Një lirikë dhe një baladë

July 7, 2019 18:41

Një lirikë dhe një baladë

 

Vdekja e lirikave…

Jashtë derdhet shiu me rrëmbim,

nëpër trungje ngjyrë plumbi,

ndjell e përhap gjithkund trishtim,

e gjora muzë s’di ku humbi.

 

Ç’më tringëllin zemra si tel,

si tel i artë kur tendoset,

dergjur përgjumësh në tunel,

lirika pellgjeve fundoset.

 

Pellgje të verdha-pellgje të verdha,

sikur përpijnë e hanë të gjallë,

muzën e viseve nga erdha,

ndjesi e dhembshuri e rrallë.

 

Dita skëterrë-nata katran,

sot më mungon një gotë pelini,

mos vallë u bëra sharlatan,

sarhosh pa shpresë-si Esenini.

 

Dhe ty dashnore që s’të kam,

jo-gjer këtu nuk mund të vish,

unë sot u bëra sharlatan,

me sharlatanin s’mund të rrish.

 

Ç’më tringëllin zemra si tel,

xhindet në lodra më thërresin,

mes errësirës-në tunel,

lirikat porsi vajzat vdesin!

 

Shënim i autorit-E shkruar në një tunel-fjetinë në Batër-Martanesh.

Dhjetor 1975

 

 

Vajza e valëve….

 

Qanin dy dete ballë për ballë,

njeri me lotë-tjetri me valë..

 

Qanin dy dete ballë për ballë,

të dy të helmatosur,

një shpresë e mjegullt mbante gjallë,

ah-shpirtin e plagosur.

 

Po dallëndyshet varg e varg,

e prunë lajmin e fundit,

se mërgimtari diku larg,

s’do ngrihej më prej gjumit.

 

Vejushë e mjerë-virgjëreshë,

tani s’ka kë të presi,

në breg të detit pa një shpresë,

nga vdekje e tij do vdesi.

 

Qajnë dy dete ballë për ballë,

dhe nuk pushojnë kurrë,

se s’kish më shpresë ta mbante gjallë,

ah-shpirtin e sëmurë.

 

Një shkëmb i zi në breg ka mbetur,

që t’ju tregojë të gjallëve,

dhe njëqind vjet mbasi ka vdekur,

vajton vajza e valëve!

 

27.04.1995

A.DUKA

July 7, 2019 18:41
Komento

2 Komente

  1. Mark U.K July 7, 19:37

    Çe nxierrni Ket spiun do dite.

    Reply to this comment
  2. Kasbi July 7, 22:43

    Po ti o Ark U.K. Ku e di qe eshte spiun apo mos je edhe ti I Intiligent servisit .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*