Një jetë me pasion dhe humanizëm

March 11, 2020 13:35

Një jetë me pasion dhe humanizëm

   Nga Ramazan Çeka

U bënë vite që shkruaj tekste këngësh, poezi e prozë të lirë për artin, kulturen apo informacione gazetarie rreth aktiviteteve artistike ku për çudi kronologjia e fjalëve më vjen krejt rrjedhshëm dhe me një lirshmëri mendimi sa kur kthehem t’i lexoj më duket vetja si një lexues i vëmendshëm që kërkon të gjej shkak për kritikë profesionale.

Arti është fusha ime ku shpirti im ushqehet e merr jetë e ti largohem kësaj fushe qënka vërtetë sfide.

Ndryshe nga herët e tjera kësaj here vendosa të shkruaj për një person tejet të veçantë e shumë të rëndësishëm për Shkodrën dhe krejt rajonin e veriut. Për një person që në mënyrë direkte a indirekte, emri i saj është lakuar në bisedat familjare, sidomos kur puna e duarve të saj kishte sukses dhe suksesi i saj dhuronte jetë, shpëtonte njerëz e ngjallte shpresën e luhatur pas dyerve të kirurgjise së spitalit të Shkodrës tek pritnin me orë të tëra, duke u lutur për familjarin e tyre në sallën e operacionit.

Kësaj here me penën time do të pershkruaj për meritat dhe suksesin e kirurges së parë dhe të vetme Shkodrane Dr.Zyliha Kraja, e cila njihet edhe si kirurgia e parë jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Merita këto të lidhura ngusht me suksesin e qindra ndërhyrjeve kirurgjikale që me duart, mendjen dhe krejt shpirtin e saj human i atribohen me mijëra e mijëra falenderime për jetët e shpëtuara nga familjarët dhe punën e përkryer nga kolegët e stafi kirurgjikal, pasi siç thotë dhe vetë doktoresha, kirurgjia nuk është thjeshtë një profesion, ai është misjon, i cili do më shumë se përkushtim. Kirurgu duhet të vendosë shpirtin dhe krejt qënien e tij mbi procesin e punës për të finalizuar shërimin e plotë të pacientit.

Me është bërë rutinë që diskutimet mbi punën, projektet apo aktivitetet e mia artistike e gazetareske t’i ndaj në formë konsultash me të madhin Fadil Kraja, ku vitet e fundit falë peshës së viteve mbi supe dhe gjendjes së tij shëndetsore, shoqërohet vazhdimisht nga bashkëshortja e tij shumë e dashur dhe tepër e kujdesshme, doktoresha Zyliha Kraja.

Takime këto që më së shumti i realizojmë te kafja e preferuar te “tullat e kuqe” në “tavolinën e Fadilit” në orarin e paradrekes, pasi vetë doktoresha edhe pse në moshën 80 vjeçare ajo është shumë aktive në profesionin e vet, ku me kërkesën e saj asiston akoma dhe sot në operacione, duke u dhënë jo vetem ndihmë por edhe mesime praktike kolegëve të rinj kirurg, gjë që e realizon në orët e para të mëngjesit, për t’i rezervuar kohën edhe kafes rutinë të ditës me bashkëshortin e saj.

Takimet me këta miq të zemrës e shokë të jetës do t’i quaja me plot gojë kafe pune, pasi bisedat tona gjithmonë hyjnë e dalin në problematikat dhe nevojat e kohës mbi aktualitetin e artit e deri tek ato shëndetsore, diskutime këto që marrin rrjedhë nga doktoresh Zyli, e cila me këshillat e saj të stimulon të kujdesesh edhe për shëndetin vetjak. Megjithse ajo shpesh përdor një nga shprehjet e saj se “kirurgët flasin pak e punojnë shumë”. Biseda me të është vërtetë e këndshme dhe shumë e ngrohtë.

I familjarizuar me këta bashkëshort artista të mëdhenj secili në profesionin e tij, ndihem vërtetë i privilegjuar kur jam në shoqërinë e tyre e ajo që më bën të ndihem akoma më i vlersuar është kur më ftojnë gati me urdhëresë për kafe, e cila zgjat edhe me orë të tëra, pasi këta bashkëshort kanë shumë autoritet ndër shkodranë, ku me dashamirsi ndalen shpesh t’i respektojnë e t’i falenderojnë për meritat e tyre e sidomos doktoreshen, e cila është e lidhur ngusht edhe sot me nevojat e tyre biologjike familjare, çka me nxiti të bëj edhe këtë shkrim, pasi shumë herë njerzit e mëdhenj i kemi fare pranë vetes e vlerat e tyre i shpërfillim pa e kuptuar as vetë, derisa dikush tjetër ngreh këmbanen e jep lajmin e mirë të kontributit human, të këmbyer me mirënjohje pafund meritash, por të pa vlerësuar sa duhet nga instancat zinxhir shtetërore e megjithatë shpirti i tyre rrezaton vlerë përtej asaj që shkruhet e peshohet e që nuk konvertohet me anjë çmim sado vlerë monetare apo morale te ketë.

