Një medaljon bronzi poetit durrsak

Bruno Marku January 26, 2013 12:59

Një medaljon bronzi poetit durrsak

Skulptori i veprave monumentale të Durrësit ka vendosur t’i bëjë një dhuratë poetit të mirënjohur, Agim Bajramit, të cilit i përshtaten fare mirë thënia e Gorkit për poetin rus Esenin, se “organizmi i tij ishte krijuar vetëm për të shkruar poezi”

 

Të flasësh për poetin Agim Bajrami është e tepërt. Mjafton që gjithkujt t’i japësh të lexojë vargjet e tij. Dhe s’mund të mos dashurohesh me të. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që një nga skulptorët ka vendosur që të punojë një medaljon bronzi për të. Medaljoni ndodhet në një anë të ateliesë së skulptorit të talentuar Idriz Balani. Idrizi thotë se e ka bërë para disa kohësh, por nuk ia ka treguar Agimit. I kërkova leje Idrizit që ta fotografonim dhe mendova që t’ia botoja në këtë numër të gazetës “Dita” në dakordësi me shumë dashamirës të poezisë së tij, i bindur se ai e meriton këtë medalje të bronztë të derdhur nga skulptori i veprave monumentale të Durrësit, Idriz Balani. Në kohën kur poetët nuk marrin asnjë shpërblim, mirënjohja morale është dhurata më e madhe për ta.

Ndërkohë, mbrëmë Bajrami u kthye nga Kosova. Si pjesëmarrës në manifestimin “Flaka e janarit 2013” e zhvilluar në Kosovë, poeti durrsak zuri vendin e tretë në poezi, me poezinë “Varreza e braktisur në Çamëri”, poezi e librit më të fundit të tij, “Mbrëmje të puthura”. Ky libër një risi të re poetike të shkrimtarit të njohur durrsak, Agim Bajrami, që nuk kaloi pa u ndier në rrethet intelektuale të Durrësit.

Një libër në dukje modest, por që përmban brenda vargjeve, shumica të lindura nga impulse frymëzimesh spontane, një prush të vërtetë poetik për t’ia pasur zili. Një libër që si i tillë nuk gjendet më në libraritë e qytetit, librari të cilat janë në të shumtën e rasteve bankoprova të vërteta të talenteve, pasi lexuesi durrsak është nga të rrallët lexues mjaft selektiv me shumë intuitë dhe kulturë, që dinë të zgjedhin gjëra me shije. Në shoqërimin e këtyre vargjeve të birit të Çamërisë Agim Bajrami, duke i referuar shënimeve te miku i tij, Shpendi Topollaj, ka shkruar mes të tjerave se Agimi në këtë përmbledhje poetike ka përdorur si përherë dhuntinë e tij si poet i lindur. Një thënie që të kujton shkrimin e Gorkit për poetin e madh rus Sergei Esenin kur shprehet se “organizmi i tij ishte krijuar vetëm për të krijuar poezi”. Në një poezi mbase që edhe mund të lihet jashtë vëmendjes kaq e thjeshtë është në të gjen hiret e Hirushes së folklorit tonë.

Poezia titullohet “Liqenore” dhe kur poeti shkruan:

 

Pranvera veten ka krijuar,

Te ky liqen që ndrin si syri,

Oh, ç’heshtje qelqesh të praruar,

Hapësirë që digjet prej floriri,

 

Në strofën e fundit të saj poeti i mahnitur nga kjo bukuri do të braktisë gjithçka dhe të rrijë pranë brigjeve liqenore, duke kërkuar që të zhdukë atje në thellësi hallet e jetës së përditshme që s’janë vetëm të tijat, por të shumë vetëve si ai.

 

Mëngjesi shkruhet mbi një letër,

Mbi kuj dallgësh ngjyre blu,

Në qoftë kështu parajsë e vjetër,

Më lini miq të mbes këtu.

