Një libër “mungesash”, ku malli të gërryen zemrën

June 10, 2018 18:02

Një libër “mungesash”, ku malli të gërryen zemrën

Nga Petrit Ruka

Mbresa për librin “Vetmi akujsh“ të Bedri Islamit

Bedri Islami është një nga shoqëritë e dashura të jetës sime studentore në Shkodër. Në tërë atë gjëmim kujtimesh të qytetit verior, atij ia gjej më lehtë se kujdo emërtimin; ishte “e qeshura”. Kur më shkroi se donte nga unë dy fjalë si parathënie në librin e tij të mbramë poetik; “Vetmi akujsh”, e dija që nuk do të shkruaja dot ndryshe veçse me mall e me hatër. Jo pse unë nuk jam një kritik profesionist dhe më bezdis ky emërtim, por sepse unë e kam dashur qysh atëherë poezinë e tij e jo më sot, pas kaq viteve mençurie me fjalën. E megjithëse tani pas gati dyzetë vjetësh, kujtesa ime është bërë një shoshë gruri, ajo i pikasi menjëherë dy poezi, të cilat m’i kishte lexuar qysh asaj kohe dhe që i paska ruajtur të jenë në këtë libër. U gëzova si një fëmijë nga që edhe atëherë ma kishin ngrohur shpirtin me tërë atë dritë rinie që u pëlciste nga brenda.

Kush janë? Është fare e thjeshtë, kanë vitin 1976 poshtë tyre. Dhe janë nga më të bukurat, si gjithë poezitë që kanë sipër dëlirësinë e fillimeve. Pjesa tjetër e librit që lexova, ishte e mbushur gjer në grykë plot me pikëllimin e mallit për vendin që la pas si një nga të ikurit e shumtë prej kësaj toke. U gëzova se nuk prisja gjë tjetër. E dija që këtë do të gjeja, një det shpirti plot dhembje. Se ç’mund të gjesh tjetër në poezinë e mirë e të vërtetë në moshën tonë e larg atdheut?

Trokiti nata mbi qepallat e lodhura,

Heshtje kërkoj e heshtje më nuk ka,

Ëndrra e hershme më sillet si pulëbardha,

Vetmi shtrënguese, humbje në asgja.

I kujt është ky vend, ku po na bien ëndrrat?…

(Nga poezia “Ëndërr e vonë”)

I kujt është ky vend, ku po na bien ëndrrat?…”

Vetëm një poet emigrant mund ta shkruaj një varg të tillë me një pikëllim rrënues, ku pas njëzet eca vjetësh një ndajnatë, Bedri Islami pyet veten aty ku banon, në Shtutgart të Gjermanisë, se ku është, në cilin vend kaq të çuditshëm nga ai i lindjes. Një vend ku ëndrrat vetëm bien, “shkasin si loti nëpër faqe“dhe vdesin poshtë në një tokë “Ku shpirti të dhemb e dhembja nuk të dhemb…”. Ca ëndrra që ndryshe nga të tjerat, janë si ëndrra dëshmore kur shuhen kaq larg vendlindjes.

Në fillim vjen një varg klithës për vendin e tij:

Nën palcën e qiellit tënd kam lënë krejt mendjen time“. (Vendi im)

Pastaj dhembjet e tij vijnë radhë në këtë libër, si një tufë e trishtuar pulëbardhash që kanë humbur rrugën. Në fillim i prin ajo më e madhja, gjëmimtarja,e Nënës së cilës një ditë iku dhe e la të vetme në shtëpinë e tij të madhe, në Shkodër.

E di që do të jem në ferr,

Prej njëzet vitesh e kam bërë vendin,

Vetes s‘mund t‘ia fsheh,

Brengën që më plas zemrën…

Njëzet vite më parë,

Në një fillesë dimri, rrugëve mërguar,

Lashë vetëm nënën…

(E di që do të jem në ferr)

Më tej ky vëllim është një libër dhembjesh e një listë e gjatë poetike malli për gjithçka që ka mbetur tej në vendin e tij, që i mungon e do t‘i mungojë tërë jetën. Është malli gërryes për shtëpinë bosh të lindjes që është atdheu i parë – djep, që pjell fëmijërinë, atdheun e madh që e mëson në harta ku;

Çarçafët e bardhë nuk varen si dikur

Tej e mbanë oborrit…

dhe ku

Lulet e qershive bien mbi barin e pashkelur…

Akoma më bosh është, sepse sipër,

Vetëm në katin e dytë të shtëpisë së madhe,

Krejtësisht vetëm,

Dëgjohen hapat e ngadaltë të një plake,

Qosh më qosh,

Tak – tak, tak, tak – tak

Dhe përsëri bosh…

Oh, sa më bosh ia bëjnë poetit shtëpinë këto hapa që i trokasin në kokë, atje larg nëpër mjegullat veriore!Dhe tani ato që do t’i mungojnë fillon t’i numërojë e i dalin kaq shumë.

