Një mik i kahershëm që iku befasisht

May 30, 2016 09:23

Një mik i kahershëm që iku befasisht

-Në vend të lamtumirës për gazetarin Ramadan Bigza-

 

Nga Bedri Islami

Në Shkodër, asaj kohe, mes të tjerave kishte edhe dy fusha futbolli, të vogla, por të zhurmshme. Njëra në “Banjën e Vogël” dhe tjetra tek bahçja e Milotëve. Në njerën prej tyre, më shumë se një gjysmë shekulli më parë, pikërisht në moshën e bardhë të asaj rinie ëndërruese, kam njohur Danin, Ramadan Bigzën, që do i thonim për shumë vite thjesht Dan Reshiti. Ajo fushë futbolli do të bëhej pikënisja e një miqësie që zgjati më shumë se 50 vite dhe që dje, krejt befasisht, u ndërpre nga një goditje në zemër. Në një qytet të huaj, ku jetonte prej më shumë se 20 vitesh dhe ku kishte menduar të ishte edhe pak kohë, për të qenë përsëri në vendlindjen e tij. Kthimin e përmendte shpesh, si gjithë ata që kanë ngutin të kthehen aty, në mos tjetër, me ëndrrën e pashprehur për të vdekur në vendlindje. Por kurrë kaq shpejt, kaq befasisht dhe duke lënë pas brengën e një ikjeje.

Ramadan Bigza ishte njëri ndër gazetarët e njohur shkodranë, që u bë i tillë në sajë të tri gjërave: pasionit për t’i shkuar gjërave deri në fund, talentit për të hulumtuar dhe prirjes për të dashur gjuhën e bukur shqipe. Kanë qenë dy vitet e fundit të gjimnazit, kur ishim të përditshëm tek njëri-tjetri; jo vetëm nga futbolli që luanim në një nga skuadrat e qytetit tonë, e ku më shumë shkoja për hatër të tij sepse nuk e kisha edhe aq pasionin futbollin, por edhe nga pasioni për letërsinë, për miqtë e përbashkët që kishim, sa që, megjithëse nuk ishte në klasën tonë, thuajse të gjithë u bënë miqtë e tij dhe vazhdojnë të jenë edhe sot. Lexova disa nga mesazhet e tyre në këtë ditë dhe dhimbja ishte e pranishme si askund tjetër.

50 vite janë të rralla për një miqësi. E mbaj mend ende sot pamjen e dy prindërve të tij: babait, Selmanit, mekanik në fabrikën e Tisazhit, dhe të nënës, Fetijes, tezgjahiste. I mbaj mend kur niseshin për në punë; ai pak përpara, me ecjen e lehtë që do e merrte më pas edhe i biri, njeri i heshtur, thellësisht i ndershëm; ajo pak më pas, duke mbajtur në duar një çantë të vogël, ku kishte ushqimin e zakonshëm. E imët në trup, gjithë dashuri, ajo do kishte mirësinë e pazakontë të nënave. Ikën para të birit, nuk e di se çfarë do të kishin përjetuar sot, por e di krejt mirë atë që përjetojnë dy motrat e tij, ashtu si e di se çfarë përjetimi të rëndë kanë pasur Rajmonda, gruaja e tij jugore, e ardhur si studente në qytetin tonë që më pas, iu bë si qyteti i saj i lindjes, dhe dy djemtë.

Gazeta “Jeta e re”, atëherë kur Dani filloi të punojë aty, kishte një staf të mrekullueshëm. Isha bashkëpunëtor i rastit, nuk kam punuar kurrë aty, por ishin të gjithë miqtë e mi. Ndonjëri prej tyre si Sandër Mazi, nuk jeton më, e po ashtu edhe të tjerë si humoristët Paulin Selimi dhe Kolec Pepa, anëtarë të kolegjiumit apo bashkëpunëtorë të shkëlqyer; të tjerë, si Ndue Lazri apo Zhaneta Shqepa Lazri, ashtu si Dani, si shumë nga ne, janë në mërgim prej shumë viteve.

