Një jetë të tërë shkencore mes shqiptarëve

Antonio Baldaçi February 7, 2016 19:14 Updated

Një jetë të tërë shkencore mes shqiptarëve

Antonio Baldaçi ishte një botanist italian dhe gjeograf, një pasionant i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike. U lind më 3 tetor të vitit 1867 në Bolonjë. Ende pa kryer shkollën e mesme, më 1884 u nis në rrugë drejt Ballkanit, duke ecur më këmbë prej Zarës deri në kufi të Malit të Zi, por nuk mundi ta kapërcejë këtë kufi. Një vit më pas, pa marrë parasysh vështirësitë që e kishin penguar në udhëtimin e parë, me mjete fare të varfra dhe vetëm me idealin e studimeve të veta natyralistike, që e nxiste që në atë moshë, hipi në një anije dhe u nis përsëri drejt Malit të Zi, me synim që të takonte knjaz Nikollën, me të cilin e lidhi një miqësi e ngushtë dhe e gjatë.

Duke vazhduar studimet universitare, nën drejtimin e botanistit dhe fitogjeografit të madh Federiko Delpino, filloi të shtrijë udhëtimet e veta botanike në Shqipëri. Ai i kushtoi jetën shkencës dhe Shqipërisë dhe krijoi plot 118 vepra nga të gjitha fushat. Një institucion i vërtetë shkencor qe vetëm herbariumi i përbërë nga 100.000 bimë të mbledhura në malet e fushat e Shqipërisë tregon për një heroizëm të vërtetë shkencor.

Baldacci_Antonio_1

Antonio Baldaçi

Nga këto bimë, dyzetë prej tyre janë bimë të rralla, ku mund të kujtojmë “Zambakun e Tomorrit”, nga më të rrallët që rritet mbi 2000 m mbi nivelin e detit. Me të drejtë Partia Ekologjike Shqiptare që u krijua pas viteve ’90 në Shqipëri, por që tani nuk ekziston më, e vuri simbolin e këtij zambaku në vulën e vetë. Shumë bimë të rralla të zbuluara nga A. Baldaçi janë emëruar me emrin e tij.

Puna e përkushtuar ndaj shkencës dhe si mik i veçantë i një vendi krejtësisht të paeksploruar deri atë herë, e bënë anëtar të pesë akademive, anëtar i Akademisë së Bolonjës, Athinës, Vienës, Bukureshtit, Budapestit, Syllogos Parnassos i Athinës dhe Shoqërisë Gjeografike të Vienës.

Këtë vit mbushen 120 vjet nga dita kur A. Baldaçi hyri për herë të parë në Shqipëri. Deri tani janë përkthyer dhe botuar disa punime të Baldaçit në Shqipëri. Më e rëndësishmja, “Rrugëtime shqiptare” (1892-1902), me përkthimin e Artan Gambetës dhe redaktimin e Vangjush Gambetës.

Pavarësisht botimeve, fatkeqësisht deri tani kjo figurë kaq shumë poliedrike ka qenë në heshtje të plotë në Shqipëri, megjithëse ka shumë dekorata e vlerësime nga vendi i tij, nga vendet evropiane dhe ato ballkanike.

Baldaçi ishte një botanist, që hyri në Ballkan për motive shkencore dhe tregtare dhe u interesua në veçanti për Shqipërinë, për të cilën u bë edhe konsull nderi në Bolonjë. Siç tregon gjithë vepra e tij, ai ishte i interesuar të dokumentonte dhe të njihte historinë e vendit tonë.

Antonio Baldaçi, botanist e gjeograf, kulturor i studimeve etnografike, politike e socio-ekonomike vjen në Shqipëri dhe vit pas viti rrit numrin e miqësive, e njohjeve, që më tej konsiderohen të dobishme për interesat ekonomike, politike dhe ushtarake të qeverisë italiane të asaj kohe në zonën e Ballkanit. Artikujt e Baldaçit për Shqipërinë, të realizuara në autonomi ngjallin interes dhe publikime në revistat më të lexuara të kohës në Itali, falë edhe bashkëpunimeve me institute shkencore.

Pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste, Baldaçi vazhdon interesin e tij për punën shkencore në Shqipëri. Në vitin 1942, ai konsiderohet ekspert, njohës i vendit tonë dhe e ftojnë të bëhet pjesë e institucioneve, si Këshilli drejtues i studimeve shqiptare pranë Akademisë së Italisë, Instituti i studimeve shqiptare në Tiranë dhe emërohet këshilltar kulturor i Lungotenenzës së përgjithshme në Shqipëri, deri në vitin 1943, kur Shqipëria pushtohet nga trupat gjermane.

Nga publikimet e Baldaçit, sot kanë mbetur rreth 250 artikuj dhe vëllime, të cilat kujtojnë itineraret shqiptare. Pasioni ballkanik i Baldaçit shpjegohet me faktin, që para se të ishte politikan, ai ishte studiues: interesi për të panjohurën dhe kërkimi për njohje të thelluar ishin baza e jetës së tij.

 

Kërkimet e Baldaçit në Shqipëri

  • Në vitin 1888 bëri kërkime ndërmjet Vlorës dhe Prevezës.
  • Më 1889, me francezin Bertrand,  eksploroi botanikën e Sazanit.
  • Më 1890, me Mileliren, bëri udhëtimin prej Prevezës në Janinë, duke kërkuar e mbledhur bimët e zonës.
  • Më 1892 bëri një koleksion botanik, duke shëtitur në krahinën e Tomorrit.
  • Tashmë kishte vënë re se flora shqiptare lidhej në mënyrë të çuditshme me atë të Kaukazit dhe të Azisë edhe më të largët, dhe për të gjetur urën e lidhjes në vitin 1893 bëri një ekskursion në Kretë.
  • Më 1894, 1895 dhe 1896 përsëri në Shqipëri duke mbledhur bimë.
  • Më 1897 ia kushtoi udhëtimin e tij të tetë në Shqipëri eksplorimit të Alpeve Shqiptare; u nis bashkë me mikun e tij të përzemërt gjeografin gjerman Kurt Hassert.
  • Më 1898, pa u lodhur dhe pa u trembur, bëri një koleksion tjetër botanik.
  • Më 1899 e ndjeu të nevojshme të vizitojë Kretën edhe një herë, dhe po në atë periudhë edhe Kirenaikën, që paraqiste po atë interes.
  • Më 1900, 1901, 1902, 1903 vazhdon kërkimet në malësitë e veriut. Më 1901, bashkë me Kurt Hassertin, filloi punën  për një hartë etnografike të Ballkanit, mbi baza shkencore dhe të paanëshme, por me qëllim që të delte në shesh përhapja e vërtetë e popullsisë shqiptare.
  • Më 1902 dhe 1903, tashmë eksplorator dhe dijetar i njohur, kryesoi një mision shkencor në mbarë krahinën e Cemit, me përfundime të çmueshme.
  • Në vitin 1906 iu ngarkua nga Drejtoria e Hekurudhave shtetërore italiane një mision për studimin e pyjeve shqiptare dhe prodhimeve të tyre. Njëkohësisht kreu një studim mbi peshkimin në brigjet e Shqipërisë, që i duhej Ministrisë së Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë për të për të rritur traktatin tregtar me Austrinë.
  • Ministria e Luftës e dërgoi një vit më pas për të hartuar statistikën e kuajve dhe të mushkave të Shqipërisë dhe për të parë nëse mund të eksportoheshin ato në shërbim të ushtrisë. Njëkohësisht Ministria e Bujqësisë, e Industrisë dhe Tregtisë i kërkoi një studim mbi pasurinë zooteknike shqiptare, për të blerë mish për Puljen.
  • Në vitet 1908-1910 studioi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjendjen politike të Malit të Zi, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të Kosovës.
  • Më 1914 organizator të shërbimeve publike dhe pak më vonë u emërua këshilltar civil  pranë Komandës së Përgjithshme Detare të Vlorës, zyrë ku punoi deri në mbarim të luftës.
  • Me të mbaruar lufta u mor në shërbim të Zyrës Historike të Mobilizimit, ku punoi deri më 1921.
  • Vitet e fundit filloi të kujdesej për studimet dhe ristudimet e veta, si dhe për zyrën si Kryekonsull nderi i Shqipërisë në Bolonjë.

