Një medium ndërmjetës, i pashmangshëm

April 15, 2018 11:01

Një medium ndërmjetës, i pashmangshëm

Nga Moikom Zeqo

Zef Valentini është jo vetëm një emër emblematik, dijepërhapës dhe kulturëpërcjellës. Ky emër ka koncentruar një materie të dendur shkencore. Të jesh brenda tij do të thotë të ringjallësh hulumtime të ngjashme, të jesh jashtë tij, do të thotë të tejkalosh arritjet diturake, kulturologjike, gjë, që në thelb është të rikthehesh prapë tek ai. Kështu emri i Zef Valentinit është një Medium ndërmjetës, i pashmangshëm, ai mund të quhet një mentor shpirtëror i raporteve të Shqipërisë me Venedikun në shekuj, ai është gjithashtu një rojtar grifon i një thesari ende të pazbuluar plotësisht. Koncepti i burimologjisë së dokumenteve nuk mund të shkëputet nga akribia ballafaquese, kriticizmi shumë niveleve. Para se të artikuloj atë që duhet thënë për Valentinin, një dishepull vëllam i tij, i ndjeri miku im Injaz Zamputi, e kreu në heshtje, me modesti spartane një vepër kolosale shqipërimesh të dokumenteve të Venedikut në lidhje më Shqipërinë, pra, bëri In Memoriam për Valentinin gati anonimisht.

Po pse është kaq e rëndësishme të flasim për dokumentacionin e Venedikut me Shqipërinë?

Venediku ka përfaqësuar lidhje tepër të hershme me bregun lindor të Adriatikut. Studimet për të ashtuquajturën Shqipëri Venedikase janë në një fillim, ky ftillëzim është i domosdoshëm, jo vetëm në rrafshin shkencor historik, por sidomos në rrafshin kulturor. Kornizat konvencionale të formulave për tema studimore janë mjete ndihmëse jo për t’ju larguar thelbit dhe për të mbetur në sipërfaqe. Është shumë e rëndësishme dhe jetike optika konceptuale e problematikës. Ideologjizimet, apo tendencat e purizmit etnik tashmë janë të tejkaluara.  Në një farë kuptimi mund të paraqesin një lloj historie ekumenike të raporteve të Shqipërisë mesdhetare me Venedikun për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë, ku edhe limitizimi i 5 shekujve nuk është plotësisht i saktë, sepse me të drejtë mendimi hulumtues rikthehet akoma më hershëm në kohë dhe në hapësirë. Ka një prirje të një mesjetarofilie, gjë që padyshim është një kufizim gjithashtu konvencional për të parë ndërthurrjet, madje dhe osmozën e lidhjeve të Shqipërisë me Venedikun, kryesisht në epokën mesjetare, madje mesjetare të vonë, deri tek epoka inkadeshente e Rilindjes Italiane. Unë do të guxoja të tërhiqja vemendjen për periudha akoma më të tejlashta.

Të gjithë  e dimë  shprehjen e famshme të Horodotit “Historia (I,196)  për pjesën verilindore të Italisë, ku jetonte fisi i quajtur “Enetët Ilirë”. Hershëm janë bërë identifikime të enetëve me venetët, kështu disa ekspertë të vjetër filologë krijuan një ekuacion jo vetëm historik por edhe etnik të venetëve me ilirët. Kështu mendonte Karl Pauli. Sipas tij depërtimi i ilirëve në Itali madje edhe në Italinë e mesme dhe Apuli ka qenë të paktën që në epokën e hekurit. Por këtë mosmarrëveshje të enetjve të Herodotit me venetët, e shpjegoi për herë të parë Hans Krahe që në vitin 1939.  Më vonë hulumtimet arkeologjike, analizat e onomastikës së  venetjve si dhe gjuhës së tyre treguan se bartësit e kulturës Este, siç e quajnë arkeologët nuk mund të posedonin karakterin ilir.  Ky saktësim nuk duhet të na bëjë skeptikë për praninë e ilirëve sidomos të fiseve japikë e mesapë në Itali. Studimet e mikut tim, arkeologut italian D’Andria e vërtetojnë këtë gjë për t’i shpëtuar komplekseve apo miteve tabu akulturologjike.