E tillë është edhe doktoreshë Zyli, e cila me një vullnet të pashoq shpërfill moshën për tu gjetur pranë njerëzve në nevojë.

Po kush është Dr. Zyliha Kraja.

Dr. Zyli është bijë dhe zonjë Shkodre.

E lindur në një familje të thjeshtë shkodrane, por shumë të emancipuar, e cila me ato pak mundësi që kishte i dha prioritet shkollimit te saj. Pasi kreu mësimet e para në Shkodër me rezultate shumë të larta në mësime, iu dha e drejta e studimit për t’i vazhduar ato në Tiranë në degën e mjeksisë. Menjeherë pasi mbaroi shkollën e mesme profesionale ku mori diplomën e pjekurisë, në moshën 18 – vjeçare punoi si ndihmës mjeke në Befotrofin e Shkodrës, ku ndërkohë që punonte i del edhe e drejta e studimit në Pragë të Çekosllovakisë me bursë te plotë. Pas prishjes se mardhënjeve ndërshtetërore të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, shteti shqiptar i tërhoqi të gjithë studentët e ndër ta edhe Dr. Zylin, e cila asokohe ishte në vitin e katërt studimor, çka bëri që vitin e pestë dhe diplomimin ta përfundojë në Shqipëri, ëndërr kjo e bërë realitet falë gjithë atij investimi dhe këmbëngulje disa vjeçare.

Në vitin 1963 emërohet kirurge pranë kirurgjisë së spitalt të Shkodrës. Veç brishtësisë së saj rinore, gjë që e pasqyron edhe sot e kësaj dite me portetin e saj fizik, Dr. Zyli gëzonte një respekt tejet të veçantë, pasi fati deshi që të ishte e vetmja kirurge femër në mes të gjithë atyre kolegëve të atij pavjoni.

Shpejt emri i saj do bëhej një zë i njohur, pasi për vite me radhë njihej edhe si kirurgia e parë shqiptare. Rrugtimin e këtij profesioni shumë të vështirë siç thotë dhe vetë doktoresha e filloi me një presion psikologjik, jo vetëm për punën e duarve të saja, por edhe per t’ju gjetur pranë dhe lehtësuar dhimbjet pacientit, duke sakrifikuar edhe gjumin, apo prezencen në familje, gjë për të cilën i shpreh mirënjohje tejet të veçantë familjes e në veçanti bashkëshortit të saj Fadilit, i cili ka shkruar edhe një dramë, të cilën ia ka kushtuar bashkëshortes së tij, titulluar “Sinjalet e natës”.

Ajo me shumë mirënjohje dhe respekt të thellë kujton edhe Dr. Selaudin Mbroja dhe Dr. Ramiz Hafizi, me të cilët ka kryer stazhin dhe ka mësuar “artin” e vështirë, por tepër fisnik të kirurgut, kujdesin për pacientin, duke mposhtur presionin psikologjik fillestar. Megjithëse në vitin 1997 si pasojë e moshës ajo mori statusin e pencionistes dhe duhej të linte punën, nuk e pranoi këtë nënshtrim socjal, pasi e ndjente veten tepër aktive për punë e shume të cunguar pa pacient, siç thotë dhe vetë po kaloja një gjendje depresive sikur po më shterronin fuqitë, çka më detyroi të marr dhe ilaçe. Kjo gjë bëri që me mirkuptimin e kolegëve të rikthehet në pavjonin e kirurgjisë ku asiston edhe sot, duke shënuar një rekord prej 57 vitesh pune profesionale.

Dr. Zyliha Krajës puna i është bërë patalogjike. Shkon në punë si gjithë të tjerët me orar të programuar sipas grafikës javore të pavjonit dhe falë vullnetit të saj thotë se ndihet tepër e gjallë kur punoj e gëzoj sukseset e punës edhe pse në qershor të këtij viti mbush plot 80 vite jete ajo vazhdon të punojë, duke e thirrur edhe natën për të asistuar në raste të vështira.

Për merita të veçanta Dr. Zyliha Kraja është nderuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës me titullin “Qytetare Nderi”. Mbanë disa dekorata, urdhëra dhe medalje pune të cilat i atribohen për punën e shkëlqyer ndër vite dhe kontributin e saj që kanë lënë gjurmë në spitalin rajonal të Shkodrës.

Është vërtetë për të ardhur keq nga pavemendja e instancave shtetërore si pasojë e ligjeve në fuqi ku pencionistët janë të cunguar të trajtohen me rrogë, apo të paguhen për punët ekstra, çka e bën akoma më fisnik kontributin e saj, pasi punon vullnetarisht pa asnjë shpërblim, madje me një pension qesharak prej 26.000 lek të reja, gjë që prezenca e saj ndër gjeneratat e reja të kirurgjisë vlen më shumë se e një deputeti të përkohshëm me benefite dhe trajtesa “imune” ekstra të larta të përjetshme.

Dr. Zyliha Kraja është një nga njerëzit e mëdhenj që do tu rezistojë kohrave si shembull i mirë i humanizmit njerzor.

 

Shkurt 2020

March 11, 2020 13:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim