Një libër emblematik për mençurinë e Moikom Zeqos

September 10, 2019 10:20

Një libër emblematik për mençurinë e Moikom Zeqos

Nga Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Në kulturën moderne shqiptare, emra të përveçëm si Moikom  Zeqo, dritësojnë çdo ditë me ide, vizione, filozofime, që ushqejnë fatin dramatik të bashkëkohësve,drejt qytetërimit dhe integrimit europian. Sa nolian, aq kafkian, ai sot është një  nga personalitetet e njohura të kulturës kombëtare.Krijimtaria e tij letrare dhe filozofike,arkeologjike e kulturologjike,përbën një univers më vete të botës shqiptare me përmasa europiane.

Të frymëzuar nga ky erudicion dhe thellësia e tij filozofike,poezia, synopset dhe persiatjet, poetët e talentuar Izet S.Çulli e Kastriot B.Hadëri, kanë thurur  202 fabula,të cilat ngrihen mbi këtë urtësi e dituri të këtij dijetari të çmuar.

Duke lexuar fabulat me motive nga poezia dhe urtësia e Moikom Zeqos të fabulistëve Kastriot Hadëri dhe Izet S. Çulli m’u shfaq si vegim një vargan kulturor mbi të cilin freskohen disa ujëvara fabulistike.

Moikom Zeqo është një nga personalitetet publike më të njohura sot në fushën e letrave shqipe, në personin e të cilit kontribuojnë të qenit poet, publicist, studiues, arkeolog, shkencëtar, njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, politikan dhe interpretues kritik i letërsisë së huaj të traditës, asaj klasike dhe bashkëkohore. Ai shfaqet sot në botën shqiptare si një mendje enciklopedike e hapur.

Pavarësisht diplomimit në gjuhë-letërsi shqipe, Moikom Zeqo ka arritur të krijojë një personalitet të rëndësishëm përtej shkollimit të tij, si një punonjës shkencor në fushën e shkencave historike dhe të dijes arkeologjike, që përveç gradës shkencore “Doktor i shkencave” është lauruar me Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që jepen për merita dhe kontribute të veçanta. Në personalitetin e Zeqos është pleksur aftësia brilante për të vendosur në kohë leximin e letërsisë së huaj të traditës dhe asaj bashkëkohore, një cilësi e cila u mungon jo pak studiuesve shqiptarë në kohën tonë.

Moikom Zeqo ka qenë dhe mbetet një dijetar, intelektual dhe krijues me interesa thellësisht të veçanta, i cili, përveç punës si mësues, redaktor i gazetës “Drita”, punonjës shkencor në arkeologji apo Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, piktor, politikan (deputet apo ministër) më së shumti njihet si poet, studiues dhe dijetar i jashtëzakonshëm kontekstual i kulturës së vjetër shqiptare dhe asaj botërore të të gjithë kohërave. Zeqo është një enciklopedist i jashtëzakonshëm, i cili ka ofruar mendim të kualifikuar që nga letërsia e romantizmit, ekzistencializmit, modernizmit, antikiteti, letërsia kishtare, ajo amerikane, evropiane e Lindjes dhe e Perëndimit, brezi i humbur, pikturën e artit bizantin, letërsinë shqiptare të traditës, hieroglifistikën, mistikën dhe interpretime mjaft interesante për dijen shqiptare në përgjithësi.

Mbi gjashtëdhjetë studime dhe interpretime të imta, disa vëllime poetike të botuara, ekspozita pikture, hulumtime arkeologjike dhe kontribute të tjera, përbëjnë dimensionin e një personaliteti të dijes shkencore, kulturologjike dhe të mendimit kritik – eseistik në individualitetin krijues të Moikom Zeqos.

Kjo tufë fabulash, mbështetur në botën poetike,estetike dhe filozofike të  Moikom Zeqos, zbërthen natyrshëm ide, mendime e mesazhe të fuqishme, duke sjellë përfytyrimin e artit të tij në sytë e lexuesve, si xixëllonjat nëpër natë…

 

September 10, 2019 10:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*