Si arkeolog mund të them se monumentet mbishkrimorë apo të arkitekturës apo dhe të artit të epokës venedikase në Shqipëri, në bregun lindor të Adriatrikut ende nuk janë studjuar dhe nuk janë vënë në qarkullimin shkencor. Këto monumente janë absolutisht të rëndësishme. Mund të them se epiqëndra e hulumtimeve duhet të jetë qyteti i Durrësit, që ka qenë gjithashtu koncentrimi i formacionit të quajtur Dukati venedikas. Gjithashtu guxoj të them se studimi i arkitekturës së kështjellave të Shqipërisë bregdetare ka vulën e përcaktuar të kulturës venedikase jo vetëm në Durrës, në Lezhë, në Shkodër, në Ulqin, në Budva dhe Kotorr, por edhe në Berat dhe Gjirokastër. Unë vetë kam zbuluar disa emblema në reliev të luanit të Shën Markut në të gjitha këto pika. Luani i Shën Markut dokumentohet dhe në afreskat tashmë të zhdukura siç qenë ato në shtëpitë kështjellore të Gjirokastrës, që i dëshmon saktësisht në shek.XVII edhe Elvija Çelebiu. Ky material i shumtë nuk mund të shkëputet nga një koleksion i pasur i strukturave të skulpturuara të puseve venedikase sidomos në Durrës dhe në Shkodër, padyshim edhe në Lezhë. Ky kapitull nuk duhet mbyllur por duhet hapur, sepse kemi të bëjmë jo vetëm me kulturën e jetesës, por edhe me motive të artit madje dhe të heraldikës.

Kapitulli dokumentar shkrimor i lidhjeve të Shqipërisë ne Venedikun është një pasuri kolosale. Kjo pasuri nxjerr në dritë disa çudi juridike siç janë Statutet e Shkodrës të botuara nga mikja e mirë dhe e ditur e Shqipërisë, Prof.Lucia Nadin.

Nga zbulimet arkeologjike në qytetin e Durrësit, do të ndalesha në dy qeramika të gllazuruara me figura femrash, me ngjyra, që duhet ta kenë burimin në Venedik. Këto qeramika i përkasin shek.XIV dhe janë gjetur në kullën D të kështjellës së Durrësit para shumë vitesh. Unë i kam  botuar këto qeramika dhe kam shprehur mendimin se arti i portreteve të këtyre dy femrave në shek.XIV është një art i lartë më ndikime rilindase shumë më përpara artit të shkëlqyer postbizantin por gjithashtu sipas skemave të paluajtshme të gjeniut pikturik Onufri në shek.XVI, pra dy shekuj më vonë.

Këto dy qeramika, që tregojnë femra në profil me frizurën e  flokëve si dhe kezat mbi kokë shprehimisht tregojnë që në Durrës frymëmerrte një art jashtëzakonisht i përparuar, që ftillëzohej nga Venediku dhe që kish gjetur mirëkuptim dhe parapëlqim tek banorët e Durrësit. Ky është një art laik, ndonëse dihet zotërimi tepër i madh i artit kishtar në këtë lak kohor. Arti  pikturik i qeramikave është dhe një shprehje e veçantë e një kultivimi fisnik plot nuanca dhe nojma i mënyrës së jetesës në Durrës dhe interlantin përqark.

Tërheq vëmendjen për dy rrafshe të mëdha studimorë: së pari për gjetjet e veprave të bëra nga qelqi Muranës, që dëshmohen në bregun shqiptar të Adriatikut, kryesisht në qytetin e Durrësit dhe së dyti për ndikimin e shkollës ikonografike që njihet me emrin shkolla “Kreto-Venedikase”. Kjo shkollë ikonografike ka lënë gjurmë tepër të lexueshme në ikonografinë mesjetare shqiptare dhe përfaqëson një ndërmjetësi të veçantë të kulkturës kishtare të përbashkët midis Shqipërisë dhe Venedikut. Kjo temë është tepër  e gjerë dhe hulumtimet për të kane qene dobiprurëse, krahasimtare dhe njëkohësisht sintetike.

