Një dramë për tragjedinë e Otrantos

Pano Hallko May 27, 2015 22:50

Një dramë për tragjedinë e Otrantos

Shkrimtari Alessandro Leogrande, i mirënjohur në Italinë fqinje si shkrimtar “rebel” që ngrihet kundër sistemit dhe shtetit të vet, kur shikon se ai, pra shteti i tij, është i padrejtë qoftë edhe me të huajt, i ngacmuar fuqishëm nga tragjedia e Marsit të vitit 1997, e mbiquajtur si tragjedia e Otrantos, u ul e shkruajti një dramë me titull “Katër i Radës”- “Il Nauragio”. Leogrande ka shkruar disa libra, madje edhe një libër për refugjatët afrikanë që punojnë këto vite si skllevër në fushat e Italisë, pa siguracione e … “me bukë në gojë”, siç thoshin bejlerët dhe agallarët tanë të vjetër, me të cilët këta të sotmit tanët ngjajnë si dy pika uji…

E kush më mirë sesa një kompozitor shqiptar, madje nga Jugu ku ndodhi tragjedia, do të mundte “ta qante”(edhe jashtë thonjëzave) me notat e pentagramit, revoltën e Leograndes? Ky është kompozitori i mirënjohur në Itali(por edhe në Shqipëri tanimë), Admir Shkurtaj.

Në fillimtetorin e vitit të kaluar, gazetat italiane që ndoqën Bienalen e Venecias, përmes opinioneve të personaliteteve më të larta të artit italian, por edhe të jetës politike e shtetërore atje, u shprehën me notat më të larta të vlerësimit për muzikën e kësaj Opere.

Kryesisht theksi në të gjitha vlerësimet vihej në faktin që kjo Opera përbënte një risi për vetë Italinë, pasi ishte kompozuar si një vepër postmoderniste, në ndërthurje të elementëve të kohëve të lashta, me këto të kohëve moderne.

OPERA, PA NJË TË NGJASHME MË PARË

I vetmi shkrimtar shqiptar postmodernist, shkrimtar që lëvron një tjetër lloj Letërsie, këto 20 vitet e fundit, është intelektuali shumëplanësh dhe mendimtari-ndër dy-tre që kombi ka të tillë, Moikom Zeqo. Për letërsinë e tij(Letërsi Moikomiane), autori i këtyre radhëve ka shkruar më parë, e këtu nuk është vendi.

Por ka ndodhur, jashtë kufijve të këtij vendi, në Itali, që një kompozitor shqiptar, të bëjë diçka të ngjashme në muzikë, me Letërsinë e Moikomit. Pra, një muzikë postmoderniste, shkroi muzikën e një Opere pa një të ngjashme në të kaluarën, as në Itali. Nuk mund të di,nëse dikush tjetër në këtë vend, do të “detyrohet” të shkruajë edhe për…“Muzikën Admiriane”, le ta shprehim kështu, për paralelizmin e fenomenit.

Pyetje: Si e përjetuat ju shqiptarët në Itali tragjedinë e Otrantos, por edhe si lindi tek ju muzika e kësaj Opere të veçantë?

Mund të them se ne në Itali e kemi përjetuar shumë më rëndë sesa shqiptarët me banim në Shqipëri, thuajse njësoj me familjet e tyre. Të gjithë ne, pa përjashtim, pa dallim niveli intelektual apo arsimor, kështu e kemi përjetuar. Sepse mjaftonte një pyetje e thjeshte në dukje, që secili ia bënte vetes: -Po sikur të ishte goditur anija me të cilën ika unë(dmth cilido prej nesh)?!? Pra nuk kishte nevojë të thellohej më shumë njeriu nbë analiza. E përgjigja sigurisht ishte:- Po! do të kishim përfunduar në fund të detit, si ata.

Ky përjetim i imi atje, ishte edhe thëngjilli i strukur thellë në shpirtin tim, një thëngjill që priste aty me vite, derisa… më ra në dorë drama e shkruar për këtë tragjedi. Aty i thashë vetes: -Ulu dhe bëje këtë punë, shkruaje këtë muzikë, se përveç teje askush nuk mund ta bëjë, se askush nga muzikantët italianë, me gjithë keqardhjen që ata përjetuan si artistë, nuk kishte udhëtuar në tragete të tilla, e për hall të tillë, por mbi të gjitha, nuk u goditën ashtu fatkeqët e Otrantos.

