Një emër për pasuesin e Llallës. Skenarët për Prokuror të përkohshëm

December 6, 2017 19:46

Një emër për pasuesin e Llallës. Skenarët për Prokuror të përkohshëm

Nesër përfundon mandati i Adriatik Llallës. Po nesër, Komisioni i Ligjeve nis punën për ta zëvendësuar. Në një memo të brendshme, juristët e Kuvendit u parashtrojnë deputetëve të gjithë skenarët e mundshëm që parashikon ligji.

 Situata është e tillë që prokurori i ri do të jetë i përkohshëm dhe mund të zgjidhet me një grusht votash.

Në memon e shërbimeve të Kuvendit janë të gjithë skenarët e mundshëm që parashikon ligji. Skenari i parë është ai që parashikon ligji suprem, Kushtetuta: Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm bëhet me 84 vota mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por memoja vë në dukje faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende. Pra, nuk jemi në kushtet që parashikon kushtetuta.

Memoja ndalet te momenti i dytë, kur Prokurorit të Përgjithshëm i skadon mandati dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende. Kjo situatë parashikohet nga dispozitat kalimtare të ligjit të Prokurorisë. Në këtë rast Kuvendi vendos që funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm i kryen prokurori me më shumë eksperiencë që përmbush kriteret ligjore.

Kriteret kanë të bëjnë me vitet e punës, titujt shkencorë, etj. Por kriteri thelbësor është ai i Vettingut. Procesin e Vettingut, sot që flasim, nuk e ka kaluar askush, ndonëse po skanohen të gjithë. Ndaj nëse do të kërkonim një emër mes kandidatëve për Prokuror të Përkohshëm, duhet të shohim kriteret e tjera: eksperiencën në punë dhe titujt shkencorë.

Por sa vlerë kanë kriteret profesionale kur kriteri kryesor, ai i Vettingut nuk është përmbushur ende? Mazhoranca duket se e konsideron të panevojshëm zbatimin e kriterit të Vettingut, përderisa nuk kemi asnjë institucion të drejtësisë të ngritur me njerëz që kanë kaluar Vettingun. Në këtë histori, dispozitat kalimtare të ligjit të prokurorisë opozita i lexon në funksion të kushtetutës, që është ligji suprem, pra që zgjedhja duhet bërë me 84 vota.

Por mazhoranca këto vota nuk i ka. Ndaj jemi në një situate ku zgjedhja e Prokurorit të Përkohshëm mund të bëhet me shumicë të thjeshtë, pra më shumë se gjysma e gjysmës. Për t’u çelur seanca duhet një prani me 71 deputetë. Dhe për të miratuar vendimin, duhet më shumë se gjysma e këtyre, pra vetëm 36. Dhe grupi ka 74 deputetë.

Mjaftueshëm për të bërë kuorimin për seancën dhe për të marrë vendimin. Nuk do të gjendeshim në këtë situatë, sikur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organ i ri i reformës në drejtësi, të ishte krijua. Çfarë e mban peng krijimin e tij?

Mosparaqitja e kandidatëve të shoqërisë civile, asaj shoqërie që protestonte në emër të reformës në drejtësi.

December 6, 2017 19:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*