Një manastir në paqe dhe një botë në babëzi…

August 12, 2017 12:35

Një manastir në paqe dhe një botë në babëzi…

Një manastir ka përsosmëri,
ka dashuri të plotë njerëzore,
në manastir s’ka makutëri,
dhe kurthe të jetës njerëzore.

Një manastir ka përsosmëri,
paqe të pafundme qiellore,
në manastir nuk ka djallëzi,
po bota jashtë është djallëzore.

Një manastir ka përsosmëri,
jeta lëviz si orë e magjishme,
aty s’lufton askush për pasuri,
por bekohet buka e përditshme!

Një manastir ka përsosmëri,
aty kokulur ecën dituria,
po jashtë ka kob e babëzi,
se bota vetë lëviz nga babëzia.

Kam një adhurim të pakufishëm,
për murgjërit me dituritë shekullore,
askush nuk do të bëhet i lavdishëm,
mallkim i madh i rracës njerëzore.

Janë të shumtë që duan lavdinë,
para e pushtet medoemos,
për këtë e shtypin vegjëlinë,
dhe e bëjnë jetën një kaos.

Në manastir ka paqe sublime,
aty asnjë vlerë s’ka paraja,
po në qeverira bëhen krime,
krime dhe hatara të mëdhaja.

Në manastir s’ka vlerë pasuria,
tjetër pasuri veç Zotit ata s’kanë,
porse jashtë copëtohet njerëzia,
mbasi Zot të vetëm ka paranë.

Pasanikët Zotin vetë e tallin,
dhe nuk dinë aspak se ç’është pendimi,
dhe paraja-një shpikje e djallit,
është në themelin e çdo krimi.

Se paraja krejt të transformon,
dhe pse kur e ke ndihesh më burrë,
po paraja krejt të robëron,
dhe nga kthetrat s’të lëshon më kurrë.

Është si vrimë e zezë babëzia,
sa dhe miliardi duket kot,
për ta shtuar vritet njerëzia,
para asnjë krimi s’ndalet dot.

Babëzia s’do t’ia dijë për ligjet,
ligjet dot nuk i bëhen frerë,
dhe ta dijë se në ferr do digjet,
babëzia s’ndalet asnjëherë.

Babëzia në të gjithë planetin,
ka në fakt parametra fiks,
po në çastin që merr dhe pushtetin,
nuk ësht’ tmerr-po apokalips!

Në manastir ka shumë barazi,
dhe kushte krejt të barabarta,
po jashtë bota ka shumë barbari,
barbari nga qarqet më të larta.

Asgjë mos besoni verbërisht,
se s’shikon asgjë kur je verbuar,
po kjo botë ku lindëm rastësisht,
është pa zemër dhe e deformuar.

Ajo është aseti i hajdutëve,
ky ka qenë trendi i përjetshëm,
ajo është parajsa e makutëve,
dhe e qelbanikëve të pushtetshëm.

Para syve e kemi matricën,
që nuk ka ndryshuar mijëra vjet,
ku pakica rrjep e rrjep shumicën,
dhe e mban të shtypur me çdo mjet!

Se makutët bëjnë aleanca,
ushtarake edhe politike,
por unë them-jo nga injoranca,
për të mbrojtur pasuritë biblike.

Manastirin si pikë referimi,
nuk e mora kot në këtë rast,
se ai dhe rendi-njerëzimi,
qind për qind janë në kontrast.

Manastirin si pikë referimi,
këtu nuk e mora kot së koti,
se pret bota edhe njerëzimi,
që të vijë Mbretëri e Zotit!

Dje dhe sot edhe kurdoherë,
atë Mbretëri e kemi pritur,
duke shpresuar se drapri do bjerë,
dhe do shembet çdo i babëzitur.

Po nëse vonohet Perëndia,
s’mund ta lëmë botën si ç’e gjetëm,
mund të ngrihet vetë vegjëlia,
të ndryshojë fatin edhe jetën.

Realisht po flas për rebelimin,
mbi makutët dhe mbi babëzinë,
që mund ta ndryshonte njerëzimin,
dhe njeri do bënte njerinë!

Ju kuptimin tim të poezisë,
si të doni e interpretoni,
po dhe Mbretërim i Perëndisë,
është njëlloj si revolucioni!

A. Duka

August 12, 2017 12:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*