Nga Bashkim Koçi
U jam kthyer shpesh kujtimeve të viteve të fëmijërisë për të sjellë e përjetuar ngjarje që kanë lenë gjurmë jete. Ajo çka më bën përshtypje është fakti që në shumicë të rasteve mendja më çon në vitet e shkollimit, të viteve që më diktojnë të më shfaqen shokë e shoqe të dëlirë të asaj moshe, por edhe fytyrat fisnike e të dashura të mësuesve, të atyre që na hapën derën në të cilën duhet të hynim për të bërë ëndrrat realitet.
Kam përshtypjen se mësuesi është si një burim drite që të ndjek pas të gjithë jetën, është si një “aset” që i përket përjetësisë, që shembulli dhe influenca e pazakontë bëhen pjesë e formimit edhe pa prezencën e tij. E kam këtë mendim sepse po sjell një shembull timin, i cili, edhe pse i përket viteve të shkuara, një gjysmë shekulli më parë, ka vlera përgjithësuese për të gjithë brezat. Mësuesja ime e dashur e ka emrin Melo Dodbiba, bashkëshortja e ministrit që la emër të madh në zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë shqiptare, Pirro Dodbibës. Brezi im ka informacionin e duhur rreth asaj çka ngjau me karrierën politike e profesionale të këtij specialist e administrator të shquar e famëmadh, por në këto radhë kam marrë përsipër të shkruaj për gruan e fortë dhe me plot dinjitet, për simbolin e qëndresës, mësuesen time, Melon.
Çdo sukses i madh është triumf i këmbënguljes. Edhe vajza gjirokastrite, Melo Çoçoli, e paska filluar jetën me doza të larta mundimi, por që prapësitë dhe ca gjëra që i zunë rrugën u kapërcyen falë këmbnguljes, falë krenarisë së saj për të ngjitur shkallët e suksesit. I filloi klasat e para si nxënëse në Qytetin e Gurtë, Gjirokastër, vijoi në një stacion tjetër, Tiranë dhe e mbylli në qytetin verior, Shkodër. Jo për të pasuruar biografinë e Melo Dodbibës, por do të mbetej e mangët, me “orë e ditë bosh”, nëse nuk do t’i justifikonim ato me veprimtarinë e saj si agjitatore, nxitëse për mbështetje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo tashmë është në moshë të thyer, por bëhet “vajzë-flutur” kur flet e kujton vitet krejt ndryshe, pa asnjë ngjashmëri me këta që përjeton rinia e sotme.
Kush dëshiron të këndojë, gjithmonë do ta gjejë këngën. Edhe vajza Melo e kishte një ëndërr për të “kënduar” e cila i kish lindur në moshën fare-fare të vogël, kur ishte çilimi. Kjo këngë e kishte emrin shkollë. Shkollë, shkollë, shkollë, asnjë emër tjetër. Vetëm ajo kish magjinë që të mund të arsimonte, që të të kulturonte, që të mund të bënte dikushin në jetë. Melo Dodbiba sot, në moshën 95 vjeçare dhe që ky 29 Gusht do t’ja ndërpriste jetën, i ngjiti me plot dinjitet shkallët e jetës. Ajo kujtonte e tregonte si të kish ngjarë dje ditën kur mori avionin për në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë, aty ku do të vijonte universitetin në fakultetin e Shkencave të Natyrës. Unë, nxënësi i kësaj mësueseje të magjishme, kujtoj sesi ajo kujdesej për ne “fshatarët me opinga”, sesi bënte përpiekje të mundimëshme për të na mësuar shkencën e darvinizmit, sesi ajo konsumonte veten si një qiri, që ne të bëheshim të zotë e të ditur. Sigurisht nuk mund të mos t’i them dot të gjitha, por mësuesja Melo e meriton qoftë edhe këto dy fjalë: mësuese që dinte t’i bënte të lehta gjërat e vështira.
rS’është vështirë të bësh një kurorë, por është vështirë të gjesh kokë të mire për ta vendosur atë. Kur kam lexuar këtë thënie brilante të Gëtes më kaloi përpara syve kariera dhe punët e mëdha si mësimdhënëse e edukatore të Melo Dodbibës. Ajo mësimdhënien nuk e kishte punë për të marrë një pagë, nuk e kishte as kohë për t’u çeplendisur apo për kënaqësi të të qënit me shokë e shoqe të shumtë. Jo. Mësuesja Melo ishte e gatuar me pasionin për t’u bërë e dobishme, për të ndikuar e shumuar lumturinë e të tjerëve. Ajo, në të gjitha pozicionet që mbuloi në fushën e arsimit, kur nuk kishte atë që donte, përpiqej e sakrifikonte të donte e respektonte atë që kishte. Për disa kohë asaj “i ndriti fati” për të qënë në pozicionin e drejtoreshës në shkollën e mesme të përgjithëshme “Ismail Qemali” në Tiranë e, më pas, po për shkak se atë e kërkonte puna e jo ajo punën, do të tranferohej në gjimnazin ku caktoheshin ajka e mësuesisë të Kryeqytetit, “ të lakmuarin nga të gjithë”, tek “Qemal Stafa”. Nëse do të më jepej mundësia të vendosja një kororë, të më besohej përzgjedhja i mësuesit që guxoi të japë mësim, por që nuk pushoi kurrë së lexuari, këtë kurorë do t’ja vendoja mësueses time, Melo Dodbibës. Tashmë që ajo u nda nga jeta meriton kurorën tjetër, atë të përjetësisë.
Por jeta nuk na paskësh qënë fushë me lule për mësuesen Melo. Një Maji i vitit 1976 e gjeti familjerisht në një fermë të rrethit të Fierit, në Hoxharë. Bashkëshorti i saj, Pirro Dodbiba, deri në atë kohë Ministër i Bujqësisë, për arsye që mësuesja ime Melo nuk di dhe nuk i mori vesh kurrë arsyet e transferimit dhe të denigrimit deri në atë farë feje, u caktua të punonte si ekonomist. Aty në fermë. Po mësuesja “e zgjedhur si me dorë” në të gjithë Tiranën ku do të punonte? E kam marrë vesh shumë vonë çka paskësh ngjarë me këtë grua fisnike, por tani që e kam “defterin” e jetës së saj të plotë, më duhet të them se marrëzia nuk paskësh patur as anë e as fund. Zemërbardha Melo më ka treguar se në Hoxharë u vendosën në një apartament-magazinë me shumë lagështi, por kujton edhe tjetrën që njerëzit, banorët e fermës i shikonin të ligështuar, u vinte keq për fatin e tyre.
Vetëm 20 ditë paskeshin qëndruar si banorë të Hoxharës. I kishin transferuar urgjentisht në NB-në e Llakatundit, në Vlorë. Ish ministri, nga më të suksesshmit që ka patur vendi ynë në vite, u caktua po ashtu si në Hoxharë, llogaritar. Mësuesja ime Melo u komandua në klasat e dyta të ciklit të ulët, në fillore! Por mësuesja Melo, ajo që ish diplomuar në Bukuresht për Shkencat e Natyrës, do të fuste “mik” veten e saj për t’u ngjitur shkallë më lart, aty ku e meritonte të ish. Duke punuar e sjellë si rrallëkush, ajo kujton se u sistemua shumë shpejt në shkollën e mesme bujqësore të Llakatundit, aty ku do të shpaloste aftësinë e mësueses së kompletuar e të ditur, të mësueses që nuk i shkonte mendja të bënte diferencim në trajtimin e nxënësve, të bënte shpjegimin e mësimit si “për fshatarë”.
Nga të gjitha plagët, të pashërueshme, janë ato që burojnë nga gjuha, shikimi me përbuzje dhe tallja. Melo Dodbiba ka patur shumë plagë të cilat nuk iu shëruan kurrë. Janë plagë që po t’i gërvishtje vetëm fare pak, ato të shfaqen të gjakosura. Ne punonim, silleshim mirë, nuk guxonim të bënim muhabete “me zarar”, por përsëri njerëzit na shikonin si të dyshimtë, druheshin nga prezenca jonë. Përse kështu, ç’kishin bërë ne?- na thoshte me shumë dëshpërim mësuesja ime Melo. Por, siç tregon ajo, ne si familje, pra edhe fëmijët, nuk i trembeshim përbuzjes. Thjesht, sepse nuk e meritonim një gjë të tillë. Ajo më ka treguar e sjellë copëza jete kur shumica nga banorët e Llakatundit i trajtonin njerëzisht, silleshin me dashamirësi. Dhe herë-herë edhe u vinte keq për atë ndëshkim të pamerituar- thoshte mësuesja Melo. Dhe i qeshin sytë.