Ramadan Bigza duke qenë njëri ndër ish futbollistët e Vllaznisë, e kishte të natyrshme të ishte më shumë një gazetar i pasionuar pas sportit. Ishte njëra ndër mendjet më të mprehta, gjithnjë jo thjesht vëzhgues i zakonshëm, por shumë më tepër se kaq; i hollësishëm deri në detaje, polemist dhe gjithnjë me dëshirën e së mirës ndaj vetes dhe për të tjerët. Ishte polemist i dorës së parë, por në kahun e së mirës. Me ndjenjën e njeriut që kërkon të mirën edhe ku ajo mendohet se nuk mund të gjendet, por edhe duke i bërë ballë debatit. Kalimi i tij si gazetar i njohur tashmë tek Radio Shkodra, më pas tek “Sporti shqiptar” ishte njëra ndër gjërat më të natyrshme, dhe, megjithëse larg, si e thashë, prej dy dekadave jetonte në Athinë, përherë i pranishëm si pjesë e asaj që po ndodhte.

Shumë njerëz kanë shkuar në këto vite jashtë atdheut, mes tyre edhe mjaft gazetarë të njohur, të cilët, më pas, pre e asaj që kanë gjetur, nganjëherë e moshës, e problemeve që kanë takuar, kanë heshtur ose janë bërë thjesht lexues të zakonshëm. Disa kanë heshtur fare, të tjerë janë të pranishëm në atë shpirt që u japin të tjerëve, disa u bënë të zakonshëm, duke pranuar se misioni i tyre mbaroi. Ramadan Bigza është njëri nga përjashtimet: Dhe u bë vetë njëri prej tyre.

Në Greqi ai drejtoi për shumë kohë “Albania Press” media më e ndjekur, më e lexuar në Greqi, dhe përmes saj, duke hequr një pjesë të mallit të Shkodër-loces, ai dërgoi aty edhe pjesë Shqipërie. U bë si një urë lidhëse mes mëmëdheut dhe asaj që kishte ndodhur jashtë vendit; solli tek njerëzit ndjenjën e vendit të tyre si një natyrshmëri, dhe këtë e bëri edhe kur ishte e vështirë financiarisht ta bënte. Kam botuar herë pas here tek “Albania Press” dhe kam pasur në duar disa nga botimet e saj. E rradhë për nga mendimi dhe shprehëse e natyrshme e asaj që kishte mbështjellë jetën e njerëzve në mërgim. Ndaj, edhe largimi i tij nga jeta në pasditen e 28 majit shkaktoi gjithë atë dhimbje në komunitetin shqiptar në Greqi, prej të cilit u largua njëri nga zërat e përditshëm dhe të natyrshëm.

Si e thashë në fillimin e këtij shënimi, kemi qenë krejt të rinj, as 15 vjeçarë, kur ka nisur miqësia jonë. Ishim, si mund të them, një katërshe e përditshme, rrugët e të cilëve herë largoheshin pak e herë ishin rishtas të njëjta. Vetë jeta ishte e tillë dhe këtë nuk mund ta zhbëjë askush tani. Kishte lindur më 21 mars 1952, ditën e pranverës; në të vërtetë dy nga ne kishin lindur në këtë ditë, dhe kësaj pranvere, kur po i uroja ditëlindjen e 64-të , as nuk më kishte shkuar në mendje se do të ishte hera e fundit. Miqtë na duken të përjetshëm. Herën e fundit u takova me të vitin e shkuar, në Shkodër. Kishte në vete mallin e pashuar dhe dëshirën e kthimit.

Mjerisht po kthehet para se ta kishte menduar secili prej nesh. Na dhemb ikja e tij.

Pushofsh në paqe. Ky është mesazhi i një miku gjysmë shekullor dhe i gjithë atyre të këtij brezi, që të kanë dashur me shpirt.

May 30, 2016 09:23
Komento

1 Koment

  1. Dhimitwr M Xhoga June 17, 03:19

    Ramadan Bigzwn, njohur pwrmes shkrimeve tw tij si gazetar, ish Futvolliost nw shkodwr e njoha nga afwr nw kushtw tw vecanta tw emigracionit nw Athinw, mes viteve 1992-1995. provuar rrugwt e mwrgimit nw Athinw.
    Ishte mes intelektualwve marrw ato rrugw,sa krye tyre si gazetar me pwrvojw, sa atdhetar i pwrkushtuar.
    Kush shkoi nw Athinw dhe nuk e takoi tw mirin Ramadan, qw si shkruan kolegu Bedri Islami, -Ai ishte i tw gjithwve dhe pwr tw gjithw.
    Gazeta e Athinws sa Robert Goro me emisionet e tij nw Radio, do tw na mbidhte e bwntw njw,Ramadani, krye punwve,sa shoqwrisw qw nuk i ndahej. Ishte nje MASOVIK i rallw.
    Unw qw shkoja si vizitor nw Athinw pas fwmijwve emigrantw, prej vitesh korespodent i Gaetws “Mwsuesi sa shtypi pwrditshwm tw kohws, tek Ramadani gjeja mbwshtetie, deri botova disa shkrime nw Gazetat e kohes nw Athinw dhe nga Tirana. I jam mirwnjohws atij sa bashkwshokwve tw tij, pwr kokw.
    Me vrau, lajmi marw njw ditw pas asaj ndarje nga jeta pa pritur nw Athinw, duke shkuar drejt saj e tw parin qw doja tw takoja, do ishte Ramadan Bizga….
    Sa mw mbeti peng, mos vwnia e njw tufw lule, nw arkivolin e tij, nw ditwn e lamtumirws, mes dashamirwsve tw tij sa families sw nderuar Bizga .
    Me veneracion e kujtuan tw ndierin Ramadan, atje tek Kafe e skraparlliut Beni,mes “OMONIAS” nw Athinw, rrethuar me veteranwt emigrantw, bashkwkohws tw Ramadanit: Mihal Dusha, Zio Shahini, Kastriot Lekdushi,Baki Gjoliku, Vasil Zoga, Andrea Shimani sa pranw tavolinws sonw; Astrit Mece, Stavro VIko, Edmond Lalmi e me ta, kitaristi veteran i aktiviteteve nw Omonia Ylli Cinko e tj. bwrw shkas unw pwr kwtw zijafet tw improvizuar sa ardhur nga Tirana, ngushwllim shokwsh e miqsh.sa kryetari shoqatws Besnik Kasa nga Librazhdi. me Barcin,(tiranasin buzwqumwsht nw atw fillim emigracioni) e, Filip Durkon nga Narta.Tw parwt kwta aktivistw tw shoqatave emigrante, me shoqatwn “Vllaznia”, themelues ndwr tw parwt Jani Jano me tw birin Mihal, zgjedhur kryetar tw parw tw riun pasionant atdhetar Albert Zoli(1966,mos gaboj). ,
    I pwrjetshwm kujtimi i gazetari dhe publicistit Ramadan Bidza, sa tw gjithw i jemi borxhllinj atij njeriu NJERI…ndarw nga jeta pa pritur nw kulmin e veprimtarisw tij.
    Nga Torontua shkruaj kwtw koment ngushwllimi, sa mbritur mes dashamirwsve emigrantw miq tw tw ndierit qw bashkohen me dhimbjen tonw nw kwtw humbie tw parakohwshme tw atij mjeshtwri tw fjalws shkruar; Ramadan Bizga .
    Ngushwllime families dhe dashamirwve tw tij.
    Bashkwkohwsi 80 vjecar
    Dhimitwr M. Xhoga.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*