Shekujt XIV,XV dhe XVI janë shekujt e osmozës dhe të interesave të përbashkëta. Një nga kryeveprat e kulturës shkrimore, që lidhet me emrin e kryehumanistit shqiptar, priftit të Shkodrës Marin Barleti, është botuar në Venedik. Botimet e shqiptarëve në Venedik janë të shumta. Venediku është vendi, ku shkëlqeu dhe piktori me origjinë shqiptare Mark Bazaiti, bashkëpunëtori i Alvisa Vivarinit. Venediku është poli italian i Evropës për shqiptarët. Ky pol nuk e humbet rëndësinë e vet edhe në shek.XVII kur shqiptarët e Elbasanit botojnë në Venedik akuilithe etj , kushtuar Gjon Vladimirit. Zhbirimet e ardhshme do të na rezervojnë të papritura të mëdha.

Kam lexuar disa shkrime të Giannino Mastrinardit për studimin e emigrimeve të shqiptarëve në Venedik në vitet 1272, 1388, 1393 etj. Ekzistenca dhe fuqizimi i komunitetit shqiptar në Venedik, sidomos pas rënies së qytetit kështjellor të Shkodrës është një fakt tashmë deri diku i studjuar. Mastrianardi përmend një poemë venedikase të vitit 1500 të quaëtur “Qerthulli i çuditshëm”, shkruar nga Aleksandro Caravio. Në këtë poemë gjendet dëshmia e pranisë shqiptare në Venedik. Në poemë janë edhe këto rrjeshta : “Ho fatto zufi e la miecra d’arzento, le gambe sotto me e s’infiga…”, “El va mananando cofa in le onde el schifo, co la so miecra e mustachi de gato…”, “… co la so miecra e rizi petenao”,. Por më të rëndësishme janë fjalët e veçuara, të futura në dokumentet  latine e venedikase, të përfshira në veprën madhore “Acecta Albania e Veneta saeculorum XIV et XV”.

Kontaktet e raportet mesjetare jo vetëm ato tregtare të Venedikut me Shqipërinë janë të njohura. Republika e Venedikut arriti disa përparësi të paktën nga shekulli XI, kur edhe nisën organizimet bashkiake në Shkodër, Lezhë e krahina  të tëera shqiptare. Në disa nga aktet e botuara nga Zef Valentini për të cilin do flas më poshtë të paktën që më 1301 shumë më herët se sa dëshmitë e ekzistencës së shkrimeve shqipe gjen fjalë të ndryshme, emra njerëzish dhe vende shqiptare.

A.Guzzeta, ka studjuar shprehjet shqipe në shek.XV në dokumentacionin e epokës. Në listat e tij ai ndalet sidomos te mbiemrat, që pak a shume në dialekt venedikas e zbulojnë origjinën e tyre shqiptare.

Por kryemjeshtri i botimit të dokumenteve venedikase për Shqipërinë është padyshim i paharruari Zef Valentini. Nga thellësia e zemrës unë mund të shprehem : Nderim Zef Valentinit! Do të ishte jo vetëm honorifike, por edhe morale si dhe mirënjohje e madhe, që Shqipëria të kish festuar 100 vjetorin e lindjes së tij para 3 vjetësh.  Shkrimet e pafudme e librat e botuar nga Valentini përbëënë një korpus të pashembullt.  Ai është nga albanologët më të mëdhenj të të gjithë kohërave dhe me të drejtë poeti dhe dijetari Martin Camaj e vlerëson Valentinin jo vetëm “Historiani më i madh i kohës, jo vetëm i Shqipërisë, por një ndër më të mëdhenjtë e Gadishullit Ballkanik”. George Shtatmyler e vlerëson kryeveprën e Valentinit “Acta Albaniae Veneta” si shprehje të mahnitëshme të këmbënguljes së tij të famshme për erudicion.

