Një fierak, somelieri më i mirë i Italisë

December 23, 2015 09:21

Një fierak, somelieri më i mirë i Italisë

Sokol Ndreko, 37 vjeç, nga Fieri, është fituesi i çmimit Miglior Sommelier Italia 2015 (Somelieri më i mirë i Italisë për vitin2015). Sokoli jeton në Massa Centro me bashkëshorten Erikela e dy fëmijët e tyre binjakë, Joeli dhe Enea. Është menaxher restoranti në një ndër hotelet më të mirë të Italisë, “Principe Forte dei Marmi”.

Për të arritur ku është sot ka studiuar për shumë vjet. Karrierën si somelier e ka nisur nga zeroja në emigracion, u fillimisht ka bërë punë nga më të ndryshmet.

Ka qenë vetëm 18 vjeç kur ka lënë Shqipërinë e ka emigruar në Greqi ku për katër vjet ka punuar në ndërtim. Në vitin 2000 ka emigruar në Itali te vëllai i tij binjak në Milano. “Këtu filloi eksperienca në fushën e restoracionit, në një restorant piceri familjare. Në drekë prisja klientët e shërbeja në sallë, në darkë punoja në kuzhinë, e jo si kuzhinier, por larës pjatash– tregon Sokoli. -Pas tre vjetësh u transferova në Massa Centro dhe nisa të punoja në një restorant në “Forte dei Marmi”. Fillimisht si përgjegjës salle, më pas si somelier dhe në fund, shef somelier. Ndërsa punoja aty, nisa të ndiqja një kurs për somelier. Fillimisht nga kureshtja, por menjëherë më pas kureshtja u kthye në pasion e pas kursit të parë bëra të tjerë për perfeksionimin e mënyrës të së shërbyerit.

Në vitin 2012 u punësova nga Hotel Principe Forte dei Marmi. Më pëlqeu projekti i tyre për restorantin Lux Lucis të hotelit (edhe restoranti është ndër më të mirët në Itali), por kishte ardhur edhe koha që të provoja veten, e të vija në praktikë gjithë njohuritë e aftësitë e mbledhura në vite studimi e pune”.

Dhe sot është Somelieri më i mirë i Italisë për vitit 2015, çmim që jepet nga BIWA (Best Italian Wine Awards), që ka një juri të përbërë nga gazetarë të fushës që për të katërtin vit nxjerr klasifikimin e 50 verërave më të mira të vitit, italiane dhe të huaj, dhe jep 10 çmime speciale për kantinat dhe profesionistët që punojnë në këtë sektor. “Nuk është konkurs -shpjegon Sokoli – vlerësohet puna e përditshme që bën çdo somelier ose profesionist që punon për promovimin e këtij sektori, pak a shumë roli i ambasadorit të verës në restorant”.

-Sokol, ju sot jeni një menaxher restoranti në hotel. Ku konsiston puna juaj?

Të jesh pjesë e stafit në një Hotel të rëndësishëm është privilegj dhe sfidë në të njëjtën kohë. Përmes standardeve të larta dhe komunikimit të përditshëm duam të transmetojmë profesionalitet e mikpritje për të gjithë ata që zgjedhin hotelin tonë. Puna ime ka të bëjë me organizimin dhe verifikimin e funksionimit të të gjitha shërbimeve në restorantin dhe barin e Hotel Principe Forte dei Marmi. Dita ime e punës fillon shumë herët, me organizimin e shërbimit të mëngjesit, për të vazhduar me shërbimin e drekës dhe organizimin e shërbimit të darkës në restorantin Lux Lucis që është shprehje maksimale e profesionalitetit të punës sonë. Kujdesem personalisht për zgjedhjen e seleksionimin e verërave, të cilat vetëm pasi t’i kem provuar e studiuar, vendos që do të bëjnë pjesë në listën tonë të gjatë të verërave që shërbejmë.

Forte-166-Si ju lindi pasioni e çfarë shkolle keni ndjekur për të marrë këtë profesion?

