Një ditëlindje me pavarësinë

February 15, 2018 11:40

Një ditëlindje me pavarësinë

Nga Ramazan Çeka

Revista “Gjakova Press” të shtunën që kaloi, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë shënoi 10-vjetorin e daljes së numrit të parë që lidhet edhe me 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo revistë lokale që del për publikun një herë në muaj me kontributin e saj e gjen veten si një pjesë e pandashme në historinë e re të qytetit ku lindi dhe përmes faqeve të saj ajo ka pasqyruar gjithmonë ngjarje të rëndësishme, informacione dhe shkrime të tjera që kanë vënë në pah vlerat e qytetit të Gjakovës, por edhe më gjerë në fusha të ndryshme historike, ekonomike, sociale dhe kulturore për qytetin, Kosovën dhe mbarë kombin.

Botuesi i revistës Zeki Vehapi tha se rrugëtimi 10-vjeçar i revistës ka qenë i mbushur me suksese, por edhe me vështirësi që në hapat e parë e deri më sot.

Por, siç u shpreh ai në fjalën e tij të hapjes së këtij aktiviteti, mbështetja e kolegëve, intelektualëve, studiuesve, por edhe të qytetarëve ka qenë një ndihmesë e madhe për të shprehur vlerat e Gjakovës, jo vetëm historike, por edhe bashkëkohore, vlera që ndonjëherë janë lënë në harresë. Këto vlera të këtij qyteti kaq të njohur kanë qenë në punën tonë frymëzim dhe shtysë që revista prej 10 vjetësh të ecë në rrugën e saj, të lexohet dhe të bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetit.

Në faqet e revistës “Gjakova Press” gjatë kësaj dekade janë botuar qindra shkrime interesante e me vlera në fushën e kulturës, historisë, trashëgimisë popullore të kësaj treve, duke u përpjekur të pasqyrojnë një pjesë të identitetit të këtij qyteti, qendrës së Malësisë së Gjakovës me të gjitha karakteristikat e trevës me dije e trimëri, me penë e me pushkë, krah të gjithë trevave kosovare e kombëtare.

“Shpresojmë u shpreh në fjalën e tij z.Vehapi, që revista jonë, falë dëshirës dhe përkushtimit të stafit të saj, ia ka arritur këtij qëllimi. Për këtë vlerësimet më të drejta dhe kritiku më i mirë ka qenë gjithmonë lexuesi ynë besnik”.

Dhe me të vërtetë revista “Gjakova Press” në rrugëtimin e saj 10-vjeçar, me shkrimet e saj, nuk ka munguar në duart e qytetarëve gjakovarë, nuk ka munguar në diskutimet dhe opinionet e tyre.

Për vlerat e këtij botimi periodik njëmujor, për vlerat e përmbajtjes së tij dhe tematikat që trajton, në këtë takim jubilar u shprehën edhe personalitete të ndryshme jo vetëm të fushës, ku mund të përmendim prof. Masar Rizvanolli e Besim Këpusha, Migena Arllati, Ibrahim Hajdarmataj, por edhe lexues e dashamirës të revistës, të cilët përgëzuan drejtuesit dhe redaksinë e saj për vazhdimësinë prej një dekade që “Gjakova Press” ta përçojë edhe në të ardhmen tek lexuesit mesazhin e saj, pavarësisht rrethanave të vështira financiare, jo të vogla, siç ndodh shpesh me iniciativa të tilla.

Kjo mbijetesë vjen në radhë të parë falë punës së mirë të stafit, të gazetarëve dhe të bashkëpunëtorëve, shpesh dhe vullnetar, të cilët janë kontributi më real që revistën “Gjakova Press” ta sjellin deri këtu që të festojë 10-vjetorin e lindjes së saj.

Për këtë u nderuan me mirënjohje të veçanta për kontributin e tyre shumë bashkëpunëtorë. U nderua Komuna e Gjakovës, pa kontributin e së cilës nuk do të botohej revista, duke mundësuar që një numër i madh i kësaj reviste të shpërndahej falas.

