Një “Kopsht Edeni” në mes të Shqipërisë së sotme

Zylyftar Hoxha September 28, 2014 21:45

Një “Kopsht Edeni” në mes të Shqipërisë së sotme

Një ditë të bukur vjeshte bashkë me disa shokë, prof. Fetah Elezin, pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës; Shyqo Peshtanakun, biznesmen, Jovan Janon dhe Dhimitër Shtëmbarin, gazetarë, u nisëm drejt Dumresë.

Qejfi ha kumbullatë tharta e jo më mjalt që në pikë të mëngjesit

Sa kalojmë Urën e Peshkatarit në Mullet dhe ecim goxhá, nuk e mbajmë mend emrin e vendit, por ishte afër grykës së tuneleve në autostradën Tiranë-Elbasan, Shyqoja, një biznesmen i shkathët, që e njeh shoqërinë dhe që bën shumë gjëra nga ato që nuk i bëjnë dot kolegët e tij, na kthen në parkun e bletëve,që e ka ngritur thjesht dhe vetëm për pasionin e tij prej fshatari. Jo si shumë të tjerë, që e kanë për turp origjinën dhe nuk e zënë kurrë në gojë vendlindjen e tyre, Shyqoja është ndryshe. Në park sa kanë rënë rrezet e para dhe bujitja sinfonike karakteristike e bletëve është në kulmin e saj, ndërsa ne në tonën, me oreshka mjalti përpara, por edhe me një ndjesi ngazëlluese që të jep një mëngjes i tillë, larg zhurmës së qytetit, me këtë ajër të pastër dhe gjelbërim të  pamatë. Është vjeshtë dhe, siç ka shkruar në një poezi, miku ynë i vjetër, poeti Koçi Petriti: ”…në stinët e bukura as pleqtë nuk kërrusen”!…

Në Qafë-Krrabë, aty ku Eduard Lir pikturoi Tomorrin

Në Qafë-Krrabë u themi miqve të ndalonim në një vend ku Tomorri duket për herë të parë kur shkon nga Tirana, ose të fundit kur vjen nga Elbasani. Miqtë e tanë u habitën me këtë farë rebusi fjalësh, por u qetësuan dhe na erdhën në ndihmë menjëherë kur u thamë se donim të gjenim pikën nga ku piktori i madh anglez, Eduard Lir, ka pikturuar Tomorrin dhe, më pas, ka shkruar në ditarin e tij se “ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”.  Pasi kërkuam, më në fund e gjetëm. Ishte në një qafë mbi fshatin Gracen. Një shesh i bukur në anë të një shkëmbi, ku ai ka pikturuar disa luftëtarë shqiptarë, ndoshta shoqëruesit e tij, është edhe sot me po atë formë, pavarësisht se aty është hapur rruga automobilistike. Në sfond, në një hirnosje mëngjezore të hapësirave të Darsisë, Dumresë, Sulovës, Nahijes së Beratit, në mes mezi shquhet ravijëzimi i Tomorrit legjendar, që në këtë rast, deri sa e kërkojmë, na duket si një personazh i gjallë.

Hije Biçakçinjësh në Cerrik

Pas një kafeje në Elbasan, vetëm e vetëm për të na tregur vendet dhe sektorët ku kishte punuar si specialist e drejtor ferme, Fetahu na çon nëpërmjet rrugës së Paprit në Cerrik. Në Cerrik ndenjëm shumë pak, sa për një cigare. Ikëm shpejt që këtej drejt Dumresë. Fusha e Cerrikut, pjesë e çiflikut të Biçakçinjve të Elbasanit, është e vendosur midis dy lumenjve Shkumbin dhe Devoll. Ajo ka një veçanësi strukturore aluvinare që e bën shumë të lehtë në kullim dhe vaditje, por edhe në pjellori. Jo më kot italianët në kohën e Zogut ia vunë sytë kësaj fushe për të ndërtuar një fermë të madhe kuajsh, më e madhja në Ballkan që do të furnizonte ushtrinë italiane, por edhe do të mbushte tregun botëror me kuaj rrace të të gjitha llojeve. Italianët nuk arritën ta realizonin dot projektin e tyre. Ata lanë aty vetëm disa godina që janë edhe sot. Më parë, në periudhën e socializmit, ka qenë e mirënjohura si ferma e Cerrikut.