Zef Valentini duke mos qenë etnikisht shqiptar ju afrua kulturës dhe gjuhës shqipe më në substancë se sa vetë shqiptarët. Ai përfaqëson tipin e klerikëve humanistë të kulturës baroke, enciklopedike si askush tjetër. Kryesore për njohjen e veprimtarisë së Valentinit është padyshim bibliografia e shkrimeve të tij paraqitur për herë të parë nga diëetari i ndëerë Vinçens Malaj. Për të ka shkruar edhe Vili Kamsi. Në Arkivin e  Shtetit është gjithashtu një dokumentacion i hatashëm prej njëmijë e ca referencash, përpiluar prej Zef Valentinit për Historinë e Shqipërisë.  Do ishte kuptimplote një skulpturë e Valentinit në Muzeun Historik Kombëtar. Valentini me botimin e koleksionit të mahnitshëm të dokumenteve është prijëtar dhe  pishtartregues si dhe udhëhapës, njësoj si Farlati,Shuflai, Jeriçeku etj.  Të vjen keq që ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli dhe s’kemi asnjë botim kushtuar Valentinit në Shqipëri apo ribotime jetike referenciale të veprave të tij të panumërta. Besoj se puna e tij nuk mund të quhet e shteruar por struktura treguese dhe shembullore për tërë hulumtuesit e ardhshëm. Interesat e Valentinit janë polivalente dhe të shumëfishta. Ai njeh shkelqyeshëm fondet burimore, dokumentacionin shkrimor, ai studion kanunet e popullit shqiptar, folklorin, krijimtarinë artistike, pikturën religëioze, muzikën madje dhe kinematografinë dhe eseistikën letrare moderne. Ai është autori i shumë syzheteve madje dhe i rikonstruksioneve arkitektonike të kishave të Shqipërisë siç është ajo e Shën Stefanit brenda kështëellës së Shkodrës.

Prirja për një klasifikim të krijimtarisë së Zef Valentinit është e natyrshme, e vetkuptueshme. Vepra suma sumarum e Valentinit ka disa horizonte apo rrafshe, që në realitet janë të ndërfutura dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën. Çdo klasifikim ka pak simplifikim. Megjithatë unë do të bëja këto veçime:

Studimet e Valentinit për botën ilire. Në 1939 në revistën “Leka” Valentini boton një studim numizmatik për koleksionin saverian në Shkodër. Ai flet për monedhat e mbretrve ilirë, Balleos, Gentius, për monedhate  Scodras, Apolonisë, Dyrrachiumit, por edhe për monedhat mesjetare të qyteteve arbërore si Scutari, Drivastum, Dulcigno (Ulqini) etj.  Në 1939 në revistën “Numismatica” në Romë Valentini boton një studim tjetër për monedhat ilire. Bashkëpunimin me këtë revistë e vazhdon për disa vjet dhe boton studime të veçanta për një monedhë të quaëtur follar të Manfredit të  Hohenstaufenit, si dhe për një monedhë të qytetit ilir Amantia. Në një botim të Universitetit të Palermos më 1956 Valentini boton studime për fiset ilire dhe tributë shqiptare për qytet dhe kështjellat e ndërtuara dhe rindërtuara nga Justiniani, kurse në “Dictionaire D’Istoire” Paris 1959, vëllimi XIV boton një studim për Drishtin. Në “Enciklopedia Cattolica”, Firence 1948-1953, Valentini shkruan zërat e Shqipërisë, Durrësit dhe Ilirisë.

