Një maskë dhe çantën e dijes në kurriz

September 15, 2020 13:51

Një maskë dhe çantën e dijes në kurriz

Entela Resuli

14 shtatori i vitit 2020 do të mbahet mend si dita e parë e një viti shkollor jo të zakonshëm.

Pas një periudhë të vështirë më të cilën u përball vendi ynë në fund të vitit të kaluar (tërmeti) dhe me pas koronavirusi, të ciline kemi ende mes nesh, jemi në ditën e parë të shkollës…

Fëmijët, përveç fletoreve, bojërave, librave, këtë vit janë kujdesur edhe për maskat e tyre.

Sipas rregullave të diktuara nga ministria e Arsimit ata duhet të paraqiten në derën e shkollës me maskë.

Në përgjithësi fëmijët e ciklit 9-vjeçar kanë respektuar masat: Janë shfaqur me maska, kanë ruajtur distancën, të paktën në ambientet jashtë shkollës.

Pothuajse në të gjitha shkollat e Tiranës, në hyrjen kryesore qëndron një zonjë me një termometër- pistoletë në dorë që mat temperaturën e fëmijëve.

Pavarësisht masave e maskave, vogëlushët duken të lumtur që më në fund po shkojnë në shkollë e po takoheni fizikisht me mësuesen dhe shokët e klasës edhe pse në distancë.

Në fund të vitit shkollor që lamë pas u provua edhe metoda e mësimit online, por nuk krahasohet shikimi sy më sy me ikonat që vijnë nga ekrani i kompjuterit!

Gjatë kësaj dite më problematikët shfaqen prindërit. E kuptueshme disi për prindërit që çuan fëmijën në klasë të parë, ku duke u munduar t’u shkrepin foto me lulet ne duar për mësuesen kujdestare.

Prindër të tjerë shihen që grumbullohen në dyert e shkollave pasi nuk lejohen të futen brenda.

Shumë prej tyre shprehen të lumtur për fillimin e shkollës, nga sot e tutje ata do të ndihen më të lehtësuar për të organizuar ditën dhe punët e përditshme. Fëmijët kanë nevojë për njëri-tjetrin dhe qëndrimi në shtëpi i ka stresuar sipas tyre.

Ndërkohë, ka të tjerë që ndihen të shqetësuar dhe mosbesues për respektimin e rregullave në shkolla. Ata shprehen se kanë vrejtur mungesë të distancimit fizik dhe në këtë pikë vendosjen e maskave e konsiderojnë të pavlefshme. Përkundrazi, sipas tyre maska i dëmton fëmijët duke mos qenë aspak e dobishme.

Nga ana tjetër mësimi me turne në shumë shkolla të Tiranës e ka bërë kaotike situatën në shumë familje në kryeqytet. Ka nga ata që kanë dy fëmijë të cilët duhen shoqëruar në shkollë në orare të ndryshme. Në këtë pikë, prindërit ngrenë duart dhe ndihen të pafuqishëm. Ata shfaqen të menduar në dyert e shkollës. Si do i behet. Jemi në punë!?

Panorama tjetër është ajo që shfaqet në rrjetet sociale. Asnjë ditë të vitit nuk mbushen këto faqe me kaq shumë  foto fëmijësh të shoqëruar nga prindërit që prekin derën e shkollës, sa sot.

Është një ditë e cila mbart emocione, sidomos për ata që kanë hedhur për herë të parë çantën e dijes në kurriz.

Kabo: Mësuesve u them; të shkollosh brezat e rinj është mision për të cilin të kanë besuar

Përparim Kabo, profesor, antropolog, i ndjeshëm ndaj arsimit në vend jep mendimin e tij për këtë ditë të veçantë, për mësuesit, fëmijët dhe prindërit.

“E dëgjova dhe sot zilen në oborrin e shkollës dhe zërat e fëmijëve në këtë ditë të parë të fillimit të vitit të ri shkollor… Dëgjova dhe fjalën e shkurtër të drejtoreshës së shkollës që është ngjitur me shtëpinë ku banoj. Një vit atipik ky që vjen pas atij që u mbyll me mangësi të dukshme për shkak të situatës nga pandemia.

Fëmijët dhe të rinjtë u kthyen në shkollë ndaj disa gjera duhen mbajtur në vëmendje. Mendoj se çdo ditë çdo orë mësimi duhet të nisi me ritualin e higjienizimit të duarve dhe ambientit bankës librave apo mjeteve të tjera. Krijimi i një edukate të tillë do shërbente jo vetëm në kushtet aktuale emergjente, por edhe në vazhdim fëmijëve të vegjël do u jepte një edukatë për tërë jetën. Një shqetësim tjetër është vajtja në tualete.

Fëmijët nuk mund të mos shkojnë atje. Ndaj këtu në këtë ambient WC që do të thotë ujërat e mbyllura duhet shumë kujdes nga punonjësit e shërbimit…duhet të ketë ujë të rrjedhshëm sapun dhe letër për të fshirë duart-kosha të hapur ku hidhen letrat.

Një tjetër çështje është adaptimi psikologjik me situatën. Psikologët e arsimit por edhe të tjerë duhet të vëzhgojnë procesin mësimor jetën në shkolla gjendjen psikologjike dhe emotive të nxënësve dhe mësuesve. Po këta në mediat duhet të jenë prezent me ndihmën e tyre profesionale.

Zemra e problemit është mësimi edukimi dhe shkollimi. Kushtet mund të devijojnë nga rregullat klasike pedagogjike, por përkushtimi jo.

Nëse qëllimi mbetet mosinfektimi dhe dëmtohet shkollimi demi është më i madh sepse infektimi kap një pjesë të nxënësve mosshkollimi përfshin disa breza nxënësish.

Duhet që mësuesit nxënësit prindërit media e specializuar të rrisin kujdesin bashkëpunimin dhe dedikimin. Boshllëqet në shkollim janë si boshllëqe në një godinë…pasojat ndihen nga lëkundjet e para nesër.

Duhet një organizim më i mirë i kohës nga të gjithë faktorët por në radhë të parë nga vetë nxënësit.

Mësuesve kolegeve tanë u them; të shkollosh brezat e rinj është jo detyre për të cilën të paguajnë por mision për të cilin të kanë besuar. Ju uroj punë të mbarë dhe përkushtim të palodhur.

September 15, 2020 13:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim