që do të ndihmojë shumë në luftën ndaj korrupsionit. Mirëpo, po të marrim parasysh se ai institucion do të drejtohet nga “shokët dhe shoqet” e partisë së Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë që përmendëm më sipër dhe do të jetë në varësi të drejtpërdrejtë të tij, e keni parasysh vetë se çfarë do të bëhet me tenderat. Veprimi i parë i këtij institucioni padyshim do të jetë që të mbajë larg specialistët e vërtetë. Pas kësaj rruga do jetë e hapur për abuzime dhe manipulime me fondet e shtetit dhe taksat tona, të miat dhe tuajat.

 

*****

Shënim i autorit: Vini re! Informacioni që përmban ky dokument mund të përdoret vetëm me qëllim botimin e tij në gazetën “Dita”, në formë dixhitale ose të shtypur, në mënyrë të plotë e të pa cunguar, me qëllim informimin e publikut. Çdo mënyrë tjetër përdorimi ose shpërndarjeje është i ndaluar nga autori dhe e drejta e tij që lind prej ligjit Nr.35 Dt 31/3/2016 “Pёr tё drejtat e autorit dhe tё drejtat e tjera tё lidhura me to”.

Shënim i redaksisë: Kjo letër u botua në “Dita” print me dy pjesë në numrat e ditës së martë dhe të mërkurë. Ribotohet e plotë online me kërkesë të lexuesve.

October 11, 2018 02:05
Komento

9 Komente

  1. Kris 1 October 11, 03:44

    Shteti num behet vetem me faturen e dritave por me nje administrate te afte.Kur minister financash eshte nje perkthyes dhe ministrat jane lule partie me pantallloba te shkurtera shteti i ngjan nhe kopesti gazmor.Ketu duet ta filloje piktori neqoftese don te beje stet

    Reply to this comment
  2. vasili October 11, 12:38

    Problemi qe trajton autori eshte problem madhor per ekonomine tone,dhe qe fatkeqesisht trajtohen teper rralle ne media,te cilat jane shndrruar ne llafazaneri fshati.
    Strategjia qeveritare,qe per nje tender te vendoset kolegjialisht,nga shume pozicione institucionale dhe specialistesh eshte per tu pershendetur fort,qe ben qe kjo lloj strategjie te jete nje opozite e vertete me korrupsionin.
    I permbahet aksiomes:Sa me shume sy dhe mendje aq me pak paudhesira.
    Dhe ne perfundim,te kesaj analize cilesore dhe vet autori konkludon,qe se fundi fitoi tenderin oferta qe e meritonte mbas korigjimeve.
    E kuptoj shqetesimin qytetar te autorit,kur neper hallka,institucionale,veren ndonje te paafte apo xhambaz i katapultuar,qe mundohet ta infektoje tere procesin e tenderimit.
    Rama ka ngulur forte qe zgjedhja ne institucione te behesh ne baze te meritokracise.
    Mirpo sic thote Hygo:
    Nuk qeverisin mbreterit,por ata qe jane poshte mbreterve.
    Dhe per me teper ne mentalitetin tone shekullor vicidolas-cepanist,duhet nje vullnet dhe guxim titanik te luftosh,kunder metastazave te tij qe jane perhapur gjithe kohen ne mendjen dhe institucionin shqiptar te trasheguar.
    Mendoj qe do te ish mire,qe shkrimi te ish shume me i permbledhur,qe do ta bente me te lexueshem,nga shume njerez.
    Nuk do te shkoj larg,por ka pak jo lexues si ky i mesipermi,qe nuk di te lexojne as titullin,pa le me te tjerat.