Do më mungojë, përshembull, thyerja e natës

Në bregun e liqenit

Dhe valët që flisnin me brigjet përtej në një gjuhë të ujët,

Misteri i ikjes së tim eti dhe denjësia e një pritje pa fund,

Do të më mungojnë pëshpërimat nën një portë të drunjtë.

Do të më mungojë enigma e dashurisë

një degë e thyer në rrugë,

Mirëdashja e hallës sime si një aromë mollësh në vjeshtë,

Do të më mungojë hëna e kuqe në dritaren e shtëpisë,

Vjeshta e kristaltë me gjethet e hardhive

si duart e shpresës së beftë…

Janë kaq shumë, po në krye të tyre vetëtin dhembja për shokët e ikur. Disa aq të hershëm si dramaturgu dhe poeti Shpëtim Gina, shok i rinisë studentore, mbytur nga hijet e zeza të Sigurimit të Shtetit, në vitin1974. Një ikje që akoma ai nuk do ta besojë dhe i bën pyetje pa shpresë vetes:

Përse duhej të të mbytnin,

Ne ishim të mbytur të gjithë?…

Fshijeni, o njerëz, atë lumë nga harta,

Të fshihet një pjesë e pikëllimit tim.

Çfarë të thanë ujërat ndërsa binte nata

Mërmërimë e fshehtë, o miku im!

E deri te të mëvonshmit, heronjtë e popullit për çlirimin e Kosovës, Fehmi e Xheva Lladrovci, Afrim Zhitia e të tjerë, me të cilët Bedri Islami, si një nga udhëheqësit e lartë politikë të Luftës për Çlirimin e Kosovës, ndau idealet dhe drithërimat e jetës e të vdekjes në luftë. Dikur ndanë frymën e lirisë, bukën dhe betejat, tani i duhet t‘i vajtojë në poezinë e tij.

Vetëm ata që e kanë provuar vëllazërinë e luftës, mund të shkruajnë këngë të tilla si “Provë jete”, që me fundin e saj ka një tingëllim gati biblik.

Kur të mos jem më,

Kokën ma ktheni nga nëna

Kudo që të jetë ajo.

Zemrën nga gruaja,

Shikimin nga djemtë, domosdo.

Njërën faqe nga vëllai,

Tjetrën nga motra…

Natyrisht, askush të mos qajë,

Largim i zakonshëm nga bota…

Pastaj më mbyllni sytë,

Më thoni lehtas:

– Po vjen Fehmi Lladrovci!

Pëshpëritni pa më prekur

Nëse nuk do të lëviz,

Kjo do të thotë se kam vdekur…

Libri me poezi i Bedri Islamit është i bukur, sepse pëlcet nga malli. Dhe malli njerëzor është e vetmja materie poetike me të cilën mund të bësh poezi të vërtetë, është i vetmi element çudibërës që u mungon shpesh dengjeve të mëdha me libra vargjesh që këso kohe turren gjithandej nëpër rafte librarish. I pasur me gjuhën e zemrës, i pahitur nga aq dhembje poetike sa duhet, i përcjellë me një gjuhë të bukur dhe elegante, të figurshëm edhe po aq të thjeshtë e tokësore, poezia e tij vezullon shpesh nga përjetime të rralla dhe kaq elegante si tek poezia “Malli për Shkodrën”.

Më piku malli shpirtin,

Brinjët m‘ushqyen nga malli,

Gjoksit më rri ngulur një gur i rëndë,

Sytë më janë mpiksur,

Rëndojmë shumë se mali.

Mbi heshtjen rëndon ngjyrimi i karafilave,

Në muzgun e vonë

Apo në mëngjesin e herët purpurim,

Brenda kam trishtimin për ditët që ikën,

Rrudhimin e befasishëm si rrugët e qytetit tim.

Më piku malli!