Gjatë kohës që punoja tek “Osteria del mare” vëreja që klientët kishin nevojë për më shumë informacion e fakti që mund të gjendeshe i papërgatitur përballë kërkesave të ndryshme që arrinin më terrorizonte, por edhe më zgjonte kureshtjen për të mësuar më shumë e në të njëjtën kohë për të pasur një kualifikim profesional. Në vitin 2005 nisa kursin për somelier me AIS, Associazione Italiana Sommelier. Në fund të kursit kuptova që ai do të ishte vetëm fillimi, sepse nuk kisha përfituar akoma njohuritë për të cilat unë isha regjistruar dhe se gjatë tij më kish lindur një pasion për gjithçka që ka të bëjë me botën e verës, shërbimit, mikpritjen, shkencat e traditat gastronomike. Më pas ndoqa kurse të ndryshme si teknikat e shërbimit, kurs për shampanjë, puro, djathërat, prova të gjithanshme për shijimin e verës. Një faktor shumë i rëndësishëm në formimin tim ishte shkolla e AIS Toscana të cilën e ndoqa për disa vjet me radhë për perfeksionimin e mënyrës të së shijuarit të verës. Kam frekuentuar edhe master në nivel kombëtar si Master of sangiovese, Nebbiolo, Sagrantino dhe sot jam edhe Degustatore Ufficiale i AIS-it”.

-Sapo keni fituar çmimin si somelieri më i mirë i Italisë. A ndiheni sot i realizuar? Çfarë dëshironi të bëni apo të arrini?

Në një moment kur gjithçka shkon përpara me ritme frenetike, për të qenë gjithnjë i mirinformuar mbi më të rejat është një sfidë e vazhdueshme, ndaj nuk mund të ndihesh asnjëherë i realizuar. Jam i kënaqur me atë që bëj, më pëlqen profesioni im dhe për arritjet e deritanishme më duhet të falënderoj edhe familjen që ka përkrahur çdo zgjedhje timen.

– Të qenit i huaj në Itali ju ka hapur ndonjëherë probleme?

Pasi mbarova kursin për somelier, dëshira për të marrë pjesë në gara kombëtare ishte e madhe, por rregullorja për pjesëmarrjen në konkurse si “Somelieri më i mirë i Toskanës” e më pas i Italisë nuk lejonte pjesëmarrjen e kandidatëve pa shtetësinë italiane. Kështu unë nuk munda, por jam i kënaqur që kërkesat e ndryshme që bëmë në ato vite shërbyen për ndryshimin e rregullores e sot është e mundur të konkurrojnë kandidatë që kanë studiuar në Itali, edhe pse nuk janë shtetas italianë. Përveç këtij episodi nuk kujtoj të kem pasur probleme se jam i huaj.

-Vjen shpesh në Shqipëri, Fier a Tiranë? Çfarë mendoni për verërat shqiptare?

Nuk vij shpesh në Shqipëri, sepse puna dhe angazhimet nuk më lënë shumë kohë të lirë. Industria e restoranteve në Shqipëri po kalon një fazë tranzicioni sepse shumë të rinj që punonin jashtë po kthehen e po sjellin me vete kulturën e teknikat e mbledhura nga përvojat në vendet ku kanë jetuar e punuar. Vreshtaria shqiptare si dhe ajo e gjithë vendeve të Ballkanit ka luajtur rol shumë të rëndësishëm për disa lloje hardhish. Sipas studiuesish të njohur ka qenë origjina e bimëve si Chardonnay që sot është një nga varietet më të njohura të vreshtarisë botërore. Por si në gjithë vendet e ish bllokut komunist, edhe në Shqipëri u shkatërrua kultura e verës dhe e vreshtarisë. Kam pasur rastin të provoj verëra të disa kantinave që i kam sjellë edhe në Itali për të provuar të futnim ndonjë në kartën e restorantit, por mund të them se në këtë moment ka vërtet disa verëra interesante, por jemi larg nga ajo që ne quajmë cilësi e lartë. Megjithatë, do të pëlqente jashtë mase të kisha ndonjë verë shqiptare në kartën e verërave të restorantit./shqiptariitalise

December 23, 2015 09:21
Komento

1 Koment

  1. Cuni i Fierit December 23, 12:06

    Bravo ! Suksese te metejshme dhe mbaresi kudo !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*