 

“Historia e Shqipërisë në foto”

Koleksioni i Baldaçit me fotot e mikut të tij, Marubi

 

Në seksionin e arkivit të fotove të Baldaçit, dhuruar Bibliotekës së Arkigjimnazit të Bolonjës, ndër të tjera ndodhen edhe 36 fotografi që janë të studios “Marubi” të Shkodrës. Këto foto ai i ka marrë nga vetë mjeshtërit fotografë, me të cilët, siç e tregon edhe kjo foto, ai kishte shumë miqësi. Në këtë fond gjejmë pamje e peizazhe nga Shqipëria, portrete burrash dhe grash me veshje tradicionale, foto grupesh dhe foto të çastit të anëtarëve të familjes mbretërore malazeze në raste festash e ceremonish zyrtare. Në një material shpjegues të arkivit thuhet se Peter Marubi kishte një nga studiot e fotografisë më të mëdha në Ballkan. Gegë Marubi, pasardhësi i Marubit, në vitet njëzet të shekullit të njëzetë ishte formuar në Francë, te shpikësit e fotografisë, vëllezërit Lymier.

 

Bektashinjte SPECIALEBektashinjtë shqiptarë, të çuditshëm

Më posht po botojmë me shkurtime disa shënime të Baldaçit për karakteristikat e bektashinjve shqiptarë:          

Mes shqiptarëve kishte edhe bektashinj. Ky sekt fetar islamik është pak i njohur. Për perëndimorët, por edhe për të krishterët e lindjes, ai është i rrethuar nga misteri. Sigurisht, që në zonat e tyre, mes Beratit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, ku kisha jetuar gjatë në vitin 1894, nuk kisha arritur aspak të depërtoj në psikologjinë e bektashinjve, ndaj të cilëve ndjehesha megjithatë më kureshtar, se sa ndaj atyre që turqit i quanin çata (andartët), dhe të studioja organizimin e tyre shoqëror.

Bektashinjtë janë menjëherë të dallueshëm, që nga paraqitja dhe veshja, sidomos nga taçi. Në doktrinën e vëllazërimit të bektashinjve, ndeshen shpesh edhe ide dhe praktika të krishtere, gjë që i bën ata të duken si heretikë para syve të myslimanëve të vijës së ashpër. Ata kanë edhe dogmën e Trinitetit (Allahu, Muhameti dhe Aliu). Në ceremonitë javore të mbajtura në teqe, hanë edhe një darkë rituale në të cilën ndajnë mes tyre bukën, djathin dhe verën, edhe pse kjo e fundit është e ndaluar në Islam. Praktikojnë gjithashtu edhe rrëfimin dhe disa prej tyre edhe beqarinë, të cilat Muhameti i ka ndaluar rreptësisht si praktika fetare. Bektashinjtë përbëjnë pothuajse tërësinë e popullsisë myslimane në ish-vilajetin e Janinës. Ata janë të shumtë në numër në Tiranë, Berat, Shkodër, Elbasan, Korçë, Shkup, Prizren, Gjakovë etj., lokalitete këto në të cilat gjenden edhe objektet e tyre më të mëdha të kultit.

Kur nacionalistët shqiptarë, në marrëveshje me xhonturqit përgatitën revolucionin kundër Abdyl Hamitit, nga radhët e bektashinjve dhe melamive në revolucion u bashkuan të rinjtë më entuziastë. Dhe kështu, ndërsa sektet masonike të Selanikut tërhiqnin drejt revolucionit të gjithë donmetë, ose ndryshe judeo-myslimanët dhe seksionet e Komitetit Bashkim dhe Progres punonin në Stamboll, teqetë e melamive dhe të bektashinjve përgatisnin revolucionin shqiptar.

Një bektashi i vërtetë nga Cukarela (kështu quhet Peristeri në gjuhën vllahe), është edhe shoqëruesi im simpatik, të cilit i pëlqen biseda me mua dhe uron të më ketë mik për të gjithë jetën, e këtejme dhe të përtejme. E falenderoj për mirësjelljen e tij, e cila shpreh miqësi deri në kufijtë e mistikes.