Vajtimi në nota kishte vite që ndodhte brenda meje. Thjesht, shkëndija e shpërthimit të flakës, ishte vepra e shkruar nga Leogrande.

Pyetje: Përveç notave, ju aty keni sjellë një lloj tjetër vajtimi, grupin e mirënjohur të Nazif Çelës, grupin e Lapardhasë. Si e gjeti veten grupi aty?

T`ju bëj një korrigjim në pyetjen tuaj: Nuk mund të quhet “një lloj tjetër vajtimi”, siç e cilësuat ju. Melodia e Nazifit, është vetë Mëma e vajtimit, janë rrënjët tona të shtrira ndër shekuj, në fillesat e racës sonë, qysh kur u zu bota njerëzore. Nazif Çela me violinat e tij, është qershia mbi tortë në atë vepër operistike. Logatja e burrit, ashtu si edhe vajtimi me ligje i grave-vajtojca, që janë tipar i shqiptarit në morte të rënda, por kryesisht në jugë të vendit, janë më të parat nota me të cilat njerëzimi ka shprehur dhimbjet e mëdha. Ashtu siç Nazifi është unikal edhe për këngët epike, lirike, të çdo lloji.

Muzika është një nga artet më sublime të njerëzimit. Asnjë pamje dhe figurë e jashtme nuk e shpreh shpirtin njerëzor, më mirë se zëri muzikor aq lakuriq, saqë ne të përfytyronim, sido që të shfaqet pamja e saj, të cilën nuk mund ta japë fjala vjen, fizionomia e njeriut, që në këtë ose atë mënyrë nuk ka sesi të çlirohet edhe nga ngurtësia e lëndës trupore. Gjuha e çdo populli kur strukturohet në këngë, pra bëhet sintezë me muzikën, përshkon kohët dhe përmes tyre më shumë se me ndihmën e ligjeve e të statuteve njerëzore, ruan jetën dhe fizionominë e vet. Epika tetërrokëshe, lirika njëmbëdhjetërrokëshe, e shumë të tjera janë baza e këngën folklorike ato këngë ruajnë sekretet e shekujve. Lashtësia mund të mbijetojë nëpërmjet muzikës. Sepse muzika me renditjen e larmishme të kohëve të saj, mund të simbolizojë harmoninë dhe lëvizjen e njerëzve dhe sendeve në hapësirë, e mund të imitojë tingujt e tyre. Kjo ishte arësyeja që unë trupëzova në grupin e artistëve Nazif Çelën me ivolinat e tij.

Vëllimi i kohës që ze grupi i Lapardhasë në Operan në fjalë, është i vogël, në kufijtë e pak minutave.

Por pesha emocionale dhe ana cilësore në këtë vajtim të dy popujve, është jashtëzakonisht e madhe. Asnjë lloj instrumenti muzikor në botë nuk mund të realizojë atë që realizojnë kordat zanore të atij njeriu, pra të Nazifit, por edhe të shokëve të tij të këngës.

Pyetje: Po disa fjalë që fliten shqip në Operan tuaj?

I paharruari, mjeku i varfër por i zellshëm francez Robert D’Angely, që ka jetuar në fund të shekullit XIX në trojet shqiptare, poliglot i hatashëm, i dashuruar marrëzisht dhe me të drejtë pas gjuhës shqipe, në një kryevepër filologjike dhe historike të botuar post mortum, ka vërtetuar se dy fjalët për fatin, që lamat përdorin akoma dhe sot në ritualet budiste, janë dy fjalë pellazge, ose shqipe. Lamat, që kryejnë shërbesat në Indi dhe në Tibet, kanë një metodë magjike për lehtësimin e ikjes së shpirtit nga trupi i njeriut në agoninë e vdekjes. Përdorin të kombinuara, në mënnyrën e tyre, një grup fjalësh.

Këto fjalë janë “Hik”, që ka po atë kuptim në shqip: “Nisu” dhe “Fet”, që do të thotë prapë si në shqip: “Shpejt”.

ADMIRI, NUK “MBIU NGA DHEU”

Këto ditë, trupa e Teatrit “Koreja” erdhi në Tiranë, e kjo Opera u luajt në sallën e Akademisë së Arteve.

