Një elefant mes Greqisë dhe Shqipërisë

May 5, 2014 13:10

Një elefant mes Greqisë dhe Shqipërisë

Çfarë përfaqëson studimi që po botojmë sot?

Ekspertët e njohur anglezë, James Pettifer dhe Miranda Vickers trajtojnë çështjen çame me një studim të ri, duke ofruar kontekstin dhe perspektivën e këtij problemi shqiptaro-grek në kushtet e reja . Në këtë studim trajtohet në mënyrë të veçantë i ashtuquajturi “Traktat i Miqësisë” i lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë afro dy dekada më parë. Sipas studiuesve anglezë, ky traktat ishte një kurth i rrezikshëm ku i futi Berisha marrëdhëniet mes dy vendeve dhe tradhtia që ai i ka bërë çështjes çame, e cila nuk përmendet fare në traktat.  Ky kurth i Berishës bën kontrast të fortë, kur mendon se ndër liderët politikë të post-komunizmit, ai sillej dhe si flamurtar i interesave çame apo si “lider i mbështetur masivisht nga komuniteti çam”. Gjithashtu fryt i këtij traktati ishte dhe marrëveshja për kufijtë detarë, që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.  Fragmenti që po botojmë është shkëputur nga libri më i ri i tyre “Çështja çame: etapa e re”, publikuar ditët e fundit në shqip dhe anglisht nga shtëpia botuese “Naimi”. Aty analizohen zhvillimet më të fundit të çështjes çame, ende e pazgjidhur nga diplomacia dhe politika. Sipas studiuesve, heqja e Ligjit të Luftës nga ana e Greqisë është një çështje emergjente dhe do të shënojë një perspektivë të re për problemin çam. E rëndësishme është të thuhet se për herë të parë Vickers dhe Pettifer nënvizojnë se çështja çame nuk mund të zgjidhet vetëm nga Greqia dhe Shqipëria, por me ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare, nën udhëheqjen e qartë të Shteteve të Bashkuara.

ekspertët anglezë të  çështjes shqiptare  Miranda Vickers E dhe James Pettifer

Ekspertët anglezë të çështjes shqiptare Miranda Vickers dhe James Pettifer

* * * 

Miranda Vickers dhe James Pettifer

Sfondi historik

Ky studim përqendrohet në zhvillimet e fundit që prekin popullatën etnike shqiptare në veri-perëndim të Greqisë, të njohur si çamë. Komuniteti shqiptar i çamëve ka ekzistuar në këtë pjesë të Greqisë që prej antikitetit dhe, për shumicën e periudhës së historisë së tij, ka bashkëjetuar me fqinjët grekë, romë dhe vllehë pa vështirësi, deri në periudhën e ekspansionit dhe irredentizmit nacionalist grek në fund të Perandorisë osmane, kur çamët ishin objekt i diskriminimit dhe persekutimit sistematik. Nacionalistët grekë kërkuan gllabërimin e Shqipërisë jugore deri në lumin Shkumbin, me pretekstin e ‘Epirit të Veriut ‘ dhe rrjedhimisht ta pushtonin.

Gjatë Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913 dhe, më vonë, nën diktaturën e gjeneralit Metaksa në vitet 1930, shumë çamë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre, së bashku me shqiptarë dhe minoritete të tjera rezidente. Që nga ajo kohë, shqiptarët e krishterë jo-ortodoksë të mbetur në Greqi konsideroheshin nga grekët si armiq. Çamët shqiptarë ortodoksë i ishin nënshtruar asimilimit të dhunshëm kulturor dhe ndërrimit të identitetit, ndërkohë që emrat origjinalë shqiptarë të shumë qyteteve dhe fshatrave filluan të zëvendësoheshin gradualisht me emra grekë.

Çështja Çame është shumë e ndërlidhur me perceptimet historike greke, të cilat ende vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, në lidhje me ndjeshmërinë e kufirit verior të Greqisë. Kufijtë aktualë të Greqisë veriore janë krijuar me anë të luftës. Në historinë bashkëkohore greke, veriu ka qenë gjithmonë rajon i paqartësisë dhe pasigurisë, ndërsa e ardhmja e tij ka qenë përcaktuar shpesh nga veprimet ushtarake, sikurse ndodhi  në periudhën e Luftës Civile Greke (1943-1949). Në këtë rajon ka pasur konflikte të mëdha sociale gjatë dhe pas periudhës së sundimit të Ali Pashës në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndërsa në përgjithësi rajoni Çamëri/Epir ishte një teatër i rivaliteteve perandorake britanike -franceze në Mesdhe, si dhe në lidhje me krizat e gjata të shekullit të nëntëmbëdhjetë mbi të ardhmen e ishujve jonianë, kryesisht Korfuzit dhe qytetit port të Pargës.