Rrafshi më i plleshëm për Valentinin janë studimet për krishtërimin. Këto janë të pafund. Shumë hulumtime janë mbi veprën e Parlatit me referenca, saktësime. Më 1936 tek “Leka” boton studimin “Lindje e Perëndim”. Tue gëurmue kuptimin themelue të mistikës”. Po këtu më 1937 boton : “Të drejtat e metafizikës”. Valentini është i pari që shkruan hagjografinë e martirëve të krishtërimit apo shenjtorëve me origëinë ilire dhe shqiptare. Kështu ai flet për shenjtorin françeskan Frano Durrësakun, për Gjergj Albanin, për fra Angeliko Di Bargellini si dhe për Suvanarolën, për apostolimin  e Geatano Petrotës, për Gjergj Guxetën, Gjergj Fishtën, Xanonin, Ndre Mjedën, Marin Sirdanin dhe padyshim edhe për Gjon Buzukun etj. Vemendjen e Valentinit e tërheqin historitë e patriarkëve dhe organizatorëve ekleziastë në Gadishullin Ballkanik. Ai gjithashtu flet për njëlloj internimi në vitin 304 të Gjon Gojëartit në Epir, flet për rrymat heretike të krishtërimit që kanë gëluar në Ballkan dhe brigjet e Shqipërisë etj.  Për krishterimin Valentini është i interesuar edhe për artet, arkitekturën, pikturën, muzikën. Më 1936 ai boton një studim për rikonstruktimin e kishës së Shën Stefanit në Kalanë e Shkodrës. Ai ka shkruar për pikturën, poezinë dhe muzikën në artet bizantine më 1958, për universalitetin e pikturën kristiane me 1960, për pikturën kristiane ne Hindi më 1961, kurse në revistën “Shenjëzat” Romë, 1962, ai precizon leximin e  një mbishkrimi në një kishë të Kosturit, ku ka pikturuar Onufrin më 1547. Studjuesi grek Orlando e ka lexuar gabim emrin e një qyteti në kete mbishkrim. Orlando jep si variante emrat Grebenion ose Venetion, kurse Valetini zbuloi se është emri Beration. Kështu u vërtetua se Onufri erdhi për të pikturuar në Kostur “Nga qyteti i shumëshkëlqyer Berat”.  Po tek “Shenjëzat” më 1963, Valenti boton një studim për Mark Bazaitin, piktorin shqiptar të Venedikut, në shek.XV. Valentini  është i pari që ka hedhur dritë për një familje artistësh shqiptarë, Albanezët e Viçensës. Ai ka trajtuar temat teologjike të artit pikturik në Athos, si  dhe rëndësinë e arteve ekumenike. Një studim tepër interesant i tij botuar më 1970 është “La mistice Iconaria di Trubeckoi”.

Valentini ka qenë i interesuar për humanistët shqiptarë, ka shkruar për Marin Biçikemin (1468-1526) për Gjon Gazullin (ka shqipëruar në fakt studimin e Florio Baufit), ka shkruar për  gjeneralin e  kavalerisë Gjergë Bastën shek.XVII, por në mënyrë të veçantë ka shumë shkrime për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Valenti ka patur në optikën e tij shkrimtarët shqiptarë si dhe diturakët Fishta, Koliqi, Ilkë Qafëzezin, Zamputin, arbëreshët, De Radën, Zef Skiroin, por ka dhe ndonjë polemikë më Branko Merxhanin. Valentini e ka patur pasion kinematografinë. Ai boton tek “Drini” më 1943 një skenar për film për “Gjon Vladimin Princi i Krajës”. Më 1956 shpalos mendime për filmin “Skënderbeu”. Për Valentinin rëndësi të veçantë kishte edhe muzika. Më 1951 ai boton një studim eseistik dhe estetik për Meshën e Requemit të Verdit.

Por ajo që është gati e pabesueshme lidhet me interesin e  Valentinit për letërsinë moderne. Ai ka dhënë mendime për përkthimin e Tajar Zavalanit të “Sonatës së Krojëzerit” të Tolstoit, shkruan për përkthim e “Faustit” të Gëtes nga Lazër Shantoja, për librin “Në frontin e Perëndimit asgja të re” të Remarkut. Ai shkruan dhe për nobelistin amerikan Folkner, Graham Grin, Çehovin, Zolanë, Sigrid Undset (Nobel-1938) apo për funeralin e  Coletjs, më 1954, ku pasqyron dhe polemikën me këtë rast në “Figaro Litteraire”. Valentini ka qenë interesuar për librat e Plutarkut, Vitorio Altierit, Pjer Korneit, për libra shkencorë të Taljavinit, Baldaçit, Franc Nopçes etj.