    Reply to this comment
  3. katrahura October 11, 16:33

    Qe ka korrupsion kete e di edhe bufi,por nje gje dua te shtroj:
    -Ose nuk kishte korrupsion ne socializem?
    Kesaj pyetjeje mund t’i japin pergjigfje te gjithe ata qe kane punuar ne ate kohe dhge sidomos drejtuesit e ministrive,drejtoret,specialistet,hetuesit,gjyqtaret,prokurorewt etj te asaj kohe!
    Ne se kryeministri do ta luftoje korrupsionin qe ne lindje,atehere le te therrase te gjithe specialitet e afte dhe idealiste,pa asnje kufizim ,qe te japin mendimet e tyre ne te gjitha fushat!
    Une personalisht kam drejtuar nje institucion ne atre sistem nga me korruptuarit ne vend,por pas emerimit tim askush nuk guxonte te dridhte bishtin!
    Dhe kjo nuk u be me dhune,por me ndershmerine dhe aftesine time,me organizimin dhe kontrollin e cdo hallke institucionale deri sa te perfundonte procesi i punbes!
    Jam i gatshem dhe i bindur qe te jap keshilla kryeministrit,se si ta organizoje luften kunder korrupsionit ne shkalle kombetare!
    POR….nuk besoj se Rama do te jete i gatshem ta beje kete gje!
    Ai vete eshte jo vetem i pa afte si kryeminister,por edhe se as nuk deshiron qe te luftohet seriozisht korrupsioni!
    E kam provuar personalisht qendrimin e tij pas nje denoncimi qe i bera,por m’u pergjigj si e EMA e ZEQOS ne MAJE te THANES!
    Rama eshgte fatkeqesia e Shqiperise!

    Reply to this comment
    • anticensurë25642654 October 17, 10:35

      katrahura
      lali para se të shtrosh pyetjen “-Ose nuk kishte korrupsion ne socializem?”,duhet të analizosh mënyrën e funksionimit të shtetit!
      pra,shkurt e shkurt, në socializëm kishim një “firmë” të vetme!për pasojë nuk kishim tendera!pra konkurencë mes firmave se kush do të merte tenderin!!
      korrupsioni ka egzistuar,në socializëm dhe do të egzistojë sa të egzistojë rraca njerzore!!
      ka egzistuar nën formën e dhuratave për një vënd pune,për një apartamet,për një notë më të mirë në shkollë,për një dënim më të lehtë në gjykatë!!
      futja e mikut ka qënë një nga format e korrupsionit!!
      kuptohet që duke e krahasuar me nivelet e sotme,mund të themi me plotë gojën “ska egzistuar”!!
      katrahura
      zbatimi i ligjit bën që të luftohet korrupsioni!
      ligji zbatohet nga lart poshtë,dhe jo e kundërta!!
      pra nga K/ministri deri tek njeriu i thjeshtë!!
      marrim një shëmbull të thjeshtë të qeverisë rama-meta,ata,nga lartë vendosën që të zatoheshin detyrimet për pagesën e rregullt të rrymës elektrike!kështu që me anë të ligjit ata ushtruan presion për pagesën,dhe normalizimin e fuksionimit të rrjetit të rrymës elektrike!!
      pra nga lartë poshtë u ushtrua diktati i ligjit!!
      në rastin tjetër,nëse do të ishte e kundërta!?do të ishte e pamundur!pra njeriu i thjeshtë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë!pra të vendosë ligjin!sepse nuk ka asnjë mjet në dorë!!
      si njeri i thjeshtë,ose grup njerëzish të thjeshtë, ai, mund të ndikojë/në në nivelet e larta që të veprojnë për të zbatuar ligjin!!

      Reply to this comment
  4. antonio October 12, 01:14

    Pasja e kaq shume filtrave me njerez,komisione,dokument etj sipas autorit te shkrimit qenka nje menyre ideale per te zhdukur korrupsionin!
    Ky eshte mashtrim i plote!
    Se pari ketu mungon shteti ligjor se edhe ligjet jane bere corbe ,qe nga Kushtetuta!
    Nje kryetar partie qe ka ne dore te hartoje listen e deputeteve dhe me pas te ministrave etj,etj do te thote qe ai eshte DIKTATOR!
    Cfare kishte me teper Enver Hoxha se Rama e qe sot quhet diktator?
    Perkundrazi,Enveri per cdo plan 5 vjecar merte per baze studimet qe benin Institutet e ndryshme t Akademise se Shkencave,qe i jepnin qeverise gjykimet e tyre shkencore per prioritetet e zhvillimit te fushave te ndryshme!
    Ndersa sot eshte kryeministri ai qe vete firmos e vete vulos per cdo gje!
    Kush e kontrollon kryeministrin?
    ASKUSH!
    Partia qe e ka zgjedhur kryetar dhe kryeminister eshte vene nen kembet e kryetarit ,qe i emeron apo shkarkon nga posti!
    Askush nuk te mbron nga hakmarrja e kryeministrit!
    Ministra vihen servilet e kryeministrit e jo me te aftit!
    Shikoni se cfare problemesh ngre Erion Brace,por Rama as e degjon fare,sepse edhe ai eshte ne tave me ministrat e pa afte!
    Edhe Rama eshte me i pa afte se ata!
    Ndryshimi eshte se ai i ka edhe gurin edhe arren!
    Me cfare llogjike Rama vendosi te shperdoroje miliona euro per qendren e Tiranes,per pedonalet e qyteteve,per 100 fshatrat turistike etj?
    Pse nuk ka strategji afatgjata per zhvillimin e vendit?
    Pse diskriminohen zona dhe lagje te tera edhe ne Tirane duke mos investuar asgje per 6 vjet,ndersa atje ku ju reklamohet puna derdhen milionat rreke?
    Pra Rama dhe Veliaj punojne per karrigen e tyre e jo per popullin!