Përveç këtij, bektashiu shqiptar na shoqëron edhe një anadollian, i quajtur Van, i cili më thotë se nga këto anë mund të shkëmbehen letra me shtëpinë vetëm një herë në pesë ose gjashtë muaj. Bëj krahasimin mes këtyre dy lloj ushtrive, të cilat i përkasin dy provincave ekstreme të Perandorisë: tek shqiptari dallohet gjallëria dhe inteligjenca e racës ariane, tek aziatiku, semiti i heshtur dhe mistik. Ata përfaqësojnë dy qytetërime të kundërta, të lidhura nga një fe e vetme, tek e cila, të them të drejtën, shqiptari më duket shumë më pak i devotshëm se sa aziatiku.

 

g_rumeniBukuroshja e Tomorrit  dhe Baldaçi

Tomorri ka një florë të pasur rreth e në majat e tij. Ndërmjet bimëve të shumta, është edhe një bimë endemike, e veçantë, e zbuluar nga Baldaçi në vitin 1928 dhe që është është futur në regjistrin botëror të botanikës me emrin e vendit ku është gjetur, Nepenthes Tomoriana Sulovasi (Zambaku i Tomorrit). Kjo lule e bukur, që ka befasuar me bukurinë e saj udhëtarë e natyralistë, tashmë si rezultat i një pune të gjatë shkencore për ta aklimatizuar dhe përshtatur me kushtet e parqeve dhe të shtëpive, zbukuron qytete evropiane.

Por nuk është vetëm Zambaku i Tomorrit zbulim i Baldaçit, janë edhe shumë bimë të tjera endemike në Shqipëri, sidomos në Alpet e Veriut, që janë zbuluar dhe emërtuar nga Baldaçi.

 

 

Antonio Baldaçi February 7, 2016 19:14 Updated
Komento

3 Komente

  1. Diku February 7, 22:33

    Nje permbledhje shume e dobet.
    Nuk ka asnje bemi me emrin Zambaku i Tomorrit,
    gjithashtu nuk ekziston asnje lloj
    Nepenthes Tomoriana Sulovasi ne shqiperi

    Reply to this comment
  2. Prof. Aleko Miho February 8, 12:39

    Jam shume dakord me gjithe sa shkruan Gazeta Tema per Antonio Baldaçin, vertet figure e shquar italiane me shume kontribut edhe per Shqiperine, dhe pergezoj shume per kete. Por dua te sqaroj se ne Parkun e Tomorrit nuk gjendet bima mishngrenese Nepenthes tomoriana, e cila rritet ne nje ishull indonezian. Ky eshte nje lapsus qe padashje e japin jo ekspertet per Tomorrin nga emri i saj!

    Megjithate, Tomorri mbetet perseri nje thesar i flores se Shqiperise. Keshilloj autorin e shkrimit dhe te interesuar te tjere te lexojne per kete Doktoraten e Ermelinda Mahmutaj: ‘STUDIMI DHE KARTOGRAFIMI I HABITATEVE DHE FLORËS SË PARKUT KOMBËTAR TOMORR-KULMAK, ME FOKUS KRYESOR ATA PRIORITARË (SIPAS NATURA 2000), TË RRALLË E TË KËRCËNUAR, ne faqen e FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/doktorata-dhe-publikime).
    Me respekt, Prof. Aleko Miho, FShN, UT

    Reply to this comment
  3. Prof. Aleko Miho February 8, 13:25

    Jam shume dakord me gjithe sa shkruan Gazeta Juaj per Antonio Baldaçin, me te vertete nje figure e shquar italiane, me shume kontribut edhe per Shqiperine, dhe per kete Ju pergezoj. Por dua te ndreq nje pasaktesi se ne Parkun e Tomorrit, Berat, nuk gjendet bima mishngrenese Nepenthes tomoriana, e cila rritet ne nje ishull indonezian. Ky eshte nje lapsus qe padashje e japin ata qe nuk jane te fushes botanike per Tomorrin nga emri i saj!
    Megjithate, Tomorri mbetet perseri nje thesar i flores se Shqiperise. Keshilloj autorin dhe te interesuar te tjere te lexojne per kete Doktoraten e Ermelinda Mahmutaj: ‘STUDIMI DHE KARTOGRAFIMI I HABITATEVE DHE FLORËS SË PARKUT KOMBËTAR TOMORR-KULMAK, ME FOKUS KRYESOR ATA PRIORITARË (SIPAS NATURA 2000), TË RRALLË E TË KËRCËNUAR, ne faqen e FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/doktorata-dhe-publikime).
    Me respekt, Prof. Aleko Miho, FShN, UT

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*