 

Nuk është kërkesë për vetëvrasje. Është thjesht një dashuri idilike me diçka të bukur që po vdes nën peisazhet e industrializuara tip Tec Portoromanoje që janë në projekte…

Kushdo që lexon poezitë e librit të dalë në treg e të shitur tashmë, bindet se Agim Bajrami është edhe ai një organizëm i tillë në krijimin e poezisë lirike shqiptare. Edhe pse në të ka mjaft tema të lëvruara nga të tjerë, Bajrami në këtë libër i koncepton poezitë nën opsionin e vet plot individualitet dhe bukuri që të bën të mos i lëshosh vargjet nga dora. Madje dhe shumë të tilla të lind kërkesa për t’i nënvizuar, sidomos kur ai “qan” në vargje Çamërinë, vargje që të kujtojnë gjëmat e veriut. Kur lexon ato, ndjen se nuk po lexon më rima, por gure që rrokullisen në hone të thella shpirtërore, që nga majat e larta të dhimbjes për humbjen e viseve të vendlindjes me një bukuri biblike. Fatmir Minguli thotë për të se “Agim Bajrami shkon më tej në guximin lirik, sepse e shtjellon atë në disa trajta, që nga fati i stërmunduar i poetit e deri në rrënjët e lisit poetik, të lëshuara drejt thellësive të poetikës”.

Poeti Agim Bajrami në jetën e përditshme është një njeri më se i zakonshëm, me hallet e përditshme të një njeriu që ekonomia e tregut e ka futur në mengenenë e vështirësive të mëdha të ekzistencës për të përballuar jetesën, të cilat nuk kalojnë pa u cekur në vargjet e spikatura e mjaft gjurmë lënëse në ndërgjegjen e atij që i lexon. Ai jeton përditë drama të vogla të cilat shpesh kërkon t’i mbysë edhe me ndonjë gotë rakie të mirë me miqtë e vet të pafuqishëm për ta ndihmuar në zgjidhje praktike të halleve të përditshme, siç është problemi i së bijës të cilën megjithëse ka mbaruar me nota të shkëlqyera universitetin, nuk ia gjejnë një vend në arsim për të punuar si mesuese, madje ka qenë  e tillë, por e kanë larguar nga një shkollë në Sukth, pasi i ka rënë shkurtimi dhe ajo tashmë qëndron në shtëpi duke redaktuar poezitë e miqve të shumtë e poetëve të varfër që rrethojnë babanë e saj.

Dhe mbase poezitë e bukura të tij janë përftuar nga kërkesa instinktive e shpirtit të tij të fuqishëm prej poeti për t’i larguar paksa këto halle. Dhe ai thjesht nuk merret me to, por i drejtohet tek “Violinistja” së bukurës:

 

Ta kërkoj fytyrën,

Po s’ta dalloj dot,

Shkrirë mbi valle notash,

Tingujsh magjiplotë!

 

Stinët ndërrojnë vendet,

Si në një magji,

Vallë ç’do ish kjo mbrëmje,

Po të mos ishe ti?!

 

Po përsëri, megjithëse kërkon që t’i shmanget problemeve prozaike të jetës me flakë frymëzimesh që shpërthejnë si petale lulëkuqesh mbi fletët e librit të tij, ai e ka të vështirë që të ndiejë braktisjen nga miqtë e vet, qoftë edhe të “këqij” ndonjëherë:

 

“S’më erdhi askush për ditëlindje,

Dhe pse sot mbusha dyzet e tetë,

Qiriu në tortë pikon me dhimbje,

Dhe hedh ca pika mbi tapet!”

 

Këtu poeti krijon si një regjisor para xhirimit, një skenë të trishtë, madje tepër të trishtueshme. Është tepër e rëndë për këdo që në një periudhë jete kur shumëkush ka arritur kulmet e ambicieve të veta, ai në këtë rast protagonist i regjisurës poetike të Agim Bajramit, të mbetet vetëm për vetëm me tortën, dëshirë për të ëmbëlsuar shpresat e parealizuara, por edhe kjo tashmë është tepër e hidhur për të dhe poeti shpërthen qetë e plot dhimbje:

 

S’më erdhi askush për ditëlindje,

Mëngjesi i festës ngriu në qelq.

Qiriu i tortës qau me dhimbje,

Dhe unë vërtet u ndjeva keq.