Mbarë publiku shqiptar e njohu Admir Shkurtin përmes një Emisioni, ato ditë që u dha shfaqja. Por nën “terrorin” e kohës televizive-shoqëruar edhe me modestinë e muzikantit, shumë pak gjëra mësuan njerëzit rreth tij…

… U linda në Tiranë, e arsimin tetëvjeçar e kreva në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Qysh në klasën e shtatë, u futa në rrethin e Muzikës për fizarmonikë. Ato vite ishte hapur një Shtëpi e madhe Pionieri në lagjen tonë, aty afër Juridikut. Pastaj në Lice u futa me konkurs. Ashtu siç me konkurs u futa në Konservator në vitin 1989. Por i ndërpreva studimet në vitin e dytë, sepse në muajin Mars të 1991-it, ika me vapor nga Durrësi, si shumica e bashkëmoshatarëve të mi, drejt Italisë.

Si për dhjetëramijë të tjerë, edhe për mua nisi kalvari i emigrantit, në luftë për të siguruar mbijetesën. Por ëndrra për muzikën sa vinte e bëhej edhe më gjumëprishëse. Në Institut-kështu e quanim atëherë Akademinë e Arteve, vazhdoja për Kompozicion. Punoja me profesor kompozitorin e mirënjohur Thoma Gaqi. E vërteta është se në atë kohë në shkollën tonë punohej shumë, lëvrohej muzikë në të gjithë zhanret, kryesisht në muzikën e lehtë punohej seriozisht. Patëm mësues dhe pedagogë shumë të aftë dhe të përkushtuar. Nëse do të filloj të sjell emra, do të bëhej një listë e gjatë.

Në këtë kuptim, unë isha i kompletuar në njohuri dhe në aftësi si muzikant, pavarësisht se aftësimi kurrë nuk mbaron. Por mua më duhej të bëja edhe një transformim, në kuptimin e përshtatjes, pasi dihet nga të gjithë se Italia ka nivele shumë të larta në muzikë. Kështuqë m`u desh t`u rikthehesha thuajse nga fillimi shumë gjërave, me një fjalë e rinisa dhe e përfundova atje Konservatorin.

ITALIA PRANON “LEKSIONIN”

Janë të shumta gazetat italiane që vlerësuan me notat më të larta përmes gojës së personaliteteve më të larta të artit atje, Operan postmoderniste, e kryesisht muzikën e Amdir Shkurtit.

“La Stampa”: …Festivali i 58 i muzikës bashkëkohore pati një mbyllje shumë domethënëse me “Kater i Rades – Il Naufragio”, opera e Admir Shkurtit, me libret të Alessandro Leogrande; është historia e vërtetë e një tragjedie detare, mbytja e një anieje me 120 shqiptarë në bord, në kanalin e Otrantos në mars të vitit 1997. Një bashkëprodhim midis Biennale Venezia dhe Teatrit Koreja(drejtori i të cilit, Salvatore Tramacere, firmos regjinë e operës).

Kompozimi i A.Shkurtaj godit në shenjë për “xhveshjen lakuriq te ngjarjes”, për fat të keq shumë aktuale në ditët tona, në një mozaik gjuhësh vokale; polifoni-jazz-puntilizem-madrigali-goditje fyti-bërtitje-recitativ-melodi të thjeshta, pastaj në një shumëllojshmëri të tillë gjuhësh, e pa asnjë retorikë. Emocionet vijnë nga rigoroziteti i konceptimit, nga goditjet skenike të brendshme. Shpresojmë që kjo operë me një sukses kaq të lartë, të vazhdojë të ketë të njëjtin fat me të cilin përshëndeti Venecien, në të gjitha skenat e Italisë dhe të botës”, përfundon “La Stampa” .

Gazetarja Xhulia Vanoni në shkrimin e saj do të vlerësonte:

.. “Mënyra e shkrimit të Admir Shkurtit bashkon vizione të stërlashta popullore që i përkasin polifonisë së Jugut të Shqipërisë, me zërat elektronikë, të konceptuara si një “zgjatje” të zhurmës së ujit dhe të llamarinave të anijeve.

Maria Marzo, mezosoprano në rolin e një tjetër mamaje me emrin Liria, por edhe zëri eksperimental i Stefano Luigi Mangia në rolin e djalit Ermal. Ky i fundit, i vetmi i mbijetuar. Me këta bashkohen tre aktore ne skene; Emanuela Pisicchio, Anna Chiara Ingrosso e Fabio Zullino. Të gjithë këtyre u bashkohet edhe grupi polifonik i Lapardhase. Gjuha Italiane, që prej kohërave është gjuha e Operës, ndërlidhet me gjuhën shqipe që për veshët tanë ka një vlerë të veçantë. Këta zëra të përzier me veglat muzikore, materializojnë herë zërat e luftes, herë ato të komandës ushtarake italiane, e herë tjetër fjalët e nënave që luten duke shtrenguar në gjoks bijtë e tyre”…

“La Nuova”: Me penën e Massimo Contiero kjo media shkruan:

“Kështu, evenimenti i mbylljes i është besuar Admir Shkurtaj, një muzikat Shqiptar, edhe me arsimim italian. Esekucioni i parë dhe absolut i veprës “Kater i Radës”, vendosi me një pjesëmarrje të zjarrtë dramaticitetin e aktualitetit të emigrantëve dhe vdekjet në “karrocat” e detit.