Edhe natyra mban me hatër…

Sa mbaron fusha e Cerikut, merr paksa më të djathtë dhe të del Shalësi, një fshat goxha i madh, fshati i parë i Dumresë, si të thuash porta për të hyrë në të. Që para gati 30 vjetësh, kur më ra rasti të kaloja një herë këtej kam shkruar se është një gjë tepër e rrallë, hatër i natyrës, që në një sipërfaqe prej 21 500 hektarësh, të ketë 85 liqene me sipërfaqe 770 hektarësh, që mbajnë rreth 30 milionë m3 ujë. I qëndroj edhe sot asaj që kam thënë duke shtuar se si nuk paska sy njeriu, kuptohet nga ata lartë, që ta shikojë këtë mrekulli shqiptare e të bëjë diçka për të. Një vend tjetër i botës do të krenohej me këtë kopsht të Edenit dhe do të rivinte në vend atë që është prishur dhe shkatërruar aq barbarisht. Se Dumreja, simotra më e madhe e Lurës, ka qenë po aq e bukur sa dhe Lura, madje, më e bukur. Pyjet e saj të lartë prej dushku, frashri e shkoze, kanë qenë një xhungël e vërtetë, sa nuk i dilte dot njeri matanë. Shtoji këtij peizazhi edhe kaltërsinë e format e çuditshme të liqeneve dhe mundohu të përfytyrosh çfarë mrekullie të del përpara. Një përrallë! Se si ka qenë Dumreja më parë, vetëm të vjetrit e dinë dhe vetëm atyre u dhemb. Mjafton të shikosh lisat e shekullorë të mbetur aty-këtu majë ndonjë kodrine, si fjala vjen, në varrezat e fshatit Hardhizë, që të përfytyrosh mrekullinë e dikurshme.

Si do të ishte Belshi në një tjetër vend të botës!?

Përgjatë rrugës për në zemër të Dumresë sheh lokale luksi, siç dihet, si gjetkë, edhe këtu, shqiptarët shpenzojnë shumë për t’u dukur. Kthehemi në njërin prej tyre. Zabit Zekthi na lutet të rrimë. “Nuk ju vonoj, thotë, peshkun e kam gati. Tani sa më erdhi”. Por ne ngutemi. Pak më tej, kur në një qafë ku duket qyteza e vogël e Belshit po bënim disa foto me sfond liqenin, zbret nga makina një njeri jo vetëm trupmadh, por edhe zhurmëmadh, shakaxhi i thekur, se filloi me njëherë nga ato të tijat. Jakup Uruçi e quanin. E njihnin të gjithë për qyfyret dhe shakatë që kishte bërë, kur ishte shofer i kryetarit të kooperativës, por edhe për ato të tanishmet, si biznesmen i suksesshëm. Belshi është një vend i bukur. Jo më kot Sami Frashëri donte ta shihte kryeqytet të Shqipërisë. Tani ai është lënë krejt pasdore. Jo që kryeqytet s’u bë, por as qytet për të qenë nëk është bërë. Mu duk tamam si 30 vjet më parë, veçse me një ndryshim; me një masakër urbane, që po ia zë frymën dhe po e helmon liqenin me derdhjet në të. Tash së fundmi ky qytet ka filluar të vizitohet nga turistët vendas e të huaj, të cilët, në më të shumtën e herës, ngelen të zhgënjyer. Të kesh një perlë të tillë e të mos e vlerësosh për shumë pak gjë, në radhë të parë për rregull e pastërti, pastaj për ndërtime me kriter e infrastrukturë bashkëkohore, kjo nuk është normale. Kushedi si do të ishte Belshi të ishe në një vend tjetër të botës! Po e gjithë Dumreja me gjithë ata liqene ku njëri është më i bukur se tjetri me ato  kodra të rrumbullakosura me lartësi të njëjtë që ndahen nga njëra-tjetra nga lugina të vogla, qafa e gropa që i japin pllajës pamje të mahnitëse!?  Edhe nga pikpamja administrative, bashkë me Sulovën dhe Darsinë fqinje, krahina me të njëjtat kushte gjeografike, ekonomike, sociale e kulturore, Dumreja mund të organizohej ndryshe, duke formuar një rreth më vete, që do t’i jepte mundësi menaxhimit më të mirë punëve si në drejtim të turizmit, por edhe të zhvillimit ekonomik. Kjo është një zonë që dikur ka kultivuar duhanin dhe lulediellin, ndarsa tani janë krijuar plantacione të tëra me ullinj dhe vreshta, të cilat janë shoqëruar edhe me ngritjen e fabrikave të vajit dhe të përpunimit të rrushit dhe frutave.

