Një emër si një kujtesë

Diana Ndrenika January 21, 2016 21:06

Një emër si një kujtesë

Eshtë një shesh në Tiranë që mban emrin “21 Dhjetori”.  Sheshet te ne rrallë marrin emërtime datash , më shpesh marrin emra personalitetesh e ngjarjesh. Për çudi ky shesh me emër date është shumë i  njohur.  Nuk gjen njeri që nuk e njeh. Nuk e di me saktësi nëse fillimisht është emërtuar kështu për të shënuar datën e nisjes së diellndalimit dimëror, ditëlindjen e Josif Stalinit apo vendimin e po kësaj date të vitit 1990 për të hequr të gjithë shtatoret e tij në Shqipëri kudo që ndodheshin. Ajo që di me siguri është se ky shesh  thirrej kështu edhe gjatë periudhës komuniste, por ka shumë  të ngjarë që pikërisht për arsyen e fundit ky emër  ka rezistuar deri më sot.

Eshtë një tjetër shesh në Tiranë, shumë qendror, në zemër të bulevardit Dëshmorët e Kombit midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit Popullor i njohur për tubime e protesta. Para ca ditësh ky shesh u zbukurua me slitën e drerëve të vitit të ri, e nën tingujt e muzikës muret  e dritareve të Kryeministrit u shndërruan në ekranin e urimeve për festa. Askush për asnjë moment nuk kujtoi që nga ato dritare, në 21 Janar të 2011-ës, me urdhër të një tjetër kryeministri u qëlluan për vdekje katër jetë të pafajshme dhe u plagosën shumë të tjerë.

Sot bëhen plot 5 vjet që nga ajo ditë, nga revolta e madhe e popullit kryesisht të majtë kundër korrupsionit, kundër padrejtësisë, kundër pabarazisë. Më vjen e gjallë ndërmend  sesi  disa nga kolegët , arkeologë e specialistë të trashëgimisë kulturore në ojf-në që drejtoja më vunë në sedër atë mëngjes: Unë nuk dua t’i rris fëmijët duke i mësuar të vjedhin me bllok në dorë më tha Valbona Hysa ,një vajzë nga Elbasani,   do dal patjetër në demonstratë sot. – Kjo nuk është demokracia e liria të cilën kanë ëndërruar  prindërit tanë dhe ne – më tha Edvin Lamçe, një djalë nga Erseka. Edhe unë do dal aty të protestoj.

Jo se nuk do të shkoja , por e kisha në plan t’i bashkohesha turmës së qytetarëve e anëtarëve të asamblesë kombëtare te PS-së; duke u nisur qysh nga selia e partisë, siç bënim gjithnjë në të tilla raste, e pa e patur në natyrë për të dalë në ballë të protestave,  siç rrodhën ngjarjet shumë shumë nuk do kisha  arritur  më tej urës së madhe pranë hotel Dajtit.  Përpos kësaj  askurrë gjatë punës sime në atë ojf, nuk isha përpjekur të  influencoja në bindjet e tyre politike. Duke qenë se venddodhja e zyrës në rrugën Ismail Qemali, 34 nuk e shmangte daljen direkt në sheshin kryesor përpara kryeministrisë ne u nisëm për aty. Disi në faj për rolin tim si drejtuese e një organizate të shoqërisë civile dhe njëkohësisht anëtare e asamblesë kombëtare të ps-së, doja të sigurohesha që ata nuk e bënin këtë për të lajkatuar parapëlqimet e mia(çka nuk e kisha inkurajuar kurrë) u thashë me insistim se nuk kishin asnjë detyrim të dilnin e të shkëputeshin nga zyra. Insistimi dhe reagimi i tyre më vuri në pozitë sa gati gati sa në sytë e tyre u duk se unë vetë isha pro qëndrimeve me bllok, gjobvënëse të Ilir Metës e qeverisë së Sali Berishës e nuk besoja në shpirtin e qëllimin e protestës . Ose në rastin më të mirë synoja për t’i lënë ata jashtë një jetë aktive politike, që ndërkaq ishte një e drejtë e tyre gjithashtu.