Pas aneksimit të Epirit/Çamërisë nga ana e Greqisë në vitin 1913 dhe trevës së sotme greke të Maqedonisë, si dhe më vonë (1920) të Thrakës Perëndimore, Greqia mori një popullsi të madhe shqiptarësh, sllavësh, turqish dhe banorë të tjerë jo-grekë. Prania e kaq shumë trevave të banuara kryesisht nga jo-grekë që jetojnë në afërsi të kufirit konsiderohet armiqësore për interesat kombëtare duke shkaktuar ankth tek zyrtarët grekë. Edhe shkëmbimi masiv i popullsive midis Greqisë dhe Turqisë në vitin 1922 bëri shumë pak për ta bindur Athinën mbi sigurinë e kufirit verior të Greqisë. Dëbimet me dhunë të çamëve që pasuan në vitin 1930, si dhe midis viteve 1944-1945, ishin një përpjekje për të zhdukur popullsinë shqiptare nga Çamëria/Epiri dhe për ta zëvendësuar atë me vllehë dhe popullsi greqisht-folëse nga pjesë të tjera të Greqisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një përpjekje për të krijuar një rajon kufitar etnikisht të pastër grek, rreth 35-40.000 çamë u dëbuan me dhunë nga Greqia e veriut nga forcat guerile EDES të krahut të djathtë të Gjeneral Napoleon Zervës. Dëbimi i tyre u pasua në qershor 1944 me masakrën e rreth 600 shqiptarëve çamë burra, gra dhe fëmijë në zonën e Paramithisë. Vrasje të tjera masive të çamëve ndodhën edhe në qytetet e Pargës, Spatarit dhe Filatit. Autoritetet greke mandej miratuan një ligj që sanksiononte shpronësimin e gjithë pasurive çame, ndërsa gjuha shqipe nuk u lejua të flitej në publik dhe as të mësohej në shkolla. Shumë qytete dhe fshatra u detyruan me forcë të të helenizonin emrat e tyre, ndërsa struktura demografike e Greqisë veri-perëndimore u ndryshua më tej nga futja e të ardhurve nga pjesë të tjera të Greqisë, veçanërisht të vllehëve, të cilët inkurajoheshin të nguliteshin në fshatrat e braktisura çame, pa të drejtë ligjore të pronësisë.

libriPër gati 70 vjet çamët dhe pasardhësit e tyre kanë kërkuar njohjen e këtyre ngjarjeve dhe kompensimin për të drejtat e tyre kombëtare dhe pronësore në Greqi. Gjatë 20 viteve të fundit çamët kanë ndërmarrë fushata të ndryshme duke u përpjekur të nxisin të dyja qeveritë, greke dhe shqiptare, për të trajtuar problemet e tyre. Megjithatë, deri më sot, qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare zyrtarisht janë shmangur për ta detyruar Athinën të përballet dhe të diskutojë çështjen çame, ndërsa Greqia ka refuzuar vazhdimisht të hyjë në negociata mbi këtë çështje, duke argumentuar se nuk ka çështje çame. Diskriminimi i qeverisë greke është bërë edhe më anormal në Evropën bashkëkohore, ku Bashkimi Evropian (BE) i ka dhënë qytetarëve shqiptarë të drejtën e udhëtimit pa viza. Megjithatë, si një vend anëtar i BE-së për shumë vite, Greqia ende nuk i lejon të hyjnë atje qytetarët shqiptarë me origjinë çame, të cilët kanë lindur në Greqi. Kështu çamët e moshuar nuk janë ende në gjendje të kthehen në Greqi për të vizituar trojet e tyre të lashta dhe pronat e tyre, si duke u vulosur persona non grata në pasaportat e tyre, apo edhe me raste edhe duke ua grisur. Edhe pse përdorimi i shqipes si gjuhë e ligjshme është përmirësuar në Greqi, ka ende shumë vështirësi me të cilat përballen qytetarët grekë me origjinë shqiptare, të cilët nuk janë njohur si një pakicë etnike nga shteti.

Tashmë ka rreth 250.000 çamë në Shqipëri dhe afro 400.000 në diasporë në vende të ndryshme. Pavarësisht dhënies së shtetësisë shqiptare në vitin 1953, çamët ende e konsiderojnë veten të dyzuar, sa grekë aq dhe qytetarë shqiptarë, për shkak se ata janë pronarët ligjorë të pronave të tyre të çmuara në Greqi , të cilat përfshijnë vreshta, pyje dhe toka kullosore, si dhe prona shtëpi dhe tregtare. Përveç pronave të tyre në rajonin e Epirit, çamët gjithashtu zotërojnë toka në qarqet greke të Trikalës, Maqedoninë greke dhe në Thesali. Kolektivisht, pronat në pronësi çame në Greqi janë vlerësuar, sipas mendimit të tyre, në rreth 3 miliardë dollarë amerikanë.