U nderua me mirënjohje prof. Masar Rizvanolli, Akademik Esat Stavileci “pas vdekjes”, Myrteza Xajë Nura, si dhe Halil Haxhosaj.

Një mirënjohje e veçantë iu akordua edhe fotografit të shquar Shkëlzen Rexha, që ka bërë gjithashtu edhe dizenjimin e revistës “Gjakova Press”.

Siç e thamë më lart sfida më e madhe për vazhdimësinë e daljes në dritë të kësaj reviste lokale, mujore, mbetej përsëri çështja financiare, pasi ajo pas botimit në pjesën më të madhe shpërndahet falas dhe në këtë aspekt botuesit kërkuan mbështetje nga Komuna dhe bizneset e qytetit, të cilët ashtu si deri tani mund ta mbështesin edhe në të ardhmen vazhdimësinë e saj.

Në këtë kontekst botuesi Zeki Vehapi uroj që revistën ta presin ditë më të mira, në mënyrë që kjo revistë të vazhdojë të jetë një dritare, jo vetëm e pasqyrimit të historisë dhe traditës gjakovare, por edhe e problemeve të përditshme të qytetit.

“Unë shpresoj, tha ai, se “Gjakova Press” do të mbajë, falë jush, të njëjtin ritëm edhe në vitet e ardhshëm”.

Z.Zeki Vehapi pasi bëri një pasqyrë të detajuar të punës 10-vjeçare, veçoi disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj reviste si: Agim Byci, Besim Këpusha, Sali Vula, Murat Gecaj, Besim Dyla, Blerim Vula, Kastriot Shedadi, Nesim Vula, Migena Arllati, Samile Haraçija, Ilir Hajdari, Megjid Yvejsi, Shani Hoxha, Agim Gjakova, Mazllum Saneja, Engjell Berisha, Ruzhdi Sefa, Agim Jaka, Emin Rizvanolli, Alban Dobruna, Ramazan Çeka, Albert Baraku, Ibrahim Hajdarmataj, Hajrullah Hana, Nexhat Dula, Ideal Gola dhe shumë të tjerë, të cilët i falenderoi për bashkëpunimin.

Në adresën e këtij aktiviteti erdhën shumë uime të përzemërta, shumë mesazhe nga personalitete dhe bashkëpunëtorë, ku mund të veçojmë urimin e prof. Murat Gecaj, publicist dhe studiues, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.

I ftuar nderi në këtë aktivitet ishte edhe gjakovari i “thekur”, profesori i etnologjisë dhe folklorit, Behar Arllati, i cili është edhe një ndër bashkëpunëtorët e parë të kësaj reviste, por asnjëherë i shkëputur prej saj.

Unë, autori i këtij shkrimi, nuk mora pjesë në këtë takim si një gazetar, por si një mik dhe bashkëpunëtor i kësaj reviste, ku herë pas here kam botuar shkrime, sidomos për veprimtari të ndryshme kulturore dhe artistike në Kosovë, por veçanërisht për qytetin e Gjakovës, për atë qytet, ku unë gjithmonë ndjehem i ndruar.

Me këtë rast nuk kam si lë pa përmendur edhe televizionin “Syri Vision” i Gjakovës me drejtuesen e programacioneve kulturore simpatiken Lili Pylla, e cila komentoi dhe pasqyroi këtë aktivitet.

Ky takim, ashtu siç e kanë traditë gjakovarët, u bë më i këndshëm me pjesëmarrjen e artistëve të mrekullueshëm vendas që e ilustruan atë me interpretimet e tyre nën drejtimin e z.Skënder Gola, drejtor i Radio Gjakovës, por kënaqësi e veçantë ishte të ndiqje performancat e kitaristit të ri Shend Doli, i ardhur enkas në këtë aktivitet nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jkova”.

Aktiviteti u mbyll si një festë e gëzuar mes miqsh, kolegësh dhe bashkëpunëtorësh me ide të kristalizuara për vazhdimësinë e kësaj reviste, që tanimë mund të quhet e aftë për ta vazhduar këtë rrugë në shërbim të qytetit.

February 15, 2018 11:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*