Kështu, të gjendur nga të parët në shesh 3 kolegë dhe unë u vendosëm në rradhët e para të njerëzve pranë kryeministrisë. Devocioni  i tyre ia kishte dalë mbanë të na nxirrte në ballë. Atë ditë ne u bëmë dëshmitarë të asaj masakre që ndodhi aty. Pa kuptuar se si ne  përjetuam asfiksinë e gazit lotsjellës, panikun e turmës, shtypjen e shtyrjen prej saj, frikën, llahtarën dhe tmerrin nën krismat e plumbave të një sistemi që godet qorrazi këdo, për të çimentuar të drejtat e fuqitë e tij.

Sot, mbas 5 vitesh 21 Janari nuk po njeh drejtësi. U morën 4 jetë qytetarësh të thjeshtë. Familjet e tyre humbën përjetë njerëzit e dashur vetëm se ata në mënyrë të sinqertë, iu përgjigjën thirrjes së forcës politike të cilës i besonin. Askush nuk u gjend fajtor. U fol për kompensim- ata janë më të varfër, me të rënduar e më shpresëhumbur se më parë.

Dhjetrave të tjerë të plagosur,  keqtrajtuar, e poshtëruar  me shkopinj gome e gaz lotsjellës iu është vrarë  përgjithnjë guximi për të protestuar nga shock-u i përjetuar aty si dhe nga terrori psikologjik që vijoi më pas.

Unë vetë përveç tmerrit të asfiksisë së gazit lotsjellës dhe kalvarit  disaorësh që pasoi në kullat binjake nën terrorin e krismave u përballa më pas me një kritikë nga drejtuesi anglez i projektit Brian Ayers, i cili më përcolli mendimin e donatorit  David Packard, se unë ‘mbështesja projekte komuniste’.  Ca muaj më vonë, në kongresin e PS-së, në nëntor të po atij viti  pa shkak e pa shpjegim, gjë që se kam kuptuar as sot, unë u hoqa nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku aderoja prej 4 vitesh.

Sot nga dritaret mbi sheshin e 21 Janarit Rama dhe Meta  kundrojnë të qetë nga godinat përkatëse përkundruall njëri tjetrit. Askush nuk ua cënon për momentin koalicionin. Po qeverisin në harmoni të plotë e shpesh nën maskën e pseudo konflikteve. E kjo, po të jesh përdorur si popull në 21 Janar të ngjall vec nauze e pikëllim. E kanë harruar gjakun e pafajshëm derdhur në atë shesh nga lufta e tyre për pushtet. Sheshi vazhdon të shtrihet aty i qetë , i përjetshëm si çdo shesh qëndror në botë. Dy drejtuesit e koalicionit kanë harruar gjithashtu t’i ligjërojnë atë emër që ai e ka vetëfituar ndërkohë. Sheshi “21 Janari”.

Ashtu si sheshi  “ 21 Dhjetori ” që të kujton rënien e diktatorëve , “21 Janari” vlen për të na kujtuar ato 4 jetë; për t’u dhënë guxim qytetarëve në të drejtën e tyre të protestës; dhe për t’u ndalur duart tiranëve gjakderdhës të çdo kohe.

 

 

Diana Ndrenika January 21, 2016 21:06
Komento

6 Komente

  1. Luani January 21, 21:48

    Bukur Diana! Ti nuk mund te shkruaje ndryshe. Nje shpirt i ndjere, qe masakren e atyre diteve e ka pare nga afer, nuk mund te pajtohet me masakruesit, me padrejtesite e kujtdo qofshin ato. Por, liderit te PS, qe vetem perserit ritualin e njohur se fajtoret e 21 janarit, vrasesit e kater te pafajshemve, do marrin denimin e merituar, nuk mund ti besohet. Ne darkat me Ilir Meten te tjera gjellera gatuhen. Ai nderkohe te heq kur te doje nga Asambleja e PS sikurse ka vepruar dhe me ty, a e di pse? Sepse ti Diana ke personalitetin tend, sikurse prindrit e tu te nderuar, dhe nuk mund te thuash “amin” per cdo gje qe nxjerr nga goja kreu i PS. Fatkeqesi per PS kur nje mentalitet i tille u ka mbyll gojen jo vetem te plakurve ne kete parti, por per fat te keq dhe moshatarve te tu, te zgjedhur nga Njeshi.
    Diana, ne kemi nevoje me shume per fjalen tende te drejte dhe te guximshme permes shkrimeve. Me shume respekt.