Këtu gjen “edhe qumësht dallëndysheje”!…

Në Dumre është zhvilluar një tip i veçantë i karstit me hinka e gropa të shumta karstike. Ato përbëjnë tiparin dhe veçorinë e relievit dhe peizazhin e Dumresë, kanë një diametër nga 15-20 m dhe thellësi 3-3 m. Një nga këto në fshatin Hardhi është mbushur me mbetje inerte, një tjetër midis Kosovës dhe Fierzës, me një diametër 1.5 km dhe thellësi 100 m, me një bimësi të dendur, thonë se është kërkuar nga një italian për turizëm, por nuk është konkretizuar marrëveshja. Toka e Dumresë rrit një florë të pasur me shumëllojshmëri bimësh të egra, por edhe të kultivuara. “Edhe qumësht dallandysheje bën ky vend”, të thonë me një fare krenarie vendësit. Ndaj dhe bujqit meraklinj kanë ngritur plantacione të tëra me vreshta, të cilat të ekspozuara nga dielli, japin shumë prodhim, por edhe një prodhim cilësor. Që e pranon rrushin toka e Dumresë, e dëshmon edhe një fakt i thjeshtë, që një fshat këtu quhet Hardhizë. Ndërsa ndër bimët e egra, këtu rritet një lule e veçantë, që quhet Lekoi i Bardhë, që është një nga lulet më të bukura që rritet në ujërat e liqeneve të Dumresë. Kjo lloj bime kryesisht rritet në gjolin e Turbullt të Rrafmanit dhe në atë të Seferanit. Po kështu në këto liqene rritet edhe Lekoi i Verdhë. Të huajt marrosen pas tyre dhe liqeneve, dhe gjithnjë e më shumë po sulen drejt tyre për të shijuar këto mrekulli të natyrës. Banorët e zonës tani janë të motivuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe nuk po tentojnë të largohen më nga zona, e cila dikur thahej për një pikë ujë. Në gjendjen e tanishme, Dumreja ka vetëm një rrugëzgjidhje të shpejtë e të përkohshme. Atë e shpëtojnë vetëm investimet.

Liqenet e Dumresë: 85, nuk janë pak!…

Sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve, këtu shkon në 770 hektarë(!). Vëllimin më të madh të ujit në këto liqene e ka ai Merhojes me 11.3 milionë metra kub. Po kështu, të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 hektarë; Seferani 87.5 hektarë; i Degës 37.5 hektarë, ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit, me 0.5 hektarë. Ndërsa më të thellë janë: Merhoja 61 metra; Çërraga 29 metra; Seferani 20.8 metra etj. Thellësia më e vogël zbret në 10 metra. Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë, është se ata janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht. Këta liqene kanë tejdukshmëri të vogël dhe në thellësinë 15 metra, në disa prej tyre vihen re shenja të acidit sulfhidrik. Në liqenet e Dumresë gjendet me shumicë krapi, ballëgjeri, por edhe peshqë të tjerë kënetorë. Ndërkohë që të gjithë këta liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore.

