Një lamtumirë për pedagogun dhe kolegun Ylli Popa

August 18, 2017 09:58

Një lamtumirë për pedagogun dhe kolegun Ylli Popa

 

Nga Isuf Kalo*

 

Them i ynë  sepse jam i sigurt që ndjenjat dhe vlerësimet që po shpreh  janë  jo vetëm të mijat por edhe  të qindra kolegëve të tjerë mjekë, ish-studentë dhe tani kolegë  të tij anë e mbanë Shqipërisë. Me të njëjtën bindje them se po të listojmë ish-mësuesit tanë të nderuar  të fakultetit të mjekësisë  për nga simpatia elekuenca, erudicioni origjinaliteti dhe mbresëlënja, Profesor Ylli Popa  pa dyshim do ishte Ylli i rrallë mes tyre.

***

Ylli Popa erdhi  si një fllad i freskët në mësimdhënien dhe në qasjen profesionale të mjekësisë tonë. Aftësia profesionale, pasuria kulturore ajo intelektuale dhe leksionet  plot sharm  mbajtën  breza të tërë studentësh mjek të ardhshëm në auditor apo dhe tek shtrati i të sëmurëve të mbërthyer, të magjepsur  pas tij. Sekreti ishte se ai na njohu përveçse me enigmat dhe sfidat prozaike teknokratike e burokratike  të mjekësisë edhe me bukuritë e fshehta brenda saj. Na njohu me mjekësinë si art dhe si mision human. Profesor Ylli na mësoi të paditurat e të pathënat e profesionit tonë me shkenca të tjera, me filozofinë, letërsinë dhe sidomos  me relacionet me njerëzit dhe pacientët. Ai na mësoi se nuk  do bëheshim  dot të  plotë si mjekë pa u bërë më parë të  plotë si njerëz. Të plotë në kuptimin e vlerave, moralit parimeve. Jo me aparenca, ngulmonte ai.

***

Sot që Profesor Ylli Popa na la të pikëlluar shprehja e njohur  “Parfumet e shtrenjta  në shishe të vogla” mu duk sikur ishte thënë enkas për të. Sepse Ylli ishte disi  i vogël në shtat ndërkohë që ishte  i madh  e shumë i çmuar  në mendje dhe shpirt. Të shkurtër shtatin ja  patën bërë genet, kurse naltësinë në vlera, në dije dhe ndenja  ai e pat krijuar dhe arritur vetë.  Falë kjo  pasionit  e kuriozitetit  përvëlues thuajse fëminor të tij për natyrën, për  jetën  dhe të renë, falë dashurisë për  njerëzit  dhe  sidomos leximit  të librave  mjekësor, letrar, poetik, historik, filozofik,  futurologjik,  shkencor dhe enciklopedik. Ylli Popa  “I vogël” u bë vetë një “enciklopedi” e madhe. Atë  falë miqësisë e zemërgjerësisë së tij, ne patëm fatin të shfletojmë  ta  admirojmë dhe  aq sa mundëm ta memorizojmë.

***

Ylli Popa erdhi në mjekësinë tonë kur ajo ishte modeluar sipas mjekësisë sovjetike  por me arsenal  njerëzor dhe teknologjik shumë më të varfër se ajo dhe se  kudo. Një numër i madh praktikash mjekësore qenë gjysmë empirike, bazuar në shqisa dhe intuita, ndërkohë që kontakti me arritjet dhe literaturën e të rejave  mjekësore perëndimore qe i pamundur.

Për fat të mirë ai  ishte nga mjekët tanë të parë të pas çlirimit që  përvetësoi veç të tjerave gjuhën angleze. Ai me të ishte një hap përpara dhe një pëllëmbë më lart se kolegët e tjerë. Në bibliotekën shumë të pasur në shtëpinë tij,  një numër i  madh ishin në këtë gjuhë, i ndihmuar prej tyre por në radhë të parë prej pasionit dhe shpirtit novator ai guxoi të sfidonte rutinën që gjeti në mjekësinë tonë të atëhershme.