Çamët janë duke bërë fushatë ndaj qeverisë greke për të njohur dhunën e ushtruar ndaj tyre, si dhe për kthimin e pronave të tyre të konfiskuara. Ata kërkojnë të drejtën për të rifituar titullin ligjor për ato prona; të drejtën për të marrë nënshtetësinë greke, duke mbajtur shtetësinë e vendit ku ata banojnë aktualisht; si dhe të drejtën për të jetuar, punuar dhe të udhëtuar lirisht në Greqi, pa pasur nevojë për të marrë viza. Një pjesë e konsiderueshme e çamëve duan gjithashtu shtetësi të dyfishtë – shqiptare dhe greke, ndërsa duan të njihen si shtetas grekë me kombësi shqiptare.

Deri në fund të vitit 2012 kishte shenja ogurzeza që presioni i ngjashëm ishte duke u shfaqur sërish, ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha tha në një konferencë shtypi në dhjetor 2012 se “çështja çame do të zgjidhet në bazë të Traktatit  të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 1995 midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shumica në pushtet në Shqipëri do të miratojë rezolutën në qoftë se ajo është në përputhje me Traktatin e Miqësisë, i cili njeh kufijtë përkatës dhe është një bazë e shkëlqyer për të zgjidhur çështjet. Ky traktat përmban një klauzolë, në të cilën çështjet e pronësisë së shqiptarëve në Greqi dhe të grekëve në Shqipëri janë cituar si çështje teknike dhe se këto do të zgjidhen.” Duke pasur parasysh se nga nënshkrimi i këtij traktati të turpshëm Miqësie kanë kaluar gati 20 vjet, dhe çështja e pronësisë së pasurisë çame në Greqi nuk ka gjetur asnjë zgjidhje, kjo ishte një arsye e mirë për të dyshuar në sinqeritetin e deklaratës së Berishës.

Pavarësisht se përmban referenca të shumta për pakicën greke në Shqipëri, Traktati i Miqësisë nuk e përmend çështjen çame, një temë që kishte kohë që ishte fshirë nga institucionet shtetërore greke. Klauzola 20 deklaron se Traktati do të jetë i vlefshëm për një periudhë 20-vjeçare. Prandaj, para vitit 2016 Traktati duhet të rishikohet, nëse çështja është e detyrueshme nga secila qeveri. Në mënyrë domethënëse, Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit lë jashtë çdo referencë të gjendjes së Ligjit të Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me zgjidhjen e çështjes çame. Ky ligj shumë i diskutueshëm është një nga pengesat kryesore të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme të çështjes çame. Sipas ligjit, Shqipëria dhe Greqia janë ende teknikisht në gjendje lufte.

 

Ligji i luftës

Ligji u miratua në vitin 1940 nga ana e Greqisë, kur vendi u pushtua nga trupat italiane përmes Shqipërisë. Sipas ligjit, pronat e çamëve u konfiskuan nga qeveria greke pasi u konsideruan si prona që i përkisnin “armikut” për shkak të bashkëpunimit të pretenduar të çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Disa çamë sigurisht kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë, por kështu bëri edhe një pakicë e grekëve vendorë, ndërsa një numër i madh i çamëve ka marrë pjesë në forcat anti-pushtuese të Boshtit, kryesisht me partizanët komunistë. Kështu, pozicioni aktual shtetëror grek mbështetet në një shtrembërim të madh dhe thjeshtëzim të tepruar të historisë vendore. Edhe pse kjo gjendje thellësisht e diskutueshme e Ligjit të Luftës u shfuqizua nga qeveria greke në vitin 1987, ajo nuk arriti kurrë të ratifikohej nga parlamenti grek. Çamët argumentojnë se qëkurse pasuria e tyre u konfiskua si pjesë e këtij ligji, nuk është e mjaftueshme për autoritetet greke të deklarojnë të pavlefshëm ligjin – ai duhet të shfuqizuar më parë nga vetë Parlamenti. Autoritetet greke, megjithatë, në vijimësi kanë thënë se as do ta shqyrtojnë dhe as do ta shfuqizojnë Ligjin e Luftës, duke argumentuar se ekzistenca e Traktatit të Miqësisë të vitit 1995 midis Greqisë dhe Shqipërisë e shfuqizon automatikisht atë.