Aty kam gjithçka që kam dashur,

Në sy ka mbetur gjithçka që kam parë;

Rruginat e Kirasit si e fshehtë dashurie,

Erëmirë, fjollë-bardhë…

Një libër mungese, po aq malli, që fillon me gjërat e vogla të zemrës si shtëpia, oborri i saj dhe që vjen e zgjerohet me mallin për nënën, rrugët e vendlindjes hallën, babain, njerëzit që deshi në rininë e vet, për gruan e jetës dhe mbesën Sara, për shokët e rinisë dhe që doemos do të mbaronte me më të e përmes mungesës, atë të shokëve të luftës me të cilët ai lidhi pjesën më të bukur të jetës së tij aty në emigrim.

Pikërisht atyre u kushtohet dhe poema “Prelud i lirisë”e paraprirë nga poema tjetër “Ikën djemtë” një nga krijimet më të bukura që kam lexuar në jetë për dramën e madhe që shkakton m’u në mes të zemrës braktisja e atdheut. Bedriu e quan fillimin e një poeme, por me dendësinë e saj ideo emocionale, bukurinë shprehëse dhe mjeshtërinë me të cilën është shkruar,ka përmasat e plota të poemës, këtij zhanri poetik lënë në harresë.

Libri duket sikur është shkruar më shumë për mungesat në zemrën e tij, sesa për lexuesin. Por pikërisht nga që është kaq vetjak, ai bëhet po kaq shumë i yni, nga që e gjejmë kaq shumë vetveten me mungesat tona të përjetshme, nga të cilat bota mbushet plot me mallin njerëzor që lind këngën dhe vajin, vajin dhe këngën, dy nga lëndët e padukshme ku rron shpirti i njeriut. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, nuk mundej ky libër të mos e kishte këtë dhembje fisnike, derisa Bedri Islami, djali i njërit prej personazheve më tronditëse më tragjikë të letërsisë shqipe, i “Zenelit“ apo  “Lulit të vocërr” të Migjenit, Zenel Islamit, i ikur po tragjikisht si i shënjuar nga pena e poetit të mjerimit, e ka si taksë fati këtë pikëllim dhembshurie për jetën. Duket sikur jeta përsëritet në kohëra e hapësira të tjera dhe sjell po atë shije, po atë mall dhe vuajtje për ëndrra që bien gjithmonë “të këputuna”.

Këto ishin një tufë mbresash që desha të shkruaj për librin e mikut tim të rinisë dhe u ndjeva me fat që isha ndër të parët që e shfletova. Ashtu siç e quaj nder që më zgjodhi për të thënë dy fjalë mirëseardhjeje.

Së fundi, duke e ditur që është një libër dashurie për ne shokët dhe miqtë e tij që jemi për Bedriun “vetë atdheu“ këtu në Shqipëri, nuk di pse m‘u kujtuan këto rreshta të Migjenit për babanë e tij:

Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t‘i ngrohi kambët. Por kur s‘ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë halli napostujt e mëshirës dhe të dashunis…Ndoshta, ndoshta… Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Ia merr dorën, e shikon me sypëllumbi dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka…

Mbase më mbinë vetvetiu në kokë, ngaqë ai me këtë libër, kërkon të bëjë të njëjtën gjë, të na afrohet,të na kapë dorën e të na falë… Çfarë tjetër, veçse këto këngë, për të na dërguar dashurinë e tij të përmalluar prej kaq vitesh.

l.h/ dita

June 10, 2018 18:02
Komento

1 Koment

  1. Guri Naimit D(Dh Xhoga) June 10, 21:21

    “VETMI AKUJSH”qe na ngrohu zemrat-Bedri Islami.

    Faleminderit “ares sa fares”Petrit Rukes sa Bedri Islamit me c’na kane sjelle ne kete dite”10 Qershori “,dite e shenuar atdhetare sa historike,Ju sjelle kete “MEZE”per te ngritur DOLLI urimi te dyfishte. Dolli nrini kurgohere te nderuar miq,sa ZOTER te PENES dhe MENDIMIT.
    Nga tej oqeani ju pershendes; 82 vjecari sot, ju uruar mua ditlindien, sa ate feste te madhe te “Lidhies Prizrenit”pjese krenarise se jetes sone.
    Me konsiderate Guri Naimit D.(Dh Xhoga,”Pasues veteranit”( gjysh Jano P Xhoga, rene me 1913 ne mbrojtie te pavaresise sapo shpallur,nga sunimet e fqinjeve dashakeqe te kohes.
    Prodhimtari te tilla ju shoqerofshin miq te nderuar.
    .
    Toronto 10-06-2018 82 vjecar ne mergim.G.N.D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*