Janë  të paktën  tre shtylla  të reja që ai ngriti në shërbim të  modernizimit të mjekësisë tonë.

E para që  kuptimi i ri që ai solli lidhur me rolin e biokimisë në gjenezën dhe ecurinë e sëmundjeve. Deri atëherë  natyra e sëmundjeve tek ne studiohej në mënyrë sipërfaqësore sempliste bazuar kryesisht në simptomat klinike, te inspektonit,  prekjes dhe dëgjimit  pa njohur e pa u thelluar në brendësi procese biokimike dhe enzimatike që shpesh ishin në gjenezën dhe ecurinë e tyre. Në krye të  katedrës se biokimisë Ylli Popa e “Biokimizoi” mjekësinë tonë.  E ridimensionoi atë si një disiplinë të rëndësishme brenda saj.  Ai hapi një faqe të re për  rolin e kësaj fushe në patologjinë humane dhe metodat e kurimit. Lënda dhe ekzaminimet biokimike  nga  e panjohur apo e harruar  u bë tërheqëse dhe e lakmuar. Proceset biokimike sqaruan shumë enigma dhe mekanizma të panjohura në krijimin dhe evolucionin e sëmundjeve.

Sfida  e dytë  e tij do të ishte kardiologjia. Specialiteti që merret me sëmundjet e zemrës. Ajo ekzistonte si shërbim dhe si klinikë  me ato mundësi që i lejonte koha duke patur në krye Profesor Nikolla Shurbanin, ish partizan, një nga mjekët  më të ndershëm  dhe më të devotshëm të vendit tonë. Por  nevoja për reformimin dhe modernizimin e saj u shfaq shpejt  dhe e gjeti atë pa burime të mjaftueshme njerëzore dhe pa pajisjet e domosdoshme. Infarkti i Miokardit ishte fillimisht mjaft i rrallë, vdekjet për shkaqe kardiovaskulare nuk përbënin  prioritet. Situata ndryshoi krejtësisht kur sëmundjet e enëve të zemrës u shndërruan gati në epidemi. Ylli Popa ndjeu se kardiologjisë tonë i duhej vizioni, pasioni dhe novatorizmi i tij. Ai u zhvendos nga laboratorët biokimikë për tu përfshirë  direkt në betejat klinike  tek pavijonet ku vuanin dhe vdisnin të sëmurët nga zemra. Qofshin këta punëtor, fshatar, intelektual apo qeveritar.

Në krye të këtij  shërbimi dhe specialiteti Profesor Ylli Popa  brenda një kohe relativisht të shkurtër edukoi dhe krijoi një ekip entuziast me mjek të ri të talentuar të gjithë të apasionuar  pas sfidës modernizuese. Si gjeneral i një beteje të vështirë me shume fronte ai ngarkoi në secilin front një komandant të zotin.  Kështu u krijua reparti i reanimacionit që pakësoi shumë vdekshmërinë, reparti i ri i hemodinamikës që solli një informacion të hollësishëm të munguar për mënyrën e qarkullimit të gjakut në zemër , ai i ritmologjisë për ritmin e saj, ai i imazherisë kardiake, reparti i provave diagnostike dhe natyrisht edhe ai i kardiologjisë klinike etj.. Çelësi i progresit ishin kualifikimi intensiv i stafit  dhe revolucioni teknologjik. Ky progres i shpejtë impresionues në kardiologji lehtësoi shumë edhe veprimtarinë e kardiokirurgjisë. Të dy këto shërbime thuajse u unifikuan si plotësuese të njëra-tjetrës. Ato funksionojnë  të kompjuterizuara tashmë, në nivel dhe mënyrë bashkëkohore.