Në një vizitë në Tiranë në nëntor 2012, Ministri i Jashtëm grek, Dimitri Avramopulos është pyetur në një intervistë se pse Greqia nuk e shfuqizon Ligjin e Luftës. Ai u përgjigj: “Sa për gjendjen e Ligjit të Luftës, unë ju kujtoj se Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një Marrëveshje Miqësie dhe Bashkëpunimi në vitin 1995. Ne jemi aleatë në NATO. Në fakt, Greqia mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë qysh në fillim, ashtu sikurse ne jemi mbështetës të fortë të Shqipërisë për bashkimin me familjen europiane. Pra, “gjendja e luftës” është shuar. Ne tani flasim në aspektin e miqësisë dhe aleancës. Tani jemi të dy në të njëjtën anë dhe kjo është se si ne duhet të shohim këto çështje.” Në janar 2013, Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, në bisedime me ambasadorin grek në Tiranë, Leonidas Rokanas, i kërkoi Greqisë të heqë Ligjin e Luftës. “Heqja e Ligjit të Luftës, një ligj i vjetër dhe absurd, do t’i shtyjë marrëdhëniet mes dy vendeve në një nivel të ri,” i tha ai Rokanas.

Në këtë pikë Panariti është i saktë. Asnjë veprim tjetër i Athinës nuk do të bëjë më shumë për të bindur Shqipërinë në sinqeritetin e miqësisë së Greqisë, se heqja e këtij “elefanti të madh në dhomë” në marrëdhëniet greko – shqiptare. Ajo do të heqë, natyrisht, edhe një nga pengesat kryesore që çamët të rifitojnë pronën e tyre greke, e cila është dhe arsyeja pse çështja është kapur në një gjendje të përhershme harrese – aq sa duket se nuk të shqyrtohet kurrë. Duke e lënë situatën çame mënjanë, ky është qartazi një pozicion krejtësisht i papranueshëm për dy vendet fqinje gati 70 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo është padyshim një temë shumë komplekse dhe e errët që duhet të zgjidhet përfundimisht, jo vetëm për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes çame, por edhe në interes të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.

Është gjithashtu çështja e burimeve të mundshme të hidrokarbureve nën shtratin e detit Adriatik në bregdetin e Epirit në kufi me Shqipërinë. Një përpjekje për të caktuar zonat greke dhe shqiptare në shtratin e detit nga qeveria Berisha disa vjet më parë u rrëzua si e dështuar kur linja ndarëse e propozuar e përcaktimit, u pa në Shqipëri se favorizonte fort interesat greke dhe kur ajo u paraqit nga qeveria e Tiranës prodhoi zhurmë dhe protesta të zemëruara në shtyp dhe Parlament

 

Rritja e nacionalizmit agresiv

Për grekët, si dhe për kombet e tjera të Ballkanit, frikërat janë shoqëruar nga referenca të papërgjegjshme për një “Shqipëri të Madhe” që shpesh burojnë nga grupe të ndryshme nacionaliste dhe politikanësh shqiptarë – duke përfshirë kohët e fundit ish-Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Në nëntor të vitit 2012, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos, anuloi një udhëtim në Shqipëri pasi Berisha, bëri atë që grekët e panë si një deklaratë provokative në një tekst të dërguar në një muze për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga sundimi osman. Në tekst Berisha i referohej “Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Presheva në Prevezë dhe nga Shkupi në Podgoricë.” Deklaratat e Berishës u panë me tmerr në Athinë dhe bënë që ministri i Jashtëm Avramopulos menjëherë të anulonte vizitën e tij në Shqipëri. Megjithatë vitin e kaluar, Konsulli grek në qytetin jugor shqiptar të Korçës shkaktoi alarm të njëllojtë në Tiranë, kur ai mbajti një fjalim në të cilën pretendonte se Shqipëria juglindore ishte pjesë e “Epirit të Veriut”.

 