…Edhe pse fle mbi thesare!…

Mahmut Hidri, xhaxhai i Sul Hidrit, një figure komplekse e të njohur në Dumre, oficer i lartë i ushtrisë turke, ka qenë ai që ka mbrojtur Kongresin e Lushnjes dhe e ka shoqëruar qeverinë e ngritur aty për në Tiranë. Po kaq e njohur është edhe figura e Nebi Balit, zëvendësit të Haxhi Qamilit, të torturuar nga Esat Pasha në Peqin. Në luftë Dumreja ka qenë një nga vatrat më të zjarrta me formacionet e saj partizane, batalionin e saj të famshëm që bashkëpunonte ngusht me Grupin e Parë partizan të Myzeqesë. Megjithëse Dumreja me 40 fshatrat dhe  me 40 mijë banorët e saj  fle mbi thesare, askush nuk e di, madje sa vetë ata që ngrysen e gdhihen aty, le të tjerët. Por do të vijë një ditë që ajo do të bëhet siç e përfytyronte gjenerali i mendimit të Rilindjes sonë Kombëtare, mendjendrituri Sami Frashëri. Qofshim gjallë deri atëhere!

Gradishta, “Tomorri” i Dumresë

Nga tepèja e Gradishtës, i vetmi “mal” që mburret me 180 e ca metrat lartësi, Dumrea duket si në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka një vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike. Ajo është akropoli i Dumresë, Tomorri i Dumresë, siç e ka quajtur poeti ynë i mirënjohur, Xhevahir Spahiu. Jo më kot të parët e kanë zgjedhur këtë vend dominant, këtë belvedere, si qendër banimi dhe administrative. Gërmimet arkeologjike më 1969, 1973-74 në Gradishtë dëshmojnë si vendbanim ilir të periudhës së mesme të bronzit, që u zhvillua pa ndërprerje në fazat e hershme të epokës së hekurit. Në shek. VI p.es. ishte qendër protourbane, ndërsa në shek IV-I p.e.s. u kthye në qytezë të fortifikuar të krahinës së fisit ilir të parthinëve. Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën. Është kjo arsyeja që herë pas here edhe sot zhytësit gjejnë në fundin e liqeneve relikte të rralla. Belshi vazhdoi si qendër banimi dhe gjatë shekullit të I-IV të e.r. duke qenë pranë degës nga Apollonia të rrugës Egnatia. Në shek IV-VI u fortifikua me mure gur. Ndonëse të rralla, një vend të veçantë zënë edhe punimet në bronz, ku në shumicën e rasteve ka të skalitur drerë, mamuthë që janë zbuluar në afërsi të qendrës së Belshit. Ndërkohë që në vende të tjera janë shfaqur edhe punime me vlera si pjata me zbukurime, të cilat janë shumë të hershme.

Njerëz të mirë, me histori “të mirë”

Ecim në rrugën e re që përshkon Dumrenë nga lindja në perëndim, dmth, nga Belshi, zemra e Dumresë, deri në Kosovë të Vogël, ku i thonë Myzeqe. Kjo rrugë bashkëkohore e ktheu Dumrenë në një zonë tashmë edhe me zhvillim tregtar. Në Hardhizë, në një drekë të mirë, me verë shtëpie e peshk táze, Bedri Qypi, një djalë i ri, i mirë, për ta pirë në kupë, siç thotë populli, na tregon historinë e krahinës. Një histori dinjitoze në të gjitha kohërat. Natyrisht, s’ka si të ndodhë ndryshe, në një krahinë me një natyrë kaq të butë, të bukur, që prodhon vetëm mirësi, edhe njerëzit të tillë do t’i ketë, të mirë, punëtorë të zotë, por edhe luftëtarë trima kur e ka dashur dhe e do puna.

Zylyftar Hoxha September 28, 2014 21:45
Komento

1 Koment

  1. guri shabani September 29, 07:15

    Nje reportazh i bukur ,kujtova dhe une vitet 70 kur isha agronom ne Dumre dhe Fetau ishte student.Dumrea ka shume veti te mira qe shpresojme se rilindja do i vej ne jete,mikpritjen ,zemergjersine dhe sinqeritetin.Ai qe ka jetuar ne ate zone ruan respekt.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*