Një Kupë me surpriza, eliminohet Vllaznia

Dritan Ikonomi November 8, 2012 15:56

Një Kupë me surpriza, eliminohet Vllaznia

Pas eliminimit të paralajmëruar të Tiranës, ikin edhe kuqeblutë, Shkumbini kalon falë golit në fushë kundërshtare

 

Kupa e Shqipërisë ka ofruar rezultate të papritura në raundin e dytë dhe tani nuk bëhet më fjalë për eliminimin e paralajmëruar të Tiranës nga Kukësi. Shkumbini ka eliminuar Vllazninë, falë golit në fushë kundërshtare, të shënuar nga Emiljano Lluca. Shkodranët ishin mundur minimalisht në ndeshjen e parë në Peqin dhe ishin favoritë për të kaluar turin, duke besuar te përmbysja në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë e nisën me sulme, por Shkumbini u mbajt fort në fushë, duke shpalosur armën e vet më të mirë, shpirtin luftarak. Shkodranëve u duhej vetëm  një gol për të ekuilibruar rezultatin e të dyja ndeshjeve, por ishin miqtë që shënuan të parët, në minutën e 66-të. Me vetëm 24 minuta të mbetura, misioni i Vllaznisë ishte pothuajse i pamundur, pasi duheshin shënuar tre gola, megjithatë shkodranët e provuan.

 

Tetë minuta para fundit erdhi goli i barazimit, nga Rexha, dhe Vllaznia u hodh e gjitha në sulm, ndërsa Shkumbini u mbajt pa u tronditur. Dy minuta para përfundimit, gjithçka u bë më dramatike, sepse Tefik Osmani e kaloi në epërsi skuadrën e Shpëtim Duros. Koha ishte e pamjaftueshme për të shënuar edhe një gol tjetër dhe me kokën lart nga fusha doli Shkumbini i Gugash Maganit. Për Vllazninë vjen dështimi i parë sezonal, me eliminimin nga Kupa, ndërkohë që punët nuk janë shumë më mirë në kampionat, të paktën në lidhje me trofeun. Kuqeblutë mund ta arrijnë objektivin minimal, kualifikimi në Europa League, por titulli duket tepër i vështirë, sepse janë aktualisht gjashtë pikë poshtë Skënderbeut.

 

Dramë në Durrës

Lushnja ishte shumë pranë realizimit të një tjetër surprize, teksa udhëhiqte 2-0 në “Niko Dovana” të Durrësit, përballë Teutës. Takimi i parë ishte mbyllur pa gola, kështu që vendasve u duhej të shënon tre gola në tridhjetë minutat e fundit. Ia dolën t’i shënonin në harkun e tetë minutave, nga e 64-ta te e 72-ta, ndërkohë që në minutën e 82-të shënuan edhe golin e sigurisë, për shmangur eliminimin nga ndonjë gol i Lushnjës. Në fushat e tjera, dy skuadra vendase kanë arritur fitore me vlerë kualifikimi, madje Bylis duke përmbysur disavantazhin e takimit të parë. Ballshiotët ishin mundur 2-1 në Gjirokastër, por dje fituan 3-1 me Luftëtarin, me golin e minutës së 70-të, ndërkohë që deri atëherë rezultati i dy takimeve ishte i barabartë. Ashtu si Teuta, edhe Laçi vinte nga një barazim pa gola në ndeshjen e parë, por kundër Tomorit laçianët nuk e vunë në diskutim kualifikimin, teksa kryesuan 2-0. Një gol i beratasve rihapi lojën, megjithatë vendasit shënuan edhe të tretin, duke ua bërë praktikisht të pamundur miqve kualifikimin.

 

Vetëm formalitet

Kualifikimi i Kukësit ishte vetëm formalitet pas fitores 4-0 në ndeshjen e parë, por edhe duke pasur parasysh fitoren në kampionat katër ditë më parë, çka krijoi një hendek të madh psikologjik midis dy skuadrave. Tirana ndoshta kishte besuar te përmbysja e madhe, por Kukësi goditi menjëherë, që në minutën e dytë, me anë të Prognit, dhe gjithçka u bë e qartë për sa i përket emrit të skuadrës që do të kalonte në raundin tjetër. Allmuça shënoi edhe golin e dytë dhe u duk se verilindorët do të arrinin fitoren e tretë në po aq përballje me bardheblutë. Megjithatë, Kukësi e uli ritmin dhe lëshoi mjaft, çka i dha mundësi Tiranës të përmbyste shifrat e të fitonte ndeshjen, por jo të arrinte kualifikimin. Formale ishte ndeshja e dytë edhe për Skënderbeun, Flamurtarin e Kastriotin, të cilët vinin nga fitoret jashtë në takimet e para.

Dritan Ikonomi November 8, 2012 15:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*