    Reply to this comment
    • anticensurë25642654 October 17, 13:01

      antonio,shkrimi është i mirë!
      tregon një mënyrë se si mund të bëhet korrupsioni!!bile në tërë shkrimin flitet vetëm për TENTATIVË korruptive por jo për korrupsion!!bile duke e paraqitur si “korrupsion”këtë mënyrë korruptive të pa përfunduar,zotëria pa emër që e ka shkruar,të lë përshtypjen se jetojmë në një shtet që nuk ka korrupsion,sepse i ka të gjitha masat për të mos ndodhur!!
      unë për vete e lexova si një mësim se si mund të bëhet korrupsioni,dhe aspak si një shkrim që sjell në pah realitetin!
      varianti i paraqitur nga artikullshkruesi është një variant që mund të zhvillohet në një shtet ku ligji zbatohet,por jo në shqipëri!!
      duke filluar me grupin teknik që ka paraqitur projektin!!
      në shqipëri veprimi i parë që do të bëhej për të arritur në pazarin korruptiv do të ishte goditja,më mirë të themi kërcënimi me pushim nga puna i këtij grupi!!është tmerrësisht e vështirë,për të mos thënë e pamundur,që të gjesh njerëz në administratën shtetrore që të jenë kaq të vendosur sa e përshkruan zotëria artikull shkrues!!
      antonio,ajo që shkuran ti më pas,pra diktati i të parit,ka sjellë tërë pasojat që përmënda më lart!
      pra i pari zgjedh shpurën dhe shpura lakejt e saj!kështu që dhe bindja është e tillë!kemi gjihtnjë përjashtime,të kuptohemi!por këto përjashtime ata i zgjidhin shumë shpejt!me pushime nga puna dhe zëvëndësime me “jes man”!!
      ps:sa për braçen dhe “problemet” që ai ngrë!?është një lojë sa e bukur aq dhe e hollë,por po ta kuptosh,ndryshon drejtim!këthehet në të shëmtuar e të trashë!!
      “problemet që ngrë”braçja,janë thjesht të pallogaritshme,por në këtë moment ai fiton besueshmëri në masën e gjërë!në momentin që ai duhet të ngrihet për një problem me të vërtet të rëndësishëm!?
      ai bën të kundërtën!del në krah të qeverisë!dhe njerzit bien squk si klloçka!sepse kur një kritik i përhershëm i krahut të tij(vlersohet i ndershëm) e mbron momentin!? do të thotë se momenti,ngjarja është e drejtë!!

      Reply to this comment
  5. SOLAR1 October 13, 22:33

    analize fantastike

    Reply to this comment
  6. Gzim Kulufi October 17, 19:13

    Mire keto shkalime qe tentojne firmat private tek normativat e specialisteve, se keto behen ne te gjithe boten, sic edhe behet kundershtimi i grupit te specialisteve ndaj ketyre tentativa per ti shkaluar normativat teknike, por me beri pershtypje se si keta idiote te firmes K kane harxhuar gjithe ate kohe e gjithe ato para per te blere ata te KVO-s, te KPP-s, te speialistit dhe laboratorit te U-s, ne vend qe ti perdornin per prodhimin e mallit te kerkuar nga institucioni Z!?!
    Dicka tjeter qe me beri pershtypje, pse shteti u kerkon firmave pjesmarrese ne tender te derdhin 0,5 % te vleres se pageses shteterore, duke patur aty parasysh se vetem njeres do ia ktheje kete sasi paraje, ndersa te tjerave do ua mbaje, (me c’te drejte?!), nderkohe qe shteti fare mire mund tu kerkoje atyre nje deftese te depozitave te tyre ne banke, keshtu verifikon sasine e parave te njeres e tjetres firme?!? Pra, edhe shteti tregon se eshte nje shtet grabites!

    Reply to this comment
  7. lalai October 17, 19:37

    Të gjitha investimet që janë bërë e po bëhen janë KORRUPSION!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*