    Reply to this comment
  2. milet i varfer nga shpirti January 22, 01:00

    Jam dakort me shkrimin ne kete date te zeze promemorie , dua tu saktesoj per emertimin e shesh-kryqezimit me sakte 21 Dhjetori eshte ditelindja e Stalinit dhe ne ate lagje dikur ishte NSHN 21 Dhjetori qe ju ngjit emri dhe kryqezimit rrugor tek Rruga e Kavajes (ish rr.Konferenca e Pezes) , nga fillim vitet 90-ta shesh-kryqezimi u emerua Turgut Ozal si shenje mirenjohje servilizmi qe ne shqiptaret u veme shume shesheve e institucione ve emra personalitetesh te huaj a thua se kombit tone i mungojne heronjte e figurat patriotike nder shekuj .

    Reply to this comment
  3. gushti January 22, 18:05

    Sa per dijeni te autores dhe te ndonje tjetri qe nuk e di. Sheshi quhet 21 dhjetori sepse aty prane ka qene nje ndermarrje ndertimi, e madhe per ate kohe, qe mbante emrin e 21 dhjetorit, qe eshte pikerisht ditelindja e diktatorit Stalin, dhe i eshte vene per nder te tij.

    Reply to this comment
  4. Partizani January 22, 22:24

    Doni me per….BELULIN???
    Ky eshte pacavurja e pare e shkrimit tend!
    Se dyti,ke informacion te gabuar:
    Josif Vissarionovic Xhugashvili-STALIN ka lindur ne 18 dhjetor 1878,ne Gori,te Gjeorgjise!
    Per nder te tij,si udheheqes i Bashkimit Sovjetik dhe MARESHALL,2 here HEROI I BASHKIMIT SOVJETIK,Komandant i Pergjithshem i USHTRISE SE KUQE’ qe shpartalloi Ushtrine Hitleriane ne Luften e Dyte Boterore,ne Tbilisi eshte ngritur nje SHTATORE 25 metra e larte prej bronxi!
    Ne cdo jubile te fitores mbi nazizmin dhe mbarimin e L2B,me 9 maj,ne kembet e shtatores se tij vene kurora te gjithe lideret boterore!
    LAVDI STALINIT TE MADH!
    LAVDI HEROIT ENVER HOXHA!

    Reply to this comment
  5. tomsojeri January 22, 22:31

    E nderuar Diana ! Shkrimi yt esht pjes e asaj peshe te madhe cudie mekatesh te ksaj qeverie koalicioni qe mori pushtetin me votat qe i dham, duke ju besuar premtimeve aq desheruara pas atij kaosi korupsioni , hajnie e krimi qe mbollen e lan pas ajo band politike qe udhehoqi Shqiperin ! Fatkeqesisht brendia nuk ndryshoi dhe kte duhet ta kishim kuptuar qe nga pazari me emer te madh koalicion ,se ndeshkimi i mekatareve do ish pjes e pazarit ashtu sic po del !
    Paske qen me fat qe i shpetove ndonje rikoshete plumbi, por nuk i paske shpetuar rikoshetes se pabesis e me vjen keq per kte ! Nuk je vetem ne kte zhgenjim e te uroj fat, se besa ka humbur bashk me drejtesin…….

    Reply to this comment
  6. tomsojeri January 22, 22:33

    E nderuar Diana ! Shkrimi yt esht pjes e asaj peshe te madhe cudie mekatesh te ksaj qeverie koalicioni qe mori pushtetin me votat qe i dham, duke ju besuar premtimeve aq desheruara pas atij kaosi korupsioni , hajnie e krimi qe mbollen e lan pas ajo band politike qe udhehoqi Shqiperin ! Fatkeqesisht brendia nuk ndryshoi dhe kte duhet ta kishim kuptuar qe nga pazari me emer te madh koalicion ,se ndeshkimi i mekatareve do ish pjes e pazarit ashtu sic po del !
    Paske qen me fat qe i shpetove ndonje rikoshete plumbi, por nuk i paske shpetuar rikoshetes se pabesis e me vjen keq per kte ! Nuk je vetem ne kte zhgenjim e te uroj fat, se besa ka humbur bashk me drejtesin……..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*