Shtylla e tretë që vendosi Ylli Popa me veprimtarinë dhe shembullin e tij në mjekësinë tonë ishte ajo e angazhimit intensiv e social. Angazhim ky pa bluzë të bardhë përtej mureve të spitalit,  për të krijuar ura lidhëse me sektorë  të tjerë jetikë në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ajo kishte të bënte me konceptin modern të tij që mjekësia nuk do mund t’i arrijë objektivat e synuara vetëm me metoda teknokratike me punë të mbyllur në guackën profesionale të saj pa u hapur dhe bashkëvepruar me sferat e mekanizmat shtetërore  ato ligjvënëse, ato financuese dhe ato shoqërore. Sipas tij ajo duhej parë edhe si shkencë sociale, ekonomike, psikologjike dhe komunikative .Ylli këtë angazhim nuk e pati spontan, por të qëllimshëm si faktor i fuqishëm sinergjist për objektivat e sektorit që drejtonte.

Ylli Popa u bë veprimtar i shquar shoqëror, deputet i kuvendit Popullor, promovues i shoqërisë së lirë, kryetar i shoqatave i Komitetit të Helsinkit për të drejtat qytetare, promovues dhe mbështetës i besimeve fetare, shprehës në shtypin publik, i vizioneve, opinioneve dhe shqetësimeve të sinqerta të tij për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Sipas tij mjeku besnikërinë duhet ta ketë ndaj vetes por ta ruajë sinqeritetin ndaj të tjerëve. Ai u zgjodh  për dhjete vjet me radhë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku mbështeti pa dallim shkencat e tjera, po aq sa mjekësinë. Ylli Popa qe patriot dhe kozmopolit. Kryetar për gjashtë vite i shoqatës mjekësore ballkanike ai dëshmoi se ato që na bashkojnë në rajon, janë më të forta e më të vyera se sa ato që na ndajnë. Si personalitet dhe intelektual  me vizione të tilla ai do t’i duhej  sot më tepër se kurdoherë vendit dhe rajonit.

***

Profesori, kolegu dhe miku im Ylli Popa u nda se fundi prej nesh. Sëmundjet që luftoi gjithë jetën u hakmorën herë heshturazi, herë egërsisht ndaj tij. Së pari ato sulmuan sytë. I penguan pamjen qq ta pengonin të lexonte. Dënim më të rëndë se ky nuk mund të kishte për të. Pastaj i penguan dëgjimin. Që të mos dëgjonte muzikën e adhuruar klasike. Më vonë i dobësuan gjunjët e të mos u qëndronte përballë në këmbë. Po ai pati mike të paepur zemrën. Ajo nuk e tradhtoi. Nuk i pushoi të rrahurat. Ndoshta sepse besonte te ndonjë mrekulli e re e tij në shërbim të saj. Por e stërlodhur  më së fundi u dha, u ndal edhe ajo. Ai mbylli sytë përgjithnjë, butësisht, heshturazi në shtëpi pa dhimbje i rrethuar plot dashuri nga  familjaret e tij. Me një vdekje si e uruar, si bekim .

***

Profesorin tonë të dashur e të çmuar e varrosëm në  pasdite në një lëndinë të Sharrës, buzë një kodre të blertë. E përcollën kolegë, ish-studentë, akademikë, ish-pacientë, miq e dashamirës të shumtë. Pa bujë,  me shumë ngrohtësi. Si ajri i asaj dite. Për pak çaste dielli sipër nesh u fsheh pas një reje të vogël. Mbase  nuk donte të shihte. Kurse nje aeroplan ndoshta i linjës kaloi atë kohë në qiell sipër kortezhit (ndoshta rastësisht ) u duk sikur ai pa  varrin poshtë ende të pambuluar dhe mori me vete diçka  prej tij. Diçka të padukshme. Dhe iku u zhduk fluturimthi diku larg qiellit …Çfarë të ketë qenë ajo vallë?

*President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës

 

 

August 18, 2017 09:58