 

Kaq. Pa ulërima. Po ama mëngjesi i festës nga miqtë e këqij është bërë tashmë kurban mbi qelq, ku dhe kamera e tij e talentuar e “ngrin” dhimbjen si një insekt në qelibarin e qelqtë. Një dhimbje që gjithsekush nga ne lexuesit e ka ndjerë në moment të vështira që na janë shfaqur në jetë. Dhe që na i zgjon artistikisht kjo poezi që nga skutat e moskujtesës ku jemi përpjekur për t’i “burgosur” ato së bashku me miqte plëngprishës që na kanë shoqëruar dhe më pas braktisur, mbase në momentet kur na janë dashur më shumë…

Dhe mbase pas ditëlindjes lexuesi shikon se si ai derdh vargje bronzi edhe një “ditë vdekje”. Është fjala për një poezi që Agimi ia ka kushtuar varrimit të ish-fqinjës së vet Drita Çomos.

 

“Rënkon një karro në të qarë,

Dhe dridhet nga mërzia,

Dy vetë po çojnë një vajzë

në varr,

E ëma dhe hafija”

 

Pasi ke lexuar këto vargje, të cilat përmbajnë brenda tyre mijëra faqe leksioni për një epokë të luftës së klasave të përmbysur tashmë, të lind dëshira vetëm të heshtësh. Të heshtësh mbase edhe në shenjë nderimi për përcjelljen poetike të shpirtit të një vajze të brishtë që po largohej nga kjo botë e dhunuar nga një realitet i ashpër…

 

Çamëria dhe poezia e Agim Bajramit

Çamëria është një kujtesë dhe mbase një poezi për Agimin. Është një poezi e zezë, e mbuluar me vellon e misterit dhe të vdekjes. Po nëse Bajrami në poezitë e tjera bën kompromis, kur vjen puna për Çamërinë ai është ashpërsisht radikal në kujtime dhe në poezi. Është e vetmi lajtmotiv ku ai është ushtar dhe jo poet, ose ku është poet i mobilizuar ushtar. Po një ushtar i ashpër që të kujton ushtarët e Termopileve, që nuk fal asnjë pëllëmbë tokë. Dhe para se të dalim tek poezitë e Çamërisë, është mirë mbase për t’u hedhur një sy poezive të Athinës, ndaj së cilës poeti ka një mllef që s’e fsheh dot, madje shpërthen ashpër ndaj saj në poezinë “Një çam në Athinë”

 

“Mbi Athinë rigojnë shira të kalbur,

Me një shije gri si krip’ e detit.

Ky qytet asnjëherë s’më ka dashur,

Mua, me të bukurin e planetit.

 

Për çfare bukurie bën fjalë poeti vallë? Mos e ka fjalën për përshtypjet e Bajronit i cili i shkruan nënës së vet se shqiptarët janë raca më e bukur në botë? Që e simbolizon me vetveten dhe i mburret urrejtjes nacionaliste të Athinës e cila ende nuk ka hequr ligjin e luftës dhe nuk njeh të drejtat çame? Kushedi! Poetët që zakonisht janë thjeshtësisht të kuptueshëm, ndonjëherë janë edhe enigmatikë e të pashpjegueshëm…

Po vetëm për pak kohë se Bajrami në poezinë “Erë e Shenjtë Epirote” (kushtuar Çamërisë sime të pafat) siç e thekson ai, shkruan duke përshkruar masakrën greke mbi popullsinë civile që e skalit me pendë të gjakosur mbi faqen historike të kësaj poezie:

 

Sy e shpirt të llahtaruar,

Sa dhe gurit i pikoka,

Diellin tonë të përdhunuar,

Një nëpërkë e shpon te koka!

 

Një nëpërkë me kryq mbi krye,

Helm e vdekje skaj më skaj,

Skotë junanësh pabesie,

Rracë katilësh, djaj mbi djaj.

 

Padashur ndërsa lexon këto vargje në libër të shkon mendja se sa mirë do të bënte edhe politika që të lexonte ndonjëherë poezi. Sepse sikur pjesëtarët e delegacionit shqiptar që negociuan faljen e ujërave territoriale të Shqipërisë për pazare të pista politike të momentit do të kishin lexuar qoftë edhe disa prej këtyre vargjeve, mbase do ta kishin pasur më të vështirë që të shkelnin mbi dinjitetin e tyre kombëtar…

Kjo poezi e fuqishme, ky apel për të mos e harruar tokën e grabitur të të parëve ka pas edhe një mesazh lehtësisht të deshifrueshëm të poetit çam Agim Bajrami. Apel që vjen përmes 4 vargjeve:

 

“Vallë ma pe Paramithinë,

Artën ar që fle mbi det,

Gjyshen plakë me djep mbi shpine,

Varrin tim që ende pret?”