Realiteti i ri në terren

Ndërsa nacionalistët grekë dhe shqiptarë i hedhin të shara njëri-tjetrit, thellë në tokat e banuara dikura nga çamët janë duke ndodhur ndryshime delikate. Nga këto përfitojnë kryesisht punëtorët e shumtë shqiptarë që janë vendosur në veri-perëndim të Greqisë që nga fundi i komunizmit në vitin 1992. Tashmë, me sa duket, ata nuk janë njerëz të frikësuar nga fakti i të qenit shqiptar. Çdokush që viziton Greqinë veri-perëndimore do të vë re boshllëkun e madh të këtij rajoni dikur i banuar me popullsi të dendur, përveç njëfarë prosperiteti në pjesën bregdetare. Vështirësitë ekonomike të Korfuzit, me industrinë e tij turistike që mban peshën më të madhe të ekonomisë rajonale, po ndikojnë Epirin/Çamërinë në përgjithësi. Banorët kanë shitur gjithmonë produktet e tyre bujqësore në ishujt e Jonit. Shumë të rinj grekë preferojnë më mirë emigracionin në krahasim me punën e rëndë bujqësore, ndërsa numri i fermerëve të vegjël dhe blegtorëve është në rënie. Puna në bujqësi ka një imazh jo të mirë midis të rinjve grekë dhe shpesh toka është duke u marrë pa bujë (dhe në mënyrë të paligjshme) nga shqiptarët e ardhur rishtas.

Në brendësi, fshatrat e braktisura prej kohësh dhe trojet janë duke u zhdukur ngadalë nën një bimësi të dendur. Toka e përdorur dikur nga çamët për të kullotur kopetë e tyre të mëdha, tani po kthehet përsëri në pyll, për shkak të ciklit të pafund të shpopullimit që ka karakterizuar historikisht këtë cep të Evropës Juglindore. Kështu trashëgimia gjeografike dhe arkitektonike e okupimit çam në Greqinë veri-perëndimore po shkon gradualisht drejt zhdukjes. Gjatë disa dekadave të fundit ka pasur ndryshime të rëndësishme në përbërjen e popullsisë së Epirit/Çamërisë ndërkohë që ka vazhduar shpopullimi rural. Ndërsa dyzet vjet më parë dikush do të dëshmonte vetëm braktisjen e fshatrave çame, sot edhe shumë fshatra greke kanë humbur banorët e tyre që kanë shkuar drejt qyteteve dhe qendrave më të mëdha të banimit.

Çështja madhore e kufirit ka filluar të paraqitet si faktor i destabilizimit të situatës. Si rezultat i krizës së thellë ekonomike në Greqi, si bazat policore dhe sidomos ato ushtarake greke në Epir janë mbyllur , dhe/ose numri i personelit aktiv është shkurtuar. Kontrollet doganore në zonën kufitare tashmë poroze të Kakavisë gjithashtu janë pakësuar. Megjithatë ushtria greke ka patur sukses në ndërtimin e një rrugë të re të aftë për të mbartur automjete të rënda deri në kufi në sektorin qendror në veri të Filatit, qytetit që në përgjithësi konsiderohet të jetë çelësi ushtarak në rajon. Vendasit e të dyja etnive besojnë se kjo është bërë në mënyrë që të sigurojë ushtrinë greke me një kapacitet të reagimit të shpejtë në raste trazirash që mund të prekin zonat e pakicave greke rreth Sarandës dhe Gjirokastrës në Shqipërinë jug-perëndimore.

Kjo paqëndrueshmëri ndikon jo vetëm kufirin Çam/Epir, por të gjithë gjatësinë e kufirit nga Epiri në Thrakë. Inkursionet shqiptare u debatuan në Parlamentin e Athinës në fund të shkurtit 2013, pas një programi televiziv ku ishin filmuar fshehurazi automjete ilegale shqiptare që lëviznin përgjatë kufirit pranë Leskovikut (në sektorin qendror fqinj me Maqedoninë greke) çdo ditë dhe prisnin pyjet. Kontrabanda ka qenë gjithmonë pjesë e jetës kufitare, por tani ka një mjedis ideal për ta zhvilluar më tej. Presioni i BE-së për të ndaluar migrimin masiv përmes lumit Evros në Thrakën lindore në kufi me Turqinë, ka bërë që personeli grek i sigurisë të transferohet në atë zonë, duke lënë shkretë zonat e tjera veriore kufitare të burimeve. Në këto rrethana vërehet një rrezik i qartë se ndonjë përplasje e rastit mes forcave greke të sigurisë dhe shqiptarëve do të mund të çojë në dhunë serioze dhe gjakderdhje, dhe të tensionojë më tej opinionin publik në të dy vendet.

