Një kaos i ri botëror

July 27, 2018 15:42

Një kaos i ri botëror

 

Nga Jonah Goldberg

Qytetërimi nuk është e kundërta e natyrës, dhe as një anije në rrymën e kundërt të një lumi. Marinarët shfrytëzojnë erën, dhe u përshtaten rrymave për të lundruar përpara. Por nëse injorohet drejtimi i anijes, era do të çojë anijen në një drejtim të padëshiruar. Peshku i shëndetshëm noton kundër rrymës; ai i ngordhur në drejtim të rrymës.

Më të famshmet ndër ata që shpallën “Vitin Zero”, qenë revolucionarët francezë. Ata donin të fshinin gjithçka, dhe të rishpiknin njerëzimin nga e para. Donin të flaknin librat e historisë, dhe gramatikën e natyrës njerëzore, për të shpikur diçka tërësisht të re.

Por siç e mësuan në fund si Jakobinët ashtu dhe Hipitë në vitet 1960, edhe kur shkatërroni të gjithë ekosistemin e institucioneve njerëzore, ju gjithmonë dështoni të çrrënjosni “lisat” dhe “bredhat”, rrënjët e të cilëve e mbajnë tokën të qëndrueshme, dhe barërat që ruajnë ujin dhe mbajnë krijesat mbi të cilat mbështetemi për ushqimin tonë.

Sot njerëzit po e humbin toruan. Shihni NATO-n dhe problemet e saj. Për vite me rradhë, ne kemi subvencionuar shtetet e mirëqenies sociale në Europë, duke përballuar një pjesë të shpenzimeve të tyre të mbrojtjes. Ndoshta më keq akoma, elitat europiane kanë vepruar sikur paqja dhe prosperiteti që kanë gëzuar gjatë 70 viteve të fundit, janë shpikur rreth tryezave të sofistikuara të konferencave në Gjenevë dhe Paris.

Unë nuk kam asnjë problem me argumentin, se NATO është bërë shumë e madhe. Nuk pajtohem domosdoshmërisht me këtë, por është një argument i arsyeshëm. Dhe po kështu është edhe argumenti se aleanca nuk duhet të bëhet më e madhe. Por të gjitha disktuimet e lira rreth asaj se si ndoshta nuk duhet ta respektojmë nenin 5, që kërkon një mbrojtje të ndërsjellë nëse një anëtar i NATO-s sulmohet, janë një marrëzi.

Retorika e përgjakshme në lidhje me “Pse duhet të vdesë biri im për Malin e Zi?”, është thjeshte një riciklim i debateve të para Luftës së Dytë Botërore “E pse duhet të vdesim për Dancingun?”. Megjithatë, debatit i mungon një element i rëndësishëm. Nëse do të vinte puna tek lufta, ajo nuk do të ishte vetëm për Malin e Zi, por për NATO-n. Dhe për këtë ia vlen të luftohet.

Unë mendoj se pranimi i Malit të Zi në NATO, ishte një ide e mirë. Fakti që rusët kanë punuar kaq shumë për ta parandaluar këtë – gati e përmbysën qeverinë malazeze në një grusht shteti, për të ndaluar hyrjen e vendit në NATO – sugjeron se ata e kuptonin më mirë se shumë amerikanë, se çfarë ishte në rrezik.

Ndër të tjera, kjo i mohon Rusisë qasjes në Mesdhe – dhe me një kosto shumë të ulët për ne. Siç vë në dukje Xhon Podorec, nëse është në interesin tonë strategjik të bllokojmë ambiciet ruse në atë drejtim. Dhe përfshirja e Malit të Zi në NATO, është shumë më e lire, se sa pozicionimi i avionëve dhe trupave amerikane në rajon.

Por unë jam i shqetësuar se po hyjmë në një kapitull shumë të rrezikshëm në historinë botërore. Kryesisht me idenë se institucionet ndërkombëtare, të ndërtuara mbi rrënojat e dy kasaphanave të dy luftërave botërore, duhet t’i hapin rrugën një epoke të re të lavdishme të nacionalizmit, që elektrizon mendjet e njerëzve në perëndim.

Është një epidemi shumë e çuditshme e mendësisë së “Vitit Zero” në nivel global. Si një mbështetës i Edmund Burke, unë jam i hapur për reforma:reforma graduale, të mirë-menduara, që përmirësojnë atë që kemi ndërtuar tashmë. Por retorika e kohëve të fundit nuk ka të bëjë me këtë. Ajo është arma mbrojtëse më e afërt për një president, që as nuk e kupton se si funksionon NATO.

Kur Jakobinët shkatërruan gjithçka në emër të “Vitit Zero”, ajo që pasoi nuk ishte një shoqëri utopike e arsyes së përsosur. Ajo që pasoi ishte një shpërthim i aspekteve më të këqija të natyrës njerëzore, përfshirë terrorin, luftërat pushtuese, dhe përfundimisht Napoleoni, madje me më shumë luftëra pushtuese.

Pa Napoleonin, Gjermania ndoshta nuk do të ishte bashkuar kurrë (të gjithë nacionalistët gjermanë ishin fillimisht kundër dominimit politik dhe kulturor francez). Dhe pa një Gjermani të bashkuar të përfytyruar në konceptet e jashtëzakonshmërisë teutonike, të gjitha llojet e fatkeqësive të dukshme – duke përfshirë edhe luftërat botërore dhe lindjen e Bashkimit Sovjetik – mund të ishin shmangur.

Natyrisht, mund të kishin gjëra të tjera të këqija. Por këto gjëra ndodhën. Ne reaguam me mençuri, duke ngritur institucione për të parandaluar përsëritjen e këtyre fatkeqësive – dhe kjo ka funksionuar, në Europë.

Ekziston një supozim i çuditshëm këmbëngulës, në shumicën e këtyre bisedave tona me sfond nacionalist, se këto institucione ndërkombëtare të themeluara nga SHBA-ja, nuk i kanë shërbyer interesave tona. Ky është një absurditet i rrezikshëm. A mund t’i kishin shërbyer më mirë interesave tona?

Sigurisht. Ka gjithmonë vend për më mirë. Por, a duhet të ndihemi si budallenj për krijimin e tyre? Natyrisht që jo. Sa për të parifrazuar presidentin Trump, “një Europë e begatë dhe paqësore është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”.

Por s’ka asnjë dëshmi se zhdukja e këtyre institucioneve, do të ishte një hap përpara drejt një Rendi të Ri Botëror utopik. Do të kishte më shumë gjasa të ktheheshim në Kaosin e Vjetër Botëror të luftërave, proteksionizmit dhe logjikës së një burgu global.

Unë nuk po them se të gjithë ata që nxitojnë të mbrojnë apo sulmojnë qëndrimet e Trump në lidhje me këto çështje, janë utopistë apo nihilistë. As nuk po them që çdo kritik i NATO-s, e ka gabim në çdo aspekt. Por jam duke thënë se kjo është një bisedë serioze, që duhet të kryhet seriozisht, sepse edhe zhvillimi i debateve të tilla është i rrezikshëm. Dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm, situata do të dalë jashtë kontrollit, dhe do të kemi një sasi të madhe të ri-mësimesh për të nxënë./Bota.al

l.h/ dita

July 27, 2018 15:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*