Një lajm i zi: Sot pritet të vdesë Sadna te Bidai

February 4, 2016 11:44

Një lajm i zi: Sot pritet të vdesë Sadna te Bidai

Një lajm i hidhur u mor vesh sot. I përcjellë kështu ende pa ndodhur, ai i shton fatkeqësisë së pashmangshme edhe ankthin torturues të pritjes.

Miq, sot pritet të vdesë Sadna, bashkëshortja e Alekut në serialin indian “Bidai”. Këtë kob e mora vesh tek agjencia kombëtare e lajmeve “Balkanweb”, e cila shkruan se Sadna “kohëve të fundit ndien se diçka e keqe do të ndodhë”.

Si për ta rënduar dorën e kësaj fatkeqësie, “Balkanweb” e shoqëron lajmin e zi me një foto me diçiturën: “Sadhana Rajvanash lookinng beautiful”. Kaq e re! Kaq e bukur! Dhe e merr vdekja.

Kjo rrëfenjë ballkanuebiane, të cilën mund ta ndash vetëm me duhan, këtë fond emergjence të ditëve të trishta, kujton ato kohët e dikurshme të antenave dhe zhurmuesve. Kur syri e veshi , burgosur nga kureshtja e pamatë për atë që ndodhte gjetkë, kapte një serial aty, e një limonadë televizve diku tjetër. Dhe ashtu, të pamundur për të ndjekur çdo gjë, shokë më të informuar na tregonin udhën e ngjarjeve: se kush vdiste, e kush e vrau. Kush u sëmur e pse u nda.

Si qëndronte xhanëm e vërteta e këtij arti disident, e aftë të krijonte regjistra emocionalë të papërsëritshëm? Mister…

Ç’të thuash sot, tani, që lajmi kombëtar mori dhenë: që Sadna vdes? A mund të shihet më “Bidai”? Çfarë do bëjë Aleku? Ja këto pyetje i gëlojnë shqiptarit të shkretë në kokë, i cili s’kishte pak që preku një gëzim. Sytë e të gjithëve u lumturuan nga privilegji i madh kur në Gjirokastër qeveria zbuloi Djepin ku lindi Kadarea. Djepin e vërtetë, aty ku u lidh kopanec i vogël, jo djepin si metaforë. Apo “Djepin që lindi letërsinë shqiptare”, siç shkruante një gazetë(http://www.mapo.al/2016/01/djepi-qe-lindi-letersine-shqiptare), e ku u ulën e po kuvendonin gjithë ata burra.

Ku të futesh e ku të gjesh ngushëllim në këtë botë? Asgjëkundi. Vdekja dhe lindja janë të pandara njëfarësoj. Sa për vdekjen e Sadnës sot, si shqiptarë i themi Alekut: Do të të vijmë, se na ke ardhur!

 

*********

ResPublica / Gojët e Liga është rubrika satirike, lutemi mos e merrni seriozisht 🙂

February 4, 2016 11:44
Komento

2 Komente

  1. spartaku February 4, 14:15

    Me ka pelqyer shume filmi BIDAI.I kame per ete gjitha serit e tij.

    Reply to this comment
  2. kris 1 February 4, 18:23

    e ckeni me djepin e kadarese.Ate e prodhoi uzina metalike 50 vjet pas lindjes se Kadarese.Enverin e tundem ne djep prej druri ,Malon e veshem me hekur.
    Prane djepit u mallengjyen kreret e shtetit dhe po mendojne ku te gjejne ndonje djep antik por te fisem per muzeumet e tyre

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*