 

Zgjidhja

Qëkurse çështja çame u hap hyri në debatin kombëtar pas fundit të sundimit komunist në Shqipëri, çamët kanë kërkuar vazhdimisht ndihmë nga qeveria shqiptare, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian për të ndihmuar zgjidhjen e çështjeve të tyre, por pa rezultate të rëndësishme. Ata kanë qenë edhe në Bruksel në një përpjekje për të ndërkombëtarizuar çështjen e tyre, por përsëri pa dobi. Qeveria e re shqiptare ka të ngjarë të shihet si një forcë e moderuar dhe pro-europiane në Athinë dhe në këtë kontekst prioritet kryesor duhet të jetë organizimi i një konference të madhe ndërkombëtare diplomatike për çamët dhe çështje që lidhen me to, për të ecur përpara drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje të vjetër ballkanike. Në një shenjë inkurajuese nga pikëpamja çame, qeveria e re shqiptare bëri një deklaratë të fortë dhe tërësore mbi marrëdhëniet greko-shqiptare në dialogun fillestar me përfaqësuesit e Athinës në nëntor 2013. Ka shumë çështje të pazgjidhura në fushën e kulturës dhe të historisë politike në Greqi që kanë nevojë për vëmendje të dorës së parë. Tekstet shkollore për këtë çështje duhen modifikuar, në Greqi sidomos, dhe kjo çështje duhet të jetë e lidhur me çështje më të gjera të minoritetit shqiptar dhe të të drejtave kulturore në Greqi, duke u mbështetur në atmosferën e tolerancës lokale greke në rritje për pluralizmin kulturor.

Gjetja e një zgjidhjeje për çështjen çame nuk është një problem i pakapërcyeshëm. Kjo është një trashëgimi historike që kërkon një vullnet të sinqertë në emër të të dy qeverive, shqiptare dhe greke, për të kërkuar iniciativa të reja politike për ta zgjidhur atë. Një hap i parë me siguri duhet të jetë heqja e gjendjes krejtësisht të panevojshme dhe të vjetëruar të Ligjit të Luftës. Një dështim i madh i udhëheqjes së Tiranës ka qenë mos këmbëngulja për heqjen e këtij ligji. Nuk ka më kuptim gjithashtu që Greqia të vazhdojnë të pretendojnë se nuk ka çështje çame, dhe se Traktati i Miqësisë i vitit 1996 në njëfarë mënyre i hoqi nevojën parlamentit grek për Ligjin e Luftës.

Kjo temë e paqartë duhet të zgjidhet përfundimisht jo vetëm për të ndihmuar zgjidhjen e çështjes çame, por edhe në interes të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE. Kjo duhet të ndodhë para se çamët të kenë shteruar të gjitha rrugët e arsyeshme demokratike për të tërhequr vëmendjen për rastin e tyre. Duke pasur parasysh se kriza ekonomike në Greqi nuk po tregon shenja zbutjeje së shpejti, tensionet nacionaliste në mënyrë të pashmangshme do të rriten më tej. Kështu, paralajmërimet e mëparshme se çështja çame rrezikon të bëhet pré e elementëve radikalë nacionalistë shqiptarë ose grekë janë më me vend se kurrë. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore të këtij problemi, ndryshe ekziston mundësia reale e shfaqjes së grupeve të armatosura nëse nuk ndërmerret shpejt ndonjë veprim.

Marrëdhëniet greko-shqiptare rrezikohen seriozisht nga dështimi për të zgjidhur çështjen çame. Kjo çështje natyrisht që nuk mund të zgjidhet vetëm mes Shqipërisë, Greqisë dhe organizatave që përfaqësojnë popullsinë çame. Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me ndërmjetësimin ndërkombëtar, me mbështetje nga institucionet e BE-së dhe me udhëheqje të qartë nga Shtetet e Bashkuara.

 

Përktheu dhe përgatiti për botim:

Xhevdet Shehu

May 5, 2014 13:10
Komento

17 Komente

  1. ARGITA May 5, 11:11

    sepse pabesia greke dhe pameshirshmeria greke kane mbeshtetje e qeveris masakruse angleze e amerikane prandaje po na shfarosine e na masakrojne si duane vete serbete dhe grekete popullin shqiptare kudo qe jane