 

Mbase është poezia më domethënëse e këtij vëllimi. Poetin çam e pret varri në vendin e vet. Varri është i hapur. Atë do ta çojnë të gjallët atje kur të vdesë… Të gjallët nga Shqipëria!

 

Durrësi në shënjestrën poetike të Bajramit

Durrësi në krijimtarinë e Bajramit zë një vend të veçantë. Ka shumë poezi të shkruara në momente të ndryshme për të, në të cilat duken luhatjet shpirtërore, pasi kush e njeh nga afër Agimin, e di që ai ka një botë shpirtërore të brishtë që tronditet në moment. Dhe për Durrësin në moment të ndryshme ai ka bërë poezi të ndryshme gjithsesi shumë të bukura, ndër të cilat do të veçoja poezinë “Në këtë qytet ia vlen të jetosh” (Kushtuar Durrësit tim të dashur) siç shkruan ai dhe që na sjell nje kumt se në këtë qytet poetik plot diell dhe det ai është furrsakëzuar tashmë, pasi është i përfshirë në jetën intelektuale të tij. Ai këtu ka emetuar poetikisht 3 vëllime poetike. Ai shkruan:

 

“Në këtë qytet,

Ia vlen të jetosh,

Dhe pse pa shokë mbetesh përherë,

Dhe pse në kafe një kodosh,

Për ty pareshtur nxirrka vrer.

 

Poezi kjo që të rikujton Eseninin me trishtimin e tij dhe poezinë “Nga Moska ika sepse duhej ikur…”. Me sa duket Durrësi është një qytet magjik që e ka mahnitur poetin, por ndonjëherë e ka zhgënjyer edhe keqazi, por ai është poet i ndjeshëm dhe si i tillë di të falë, prandaj dhe i thur ditiramb atij:

 

“Në këtë qytet ia vlen të jetosh,

(Ta ndjesh vetveten zot prej valësh)

Mjafton veç pak të dashurosh,

Por dhe të duhet shpesh të falësh.”

Bruno Marku January 26, 2013 12:59
Komento

3 Komente

  1. Amant January 26, 14:01

    Agim Bajrami nuk eshte poet durrsak, por cerrikas, i lindur aty. Ne fillim te viteve 90 te shkoi familjarisht ne plazhin e Durresit. Dhe aq me teper, poet ishte e u be ne ate qytet te vogel ku u rrit dhe u burrerua. Mos i a merrni lavdine atij komuniteti qe eshte kthyer i papune sot. E uroj perzemersisht poetin per suksesin. E lexoj vazhdimisht. Me pelqen, sepse eshte ndryshe nga te tjeret. Por Agim Bajrami eshte dhe mbetet edhe nje nga fabulistet me te mire te vendit ne kete periudhe te fundit postkomuniste.
    Tung

    Amant Dregjoni.
    Boston USA

    Reply to this comment
  2. petrit January 27, 09:57

    Poeti Bajrami, me penen e tij te ben te ndjesh emocionin e kohes se shkuar ,te asaj qe jeton dhe te asaj qe vjen.Te ben te prekesh nga afer realitetin ,te ben ti shijosh atij te bukuren por te ndjesh dhe hidherimin e tij.Te lexosh poetin do te thot, te plotesosh dicka qe te mungon. Ai u rrit ne nje qytet te vogel por frymezohet ne nje qytet te madh, qe dallget e detit nuk do ta lene asnjeher te qete ne krijimmtarine e tij.Gjej mundesine, te falenderojme skulptorin zotin Dalani per kujdesin e treguar ndaj poetit ,kujdes qe duhet ta tregojme te gjithe ne miqt dhe dashamiresit e tij .
    Petrit Raku

    Reply to this comment
  3. ZHaneta Saliu January 27, 10:30

    Eshte mese e vertete; organizmi i tij eshte krijuar vetem per te shkruar poezi, gjithshka qe ndodh ne realitet, endrrat dhe deshirat, pena e tij i kthen ne poezi.
    E njohim agimin prej kohesh, e njohim si njeriun e mire, te cilter dhe modest!
    Duke lexuar poezite e tij, ndonjehere me ndodh te me vine ne mendje rubairat e te madhit Omar Khajam.
    Te uroj suksese pa fund Agim!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*