Me një dorë të sigurtë kompozitori përzien këngë recitative, vaje, bërtitje, këngë djepi, akte jazzi, zhurma dhe ndërhyrje të grupit të Lapardhasë. Një elektronikë rudimentale ka “agresuar” spektatorët të mbërthyer prej fyti nga një emocion i jashtëzakonshëm.

Me përzierjen e tri gjuhëve, ngërthyer me muzikën plot ankth fitoi vlera libreti veçanërisht i vlefshëm i Alessandro Leogrande. Ky libret, është nxjerrë nga romani-reportazh “il naufragio” i edituar nga Feltrinelli. Regjia e S. Tramacere është bazuar te një karro- anije brenda së cilës ka mbyllur protagonistet. Suksesi qe i plotë!…

“Il Gazzettino” Me penën e Mario Messinis, nën titullin “Biennale musica, bilanci në bardhë e zi” shkruan:

U mbyll edicioni i 58 i “Biennale Musica”. I gjallë mbeti kujtimi i mbremjes finale të shfaqjes së parë absolute të “Kater i Rades” Suksesi i kësaj opere të A. Shkurtaj, shpjegohet me efikasitetin e vokacionit- pa retorikën e zakontë që karakterizon punë të kësaj natyre. Një tragjedi e jetuar në edhe në vetë të parë.

Të habit dramaturgjia e apasionuar e folklorit, e rivënë dhe aktualizuar tek instrumentet dhe tek elektronika, e cila rrit edhe më shumë tensionin, jo në mënyrë abstrakte, por shumë reale. Si mbyllje, mbas katastrofës lind një apel koral shume sugjestiv dhe ngushëllues.

“Quotidiano”: Në vlerësimin e penës së Eraldo Martuccit vlerëson:

“Admir Shkurtin, thotë Ivan Fedele, drejtori i sezonit të muzikës së “Biennale Venecia” dhe partiturën e tij i karakterizojnë sugjestionet muzikore, të cilat e kanë intriguar qysh në moshë të re. Dashuria për tokën e tij dhe për artin e atdheut, duket në pasionin për elemente muzikore të traditës, ashtu si edhe interesi për muzikën e improvizuar që bashkohet në mënyrë shumë origjinale me musikën e shkruar. Muzikë e pasur nga ana tingullore dhe me leksikun e avanguardës, por edhe bukuria arkaike e korit polifonik të Lapardhasë. Kjo është një vepër për të cilën ne jemi krenarë”!

Do të duheshin faqe të tëra për të sjellë në këtë shkrim vlerësimet e shumta që shtypi italian bëri për këtë muzikën e kësaj Opere, një muzikë e pashkruar më parë.

VLERËSIMI I PROFESORIT..

Vlerësimet e Italisë Admir Shkurti i përjetoi në Tetorin e kaluar, por edhe në vazhdim kur ka kritika për artin atje. Por…

… “Vlerësimi më i ngrohtë, më profesional, më përshtypjelënës për mua, ishte ai që mora në sallën e Akademisë së Arteve, nga Profesori im, Thoma Gaqi. Është njëherazi edhe vlerësimi më lakonik.

Në çastin që kë shtrëngoi dorën, më tha vetëm pak fjalë: “Të lumtë! Çdo gjë e kishe me masë”.

Pyetje: Cili është mendimi juaj për ikjen e shqiptarëve ende sot?

Askush nuk ikën nga e mira. Më vjen shumë keq. Nuk më intereson fare politika, e asnjëri nga krahët e saj. Por dihet, se është vepër e saj kjo ikje. E kam të vështirë për të shtjelluar më tej, nuk merrem fare me politikën. Sepse përgjithësisht, shkoj me thënien e Davidit në Psalmin e tij, që thotë:

“Vaji i mëkatarit, mos e leftë kokën time” …

 

Pano Hallko May 27, 2015 22:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*