Asgjë që ka qenë e vlefshme në të kaluarën për një njeri, kushdoqoftë ai, nuk humbet. Por edhe një e vërtetë ose e mirë që e ka krijuar njeriu nuk vdes kurrë. Vlen të thuhet kjo, madje me zë të lartë, për çiftin Pirro e Melo Dodbiba. Të gjithë e mbajnë mend pozicionimin dhe sjelljen e këtyre njerëzve të mrekullueshëm pas viteve ’90. Ata u shfaqën ashtu si ishin, me plot kulturë e dinjitet, ashtu si i kishin njohur deri atëherë qindra e mijëra miq e dashamirës, ish nxënës e kolegë, vartës e bashkëpunëtorë, të të gjithë rangjeve. Pirro Dodbiba, ku burrë i lartë, i ndershëm dhe vizionar, nuk pati “turp” të bëhej pjesë e armatës të progresit, tu bashkangjitej asaj pjese të bashkëkombasve të tij që e donin prej vërteti ndryshimet. Qysh në fillim të proceseve demokratike e deri sa u nda nga kjo Botë, Pirro Dodbiba qëndroi në krye të Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ-it. Pirro e Melo Dodbiba, edhe pse të dërrmuar e sakatuar për vite e vite me radhë, guxuan të mbeteshin me shokët, guxuan të mos e bënin të bardhën të zezë, u rreshtuar në krahun e fitimtarëve.
Çdo gjë që është e vlefshme për shoqërinë, është edhe fisnike. Mësuesja Melo iu përmbajt dhe nuk lëvizi as një milimetër nga kjo filozofi. Ajo gjeti kohë të mburrej me të kaluarën e saj, diti të shpalosë me shumë modesti vlerat dhe kontributin e bashkëshortit të saj, Pirro Dodbibës. Sipas saj, ai i kaloi vitet e pleqërisë midis shokësh veteranë, i vlerësuar nga ata maksimalisht, ashtu si ia donte zemra, si edhe e meritonte.
Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë. Është konstatim absolut, nga më të vërtetët, që ia mbush shpirtin plot çdo nxënësi, studenti, çdo njeriu që i është dashur të përulet përpara mësuesit për të nxënë. E kam edhe unë këtë mendim për mësuesen time Melo Dodbiba, portreti i të cilës nuk do të më ndahet asnjëherë. Më ka çuditur vazhdimisht qëndresa dhe forca e logjikës të kësaj gruaje të kaluar në moshë, e cila në mendimet e këshillat që jepte, sjellte filozofinë e njerëzve të mëdhenj, të më të diturve të botës. Dhe kjo çudi e ka folezën tek fakti që ajo ishte dhe mbeti deri në fund aktive, që ndoqi me pasion të veçantë zhvillimet marramendëse të shoqërisë, të progresit që bën Bota në tërësi. Çdokush duhet të krijojë rrugën e vet dhe nëpër të, të ecë vetëm.
Dhe ti ece në rrugën që krijove vetë, mësuesja ime Melo Dodbiba.
Ka qene grua e serte dhe egoiste. Edhe une e kam pasur mesuese, po nuk mbaj mend ndonje gje per te qene rreth saj vec qe sa ishte ne fik ishte noprane dhe arrogante, nuk e di cfare ndodhi kur ra nga fiku se nuk e kisha mesuese.
Pirua Melua,Mira dhe Genci..Familja Dodbiba.Te gjithe te shkelqyer njeri me i mire se tjetri.Por si thone,i miri nuk ka fat.E tille ka qene jeta e kesaj familje.Por ama vetem ndershmeria,edukata,sjellja shembullore dhe.profesionalizmi nuk u.ka munguar dhe i ka shoqeruar gjithe jeten.
Ngushellime vajzes dhe pasardhesve te nderuar! Sot rastesisht u njoha me lajmin e hidhur, se qenka ndare nga jeta, znj.Melo Dodbiba. E kujtoj si mesuese dhe drejtoreshe shkolle, qe ka punuar me perkushtim per arsimimin e edukimin e brezit te ri, sepse e vleresonte mesuesine, jo thjesht si detyre, por si mision per te pergatitur brezin e afte te se ardhmes, qe ta duan e te punojne per atdheun e kombin shqiptare.
Nderime dhe u prehte ne paqe!
Tefta Cami-Cani-ish-ministre e Arsimit dhe Kultures
Tirane, me 19 nentor, 2022
Ah moj shoqja Tefta, po per shokun Enver e ke mare vesh qe ka vdekur ne vitin 1985? Shiko mos gjesh ndonje shkrim gjekundi dhe shkruan ndonje ngushellim edhe per te se ty te ka pas dashur shume.