    Reply to this comment
  2. CAMI May 5, 11:35

    FALEMINDERIT “DITES” PER SERIOZITETIN E TRAJTIMIT TE CESHTJES CAME!
    PERFSHIRJA EDHE E DY HISTORIANEVE TE NDERUAR, I JEP RENDESINE E DUHUR NJE PROBLEMI KAQ KOMPLEKS.
    ARMIQ TE CESHTJES CAME NE PARLAMENTIN SHQIPTAR, NUK JANE VETEM “HOMOGJENET” 300 EUROSH APO TRADHETARET E TIPIT BERISHA, POR EDHE DEPUTETE INJORANTE QE AKOMA VAZHDOJNE E USHQEHEN ME PERCMIMIN DHE RRACIZMIN BRENDA LLOJIT DHE MBI TE GJITHA KRIMINELE ORDINERE NE RRADHET E DEPUTETEVE CAME, QE CESHTJEN CAME E SHOHIN SI KALIN E INTERESAVE TE TYRE MAFJOZE.
    QE TE JEM I SINQERTE NUK PRES QE CESHTJEN CAME TA ZGJIDHE KJO ELITE E KORRUPTUAR DHE IMPOTENTE, QE NA PERFAQSON DUKE NA VJEDHUR.
    CESHTJEN CAME DO TA ZGJIDHE HISTORIA, SIC ZGJIDHI DHE CESHTJEN E KOSOVES, NE NJE KOHE KUR SHQIPTARET ISHIN NJE KOMB KREJT TE BRAKTISUR NGA ELITA E TYRE DHE TE IZOLUAR NGA GJITHE BOTA.
    SHQIPTARET NUK KANE DESHTUAR SI KOMUNITET NE FORCIMIN E KOMBIT TE TYRE, POR ELITA INTELEKTUALE SHQIPTARE KA DESHTUAR TERESISHT NE QEVERISJEN , UDHEHEQJEN, ASPIRATAT DHE MBROJTJEN E KOMBIT.

    Reply to this comment
  3. dardan May 5, 11:44

    E lexova kete shkrim dhe argumentet qe trajtohen aty nuk kene kuptim apo sens , per te mos thene se jane dashakeqe. Eshte e vertete qe ne vitin 1995 eshte firmosur traktat miqesie me Greqine. Ju e kuptoni shume mire situaten e Shqiperise ku sapo kishte rene regjimi komunist , dhe varferine ekstreme qe ekzistonte ne vend. Per kete gjendje ne vend a mos valle ishte pergjejes Sali Berisha ? Gjithashtu Kosova me 95 % banore shqiptare ndodhej ne kushtet e pushtimit ushtarak dhe policor serb. Cfare duhet te bente Presidenti Berisha sipas jush kur shqiptaret me ekonomi te renuar ishin te detyruar qe te kerkonin punesim , dhe mireqenie ekonomike ne vendet fqinje anetare te BE. A nuk pati nje fluks te jashtezakonshem emigrantesh ne Greqi dhe Itali dhe a duhej ata qe te kishin nje status qe te mund ti mbronte sadopak ne nje vend te huaj. Kete rol kishte edhe traktati i miqesise , ate e diktonte koha dhe situata ne te cilen ndodhej Shqiperia. Gjithashtu eshte plotesisht e vertete se komuniteti Cam ne Shqiperi ne keto 23 vjet ka mbeshtetur Partine Demokratike dhe Sali Berishen . Ky komunitet me aftesite e tij te jashtzakonshme, deshiren per pune , mikpritjen dhe vlerat tradicionale te trasheguara nder shekuj ja doli qe te ringrihej ne kembe pas genocidit grek nje shekullor dhe shpernguljes me dhune nga trojet amtare. Ceshtja came eshte ceshtje e se drejtes se shqiptareve , ajo i perket te gjithe kombit shqiptar dhe nder te tjera e ne radhe te pare edhe Tropojaneve dhe Vicidolasve ashtu si edhe e permendni ju ne gazeten tuaj.

    Reply to this comment
    • Niko May 5, 13:26

      Me vjen keq tju kundeshtoj, por per hir te se vertetes me duhet tju them se nuk duhet te jeni kaq te sigurt se komuniteti cam mbeshtet apriori Sali Berishen. Te pakten ne Vlore, sidomos vitet e fundit. U pa hapur se Saliu stimuloi elemente te inkriminuar nga ky komunitet me qellimin djallezor qe ti perdorte si interlokutor te ketij komuniteti. Ne kete menyre ai realizonte shume qellime. Qellimin e pare qe mund ta shfrytezonte akoma sic beri rreth 20 vjet voten e ketij komuniteti per qellimet e tija. Kete e realizonte shume kollaj duke u hedhur nganje kocke Desherve te ketij komuniteti. Qellim tjeter ishte te diskretitonte kete komunitet duke e njehesuar me keta lloje Desherish prej te cileve ka cdo komunitet por jo ne keto pozicione perfaqesimi. Qellim tjeter ishte justifikimi para Grekeve se nuk duheshin te shqetesoheshin nga levizje te tilla qe me gjithe rendesine e tyre, ishin direkt te kompromentuara nga fakti qe krye te tyre kishin persona te inkriminuar ne nivel nderkombetar. Keshtu qe do ta hidhnin vallen sic tu kerkohej.

      Reply to this comment
  4. mergimtari fv May 5, 11:53

    Genocidi ndaj Camerise e çameve musliman prodhim ; 1) Projekt Britanik , 2) Zbatim Grek , komentet jane te teperta , mjere popujt e vegjel .

