Një gjest i natyrshëm që ndezi kritikat në Iran

Redaksia Online March 10, 2013 16:58

Një gjest i natyrshëm që ndezi kritikat në Iran

Një përqafim i thjeshtë në rast fatkeqësie ka ngjallur debate dhe polemika në Iran. Presidenti i këtij vendi, Mahmud Ahmadinexhad, ka përqafuar nënën e presidentit venezuelian Hugo Çavez,duke shkelur kështu kodin diplomatik iranian, sipas të cilit përfaqësuesit e lartë të republikës islamike e kanë të ndaluar të kenë kontakte fizike me seksin e kundërt. Kjo është hera e parë që presidenti iranian bën një gjest të tillë në publik, duke dalë kundër etikës islame të shtetit iranian.

Fotoja e Ahmadinexhadit që përqafon nënën e Çavezit gjatë funeralit të këtij të fundit në Karakas ka bërë xhiron e botës dhe është shfaqur në të gjitha mediat iraniane. Ali Motahhari, një prej deputetëve filokonservatorë, ka hedhur kritika të ashpra në adresë ttë Ahmadinexhadit, duke e akuzuar se “me sjelljen e tij ka kaluar limitet e përcaktuara nga ligji”. Veprimi i presidentit është perceptuar si një sfidë e tij ndaj kampit ultrakonservator, i cili është shumë i afërt me ajatollahun Kamenei.

Fotoja vjen menjëherë pasi Ahmadinexhad u kritikua ashpër nga kleri shiit për konsideratat e tepruara ndaj presidentit të ndjerë të Venezuelës. Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Ahmadinexhad e cilësoi Çavezin si një “simbol të rezistencës ndaj imperializmit” dhe “një personalitet të shkëlqyer, i destinuar që në fund të të gjitha kohërave të ringjallet së bashku me imamin e dymbëdhjetë, Mahdi” (“shpëtimtari” për myslimanët shiitë). Kleri shiit e kritikoi presidentin e Iranit dhe tha se nuk ishte personi i përshtatshëm për të bërë të tilla deklarata me sfond religjioz. Por Ahmadinexhad nuk ua vuri veshin kritikave dhe u nis për në Karakas, ku zhvillohet funerali i Çavezit.

Krtitikat e klerit në adresë të presidentit iranian vijnë pikërisht në momentin kur në Teheran janë shtuar përplasjet mes mbështetësve të tij dhe ultrakonservatorëve. Tensionet janë shtuar në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, pasi Ahmadinexhad përfundon mandatin e dytë dhe nuk mund të kandidojë për një të tretë, në bazë të kushtetutës iraniane. / Përgatiti: Gazmira Sokoli

Redaksia Online March 10, 2013 16:58
Komento

1 Koment

  1. pirro March 10, 17:49

    Kjo tregon emancipim te liderit iranian, dhe dhembshuria njerezore nuk duhet llogaritur ne ritet e egra fetare

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*