Një libër i quajtur “Favole e Legende del Veneto” është botuar në Bologna më 1960 dhe përbëhet nga këngë italiane me motive mitike. Ky libër është bërë nën kujdesin e Valentinit nga sekretari i tij Gastoni Tedeschi. Do ishte mirë që ky libër të përkthehej në shqip për të bërë të njohur botën fabuleske të Venedikut. Para disa ditësh studjuesi gjerman Shmit mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës për Venedikun dhe Shqipërinë, ku paraqiti librin e tij prej 600 faqe për këto lidhje, si një vazhdim i veprës së Valentinit. Ai mbajti dhe një kumtesë ku foli për karakterin e patricëve të Venedikut, që ishin dhe tregtarë të mëdhenj në Durrës. Tregtia qe atributi magjik i Republikës së Venedikut. Tregtia ka gjuhë ekumenike dhe del jashtë lëvozhgave etnike. Vërtet në Durrësin mesjetar dokumentohen disa etni të ndryshme përveç shqiptarëve. Kjo tipologji mikse buron edhe nga vetë Venediku, që nuk qe një qëndër e purizmit etnik italian, por e përzierë, një qytet i hapur siç është aktualisht edhe Evropa sot në epokën globale. Studimet dhe hulumtimet për raportet midis dy brigjeve të Adriatikut do të realizojnë një histori të re kulturore, që është nganjëherë më e vërtetë dhe më e plotë se sa historitë politike.

Botuar në Dita

 

April 15, 2018 11:01
Komento

5 Komente

  1. Rrespekt Moikom per kte art encoklopedik qe gjeneron papushim e pasion April 15, 15:56

    – Nji veper e mire ,s’eshte asnjiher nji vler e mire
    qe i dhurohet nji shoqerie ,nji shteti , nji Kombi ,
    nqs ajo s’do vleresohej nga shoqeria ku litetrari Jeton !

    Rrespekt i nderuar Moikom

    Reply to this comment
  2. era April 16, 00:25

    Pse nuk sqaron se perse ky prift italian nuk u vlersua por perkundrazi u denoncua nga qeveria e shteti jone per 40 vjet apo se ti je me i zgjuar dhe vetem tidi te cmosh vlerat, Ku ishe ti Brut para 30 -40 vjetesh!?

    Reply to this comment
  3. Tempulli Artemises April 16, 11:28

    z.Moikom ty nuk te falet si “diturak” por qe nganjehere dilni shume me te rrezikshem se injoranca, qe ti besh ditirambe nji agjenti te SIM-it e te Gestapos gjermane ne Shqipni sic ishte Zef Valentini.Ky Zefi i Zi ne stacionin e Milanos ne shkurt 1944,eshte pare ne shoqeri me oficere te larte SS.Im ate qe po riatdhesohej si ish-i internuar nga fashizmi italian,ju fsheh ketij Zefi te Zi me frike se mos e spiunonte tek oficeret gjermane te Gestapos.Ti tani po e quan kete agjent jezuit, emer emblematik,dijeperhapes (te imperializmit italian apo te nazismit racist ? ),mentor shpirteror etj.etj.Madje i vendos si dishepull prof. e nderuar Injac Zamputin, profesorin intelektual qe gjithe jeten ju perkushtua atdheut te tij te dyte,Shqipnise, duke edukuar atdhetare e patriote ne Kolegjen e Etneve Jezuit ne Shkoder ?!

    Reply to this comment
  4. Paul Tedeschini April 16, 19:33

    Pergezoj Dr. Moikom Zeqon per kete shkrim te mrekullueshem, qe duhet me e lexue disa here. Ky shkrim asht shume i pasun ne te gjitha pikpamjet. Rinia e sotme mjerisht asht teper boshe nga pikpamja kulturore.

    At Zef Valentini ka punue shume ne Kolegjin e Jezuitve Saverian ne Shkoder. Mjerisht biblioteka shume e pasun e jezuitve dhe ajo e eterve françeskan jane zhgatrrue ne vitin 1945-1946. Un vete kam pare te hjedhun neper rruget aty prane volumet dhe revistat studimore shkencore, te cilat i merrshin femijte dhe i shitshin si letra ne dyqanet e djathaxhive per te mbeshtjelle djath.
    Pa fole per personelin shkencor qe u masakrue sepse kishin kulture europiane ……

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*