    Reply to this comment
    • Partha May 6, 01:06

      Nenteksti i komentit tend eshte i qarte. Ai eshte nje apologji banale per masakrimin qe u beri e vellezerve tane came QEVERIA GREKE.

      Reply to this comment
  5. Pëllumb zaimi May 5, 12:02

    Xhejms pettifer dhe miranda vickers janë dy nga autoret angleze që e kanë fshikulluar pa meshirë politiken e tradhetise shqiptare. Me ndonjë pasaktesi te vogel ata gjithmonë i kanë venë pikat atje ku deshiron shumica e shqiptarëve! Janë autore shumë skrupulozë në kerkimin e të vërtetes. Mesa di jane autore me peshe te institutit anglez te sigurisë e mbrojtjes.

    Reply to this comment
  6. ne duart e maskarenjve May 5, 13:03

    Aqif Rakipi dhe dy vellezerit e tij ishin banda me e rrezikshme e droges dhe prostitucionit ne Torino te Italise. Pasi perdhunuan, skllaveruan, torturuan, tregtuan femra nga gjithe Shqiperia, ne fund u “arratisen” ne Shqiperi kur drejtesia italiane ju ishte vene prapa, blene dhe nga nje cope diplome dhe tani na “perfaqsojne” ceshtjen kombetare ne parlamentin shqiptar.
    Shqiperia eshte ne duar te maskarenjve, ne flasim per ceshtje kombetare.

    Reply to this comment
  7. sopiqoti May 5, 13:15

    Asgje te re nga fronti i luftes.Ky eshte edhe perfundimi qe na sjellin “..dy anglezet..” ne kete liber qe na paraqesin.Akoma me ligjin e luftes do te vazhdojme?Duhet te gjejme dhe te zgjerojme me tej rruget e bashkepunimit me Grecine dhe jo ta kryqezojme ate duke vene ne themel ceshtjen came.

    Reply to this comment
    • Pyka May 5, 13:46

      Ligjin e luftes nuk e vazhdojme ne, por qeveria greke. Eshte e kote te behet sikur nuk ekziston asnje problem, kur ne te vertete ceshtja came eshte nje problem madhor midis dy vendeve. Sa me shume kohe rrjedh, aq me shume trashet ceshtja. Ndaj, zgjidhja e shpejte e kesaj ceshtjeje do te krijonte nje baze te fuqishme per ate cka te gjithe kerkojme, nje miqesi solide ndermjet dy vendeve tona.

      Reply to this comment
    • Partha May 6, 01:08

      Tingellon sikur e ka shkruar Janullatosi!!!

      Reply to this comment
  8. durrsaku May 5, 13:59

    SOPIQOTI qe te gjejme rrugen e bashkepunimit duhen gjithmone 2 pale , jo njera me hile dhe tjetra me drejtesi.

    Reply to this comment
  9. sandri May 5, 14:56

    po ju vjen fundi armiqve te shqiperis dhe tradhtarve te vendit qe na udhehoqen ne tranzicion tani po bejm ngadal hapa para camet dhe shqipteart ne greqi jan me shume se sa mendojm neve po ketu duhet nje politik pa furce pa ne greqi tani vetem arvanitas e gjaku i tyre jan me shume se 2 milion ne peloponez atiki thiva livadhja malesine ne shum ishuj te flasin dhe shqip mosha e vjeterbijte e tyre jan krenar me gjakun shqiptar dhe e shprehin ne intimitet

    Reply to this comment
  10. Aljor May 5, 15:30

    O Camer,mbajeni grupin parlamentar pas qerres te Saliut se do ta pesoni ashtu sic e pesuat nga Napolon Zerva.

    Reply to this comment
  11. Lancl May 5, 17:10

    O camer,pyetni te paret tuaj se a bashkepunuat me gjermanet?Dhe e dyta ,a jeni gati ti lini tokat e shqipetareve te Shqiperis po ju kthyen ato qe pretendoni ne Cameri?

    Reply to this comment
    • tani May 5, 20:33

      Ore pis grek me ket teori infantile tenden gjermanet nuk duhet te hyjn ne greqiiiren tende se paskan qen pushtes po ashtu italianet
      ca jan kto gomarlliqe qe si ha kush si mund te gjeneralizohet nji popull per disa in
      divid
      sa per prona moret prona ju argatet jo camet qe jan shqiptar dhe jan ne atdheun e tyre

      Reply to this comment
    • Partha May 6, 01:15

      I kerkoj ndjese Tanit, por ajo pergjigje ishte per ty Lancl:
      Ti vjell helmin grek e percarjes se shqiptareve, njelloj si Janullatosi.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*